Ristani: Shqipëria u përjashtua nga aksioni antidrogë i DEA-s, Tahiri ndihmoi Eksobarin
Për opozitën, policia shqiptare ishte e përjashtuar nga aksioni ndërkombëtar për trafikut e drogës i nisur në Greqi dhe e përfshirë edhe DEA amerikane.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se autoritetet policore shqiptare me në krye Saimir Tahirin nuk bënë gjë tjetër vetëm sa ndihmuan Klemend Balilin që të arratisej.
Ristani: Tahiri ishte përjashtuar nga ky aksion ndërkombëtar, i organizuar nga policia greke, nga DEA amerikane dhe polici të vendeve të tjera të BE-së, për shkak të lidhjeje të drejtpërdrejta me atë që u quajt nga mediat dhe CNN si Eskobari i Ballkanit.
E megjithatë Tahiri, Rama dhe krerët e tyre të policisë u bënë pjesë e këtij aksioni duke e dëmtuar atë, duke ndihmuar njeriun e tyre, Klement Balili, ti shpëtojë kërkimit, duke e ndihmuar të arratiset. Qëndrimet kontradiktore të policisë, për hetimin e organizatës kriminale tregojnë se ata janë kompromentuar për shkak të lidhjeve të Balilajve me drejtues të lartë politikë në vend, me Tahirin në veçanti.
Teksa autoritetet greke e kanë shpallur në kërkim Balilin, Ristani tha se policia shqiptare nuk e di ende nëse është person nën hetim dhe kjo vjen sipas tij, vetëm për një arsye; lidhjet e ministrit me bandat e krimit.
Ristani: Është ky ministër, i njohur si mburojë e trafikantëve dhe e krimit prej tre vitesh, nga Viluni, te Habilajt, nga Durim Bami te Shullazi, nga Marku te Arben Frroku, e së fundmi tek Eskobari Balili. Lidhjet e Sajmir Tahirit me bandat kriminale dhe organizatat e narkotrafikut janë tashmë të njohura edhe nga partneret tanë evropianë dhe amerikanë.
Në fund, opozita thotë se është emergjente që ai të largohej një orë e më parë nga detyra.
ORA NEWS
Krijoni Kontakt