Lajmi i një dite më parë, se miliona euro janë zbuluar në dy automjete tip “Toyota Yaris” në Durrës ka shkaktuar mjaft debate në vend.
Sasia e eurove u kap në mjetin me targa AA 120 SP AFR 559 dhe gjatë kontrollit fillestar në mjet u kapën 1.5 milionë euro, por pas kontrollit të imtësishëm edhe në një mjet tjetër, sasia e eurove ka qenë shumë më e madhe dhe dyshohet se bëhet fjalë për rreth 5 milionë euro.
Mësohet se policia kishte informacion nga INTERPOL-i për shumën e fshehur dhe nisi kontrollin, fillimisht në njërën nga makinat u gjet një pjesë e shumës e fshehur te dyert, ndërsa më pas u kontrolluan me imtësi dhe makinat e tjera dhe rezultoi që edhe në një tjetër ‘Toyota Yaris’ po te dyert ishte fshehur pjesa tjetër. Prerjet e kartëmonedhave janë të ndryshme 20-she, 50-she dhe 100-she dhe nuk janë të falsifikuara.
Deri më tani policia ka arrestuar 4 persona, mes të cilëve edhe shoferin e kamionit me targë AA 120SP-AFR 559 nga Durrësi, Edi Lika, i cili është pronari i kompanisë së transportit të automjeteve.
Sakaq është zbuluar edhe prokurori i cili ka marrë në dorë çështjen. Ai është Sokol Nishani, vëllai i ish-presidentit Bujar Nishani.
A është kjo makina për të cilën foli Basha në Kuvend?!
Vetëm pak ditë më parë në seancën e fundit parlamentare, kryedemokrati Basha, akuzoi kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se kishte lidhje me një mjet tip ‘Toyota Yaris’ me të cilin do i vinin 1.5 milionë euro para droge të trafikuar prej tij. Mjeti ishte nisur nga Belgjika dhe nuk kishte një destinacion. Eurot ishin fshehur në makinë, ndërsa dyshohet se kanë ardhur nga aktiviteti kriminal.
“Të kapën ‘Toyota Yaris’-in me 1.5 milionë euro të drogës brenda”, kjo ishte akuza që Lulzim Basha i bëri Taulant Ballës në Kuvend. Balla, ishte duke qeshur, teksa Basha fliste për negociatat, ndërsa përgjigja e Bashës ka qenë: “Qesh ti qesh, zgërdhiu!Ai që po zgërdhihet më shumë ka qenë para tri ditëve. Ai zgërdhitësi ka marrë “Toyta Yaris”-in. Por t’u zbulua Toyota”, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Sepse zgërdhitësi thoshte s’kemi probleme, s’kemi drogë, reformat po ecin, krimi po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar e nuk ka nevojë ta thotë opozita.”, akuzoi Basha.
Kjo akuzë u mohua nga Balla, i cili komentoi jashtë sallës së Kuvendit: “Së fundmi në Gjermani nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë unë di që kanë qenë, Mimi Kodheli nga Partia Socialiste dhe Sali Berisha e Lulzim Basha nga Partia Demokratike. Këta di unë që kanë qenë deputetë shqiptarë në Berlin. Tani nëse Saliu ka qenë dhe e ka parë Lulzimi, kjo është çështje e brendshme në sajë të duelit për PD-në. Por që Lulzim Basha ka prova të theksuara që burojnë nga Babalja, por moskallëzimi i një krimi të tillë është vepër penale, të kesh parë një deputet me ‘Toyota’ me 1.5 milion euro, pra ky e paska peshuar! Personi Lulzim Bashës është në dijeni të një krimi dhe natyrisht duhet të vihet në dispozicion të autoriteteve gjermane.”.
“Peshohen, nuk numërohen”
Lidhur me zbulimin e shumës marramendëse, kanë reaguar shumë eksponentë nga opozita, ndër to spikat ai i Ervin Salianjit, i cili thotë se eurot e kapura dje në Durrës po peshohen e nuk po numërohen, ndërsa shton se janë 200 kilogramë. Ai shtron pyetjen se përse nuk shkohet asnjëherë tek zbulimi i plotë i grupit kriminal.
“Eurot e kapura në Durrës janë aq shumë sa i masin me kilogram, kanë peshuar 200 kilogram Euro të kapura, pas sinjalit të ndërkombëtarëve.
Në Republikën e Rilindjes vlera e parave peshohet nuk numërohet.
Pyetja qe mbetet përherë, pse nuk gjurmohen paratë deri në fund? Pse nuk shkohet asnjeherë tek zbulimi i plotë i grupit kriminal?”, shkruan Salianji.
Krijoni Kontakt