tirana observer
Kritike letrare
“Engjëjt e viteve të vështira”
------------------------------------
Miho Gjini
Ne që i kemi përjetuar ato vite teje të vështira, me leximin e romanit të Mihallaq Qillerit, rindiejmë rishtazi të njëjtën dramë tronditëse, si ajo që e hoqëm të gjithë bashkë, ku për fatin tonë të mbrapshtë, ishim dhe subjekt dhe objekt i “fantazmës së komunizmit”, siç e ka quajtur vetë Marksi, si edhe personazhet e saj kalimtarë.
Mihllaq Qilleri, shkrimtari ynë i nderuar, poeti me stof filozofik, eseist erudit dhe inxhinieri gjeolog që si njeri tepër i zakonshëm, provoi dhe jetën e hidhur të emigrantit, rishfaqet para publikut letrar e lexuesit që e ka ndjekur prej kohësh, si një nga krijuesit e talentuar të brezit të mesëm, pas 14 vjetësh heshtjeje. Dhe “kyçi” i heshtjes është pikërisht ky roman i gjatë, një roman epope do ta quaja, që përshin thuajse gjysmën e shekullit nën diktaturë dhe “thyerjen” e shtetit, duke mbërritur deri në ditët e sotme tepër evazive. Një lëndë kolosale e akumuluar, jo vetëm nga bashkëkohësit, autorë e aktorë të dramës që hoqëm e që vazhdojmë të heqim ende, po edhe nga përvoja vetjake si shkrimtar, si inxhinier gjeolog e si njeri.
Nga ky shkrimtar, emrin e të cilit e kisha dëgjuar qysh në vitet ‘70, pata lexuar vetëm romanin “Jeta Dashuri”, botuar në vitin 1978, i cili më la mbresën e pashlyeshme të një jete disi romantike të gjeologëve tanë, ku dashuria është pjesë përbërëse e asaj jete të vështirë që bënin këta njerëz që endeshin nëpër male dhe ngjiteshin gërxheve shkëmbore me një sqep e çekanë në brez. Mirëpo ky roman kishte shumë ndjenja brenda, kishte poezi, si dhe rrëfente për një penë të sigurt prej krijuesi jo dosido. Aty hynte jeta, natyra, si dhe mjedisi shoqëror politik, aq sa i lejohej shkrimtarit të saj kohe . Po tek ky autor seç kishte diçka që e kapërcente kohën e vet: shqetësimi i së ardhmes, që endej nëpër fletëzat e librit e nën to si mendim i mbyllur dhe i largët.
E, ja ku e takoj, për herë të parë, këtë njeri të veçantë, këtë krijues kaq interesant, në udhët e pafundme të emigracionit, sikundër mund të piqen dy refugjatë të njohur prej kohësh. Këtë herë zbulova se ç’ bagazh të madh kishte në vetvete ky shkrimtar, ç’ horizont të gjerë dhe erudicion të gjithanshëm. Më pat folur për romanin e tij të ri, qysh prej 5-6 vjetësh dhe me të merrej vazhdimisht, edhe pse i duhet të “hynte” tërë ditën në ca skuta të rëndomta e të rropatej në tregun e lirë të shitjes së krahëve. Dhe, duke e kapërcyer fatin tonë të mallkuar prej skllavi, na ofron këtë roman dinjitoz, sintezë e gjallë e epokës sonë të hidhur.
Duket sikur dhjetë kapitujt e romanit, në një shtrirje kohore 40-vjeçare, krijojnë një subjekt fort të shpërndarë e të copëtuar. Një kompozicion i ndarë në blloqe të mëdha, ku çdo “bllok” ishte si një digë që mban male e dete. Jeta e njeriut e njësuar me jetën e shtetit. Ngjarjet madhore të një shteti të brejtur nga brenda prej “virusit”, vdekjeprurëse të komunizmit, bëhen kësisoj edhe ngjarje të vetë heroit të romanit, Andrea Semanit, e të të gjithëve personazheve që veprojnë aty. Logjika e shembjes së shtetit të diktaturës shoqërohet, bie fjala, me një traumë njerëzore. Por qielli, si shkrimtar, realist e psikolog, di aq bukur të kapë dhe të tjerrë fillin e jetës dhe atëherë kur shenja është shkatërruar, me një asfiksi të përgjithshme. Kështu që, edhe pse shkruhet gjerë e gjatë, shpërbërja e një epoke, kur vjen puna e evidentimit të shpirtrave, hap diku një dere e diku tjetër një dritare, që të hyjë drita e së ardhmes. Është pikërisht “ajo dritare” që gjen terren tek ata heronj realë, që autori i jep si sintezë të epokës që kaloi me dhimbjen më therëse, të përmasës së gjëmave tragjike.
Duke vënë në epiqendër të romanit dy intelektualë: një piktor, me profesion inxhinier gjeolog si Andrea Semani dhe një mjeke si Loreta Kalasa, autori konsumon njëkohësisht një nga temat më të dhimbshme të kohës: fatin e intelektualëve të vërtetë nën gurin e stërmadh të “bluarjes” së një shteti diktatorial. Është me të vërtetë një gur i rëndë që të thyen kockat e pastaj t’i bluan dalëngadalë, gjer në shfarosjen e qenies njerëzore. Andrea Semani është njeriu më i mirë, i devotshëm, i pastër shpirtërisht dhe njëkohësisht një talent, fati i të cilit plekset me atë të Loreta Kalasës, që e humb rininë e freskinë e moshës në “krye të detyrës”, midis malesh të ashpra... po gjithçka mund të ishte normale, nëse shteti nuk do të ndërhynte në jetën e tyre, në njëmijë forma e stërhollime, për “t’ua plasur buzën”. Se ndihet kurdoherë “freri i kapistallit”, i një shteti që tërheq njerëzit zvarrë, gjer në humbëtirë, ashtu qorrazi e me pavetëdije të plotë. Kështu që Andrea Semani, në vend që ta shpjerë talentin e vet në apoteozat e ngjitjes, si një shumëllojshmëri e shprehjes figurative, pikërisht atëherë kur do të gëzonte sadisfaksionin e madh, sublim, të krijimtarisë së vet tepër origjinale, bashkëkohëse, si dhe të presë mbi krye shigjetat goditëse me helmin e parimit strikt të surrealizimit partiak. Ky ideologjizëm i trurit e vret atë gradualisht, aq sa jeta e tij do të hiqet zvarrë, me fshehjen e vazhdueshme të vetvetes, si edhe një martesë rastësore, brenda kornizës së moralit socialist. Një dramë e dytë plekset në jetën e këtyre njerëzve: Lidhje e jetës bashkëshortore jo me atë që duam, po me atë që na del përpara, qoftë edhe krejt rastësisht, mjafton që të jemi “brenda” atij morali sanguin që na “zë për fyti”.
Në këtë “vorbull jete”, që duket sikur i thith këta njerëz përbrenda e i përplas diku mbi brigjet shkëmbore, disa ngjarje të përmasave kombëtare, siç janë vetëvrasja e Mehmetit, vdekja e Enverit, Shembja e shtetit apo kryengritja e të Marrëve..., janë disa pika kyçe që krijojnë dhe “vorbullën e shpirtit” të heronjve tragjikë. Njeriu, sado indiferent që të jetë si një shenjë shoqërore, është i papërjashtuar nga tragjedia e kombit të vet. Ajo shpresë që diku shuhet, diku edhe ringjallet. Jeta vazhdon rishtazi e Qilleri do t’i ribashkojë të dy të dashuruarit e marrë, që bënë seks në rrethana rastësore diku në ambulancën e një fshati të largët malor, në perëndimin e jetës së tyre. Te këta dy pleq, që vendosën “ta ngrysin jetën së bashku”, për çudi ka aq shumë e dritë e jetë njerëzore, sa s’do mjaftonin poema të tëra për dashurinë e s’do të nxinte më as hapësira e një tragjedie. Dhe këtë di ta bëjë mirë Mihallaq Qilleri, brenda stofit të një shkrimtari me sens prej filozofi dhe analisti, që foli më në fund pas 14 vjetësh heshtjeje...
Kompleksiteti në ngjizjen e subjektit, gërshetimit e fateve të personazheve, pleksja e rrethanave dhe e ngjarjeve të kohës me njëra-tjetrën gjejnë një terren çlodhës kur autori i afrohet erotikës, asaj ndjenje të brendshme seksuale, që i ofron dhe i lumturon njerëzit edhe kur zymtësia e brutaliteti i politikës dogmatike bën punën e vet. Qilleri i jep vende kësaj ndjenje duke përshkruar shërimin e plotë të vetëdijes, me një “lënie të lirë” të personazheve të vet, që të bëjnë seks kur të duan ata, kur u jepet rasti, të distancuar (jo pa njëfarë frike e tmerri të trashëguar) prej tabusë së dikurshme dhe rreptësisë së moralit komunist. Po ky çlirim tërësor i ndjenjës do të bjerë ndesh, në romanin e Qillerit, pikërisht në atë moral mbytës që diktatura ua hodhi njerëzve si kular në qafë. Një personazh që e risjell këtë anë të zezë të politikës shqiptare nën diktaturë, Maxhun Sevasati, që është më i madhi i Partisë së Punës në rreth, përbën anën tjetër të medaljes: imponimin e dogmës, vanitetin, falsitetin dhe sterilitetin. Kontrasti që krijohet në roman është tepër domethënës: jeta përballë vdekjes. Shpirti i lirë i njeriut karshi bëmave djallëzore të antinjeriut. Poezia në antitezë me prozën banale... ...Mesazhe të tilla janë të pranishme në çdo faqe të këtij romani të trishtuar e gëzim ndjellës (njëkohësisht).
Përpara kësaj vlere në konceptimin tërësor të një epoke në perëndim e sipër, që i duhet pasqyrimit të saktë të historisë, jo me pak vlera ka në këtë roman konceptimi artistik e estetik...Romani, në dukje, është si një vepër prolikse, por si ndahesh prej tij të ngelet në mendje e në shpirt, tabloja e një jete, të vizatuar me penela të trasha, ku imtësia është e tretur diku brenda tablosë. Sa më shumë largohesh nga kjo tablo, aq më shumë zbulon forcën e asaj të brendshme të personazheve, si dhe atë domethënie social-filozofike e estetike. Stili i ngjeshur i të shkruarit e ai zhbirim që i bënë shkrimtarit botës së brendshme të personazheve të vetë kanë të bëjnë me përvojën e gjatë të Qillerit si shkrimtar.
Por..., kompozicioni tepër i shtrirë, që kap një hark kohor aq të madh, do të thosha që krijon dhe njëfarë lodhje të lexuesit. Jetës në diktaturë i shtohet dhe jeta e viteve të tranzicionit, që përbëjnë dy copëzime të veçanta që mund të ishin më vete, si një tjetër roman dhe jo më pak interes. Po gjithsesi, kjo është një preferencë, që nuk mund t’i imponohet një shkrimtari, i cili duket se kërkon diçka tjetër: gjetjen e një shëmbëlltyre, qielloren, jetën e disa qenieve tokësore që i torturoi koha e mbrapshtë...Ndaj e quajti romanin e vet: “ENGJEJT E VITEVE TE VESHTIRA”.
-------------------------------------
Krye
Krijoni Kontakt