Ti e ke zakon që i komplikon gjërat.
E para, Epiri është një territor që sot është i ndarë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë mbasi ky territor u pushtua nga Greqia gjatë luftërave Ballkanike me bekimin e Fuqive të mëdha. Ndarja në dy pjesë e këtij territori është si rezultat i vendimeve të Fuqive të Mëdha, sepse ne konsiderojmë këtë territor si një dhe të pandarë dhe si tokë shqiptare, Shqipëri e Jugut. Po kështu edhe grekët kanë pretendime se Epiri ju takon i gjithi atyre. Kështu që në postimet e mija kur them Epir unë nënkuptoj Shqipërinë e Jugut dhe anasjelltas.
Arvanitët janë një popullsi shqiptare që jetojnë në Greqi. Ka disa Arvanitë që pretendojnë se janë autoktonë në Greqi pa mohuar identitetin e tyre etnik. Kjo teori nuk pranohet nga qarqet Akademike.
Ajo që pranohet është se këta njerëz janë vendosur në Greqi gjatë emigrimeve të ndryshme gjatë historisë. Edhe këtu ka disa opinione të ndryshme në lidhje me periudhën kohore të këtij ose këtyre valëve migratore të shqiptarëve drejt Greqisë si dhe për origjinën se nga cila zonë e Shqipërisë këta kanë ardhur.
Një teori është ajo e Konstantin Sathas, një historian i famshëm grek i shek. XIX-të, por i cili thotë se Shqiptarët arritën në Greqi diku nga shekulli i 6-të gjatë dyndjeve sllave. Kjo teori ka mbështetje nga disa historianë grekë gjatë shekujve XIX-XX-të por nuk pranohet nga opinioni i përgjithshëm shkencor. Ajo që pranohet është se këta shqiptarë janë vendosur në Greqi, gjatë emigrimeve për arsye të ndryshme, duke filluar nga shek. XIV-të dhe në vazhdim gjatë sundimit Otoman. Origjina e tyre është pika që i ka ndarë dikur studiuesit por që tani nuk besoj që ka më dyshime. Këtu ka një teori antishqiptare që për fat të keq është sugjeruar dhe mbështetur nga një prej historianëve më të mëdhenj të shek. XX-të, N. G. L. Hammond. Sipas kësaj teorie, shqiptarët e Veriut emigruan dhe kolonizuan Epirin dhe pjesë të mëdha të Greqisë. Kjo teori ka një prapavijë të qartë politike dhe ka për qëllim të justifikoj ambicien greke për pushtimin e Epirit ose Shqipërisë së Jugut. Nuk po zgjatem shumë që të shpjegoj pse kjo teori është e pasaktë, mjafton që të përmend një fakt shumë të thjeshtë por shumë të rëndësishëm, këta njerëz flasin një dialekt të shqipes i cili është i klasifikuar si nëndialekt i Toskërishtes. Pra origjina e këtyre shqiptarëve është nga Epiri ose Jugu i Shqipërisë. Nuk duhet mohuar që ndërmjet tyre ka disa që origjinën e hershme e kanë nga Veriu i Shqipërisë, por numri i tyre është i vogël. Personalisht unë mendoj se Arvanitët janë nga Epiri ose ndryshe Toskë. Por mua nuk më bind teoria se ky emigrim ka filluar në shek. XIV-të, unë mendoj se ka filluar më herët, se kur nuk e di.
Këta njerëz e quajnë veten e tyre Arbërorë dhe ky është një tjetër fakt që vërteton origjinën e tyre nga Jugu i Shqipërisë sepse po të ishin nga Veriu do ta quanin veten Arbënorë. Grekët i thërrasin këta njerëz Arvanites ose ndërmjet tyre, ngaqë i urrejnë, i thërresin Arnautis.
Arvanitët si gjithë Shqiptarët e tjerë, gjatë mesjetës ishin të krishterë dhe konkretisht ortodoksë ndërsa gjatë pushtimit turk një pjesë u konvertua në myslimanë. Mbas krijimit të shtetit grek, një pjesë e këtyre myslimanëve u konvertuan sërish në ortodoksë, pjesa tjetër u përzunë ose u shkëmbyen me emigrantë të krishterë të cilët erdhën nga Turqia. Kjo për Arvanitët.
Epiri historikisht ka qenë banuar në shumicën dërrmuese nga Shqiptarët, një minoritet Vllah dhe pak sllavë. Grek nuk ka pasur në Epir. Grekët e sotshëm në Epir, në pjesën shqiptare janë minoriteti që njohim ne në Dropull të cilët janë kryesisht Vllehë dhe pak shqiptarë të helenizuar. Ndërsa në pjesën Greke, janë shqiptarë, Vllehë, sllavë të helenizuar dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël.
Popullsia shqiptare e Epirit në pjesën greke, fillim të shek. XX-të, siç thashë në shumicën dërrmuese ishte Shqiptare edhe këtu e ndarë në myslimanë dhe ortodoksë. Këta njerëz, ashtu si Arvanitët, e quanin veten gjatë mesjetës arbër. Më vonë, ndërsa Arvanitët vazhduan që të vet quhen Arbër, pjesa që banonte dhe banon në Epir vazhdoi të quajë veten shqiptarë. Myslimanët, kryesisht çamët, i vranë ose i shpërngulën. Pjesën e mbetur së bashku me të krishterët shqiptarë, i detyruan që të pranojnë asimilimin.
Pra shqiptarët në Epir janë autoktonë, në të dy krahët e kufirit ndërsa Arvanitët janë një diasporë ashtu si edhe diaspora moderne e krijuar këto 28 vitet e fundit gjatë emigrimit të shqiptarëve në Greqi.
Krijoni Kontakt