Është interesante ta përfytyrosh trurin si një kompjuter biologjik, me indet në rolin e harduerit dhe veprimtarinë elektrike në rolin e softuerit.
Nëse do të ishte kështu, transferimi i mendjes mund të ishte diçka e arritshme nga ana teknike, së paku derisa të krijohet sistemet e avancuara të elektrodave për të arritur diçka të tillë.
Por sipas ekspertëve vetë shkëputja e mendjes nga lënda është diçka e paarritshme.
"Vetja është në gjithë strukturën," - thotë Charles Higgins, neurolog dhe inxhinier elektrik i Universitetit të Arizonës. "Është në ndërlidhjen e 100 miliardë neuroneve dhe në formën e veçantë të përçuesve dhe të receptorëve nervorë."
Edhe nëse kirurgët do të mund të transplantonin me sukses trurin, do t'ju duhej të transplantonin dhe shtyllën kurrizore, përndryshe do të rrezikonin memorien e deriatëhershme muskulore të personit.
Një zgjidhje ndaj këtij problemi, vijon më tej Higgins, do të ishte klonimi. Një klon me sistem qendror strukturalisht identik, mbase do të kishte mundësi të stimulohej me sinjale elektrike që sillen si origjinali.
Por vetë klonimi i njeriut ka mbetur në fantashkencë për momentin, pasi neurologët kanë regjistruar deri më tani vetëm lidhjet e njëkohshme të rreth 100 000 neuroneve - që do të përkonin në total me madhësinë e trurit të peshkut.
Ajo që mund të arrijnë shkencëtarët sot është thjesht të riprogramojnë trurin aty ku ndodhet.
Në Universitetin "Columbia" neurologët kanë implantuar stimulues në thellësi të trurit te njerëzit me depresion që nuk mund të trajtohet ende sipas metodave konvencionale.
Me dërgimin e impulseve elektrike në zona të caktuara, simptomat e pacientëve janë zhdukur në mënyrë të menjëhershme. Pas dy vitesh personat nën studim kanë raportuar se i është zhdukur tërësisht depresioni.
Në këtë vijë shkencëtarët mund të hasin dhe në mundësi të tjera që më parë nuk mendoheshin se mund të arriheshin.
"Mund të ndodhë që të zbulojmë rastësisht se ndërsa përpiqemi të ndalojmë krizën epileptike të ndonjë pacienti, të stimulohet sakaq një motiv në korteksin pamor për t'i krijuar personit një memorie të caktuar,” thotë Higgins.
Për momentin duket se transferimi i mendjes është ende fantashkencë, por me kalimin e kohës, dhe natyrisht me eksperimentin e mjaftueshëm, njerëzit mund të gjejnë mënyrën të ngarkojnë memorie në tru dhe të mësojnë kësisoj aftësi të ndryshme të cilat nuk i dinin më parë.
Krijoni Kontakt