Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 22 prej 22
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    DIPLOMACIA SHQIPTARE REAGON NDAJ MAQEDONISE

    Maqedonia duhet te plotesoje kushtet e Marreveshjes se Ohrit! Kjo eeshte rruga e vetme qe do te zgjidhe perfundimisht problemet nderetnike ne kete shtet. Ky eshte deklarimi i leshuar nga Ministria e Puneve te Jashtme ne lidhje me acarimin e marrdhenieve ndermjet perfaqesuesve te rendesishem te forcave te ndryshme politike opozitare ne Maqedoni. Keto te fundit, prej disa ditesh po leshojne thirrjet per krijimin e shteteve etnikisht te pastra dhe per shkembime territoresh ne funksion te ketij qellimi. Nderkohe, ato jane kundershtuar nga forcat progresiste ne Maqedoni duke vleresuar faktin se promovimi i konceptit te nderrimit te kufijve do te thote thirrje e drejtperdrejte per lufte etnike dhe ndarje te shtetit. "Skenaret e tmerrshme te promovuara publikisht nga ana e liderit te VMRO-DPMNE-se Lubco Georgievski dhe perkrahja per to nga ana e njerezve kryesore te PDSH-se, jane te papranueshme!" ka pohuar dje vete kryeministri maqedonas, Cervenkovski. Lidhur me keto deklarata, qeveria shqiptare perkrah mendimin e qeverise maqedonase, sipas se ciles eshte mjaft e rendesisshme qendrueshmeria e integritetit territorial, karakterit unitar te republikes se Maqedonise dhe ndertimit te saj si shoqeri integruese multietnike. Nga ana e saj, MPJ i ka denuar deklarimet per krijimin e shteteve nderetnike, duke i cilesuar ato si regresive. "Ato bien ndesh me filozofine integruese e cila ka pershire rajonin e Evropes Juglindore dhe qe po e afron ate cdo dite e me teper me BE dhe NATO-n" thuhet ne deklaraten e MPJ. Nga ana tjeter, drejtuesit e kesaj ministrie pohojne se deklaratat e anetareve te opozites ne Maqedoni per kijimin e shteteve etnike, nuk po bejne gje tjeter vecse po rievokojne nje model te deshtuar i cili i solli shume gjakderdhje dhe vuajtje ketij rajoni. "Per kete arsye, vleresojme se rruga e vetme e zgjidhjes see problemeve nderetnike mbetet ajo e zbatimit te plote te Marreveshjes se Ohrit. "Cdo alternative tjeter, vetem sa do ta cenonte paqen dhe sigurine ne Maqedoni dhe me gjere duke e vonuar gjithe rajonin ne rrugen e nisur drejt integrimit euroatlantik" perfundon deklarata e leshuar nga MPJ.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Shteti Multietnik apo Etnik

    Nga Arbën XHAFERI

    Kohë më parë lideri i një partie të rëndësishme në Maqedoni VMRO-DPMNE, njëkohësisht ish- kryeministër i Maqedonisë, z Lubço Georgievski shprehu idenë në mënyrë të qartë, pa lënë fije dyshimi për domethënien e fjalëve të tij se Maqedonia duhet të ndahet, ngaqë sipas tij, Marrëveshja e Ohrit e paska rrënuar atë ide të Maqedonisë siç e paskan ëndërruar maqedonasit gjysh e stërgjysh. Ai konstaton se ky shtet dhe populli maqedonas me të cilin ai parapëlqen ta identifikojë shtetin janë në rrezik nga sfida kanceroze shqiptare dhe sugjeron mjetin e vetëm kirurgjikal, ndarjen e saj. Natyrisht ai, si nacionalist i devotshëm u ofron shqiptarëve zonat e përthara që, nga aspekti historik, ekonomik, etnik, komunikativ fare nuk përkojnë me realitetin dhe aspiratat shqiptare. Para tij këtë ide e hodhi Akademia e Shkencave maqedonase që në atë periudhë u prit me reagime histerike nga faktorë të ndryshëm. Mirëpo sot reagimet ndaj idesë se Georgievskit janë të mefshta, sikur opinioni është familjarizuar me këtë ide. Po ashtu, kohë më parë kryeministri i vrarë serb Gjingjiç doli me një ide të ngjashme për nevojën e rishqyrtimit të vlefshmërisë së Marrëveshjes së Dejtonit duke aluduar në nevojën e gjetjes së një parimi tjetër për zgjidhjen e konflikteve dhe kontesteve të ndryshme ndëretnike në hapësirat e ish- Jugosllavisë. Është e nevojshme të theksohet se edhe kjo ide e të ndjerit Gjingjiç nuk ishte e re. Para tij kjo ide ka qarkulluar në kokat e akademikëve serbë, qarqeve politike, ushtarake dhe intelektuale etj. Me këtë rast duhet përmenduar se ish- presidenti jugosllav, shkrimtari Dobrica Qosiç, babai shpirtëror i serbëve më 1992 impononte idenë e ndarjes së Kosovës, por dhe ndarjes së Maqedonisë. Në vijë të konkretizimit të çështjes, duhet përkufizuar konteksti hapësinor dhe kohor ku dhe kur shfaqen këto ide, për të mos e përzier atë me çështjet e ngjashme në hapësira të tjera, bie fjala në Rumani, Bullgari, Turqi apo Indi. Pra, konteksti është Jugosllavia e cila u shpërbë. Por ky proces ende nuk ka përfunduar. Kanë mbetur ende çështje të hapura si çështja e Bosnje ?Hercegovinës e Kosovës, e Maqedonisë, por edhe e unionit Serbi-Mali i Zi që i ka hyrë një testimi të ri të qëndrueshmërisë në afat prej tre vjetësh. Këto opsione nuk janë skandaloze nga vetë fakti se kemi të bëjmë me një proces të thellë historik që nuk shfaqet vetëm në Jugosllavi por në të gjitha shtetet federative. Problemi kryesor teorik, politik, praktik dhe historik në shtetet federative është arritja e kohezionit të brendshëm. Në kohën e komunizmit apo në sistemet e tjera në hapësira jodemokratike, ky kohezion arrihej përmes represionit ideologjik, fashizoid, apo trajtash të tjera. Me shfaqjen e pandalshme në skenën historike të demokracisë dhe të pluralizmit, objektivisht u hap tema e kohezionit. Nga ky kënd duhet analizuar çfarësia e pluralizmit te shtetet e dikurshme federative që morën tatëpjetën e shpërbërjes. Pluralizmi në këto hapësira u shfaq si pluralizëm etnik, me ngjyrime nacionaliste, shoviniste e diku-diku edhe naciste. Mbi këto parime nacionaliste natyrisht se nuk mund të ndërtohej, vetvetiu kohezioni i ri në shoqëritë heterogjene apo siç parapëlqehet të quhen multietnike, prandaj duke refuzuar parimet e demokracisë liberale, sërish u fillua të zbatohej represioni. Ai ishte tash edhe më i egër, edhe më jotolerant që legjitimohej, jo me argumente neutrale ideologjike, por me ato të interesave të shenjta parciale nacionale, regjioze dhe të tjera. Ky represion mëtonte t'i ç'bijë, t'i shfarosë kundërshtarët etnikë. Prandaj patëm spastrime etnike dhe tragjedi përmasash më të errëta. Është me shumë interes të konstatohet se ndërrimi i doktrinave, asaj komuniste, moniste me atë demokratike dhe pluraliste nuk u përcoll me ndërrimin e mendësisë dhe sistemit të vlerave. Emëruesi i përbashkët i kësaj mendësie është ekskluzivizmi, jotoleranca ndaj tjetrit. Në kohën e komunizmit ekskludoheshin, destimuloheshin, margjinalizoheshin konkurrentët ideologjikë, ndërkaq në kohën kur doktrina komuniste u zëvendësua me dokrinën nacionaliste filloi procesi i ekskludimit të konkurrentëve etnikë, që për pasojë më tragjike kishte spastrimet apo shfarosjet etnike. Varret masive janë monumenti më pikëllues i kësaj kohe. Pra, në kohën e perandorive, apo federatave që i zëvendësuan ato, funksiononin kodet më të gjëra, më tolerante, imperiale apo federative që nuk i provokonin vlerat e identifikimit dhe të kohezionit. Kur këto kode u zëvendësuan me ato më të ngushta, parciale nacionale vetvetiu u shfaq problemi i identifikimit. Boshnjakët, kroatët, serbët pranonin të ishin gjithsesi jugosllavë, por jo të jenë serbë të kroatizuar, kroatë të serbizuar apo boshnjakë të kroatizuar dhe anasjelltas. Ngjashëm ndodhi edhe me kurdët: ata ishin të fjetur derisa ishin osmanë dhe filluan të zgjohen kur tentuan t'i turqizojnë, t' i irakizojnë apo t'i iranizojnë. Në këtë kohë të transformimit të shoqërive, çështja kryesore që parashtrohet është kodi i identifikimit, kodi mbi të cilin duhej të ndërtohet kohezioni i ri. Meqë gjendemi në Evropë, në hemisferën perëndimore të sistemit të vlerave, ky kohezion nuk mund të ndërtohet mbi parime të represionit despotik aziatik, mbi parime të proviniencave të ndryshme parciale, ideologjike, nacionale apo teokratike. Sistemi i vlerave të çdo qytetërimi në majë të zhvillimit, siç është ai perëndimor ka karakteristika dominante të kozmopolitizmit, të tolerancës dhe të inkluzivitetit ose anasjelltas, karakteristikë e çdo qytetërimi që është në pikënisje është intoleranca, ekskluziviteti. Prandaj në Evropë nuk mund të lejohen projekte të ndërtimit të kohezionit mbi baza të represionit. Është e paimagjinueshme të tentohet që sfida baske të qetësohet me represion, me përdorim të paselektuar të armëve si në Maqedoni kundër fshatrave shqiptare, ose me spastrim etnik si në Kosovë. Sëkëndejmi duhet kuptuar reagimi e tyre, shpeshherë i vonuar kundër bartësve të ndërtimit të kohezionit të ri mbi baza të represionit. Millosheviçi ndodhet në Hagë jo për shkak të ideve të tij, por për shkak të metodave të tij që nënkuptonin përdorimin e mjeteve brutale në krijimin e kohezionit të ri në shoqërinë që shpërbëhej. Në kohën e fillimit të këtij procesi shpërbërës, në kuadër të asaj mendësie posesive ekskluziviste u shfaqen teori politike nacionaliste dhe u ndërmorën aksione konkrete. Regjimi serb këtë e filloi në Kosovë në vitin 1989 duke abroguar statusin autonom të krahinës së atëhershme të Kosovës. Është me interes të theksohet se një projekt i ngjashëm po në këtë vit u zbatua në Maqedoni, ku me amendamente ndaj kushtetutës së vitit 1974 u zhvleftësua statusi politik i shqiptarëve të Maqedonisë dhe u abroguan një mori të drejtash që i gëzonin ata deri në atë periudhë. Shtetet, shoqëritë multietnike zunë të etnocentrizohen, duke imponuar kodet nacionale si pika të reja të kohezionit. Natyrisht se kjo hasi në kundërshtime të vazhdueshme. Kundërshtimet anuloheshin o me represion, o me manipulime, apo me forma mikse. Në Maqedoni kundërshtimet shqiptare luftoheshin me metoda të kombinuara, me represion sipas kapaciteteve të shtetit, me retorikë të skajshme nacionaliste dhe me manipulime të ndryshme. Kur u shfaq PDSH-ja në skenën politike, kërkoi marrëveshjen historike, si formë më të përshtatshme për përkufizimin e kodit të ri të kohezionit. Por, asokohe etnocentrikët e dalldisur maqedonas dhe opurtunistët shqiptarë e refuzuan me zemërim këtë ide. Refuzimi i idesë e solli luftën që ishte shprehje e mosfunksionimit të kodit identifikues të shtetit. Ashtu si boshnjakët që nuk pranonin të kroatizohen apo të serbizohen, ashtu edhe shqiptarët nuk pranonin të maqedonizoheshin. Kërkonin që në Maqedoni të ndërtohet një shoqëri që i legalizon diversitetet dhe lejon lirshëm zhvillimin e tyre duke insistuar që kodi identifikues i shtetit të jetë diversiteti dhe jo unifikimi mbi simbolet e një kombi. Sot e kësaj dite reliket e kësaj kohe dhe mendësie vërehen kudo, që nga himni i shtetit e deri te stemat e ndryshme apo emrat e shkollave, spitaleve, rrugëve etj. Lufta e riaktualizoi nevojën e marrëveshjes historike. Në këto bisedime që filluan në Ohër shqiptarët startuan me pozicione inkluzive evro-perëndimore. Kërkohej që karakteri multienik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror, pra kërkoheshin të drejta dhe jo territore. Pala maqedonase mbante pozicion agresiv ekskluzivist duke refuzuar kërkesën për pasqyrim optimal të diversitetit objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ata gjithnjë synonin të zvogëlonin të drejtat e shqiptarëve, ndërkaq shqiptarët aspak nuk ndërhynin në të drejtat e tyre, të imagjinuara apo reale, siç bëjnë sot e gjithë ditën grekët, serbët dhe bullgarët. Fundi i kësaj odisiade në Ohër ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit ku shqiptarët fituan gjysmën e asaj çfarë kërkonin. Ndonëse ata në planin ushtarak mund të fitonin shumë më tepër, megjithatë në planin politik, të dedikuar që të mos vijnë ndesh përcaktimeve evro-perëndimore e pranuan kompromisin: e nënshkruam Marrëveshjen e Ohrit me shpresë në implemetimin e plotë të saj, duke pritur transformime të prekshme në shoqëri. Kjo mendësi refraktare maqedonase për ndërtimin e përbashkët të kodit të unitetit të ri shfaqet në trajta edhe më tinzare gjatë implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shmangiet janë në të tre segmentet mbi të cilat u arrit paqja: - në përdorimin e gjuhës shqipe, u shfaqën tendenca për ndërrimin fyes të frymës së Marrëveshjes së Ohrit ku gjuha shqipe trajtohet si gjuhë zyrtare; - në përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore, ku jo vetëm që nuk shihet progresi por shfaqen shenja alarmante të regresit dhe - në mosrespektimin e ligjit për amnisti. Periudha e pas Ohrit në thelb i godet themelet e marrëveshjes mbi të cilat u arrit paqja, akordi për rrënimin e kodeve ngatërrestare etnocentrike dhe ndërtimin e kodeve të reja që do të duhej ta përshpejtonin procesin e krijimit të kohezionit të ri në shoqërinë konfliktuale. Faktet janë të shumta, që dëshmojnë në mënyrë të qartë dhe pa dilema se këtu as për së afërmi nuk tregohet gatishmëria për ndërrim të konceptit të shtetit dhe të situatës. Faktori ndërkombëtar nga ana tjetër nuk brengoset nga kjo gjendje për shkak se mendon se koha do të zgjidhë këto dilema, por dhe për një aspekt tjetër, mbase për neve është më serioz: ata nuk dëshirojnë të lejojnë që të përhapen bindjet se me luftë mund të arrihen të drejtat. Prandaj ata tolerojnë një tendencë të dënimit të butë të aspiratave të shqiptarëve që synojnë me këto forma t'i realizojnë të drejtat e tyre. Me një fjalë gjendemi në fazën e dekurajimit të aspiratave të padurueshme te shqiptarët. Aktualisht në skenë konfrontohen tri tendenca: -refuzimi maqedonas që të pranojë idenë e ndërtimit të shtetit real multietnik, por këtë e zëvendësojnë me një ide retorike për krijim të shoqërisë multietnike që në esencë nuk është kurrfarë oferte. Ata synojnë t'i mashtrojnë shqiptarët, si zakonisht me kategorinë e të drejtave të pashfrytëzueshme. Mendësia refraktare maqedone ndahet në dy blloqe. Në ata që mendojnë se bashkëjetësë është e pamundshme, prandaj duhet të ndahemi (projekti Georgievski) dhe në ata që mendojnë se ende nuk janë shpenzuar mundësitë për mashtrim të shqiptarëve, prandaj duhet të bashkëjetojmë se kemi llogari (projekti Cervenkovski). Përvoja e Georgievskit u krijua me PDSH-në ku ai u bind se s'ka mundësi për mashtrime të dobishme, ndërkaq Cërvenkovski ka tjetër përvojë, derisa të mos merr thua edhe ai vetë; 2- refuzimi i faktorit ndërkombëtar perëndimor që të inkurajojnë ekstremizma të ndryshëm në vijë të shquarjes së të drejtave, qofshin ato edhe të natyrshme; 3- refuzimi i shqiptarëve, kudo që janë të pajtohen me ofertat aktuale. Forma më ekstreme e këtij refuzimi është shfaqja e AKSH-së në skenë. Shqiptarët gjenden para një dileme historike, të pranojnë ofertat e mefshta, të reduktuara deri në fyerje nga pala maqedone dhe në emër të moskonfrontimit me faktorin ndërkombëtar të kërkojnë zgjidhjen në një proces të gjatë historik. Ky orientim duhet të përballet me rrezikun që buron nga pamundësia objektive e kontrollimit të procesit historik ku mund të shfaqen konstelacione të disfavorshme gjeostrategjike dhe gjeopolitike për ta. Zgjidhja tjetër është kundërshtimi i vetëdijshëm, i organizuar, sistematik dhe gjithëpërfshirës, në fillim ideor, pastaj politik, ekonomik dhe pse jo ushtarak, po qe se rrezikohet substanca kombëtare. Këto fjalë tingëllojnë ashpër, por duhet të mos harrojmë se njëherë ishim në greminë dhe se i ashtuquajturi Korpusi V ushtarak i Prishtinës i ushtrisë serbe ende funksionon dhe është i stacionuar përreth Kosovës. Nuk do mend se në Serbi dhe në Maqedoni këto projekte përgatiten dhe presin momentin e volitshëm se kur do të aktivizohen. Faktori politik shqiptar e mbi të gjitha elita shqiptare duhet të heqë dorë nga retorika gudulisëse, vardisëse dhe të ballafaqohet me probleme që vijojnë:
    1- Statusi i Kosovës nuk është zgjidhur ende; 2- Serbët nuk pranojnë të integrohen në Kosovë dhe shfaqin shenja të hapura që duan sërish ta gllabërojnë Kosovën ose të ndajnë një pjesë të konsiderueshme të saj. Duhet theksuar se serbët e Kosovës, edhe pse gëzojnë më shumë të drejta se shqiptarët në Maqedoni, ata megjithatë nuk kënaqen me të drejtat që u ofrohen, por kërkojnë territore; 3- Maqedonasit refuzojnë në trajta të ndryshme të ndërtojnë shtet multietnik, prandaj nuk realizohen marrëveshjet edhe pse shqiptarët u pajtuan me kompromise të disfavorshme për ta. 4- Në të gjitha zonat konfliktuale të Jugosllavisë shfaqen vështirësi të mëdha në krijimin e kohezionit të ri, kështu që tendencat për krijim të shteteve etnike janë më të fuqishme se ato për krijim të shteteve multietnike. Faktori ndërkombëtar që nuk arriti ta shpëtojë Jugosllavinë imponon idenë e krijimit të mini-Jugosllavive që po ashtu lëngojnë nga i njëjti sindrom: pengesa të papërballueshme në krijim të kohezionit të ri; 5- Faktori ndërkombëtar duke mos përkrahur ekstremizmat ofron një proces të gjatë në të cilin mund të realizohen këto aspirata. Në këtë pikë duhet theksuar se oferta e procesit ka të bëjë vetëm me aspiratat e shqiptarëve meqë të tjerët, në mënyrë imediate i fituan të drejtat për shtete të mëvetësishme, ose të drejta të tjera, si serbët e Kosovës, bie fjala. Nëse ne do të pajtohemi me procesin që na ofrohet, fundin e të cilit nuk e kontrollojmë vetë, këtë duhet ta bëjmë me vetëdije, me përkushtim, për ta kontrolluar procesin politik brenda korpusit shqiptar që të mos ndeshemi orë e çast me refuzimin dhe kritikat e faktorit ndërkombëtar. Këtë nuk mund ta bëjmë parcialisht, ngaqë shpeshherë interesat parciale mund t'i rrezikojnë ato të përgjithshmet. Aktualisht këtë nuk e bëjmë, prandaj shfaqen formacione të ndryshe ushtarake, që apatizmin e elitës politike dhe intelektuale e kompensojnë me vitalitetin proverbial të vegjëlisë. Është e qartë që në Maqedoni konfrontohen dy lloj tendencash imperative. Së pari ajo e faktorit ndërkombëtar perëndimor që u kundërvihet ekstremizmave dhe mbështet projekte inkluzive për shoqëritë, pra ato multietnike dhe tendencës historike që në vazhdimësi, për shkak të vështirësive objektive në krijimin e kohezionit të brendshëm në këto shoqëri heterogjene i shkërmoq këto formacione duke afirmuar funksionalitetin dhe vitalitetin e shteteve etnike. Këto tendenca imperative, e para politike dhe e dyta inherente historike janë të fuqishme. Shtetet multietnike që dolën nga konfliktet do të funksionojnë si të tilla nëse do të arrijnë të ripërkufizojnë ndërshmërisht kontratën e bashkëjetesës së tyre. Nëse këtë nuk do ta bëjnë, atëherë do të aktivizohet tendenca e pandalshme historike që krijon formacione shoqërore më të natyrshme, më pragmatike dhe më pak të kushtueshme: shtetet etnike. Këmbanat në Maqedoni filluan të bien. Këta zëra, këto procese nuk ndalen me sanatizime të ndërsjellta, por me angazhime të plota në ndërtimin e formacioneve reale multietnike shoqërore ose me konstatimin e dështimit të këtyre projekteve. Në Maqedoni, por dhe në Bosnje shfaqen shenja alarmante që tregojnë se këto projekte nuk kanë perspektivë. Ne me përkushtim u angazhuam në projektin multietnik. Tash, të paktën si xhentëllmenë duhet të kuptojmë se jemi të refuzuar.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Xhaferi ka biseduar me Georgievskin për ndarje të Maqedonisë
    Nga Davius në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 28-04-2012, 17:02
  2. Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 14-10-2008, 10:40
  3. Përgjigje: 30
    Postimi i Fundit: 28-09-2005, 21:55
  4. Krizë në Maqedoni: Kryeministri jep dorëheqjen
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 19-11-2004, 01:40
  5. Jep dorëheqjen avokati i fushatës së Bushit
    Nga StormAngel në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-08-2004, 22:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •