Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 11
  1. #1
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Ndërrmarja e Edi Ramës privatizon protestat

    Qytetarët e Tiranës kanë parë dje një tjetër shfaqje të shëmtuar të hipokrizisë dhe standartit të dyfishtë të të përzgjedhurit të Edi Ramës në krye të bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj nxorri në rrugë punonjësit e bashkisë dhe disa deputetë socialistë për të protestuar kundër një vendimi të gjykatës së Apelit Administrativ që mund t’i hapë rrugën ndërtimit të një kompleksi me 5 kulla pranë digës së Liqenit dhe njëkohësisht urdhëroi policët bashkiakë dhe lëshoi mercenarët me pagesë për të goditur e ndaluar disa të rinj që prej disa javësh mundohen të pengojnë betonizimin e Parkut.

    Pamjet e këtyre dy protestave, asaj qeveritare kundër një gjykate dhe asaj të shoqërisë civile kundër një projekti të bashkisë, janë definimi më i mirë që mund t’i bëhet sot patupërsisë dhe arrogancës së pushtetit. Disa deputetë të PS që ishin në protestë kundër gjykatës (me urdhër të Ramës dhe jo nga insiprimi prej leifeni fallco i Velisë) kanë mbi vete histori ndërtimesh e biznesesh që jo rrallëherë janë vënë nën akuzë nga opozita, media dhe shoqëria civile. Rreshtimi i tyre lexohet qartë si shërbim ndaj kryeministrit, (i cili nuk është më në sinkron me ndërtuesin tek diga ndonëse planin e ndërtimeve atje e miratoi vetë kur ishte kryetar bashkie), dhe jo si një ndjeshmëri ndaj komunitetit për shkatërrimin e vazhdueshëm të qytetit.

    A e kanë ngritur ndonjëherë zërin këta deputetë dhe aktivisti Veliaj për qindra ndërtime në Tiranë që mbajnë firmën e Edi Ramës? Për shkatërrimin e qendrës historike, groposjen e monumenteve të kulturës, kafshimin e parkut të madh dhe së fundi ngritjen e kullës së stadiumit në një zonë ku nuk ka mbetur metër katror po u kthyer në beton? Sigurisht nuk mund të flasin sepse disa prej tyre janë përfitues direkt të këtyre ndërtimeve, të tenderave të bashkisë apo zaptimit që po i bëhet së fundmi pyjeve të Petrelës për t’i kthyer në zona banimi. Për t’i mbrojtur këto abuzime ata zgjodhën t’u vënë përsipër mandatin e deputetit. Dhe duke ua lejuar këto abuzime, Edi Rama i ka sot pengje, që i vë në rresht me urdhër, për të duartrokitur thirrjet e Velisë përpara gjykatës. Kjo është paturpësia e një proteste si ajo që qytetarët panë dje në Tiranë.

    Por ajo shfaqje e lartë e hipokrizisë nuk mundi të fshihte edhe anën tjetër të saj, arrogancën. Mjaftuan disa të rinj nga grupimi qytetar që kërkon të ndalë betonin në parkun e Liqenit dhe dhuna verbale e Erion Velisë zbrasi edhe dhunën fizike ndaj tyre. Me një diskurs racist të mirëfilltë, kryebashkiaku i cilësoi ata qytetarë të dorës së dytë, të lidhur me PD dhe për rrjedhojë ndaj tyre legjitimohej dëbimi. Edhe sikur ata protestues të ishin vërtet të PD, a nuk kanë ata të drejtë të thonë fjalën e tyre? Sipas Velisë jo, sepse kundërshtarët e tij, nga Presidenti deri tek shoqëria civile, janë pjesë e të Keqes që pengon të Mirën e mishëruar tek Erioni. Prandaj fjalori i tij denigrues ishte pararendës i dhunës që u ushtrua më pas ndaj të rinjve që u dëbuan me forcë nga tubimi bashkiak.
    Deputetët socialistë duartrokitën përsëri, sepse edhe ata e duan arrogancën e pushtetit. Me anë të saj u mbyllin gojën jo vetëm atyre që protestojnë, por edhe mediave, opinionit publik apo qytetarëve të thjeshtë që shpesh janë viktima të interesave të tyre. Përballë një shfaqje si ajo e djeshmja përpara gjykatës, cili qytetar inkurajohet të kërkojë të drejtën e tij për shtëpinë e shembur, tokën e grabitur, pronën e vejdhur?

    Pushteti rrëmbeu dje edhe të drejtën e protestës edhe të drejtën e shtypjes së saj. Për herë të parë në një demokraci, mazhoranca del në rrugë për të protestuar. Dhe proteston për një ndërtim, sepse këtë herë nuk lidhet me të, duke qenë vetë simbol i dhjetra rasteve të ngjashme, madje frymëzuese, krijuese dhe zbatuese e tyre. Në mënyrë flagrante selektiviteti u përplaset qytetarëve në fytyrë, bashkë me dhunën si kërcënim se e drejta e protestës nuk u takon atyre. Qytetarët nuk mund të protestojnë për shqetësimet e tyre, ndërsa pushtetarët mundet ta bëjnë për interesin e tyre. Marrja me konçension e protestës nga ndërrmarja politiko- ekonomike e Edi Ramës, ishte bëma më e fundit e kësaj mazhorance. Drejtimin e këtij konçensioni kryeministri ka vendosur t’ia besojë Erionit, si shartimi më i mirë mes mjaftistit, politikanit, populistit, arrogantit dhe servilit. Vetëm ky është i aftë të prodhojë shfaqje të tilla hipokrizie dhe arrogance si ajo e protestës përballë gjykatës. /mapo/
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Presidenti Nishani për Veliaj: "Presidentin e vendit quan hajdut more piziveng?!"

    Presidenti i Republikës në një konferencë të posaçme për shtyp, ka denoncuar dhunën terrorizuese, që sipas tij kryetari i bashkisë, Erion Veliaj ushtroi dje mbi gjykatën e Apelit Administrativ dhe gjyqtarëve në ushtrim të detyrës.

    Emri:  Bujar-Nishani.jpg

Shikime: 997

Madhësia:  24.2 KB

    Duke iu referuar protestës së organizuar ditën e djeshme nga kryebashkiaku Erion Veliaj përpara Gjykatës së Apelit Administrativ me pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe zyrtarëve të majtë kundër vendimit që pritej të merrej lidhur me çështjen e kompleksit të pallateve te Diga e Liqenit, Nishani u shpreh se dënon me forcë këtë sulm, që sipas tij jo vetëm është një sulm i instrumentalizuar politikisht, por edhe i realizuar ndaj një pushtetit të pavarur.

    “Një çështje për të cilin dua të shpreh shqetësimin tim dhe të ndërkombëtarët lidhet me sulmin e dhunshëm të djeshëm të organizuar nga kryetari i bashkisë së Tiranës dhe njerëz të tjerë me pushtet ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. Sulm i dhunshëm, qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës, – tha Nishani. – E dënoj me ashpërsinë më të madhe. Jo vetëm se është një sulm i instrumentalizuar politikisht, por edhe i realizuar ndaj një pushtetit të pavarur. Vlerësoj qëndrimin e ministrit të Drejtësisë dhe besoj se kjo ministri do të vijojë të inkurajojë pavarësinë e gjyqësorit”.

    “I kërkoj kryeministrit të dënojë sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarëve. Prokurorit të Përgjithshëm zyrtarisht dhe publikisht i kërkoj të nisë hetimet për dhunën e ushtruar dje ndaj gjyqtarëve, – vijoi keu i shtetit. – I kërkoj gjyqtarëve të marrin kurajë e të mbrojnë republikën, që është përgjegjësi themelore e institucione të pavarura, i kërkoj qytetarëve të ruajnë shpresën për të vrarë të keqen”, u shpreh kreu i shtetit.

    Një tjetër çështje të cilën kreu i shtetit e ka ndarë me mediat gjatë konferencës për shtyp, ishte një deklaratë e bërë nga kryebashkiaku Erion Veliaj në emisionin ‘Opinion’, ku ai akuzonte presidentin e republikës se kishte grabitur pronën e kishës katolike në Elbasan.

    Nishani ka bërë me dije se e ka paditur për shpifje ndaj shtetit, përmes kreut të tij, kreybashkiakun Veliaj, ndërsa i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë, që me ‘përgjegjësi kushtetuese, ligjore, ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë presidentin si hajdut dhe ta dënojë, ose përdhosësin përmes shpifjes, shteti shqiptar ta dërgojë para ligjit.

    “Unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Presidentit të Republikës një hajdut. Drejtësia duhet ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin si hajdut dhe ta dënojë atë në bazë të krimit, ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim”.

    Shqip

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Kongresmeni amerikan: Protestat e Veliajt kundër gjyqësorit, akt i paprecedent

    Emri:  David_Jolly.jpg

Shikime: 641

Madhësia:  25.2 KB

    Kongresmeni amerikan Dadiv W. Jolly, në një letër drejtuar ambasadorit të SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i ka shhprehur shqetësimin për sulmet politike dhe protestat e organizuara kundër sistemit gjyqësor nga zyrtarë të qeverisë. Në letrën e tij, të siguruar ekskluzivisht nga lapsi.al, kongresmeni amerikan shprehet se protestat e drejtuara nga zyrtarët po kërkojnë t’i frikësojnë gjykatat për përfitime të pastra politike. Shetësimi i kongresmenit Jolly vjen menjëherë pas protestës së organizuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përpara Agjykatës Administrative të Apelit. Anëtari i Kongresit amerikan i kërkon ambasadorit Lu që të vazhdojë angazhimet për zbatimin e ligjit të dekriminalizmit dhe për reformën ën drejtësi.

    Më poshtë letra e plotë:

    Ambasador Lu,

    Ju falenderoj për përfaqësimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara te aleati dhe miku ynë, Shqipëria. Po ju shkruaj sot me një shqetësim të madh për faktin se sistemi i pavarur dhe i paanshëm gjyqësor në Shqipëri po kërcënohet gjithnjë e më shumë, siç më është raportuar, që disa zyrtarë po refuzojnë autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe me gjasë po tentojnë të intimidojnë gjykatën për përfitime politike. Unioni i Gjyqtarëve i ka quajtur këto akte si të paprecedent dhe të rrezikshëm.

    Unë ju bëj thirrje që të punoni me qeverinë e Shqipërisë për të vazhduar angazhimin e saj për qeverisje dhe reform gjyqësore të lirë e të ndershme. Si pjesë e demostrimit të këtij angazhimi, unë shpresoj se ju do të vazhdoni të inkurajoni Parlamentin që të përmbushë implementimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit të hyrë në fuqi së fundi për të siguruar praktikat më të mira për të hetuar të shkuarën e zyrtarëve dhe të udhëheqësve politikë. Pas zbatimit të plotë të këtyre politikave të dekriminalizimit, ne kemi një dëshirë të fortë për të parë qeverinë e Shqipërisë që të vazdojë me reformën e domosdoshme në sistemin gjyqësor në mënyrë të drejtë dhe një proces gjithëpërfshirës.

    Marrëdhëniet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe interesi ynë i përbashkët për siguri dhe liri ka një domethënie të rëndësishme rajonale dhe globale. Faleminderit për lidershipin tuaj të vazhdueshëm dhe bashkohem me ju në inkurajimin e lidërve të Shqipërisë për të përaqafuar një angazhim më të madh për një gjyqësor të pavarur e të drejtë.

    Koha Jone

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Pallati te diga, Veliaj fton qytetarët në protestë tek Apeli: Gjykatë kriminale

    Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte shumë i revoltuar me gjyqin që ishte zhvilluar sot në Gjykatën e Apelit në procesin për lejen e pallatit tek diga e Liqenit, pasi nuk ishte lajmëruar askund se sot kishte seancë. Ndaj ai ditën e nesërme, të mërkurën, në orën 11:00, ftoi qytetarët para Gjykatës së Apelit për të protestuar që leja te diga e liqenit të anulohet.

    Emri:  liqeni4-veliaj.jpg

Shikime: 621

Madhësia:  59.2 KB

    “Ftoj qytetarët të jenë dëshmitarë të këtij gjyqi. premtimi im, do mbroj interesin e qytetarëve…të bëjnë një shkelje si kjo e sotmja as në kancelari as në uebsajt nuk njoftohet data, …do jetë gjyqi më i shpejtë në historinë e Shqipërisë. kur shikoj gjurmët kuptoj edhe ujkun..gjurmët e kësaj shkelje janë aq ashiqare sa kuptoj që kjo është një gjykatë kriminale, gjykata ka marrë një vendim të paprecedentë. Nëse sot do kishim marrë një datë në gjykatë… e dy kushërinj s’mund të jenë edhe i gjykuari edhe gjyqtari. Dy familjarë kanë një mbiemër janë të lidhur me njëri tjetrin, njëri shkon të mbrojë lejen dhe tjetri të gjykojë lejen. S’është kërcënim, është premtim që unë nesër do jem i pari aty, të mbroj interesin e qytetarëve…”, tha Veliaj.

    Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Patozi: Në një vend normal Veliaj do të ishte shkarkuar në vend

    Ish-kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi i ka kërkuar që Kryeministri të reagojë për protestën e kreut të Bashkisë së Tiranës para Gjykatës Administrative.

    Emri:  patozi.jpg

Shikime: 622

Madhësia:  36.0 KB

    Patozi theksoi se, në një vend normal Kryeministri, ose do ta kishte shkarkuar në vend, ose do ta kishte cuar për ndjekje penale kryebashkiakun.

    Përse nuk na shkon vaji për sovranitetin

    Astrit PATOZI

    Kisha kërkuar të flisja sot për rendin e ditës, por një zhvillim dramatik i ditës së djeshme, më bëri që ta ndryshoj temën e diskutimit tim. E kam fjalën për protestën e turpshme dhe skandaloze të kryetarit të Bashkisë së Tiranës përpara Gjykatës Administrative. Një tragji-komedi rilindase, akti i parë i së cilës u luajt mu në mes të Tiranës, pikërisht në castin që ambasadorët Lu dhe Vlahutin po u shpjegonin deputetëve të opozitës efektet pozitive që do të sillte reforma për drejtësi.

    Nuk besoj se jam i vetmi që më janë kujtuar gjyqet e famshme ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist në vitet 1945-46, që zhvilloheshin nën thirrjet “tradhtarët në litar” të turmave të ekzaltuara. Përfundimet e tyre diheshin, sepse vetëm drejtësi nuk mund të pritej dhe nuk mund të kishte. Dhe pyetja që të vjen vetiu ndër mend është, a mund të presësh ndonjë gjë të mirë nga kjo qeveri, edhe sikur ta votonim, jo nesër, as pas një muaji, por qysh sot, reformën për drejtësi? Kam frikë se prognoza është shumë e zymtë.

    Eshtë e paprecedent në Shqipëri, që një pjesë e shtetit të ngrihet në revoltë kundër pjesës tjetër. Kemi parë dhe bërë shumë në këto vite, padyshim. Kishim shkuar deri tek protestat para Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. E kemi bërë herë ne, e herë Partia Socialiste, kur kemi qenë në opozitë. Edhe kjo vetë, sipas meje, nuk është ndonjë histori për tu krenuar. Por është gjithësesi e pakrahasueshme, sepse tek e fundit ishin partitë ato që ishin të pakënaqura dhe kishin hesape me institucionet. Kurse dje në protestë ishte bashkia më e madhe e vendit, pushteti më i rëndësishëm pas kryeministrit, bashkë me një pjesë të parlamentit, që ishte ngritur kundër pushtetit gjyqësor. Për të cilin po thuhet se është problemi kryesor që ka Shqipëria sot. Kam shumë rezerva për gjykatat dhe prokurorinë, por kur shoh turma militantësh të hakërryer në dyert e tyre, që asnjëherë nuk është e vështirë t’i mbledhësh, jam në të gjitha rastet me drejtësinë. Sepse besoj që ky është fundi i shtetit.

    Ndaj unë sot ftoj ministrin e Drejtësisë të prononcohet. Ai nuk mund të fshihet, por duhet t’i dalë zot institucioneve të linjës. E ka detyrim kushtetues, por edhe politik e moral, po të doni. Dy ditë më parë reagoi për rrahjen barbare të një gazetari sportiv, për shkak të një ndeshje futbolli. Dhe kërkoi dënimin ekzemplar të dhunuesve. Mirë bëri, e vlerësoj shumë si gjest, por kjo që ndodhi dje është më e rëndë. Eshtë e vërtetë, se aty nuk u rrah njeri, dhe as u vra dikush, por mendoj se dje u dënua me vdekje pushteti gjyqësor, më në mes të ditës dhe mu në mes të Tiranës, në syrin live të kamerave dhe të publikut.

    Duhet t’ia kisha kërkuar distancimin të parit kryeministrit, por nuk e bëj dot, pasi kam bindjen që ai vetë qëndron prapa këtij agresioni të paimagjinueshëm mbi drejtësinë. Se në mos është vetë regjizori i asaj shfaqjeje të neveritshme, Edi Rama shkëlqen me miratimin në heshtje që i bën atij krimi politik, dhe jo vetëm, që po konsumon i përzgjedhuri i tij në bashkinë e Tiranës. Sepse në cdo vend tjetër normal kryeministri, ose do ta kishte shkarkuar në vend, ose do ta kishte cuar për ndjekje penale kryebashkiakun revolucionar. Por edhe po të mos e bënte ai, do të kishte dalë i gjithë populli në rrugë dhe do t’i kishte përmbysur të dy. Kurse tek ne, për shkak se jemi një vend anormal, dishepulli i Ramës është shndërruar në heroin e ditës dhe në starin e shtypit, duke u krekosur si kaposh nga mëngjesi deri në darkë për atë që ka bërë. Dhe kjo mendoj është e padurueshme.

    Ftoj po ashtu Presidentin e Republikës që t’u dalë në krah gjyqtarëve. Jo për orët dhe makinat e shtrenjta, as për vilat luksoze, apo pasuritë e pajustifikuara, por që të kryejnë të pakërcnuar detyrën e tyre. Për aq kohë sa të jenë në ato funksione. është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i takon ta bëjë dhe të qëndrojë fort. Opozitën gjithashtu, Partinë Demokratike, në radhë të parë, si lokomotiva dhe forca udhëheqëse e saj. Nëse opozita hap rrugë kur para syve të saj ekzekutohet njëra nga shtyllat e sistemit, megjithë difektet që mund të ketë, mos prit që dikush tjetër ta bëjë. Të mos kemi asnjë kompleks se kush e dha lejen ose pse e dha lejen. Ne nuk mbrojmë cështjen, por parimin. Nuk ka shumë rëndësi përmbajtja e vendimit, tek e fundit për atë punë është gjykata, të vendosë se kush ka të drejtë. Por gjykatat nuk mund të vendosin nën trysninë e një pushteti, që sillet si bandë, i cili dje kishte fytyrën dhe gjuhën e lëshuar të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

    Kam edhe një kërkesë për ambasadorët e perëndimit në Shqipëri, në mënyrë të vecantë për zotin Lu dhe zonjën Vlahutin. Ata kanë qenë të mirëpritur në investimin e tyre për reformën në drejtësi, e cila kemi rënë dakord të gjithë se është e nevojshme për vendin. Dje ishin mysafirët e grupit tonë parlamentar dhe patëm një diskutim të hapur dhe të frytshëm për atë që pritet prej nesh. Por me zhvillimet e fundit, ata mendoj se duhet të japin garanci, jo thjesht për opozitën, por për shumicën e qytetarëve shqiptarë, se kjo reformë nuk do të keqpërdoret kundër tyre, nga një pushtet arrogant, i cili dje tregoi kthetrat dhe dhëmbët. Ndryshe, ata do të bekonin kërbacin e një regjimi të dhunshëm, që shkel me këmbë mbi cdo ligj dhe parim.

    Nëse do bënim një analogji me vendin e bekuar që përfaqëson zoti Lu, është njësoj sikur kryetari i bashkisë së Nju Jorkut të merrte me vete gjysmën e kongresmenëve të partisë së vet bashkë adiministratën dhe të shkonte të protestonte para gjykatës, që fjala vjen Donald Trump, apo dikush tjetër, të mos ndërtonte aty ku nuk kishte qejf ai. Në Bronx, në Brooklin apo Manhattan, pak rëndësi ka. Jua them cfarë do të kishte ndodhur. Do ta arrestonin pa dalë nga zyra. Por edhe sikur kjo të mos ndodhte, do të ngrihej në këmbë e gjithë Amerika dhe do ta merrte përpara, që të mos gjente vrimë ku të futej. Natyrisht, që unë nuk pretendoj aplikimin e standarteve të larta amerikane në Shqipëri, por edhe Shqipëria nuk është xhungël, ku mjafjon të jesh në pushtet, dhe mund të bësh gjithcka.

    Ndaj edhe ftesa ime për të nderuarit ambasadorë është që të mos heshtin para kësaj që po ndodh edhe para syve të tyre, sepse kjo do ta kompromentonte shumë pozicionin e një arbitri të paanshëm. Sepse, të paktën unë, investimin e tyre të gjatë dhe persistent e kuptoj si një dëshirë qëllimmirë që ky vend t’i afrohet perëndimit, dhe jo republikave të bananeve.

    Ndërkohë, kam edhe edhe një vërejtje për kolegët që morën pjesë në atë shfrim mizor dufesh politike. Nuk e kam zakon të merrem me asnjeri personalisht. Por ju nuk duhet të ishin aty. Sepse deputetët nuk mund të keqpërdoren nga një ceguevarist i vogël politik edhe sikur t’u besohet gazetave që thonë se mund të bëhet një ditë kryeministër, sepse as kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Edhe nëse ju ka marrë në telefon Edi Rama, ju përsëri nuk duhet të shkonit aty. Se kryeministri duhet ta dijë se ju, se mazhoranca pra, nuk mund të jeni kurrësesi edhe qeveria edhe gjykata, edhe policia edhe prokuroria, edhe parlamenti, edhe shoqëria civile. Ajo kohë ka marrë fund, ndonëse ju po përpiqeni ta risillni duke na kujtuar lincimet mizore dhe publike të 45-ës. Mos mendoni kurrë se pushteti të jep automatikisht monopolin e të drejtës dhe të vërtetës absolute.

    Unë e kam të qartë se prej tre vjetësh, që kur fituat zgjedhjet, ju keni shumë gjëra në dorë në këtë vend. Keni në dorë të grabisni taksa dhe prona, të shpallni pa garë tendera dhe koncensione, që qelben korrupsion, të ndani paratë e trafiqeve dhe të drogës me bandat e krimit, të jeni edhe miqtë dhe sponsorët e Eskobarëve të Ballkanit, e plot zullume të tjera të kësaj natyre. Por duhet të dini gjithashtu se nuk na keni në dorë, as jetën dhe as liritë tona. Të cilat të jeni të sigurt se do t’i mbrojmë me cdo cmim.

    Dhe në fund kam dy fjalë lidhur me debatin e këtyre ditëve për sovranitetin. I cili ka shpërthyer pas lajmit për pjesëmarrjen e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në mbledhjet e grupeve më të mëdha parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. I mirëkuptoj kolegët që e kanë shprehur ose jo publikisht shqetësimin e tyre për këtë zhvillim të paprecedent, por më shumë bie dakord me zotin Lu që thotë se situatat e pazakontë, duan ndërhyrje të pazakonta.

    PO, le ta pranojmë me dhimbje që kjo është pasqyra e një katandisjeje të frikshme, ku kemi përfunduar si pakuptuar të gjithë. Sepse, për fat të keq, Shqipëria nuk është vend normal dhe nuk gaboj aspak po të them se meritën kryesore për këtë anormalitet quazidemokratik e ka kjo mazhorancë. Sepse duam apo s’duam ne, sovranitetin e këtij vendi, më shumë se kushdo tjetër e përfaqëson qeveria. Dhe për sa kohë ajo do të gjendet nën kompleksin e mëkatarit, që është gati të bëjë urën, vetëm që të mos ia quajnë për të madhe aferat, nuk duhet pritur që këtë gjendje ta ndryshojë opozita, për sa kohë ajo të jetë e tillë.

    Personalisht, mendoj se koncepti i sovranitetit ka ndryshuar shumë dhe nuk mund të jetë më ai i shekullit të kaluar, dhe kjo nuk vlen vetëm për vendet e vogla si Shqipëria, por ndoshta edhe për vetë fuqitë e mëdha. Por përtej kësaj, unë vetë do të falja pa asnjë pendesë një pjesë nga sovraniteti i vendit tim, nëse nga kjo humbje do të kishte më pak korrupsion, më pak koncensione abuzive, me pak arrogancë dhe arbitraritet, më pak taksa që nuk vidhen, ma pak dhunë dhe presion ndaj drejtësisë dhe medias, më pas ose aspak shfaqje të pështira se ajo e djeshmja para Gjykatës Administrative, më shumë liri mendimi dhe tregu, më shumë humanizëm dhe më shumë mirëqenie dhe paga të larta për shqiptarët.

    Para disa muajsh pata një takim informal me dy udhëheqës të Vetëvendosjes së Kosovës, që kishin ardhur në Tiranë për të shpjeguar aksionin e tyre kundër asaj që ata e quajnë “Zajednica”. Besoj se jemi të gjithë në një mendje se ata janë sovranistët më të shquar në trevat shqiptare. Dhe u thashë mes të tjerash, që ju në Kosovë keni shpëtuar nga disa sëmundje tonat, pikërisht për shkak të sovranitetit të cunguar. Sepse, ndryshe nga ne, që kemi pasur sovranitet të plotë, keni qenë të kufizuar në marrjen e disa vendimeve. E them me dhimbje këtë, por kjo është e vërteta me tranzicionin tonë.

    Ne kemi marrë edhe po vazhdojmë të marrim vendime të rënda kundër vetvetes. Sepse sipas meje sovraniteti as hahet, as shijohet, as merret me vete në shtëpi apo në varr, as u lihet trashëgim fëmijëve, të cilët mund të zgjedhin një vend tjetër më të jetueshëm, nëse ti ua bën ferr të ardhmen. Sic po ua bëjmë në një farë mënyrë, ndaj edhe shumica po kërkojnë të ikin një orë e më parë nga Shqipëria. Sepse ai nuk ka asnjë kuptim, nëse nuk shërben për ta bërë më të pasur, më të lirë dhe më të drejtë këtë vend. Sepse unë për vete nuk pres që të jem krenar për Shqipërinë, vetëm pse kombëtarja e futbollit është kualifikuar në Kampionatin Europian, madje nuk do të mjaftonte dhe sikur ajo, prishur mos qoftë, të shpallej kampione e kontinentit. Ndaj edhe më duket jo racional ky “vajtim” solo apo në kor për sovranitetin sot, pasi kemi abuzuar tmerrësisht shumë me të në këto vite.

    Për të gjitha këto asye, gjykoj se do të ishte e mirëpritur cdo lëvizje politike që i shërben shërimit të plagëve të thella, që i janë shkaktur sistemit gjatë tranzicionit tonë të vështirë. Në këtë aspekt, e shikoj edhe reformën në drejtësi, por duke i qëndruar fort bindjes sime se ajo gjithësesi do të ishte e pamjaftueshme. Jo thjesht për atë maskaradë që ndodhi dje në dyert e gjykatës. Por sepse ky vend ka nevojë për një shkundje të thelle, një kontratë të re sociale, një reformë të plotë kushtetuese, ku reforma për drejtësi të jetë vetëm një kapitull i saj.

    Panorama

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Presidenti Nishani për Veliaj: "Presidentin e vendit quan hajdut more piziveng?!"

    Rama i përgjigjet Nishanit për Veliajn: Shejtanbudallenj

    Ndërkohë që fliste kreu i shtetit Bujar Nishani dhe dënoi gjuhën me të cilën i është drejtuar Presidentit kreu i Bashkisë Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama reagon në rrjetet sociale.

    Emri:  rama-dhe-nishani.jpg

Shikime: 671

Madhësia:  28.5 KB

    “Pengmarresit e drejtesise e te Reformes ne Drejtesi na jane zemeruar nga protesta e bashkise perpara gjykates se na qenka nje hata e papare!”

    “Dikush t’u tregoje shejtanbudallenjve ndonje pamje nga manifestimet e panumerta te guvernatoreve e te bashkiakeve para gjykatave amerikane!”, shkruan Rama në Facebook, në përgjigje të fjalës së Nishanit, i cili tha se do ta hedhë në gjyq Kryebashkiakun Veliaj, dhe se kjo çështje do t’i mbetet tashmë Drejtësisë.

    Ky i fundit e cilësoi Presidentin hajdut në emisionin “Opinion” dy ditë më parë.

    Panorama

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Karnavalet e Erion Veliajt

    MARK MARKU

    Erion Veliaj e ka lënë përkohësisht “punën” për betonimin e Parkut të Liqenit dhe u është kthyer protestave. Ka hequr dorë nga posti i kryetarit të Bashkisë për t’iu kthyer postit të kryetarit të “Mjaftit”. Vetëm se këtë radhë “protestuesit” e tij ndryshojnë shumë nga ata djem e vajza të reja që dhjetë vjet më parë shfaqeshin para institucioneve shtetërore për të protestuar kundër abuzimeve të pushtetit.

    Ndryshojnë po aq sa ç’ndryshon Erion Veliaj sot kryebashkiak, me Erion Veliajn e dikurshëm të “Mjaftit”. Ndjekësit e tij të sotshëm janë vartës të tij që kanë ndërprerë punën me urdhër të shefit për të protestuar. Disa prej tyre kanë lënë betonierat, veglat e punës, llaçin, zhavorrin te Liqeni për t’iu bashkuar protestës së kryetarit. Disa të tjerë janë deputetë-ndërtues, që vetëm për një ditë do të shijojnë privilegjin e të qenit protestues.

    Nejse, e rëndësishme është që demonstrata u mbyll pa incidente dhe që Policia Bashkiake nuk tërhoqi zvarrë ndonjë nga protestuesit. Greva u bë, gjykata u “zbyth” dhe Erion Veliaj pati mundësi të shfaqej para qytetarëve të qytetit që e ka zgjedhur me një rol të ri: në rolin e protestuesit. Dhe kjo është e rëndësishme.

    Pasi e kanë parë në rolin e shitësit të fiqve, në rolin bamirësit që paguan gjobat e të gjobiturve nga Policia Bashkiake, pasi e kanë parë në rolin e magjistarit, teksa me një vizitë të vetme i kthente ca shkurrishte në rrethinat e Tiranës në parkun e ri të qytetit, teksa e kanë parë në rolin e sharësit dhe të shantazhuesit të “armiqve të punëve”, teksa e kanë parë me dhjetëra herë në rolin e “misterbuzëqeshjes”, do duhej ta shihnin kryetarin e tyre edhe në rolin e “protestuesit”.

    Në fakt, protesta më shumë se e tillë, të ngjante me një karnaval të neveritshëm, por gjithsesi një qytet si Tirana e meriton një ngjarje të tillë karnavaleske të udhëhequr nga kryebashkiaku. Përtej karnavalizmit, ajo protestë ishte shqetësuese në shumë drejtime. Sepse në shumë drejtime shpreh thelbin e marrëdhënies dhe komunikimit poshtërues të kryetarit të Bashkisë me qytetarët. Një kryetar bashkie që, më së paku ka shkelur ligjin me ndërtimin e Parkut të Lodrave te Liqeni, rrethon Gjykatën me disa deputetë dhe i bën presion asaj në marrjen e vendimeve.

    Sistemi i Drejtësisë meriton shumëç- ka, por ai nuk mund të zëvendësohet me jakobinizëm, me drejtësinë e “turmave”, me drejtësinë e “burokracisë” politike. Nëse para gjykatës do të duhej të kishte protesta dhe protestues, ata do të duhej të kërkonin edhe bllokimin e ndërtimit të pallateve te diga e Liqenit, edhe ndalimin e ndërtimit të Parkut të Lodrave, edhe ndërtimin e pallatit para Filologjikut, edhe pezullimin e ndërtimit të kullës së stadiumit të ri, edhe pezullimin e lejes për ndërtimin e një pallati të ri shumëkatësh te lulishtja te Rruga e Elbasanit, edhe pezullimin e ndërtimit të parkingjeve te sheshi “Rinia”, madje të kërkonin edhe dënimin e Erion Veliajt për falsifikimin e firmës së policit në gjobat, që pak muaj më parë iu faturuan opozitës për protestat e tyre.

    Nëse do të duhej të kishte protestues, ata protestues duhej të ishin krejt të tjerë, dhe do të duhej të ishin pikërisht ata protestues të rinj që janë rrahur me shkop, tërhequr zvarrë dhe futur në burg, vetëm se po protestonin në një hapësirë publike kundër shkeljes së ligjit nga ana e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajt. Pra, përveç karnavalizmit, ajo protestë tregon edhe natyrën e vërtetë të pushtetit në Shqipëri: nëse proteston, Policia e Shtetit njërin që proteston në një hapësirë publike e rreh dhe e burgos, kurse tjetrin që rrethon dhe kërcënon gjykatën e mbron.

    Nëse ndërton pa leje dhe dhunon hapësirën publike kur ke në dorë pushtetin kjo quhet punë, ndërkohë që nëse nuk je në pushtet, e njëjta “punë” quhet krim.

    Panorama

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Protesta/ Prokuroria e Tiranës nis procedim penal për Erjon

    Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal për protestën e dy ditëve më parë të organizuar nga Bashkia e kryeqytetit pranë selisë së Gjykatës Administrative.

    Emri:  20160511_163134_11051647-1_E1pIBmk.jpg

Shikime: 619

Madhësia:  28.8 KB

    Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, organi i akuzës e ka ndërmarrë nismën e tij për veprat penale “organizim të manifestimit të paligjshëm” dhe “kanosje e fyerje ndaj gjyqtarëve”.

    Sipas njoftimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të protestës së 11 majit, të transmetuara në televizione.

    Emri:  1463157100_foto2pdf.jpg

Shikime: 653

Madhësia:  47.6 KB

    Përmes protestës, e drejtuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj, kërkohej dorëheqja e trupit gjykues që ishte caktuar për të gjykuar çështjen e lejes së ndërtimit dhënë për kompaninë “Gener 2”, për ndërtimin e një godinë 17-katëshe në vendin përballë digës së liqenit artificial në Tiranë.

    Top Channel
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 13-05-2016 më 16:30

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Protesta, reagon KLD: Veliaj presion politik, terma poshtërues ndaj gjyqtarëve

    Emri:  KLD.jpg

Shikime: 594

Madhësia:  58.9 KB

    Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar paraditen e djeshme nga kryebashkiaku Erion Veliaj përpara Gjykatës së Apelit Administrativ. Përmes një deklarate të publikuar në faqen e vet zyrtare KLD shprehet se dënon çdo formë presioni, që Kryetari i Bashkisë Tiranë, dhe një grup politikanësh, ushtruan dje, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim.
    Sipas KLD, këto akte sjellin destabilizim të sistemit gjyqësor, pasi vendimet e gjykatave nuk mund të kundërshtohen me protesta e presion e politike.

    “Në protestën e tyre, Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politik, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejte në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjell veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
    Në një shtet demokratik, çdo drejtues institucioni dhe eksponent politik, nuk do ta çonte nëpër mend, të organizohej në atë mënyrë për të cenuar apo kërcënuar gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre Kushtetuese.

    Etiketimi i gjyqtareve si “të duhur” apo “të paduhur” gjatë ushtrimit te detyrës nga palët ndergjygjëse është i papranueshëm dhe i patolerueshëm.

    Si kurdoherë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurisht, nëpërmjet rolit të pazëvendësueshëm dhe unik të sistemit gjyqësor, duke pasur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, duke tentuar rritjen dhe cilësinë e veprimtarisë së saj gjyqësore, si dhe duke garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrave.

    Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, garanton trupën gjyqësore si dhe çdo qytetar, subjekt privat apo autoritet shtetëror se është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë edhe ndaj ndërhyrjeve politike si dhe mirëpret çdo sugjerim për përmirësimin e standardeve të tij përmes zgjidhjeve konkrete”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KLD.

    Shqip

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,969
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vetëm në Shqipëri: Veliaj nuk pranon vendimin e gjykatës, proteston dhe u kanoset gjykatësve

    Avokatja: Veliaj të distancohet nga interesat e tij klienteliste

    Emri:  projekti-17-kateshi.jpg

Shikime: 603

Madhësia:  57.1 KB

    Progonati: Rama në 2008 firmosi për pallat me 35-45 kate. Mazniku: S’kemi konflikt me kompaninë

    Pas vendimit të Gjykatës Administrative për shtyrjen e shqyrtimit të çështjes së ndërtimit të pallatit 17-katësh pranë digës së liqenit artificial të Tiranës, reagon avokatja e shoqërisë ‘Gener2’, Mine Progonati, e cila i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës të distancohet nga interesat, sipas saj klienteliste, ndërsa ritheksoi se ndërtimi i objektit mban firmën e Edi Ramës si kryetar bashkie në vitin 2008. “I kërkojmë zotit Veliaj të distancohet nga interesat klienteliste dhe të lejojë organet kompetente të marrin vendimet e tyre në bazë të ligjit dhe të fakteve. Ky projekt i miratuar nga Bashkia e Tiranës, me ish- kryetar bashkie zotin Edi Rama, parashikon ndërtimin e objekteve me lartësi prej 37-45 kate. Kryetari i bashkisë, Edi Rama, në atë kohë, ka hedhur firmën e tij në këtë projekt në vitin 2008, duke e mbrojtur atë si një kryevepër të kohës moderne të projektuar nga studioja me famë botërore ‘Winy Maas’. Ndërsa Bashkia e Tiranës, nëpërmjet nënkryetarit, Arbjan Mazniku, tha se nuk ka asnjë konflikt me kompaninë, por po mbron interesat publike.

    Qëndrimi i shoqërisë ‘Gener2’ kundër vendimit të Veliajt, që kërkon anulimin e lejes së ndërtimit te diga e liqenit, është i dyti, pas atij të dy ditëve më parë, menjëherë pas shtyrjes së seancës gjyqësore për çështjet e ndërtimit të pallatit te diga e liqenit. Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, ‘Gener 2’ i cilësoi populiste deklaratat e kryebashkiakut Veliaj, të cilat sipas kompanisë së akuzuar prej tij, ndikojnë në procesin gjyqësor, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. Kompania e ndërtimit i bëri thirrje kryebashkiakut të distancohet nga interesat klienteliste, edhe më herët, pasi sipas tyre, mënyrat joligjore dëmtojnë imazhin e vendit. “Duam të përgënjeshtrojmë sulmet e Erjon Veliajt. Kryebashkiaku, deklarata populiste që ndikojnë te gjyqësori. Projekti në zonë private, i miratuar nga bashkia”, thuhet mes të tjerash në reagimin e ‘Gener 2’, dy ditë më parë.

    Shqip

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •