Postuar: 29/06/2017 - 07:48
Humbja e PD në zgjedhjet e 25 qershorit ishte një humbje e parashikuar dhe këtë e dinte dhe Basha, por më shumë e dinin ata që e kishin sjellë PD në këtë derexhe; dhe ata mbeten po këta zëra që kërkojnë sot largimin e Bashës nga Kryetari i PD.
Po të shohësh me kujdes të gjithë emrat kundër Bashës janë po ata emra që parapërgatitën humbjen e PD në 2013 për shkak të keq-qeverisjes, shkeljes së ligjit, për shkak të korrupsionit galopant në arsim, mjekësi, prokurori e gjyqësor, polici, për shkak të borxhit publik katastrofik dhe për shkak të mosrealizimit të asnjë reforme – për të cilat nuk mbajtën asnjëherë përgjegjësi, duke e lënë pre Shqipërinë edhe ndaj një fenomeni që e mbajtën farë bukur të fshehur- atë të kanabizimit masiv të Shqipërisë.
Ardhja në pushtet e koalicionit të majtë nxori në pah të gjitha shkeljet dhe gabimet e koalicionit të djathtë me në krye PD, të cilat me kalimin e kohës, kjo qeverisje u përpoq t’i rregullojë nëpërmjet reformave dhe stabilizimit të situatës; sidoqoftë për këto reforma koalicioni i majtë mori përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të BE dhe SHBA, reforma të cilat u realizuan, por jo plotësisht si p.sh., ajo e gjyqësorit.
Nëse nga ana e qeverisjes kishte impenjim serioz në luftën kundër shkeljeve të ligjit dhe realizmit të Reformave, PD zgjodhi në Parlament, rrugën agresive të kundërshtimit në çdo aspekt qoftë të reformave qoftë edhe duke përkrahur shkelësit e ligjit madje përdori edhe të vdekurit, duke politizuar vdekjet e tyre me qëllim njollosjen e qeverisjes
Në asnjë ditë dhe në asnjë rast opozita e pas 2013-2017, e drejtuar faktikisht nga Berisha nuk bëri asnjë autokritikë për gjendjen në të cilën la vendi për shkeljet e ligjit e korrupsionin galopant, por përkundrazi përdori dy metoda që përdorin në përgjithësi fajtorët:
- “Kapeni hajdutin kur hajduti është ai vetë”.
- Sulmo vazhdimisht dhe përça qeverisjen për të shkaktuar destabilizim.
Një nga pikat ku PD kundërshtoi fort dhe për pasojë zgjati kohën deri në pafundësi për të mos e miratuar, ishte reforma zgjedhore dhe të gjithë e kuptuan se përse bëhej fjalë: Ata që e kundërshtonin reformën zgjedhore ishin në një farë mënyre ose tjetër fajtorë.
Këtu u përfshi tinëzisht nganjëherë publikisht edhe kryetari i Kuvendit, karriera politike e të cilit është sa e habitshme për formimin që ka, aq dhe mosbesuese për pasurinë e mbledhur nga vetë ai.
Qeverisja u gjend në vështirësi, por ja doli me ndihmën e ndërkombëtarëve por edhe të Lulzim Bashës, i cili, ndonëse dukej fare haptas që udhëzimet i merrte nga ish kryetari për çdo lëvizje politike që bënte, në fund bëri një lëvizje që shpëtoi Shqipërinë nga politika agresive dhe destabilizuese në të cilën e ka çuar gjithë këto vite grupi i vjetër i PD me në krye Berishën. Basha pranoi kushtet e vëna nga BE dhe SHBA pas takimit me Jee, në 18 maj.
Nga ky moment, Basha ndoshta i vetmi nga kryesia e PD, bëri një gjest patriotik për Shqipërinë: Vendosi kombin mbi politikën e ditës, duke i hapur rrugë reformave të ngecura si ajo për Drejtësinë, por edhe duke ndihmuar të bëhen zgjedhjet parlamentare së bashku me opozitën, duke u përfshirë në qeverisje për të monitoruar zgjedhjet. BE dhe SHBA përkrahën zhvillimet.
Së pari, deklaratat qytetare të Bashës menjëherë pas marrëveshjes së 18 Majit treguan në një farë mënyre se Basha veproi për herë të parë pa diktatin e Berishës.
Së dyti, Basha për herë të parë identifikoi përgjegjësit e humbjes së 2013, të cilët edhe sikur të ishin në kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit, përsëri do të humbnin sepse Sovrani popull nuk do t’i besonte këta ish deputetë që kishin zënë për gryke PD dhe që ishin deri diku fajtorë për korrupsionin galopant dhe mungesën e reformave. Kështu që Basha i largoi këta politikanë të dështuar nga lista e kandidatëve për deputetë. Kjo mbetet një lëvizje e vetme reformuese në PD që nga koha kur është formuar PD dhe për këtë, Basha duhet përgëzuar.
Së treti, akuzat që hedhin ndaj Bashës grupi i ish deputetëve të përjashtuar nga kandidimi për deputet nuk janë gjë tjetër përveçse akuza prej intrigantësh, që me sofizmat e tyre përpiqen t’i hedhin fajin për humbjen Bashës, po që në fakt përgjegjës për humbjen e 2013 dhe të 2017 janë Berisha dhe po këta ish deputetë, që nuk u shprehën asnjëherë qoftë në Parlament e qoftë në popull: “Kemi gabuar në qeverisjen e kaluar, në opozitë do të reformohemi”.
Së katërti, ky grup ish-opozitar se tani nuk është më, krijoi një grup mediatik me analistë të blerë që për katër vite hodhën baltë, llum e vrer, kundër qeverisjes së majtë, me qëllim që të gjitha gabimet e fajet e tyre t’ua hidhnin të majtëve sikur i kishin bërë të majtët ato që kishin bërë vetë, përfshi dhe kanabisin. Këtu, ky grup që nuk reflektoi asnjëherë për shkeljet e rënda të ligjit që kishin bërë vetë, pati një përparësi, aleatin po aq të fëlliqur sa dhe ata vetë- LSI, e cila qeveriste bashkë me ta, duke u majmur në kurriz të tyre, aq sa dhe ndihmoi që PD të humbte në 2013.
Dhe këto nuk ishin fajet e Bashës. Tani që Basha bëri një veprim atdhetar, nënshkroi marrëveshjen e 18 Majit, për një Shqipëri që do të integrohej shpejt duke punuar së bashku me PS e Edi Ramës, tani që dihej se PD do të humbte jo për shkak të çadrës dhe as për faj të veprimeve të Bashës, por për faj të grupit të korruptuar prej vitesh në PD, grup që menjëherë pasi u zgjodh Basha kryetar partie, ashtu të pakënaqur përdorën çdo mjet që PD të mos organizohej por të çorganizohej, me qëllim që ajo humbje e 25 qershorit t’i atribuohej Bashës. E përse? Për të krijuar mundësinë që ta shkarkonin.
Madje po të shohim statistikat e zgjedhjeve parlamentare të 2013 dhe të 2017, konstatojmë se PD me të vërtetë ka humbur përkrahës nga Sovrani rreth 78 mijë, por kjo mund të jetë më tepër nga mospjesëmarrja se sa nga votimi i anëtarëve të PD për një parti tjetër, madje unë insistoj, që kjo humbje ishte e parashikuar jo vetëm nga politikanët por madje dhe nga analistët e kazanit mediatik të paguar e të blerë nga grupi i korruptuar i PD dhe i LSI. Këtë e dinte dhe vetë Sovrani popull; atëe dinin dhe përkrahësit e PD, sepse PD nuk kishte asnjë program konkret dhe projekt përveç asaj për të shpëtuar nga vettingu, duke e detyruar Bashën të paraqitej në Media dhe popull me program jo shumë të qartë se ç`do të bënte nëse do të fitonte zgjedhjet.
Praktikisht, e vetmja parti që nisi reformat, që kishte program dhe që kishte një lider me vizion për të ardhmen, ishte Edi Rama. Pa dyshim, ai pa tek Basha personin më pro-perëndimor që mund të kishte kryesia e PD (përveç Majlinda Bregut), dhe mendon se Basha i duhet jo vetëm PD por edhe vendit për të realizuar reformat e mbetura dhe kërkesat e BE dhe SHBA.
Zhurmat brenda PD, grumbullimi i grupit të ish të korruptuarve për të marrë pushtetin politik brenda PD, sigurisht nxiten edhe nga ish kryetari i PD, i cili ndonëse e përkrahu Bashën në fillim, tani i është kthyer heshturazi kundër, duke parë se rrezikohet nga Vettingu ai dhe familja e tij. Sigurisht, të pakënaqurit janë të shumtë, e pikërisht ata që janë shkaktarët e vërtetë të humbjes, ata që nuk lejuan që PD të ri-organizohej për të fituar në këto zgjedhje parlamentare, duke detyruar përkrahësit e tyre të mos votonin ose të votonin për bashkëfajtoren LSI.
Le të shpresojmë, ashtu si e kam shkruar në titullin e këtij shkrimi se Basha duhet të qëndrojë në krye të PD, apo më mirë: PD ka nevojë për një lider pro-perëndimor e me vizion si Lulzim Basha.
Nga Pirro PRIFTI
Krijoni Kontakt