Kryeministrat Edi Rama dhe Matteo Renzi, Dhjetor 2014
Pak ditë më parë shteti italian miratoi një ligj delikat, që kushtëzonte kompanitë italiane Call-Center, mbi zhvendosjen e filialeve të tyre në shtete të tjera.
Ligji i ri imponon dy kritere për kompanitë italiane:
Që mund të zhvendosin filialet normalisht vetëm në shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
Nëse i zhvendosin filialet në shtete jo-anëtare të BE-së, atëherë punonjësit e filialeve kanë detyrim ligjor që të thonë se nga kryejnë telefonatën kur kontaktojnë klientin.
Detyrimi për të deklaruar vendin se nga kryhet telefonata do të thotë se operatori kur telefonon klientin, duhet menjëherë të thojë: “Alo, ju telefonojmë nga Shqipëria”. Kjo fjali e thënë në parantezë, sjell automatikisht mungesë interesi për konsumatorin apo klientin italian të kontaktuar.
Kjo do të thotë, se një pengesë serioze është shfaqur në horizont për bizneset italiane të Call-Center të stacionuara në Shqipëri dhe gjasat janë që ky shërbim që sot numëron afro 27 mijë e 500 vende pune, gradualisht do të zhvendoset nga Shqipëria.
Po çfarë ka ndodhur?
Hashtag.al është interesuar pranë disa biznesmenëve protagonistë të këtij shërbimi në Shqipëri. Biznesmenët deklarojnë ‘off record’ se ky ligj i ri favorizon biznesin rumun.
Sipas tyre Rumania është përfituesi kryesor, sepse është vend i anëtarësuar në BE.
Thuajse gjysma e kompanive Call-Center të hapura në Shqipëri, janë zhvendosur vitet e fundit nga Rumania, pasi kostot në Shqipëri ishin favorizuese.
Por duket se kjo zhvendosje ka alarmuar biznesin dhe qeverinë rumune, të cilat në sinkron me njëra tjetrën, kanë nisur në vitin 2014 një lobim pranë qeverisë dhe senatit italian, për të miratuar këtë ligj. Ja dolën. Rumunët e fituan betejën.
Është interesant fakti se pikërisht në kohën kur rumunët nisën lobimin për të kapur biznesin e Call-Center-ave, kryeministri Rama shpërndante në Facebook, foto-selfie me kryeministrin italian Renzi.
maxresdefault-1Madje në vitin 2015 Rama shkoi dhe më tej, kur në një intervistë në televizionin italian LA7, deklaroi me mburrje se italianët mund të investonin të qetë në Shqipëri, për shkak se në vendin tonë nuk ekzistojnë sindikatat.
Kjo ishte një deklaratë e paprecedentë. Madje nëse sindikatat do ekzistonin do kishin vepruar dhe do kishin ‘zgjuar nga gjumi’ qeverinë shqiptare, për të lobuar dhe ajo njësoj si rumunët.
Rumunët e arritën rezultatin e dëshiruar dhe tashmë kanë krijuar kushtet që ky biznes të transferohet sërish drejt tyre, ndërsa biznesi dhe qeveria e tyre rezultoi efikase dhe precize.
Në ndryshim nga rumunët, rezultatet tona janë fotot ‘selfie’ dhe rrezikimi i 27 mijë vendeve të punës.
Me sa duket, rezultantja e produktit të qeverisë në raport me Italinë, mund të përmblidhet në SMS-të e këmbyera mes Ditmir Bushatit dhe Nar Kokës. / Hashtag.al
Krijoni Kontakt