Pse heshti ambasadori amerikan Donald Lu për kërcënimin dhe keqtrajtimin që iu bë gazetarit të VOA Pëllumb Sulo nga ministri Beqaj, bodyguardi i tij dhe policët
Në vitin 2009 një biznismen i përfolur për lidhje të ngushta me Qeverinë “Berisha-Meta”, Rezart Taçi keqtrajtoi në një kafeteri një gazetar kritik ndaj qeverisë, Mero Bazen. Menjëherë reagoi ambasadori amerikan. Gazetarët e njohur si pro Edi Ramës protestuan para Qeverisë, duke hedhur këpucë, një imitim i qartë i një gjesti që kishte bërë një gazetar irakian kundër ish-Presidentit amerikan Bush. Pas reagimit amerikan Prokuroria nxorri një urdhër arresti për Rezart Taçin dhe gjykata e miratoi atë duke i dhënë biznismenit masën e sigurisë burg pa afat, megjithëse historia ishte mëse e dyshimtë, dhe viodeoregjistrimet e kamerave të lokalit nuk qenë përdorur fare.
Pak ditë më parë, kur ra helikopteri ushtarak në breg të Liqenit të Shkodrës ne pamë, me pamje televizive, sesi një gazetar i “Zërit të Amerikës” u kërcënua në spitalin publik të Shkodrës nga Ministri i Shëndetësisë Beqaj, bodyguard i tij dhe policët ushtarakë dhe të Policisë së Shtetit. Gazetari i VOA Pëllumb Sulo thjesht po kërkonte të bënte punën e vet në korridorin e spitalit të Shkodrës para dyerve të dhomës së reanimacionit, ku gjendej ushtari që i kishte shpëtuar rrëzimit të helikopterit. Gazetari protestoi me të drejtë sepse atij i kërkohej të largohej, në një kohë që aty lejoheshin të hynin ministra bashkë me bodyguardët e tyre, si dhe policë. Rregullat spitalore janë të tilla që nëse është e ndaluar hyrja për shkak të gjendjes shëndetësore të pacientit, ky rregull vlen edhe për ministrat dhe bodyguardët, jo vetëm për gazetarët. Dhe përse duhej që ministrat Beqaj dhe Kodheli të hynin bashkë me bodyguardët në dhomën ku gjendej ushtari i mbijetuar nga rrëzimi i helikopterit? Nga sjellja e bodyguardit me gazetarin u kuptua se këta banditë-bodyguardë duhet të hynin në dhomën e reanimacionit për të kërcënuar të mbijetuarin me vdekje nëse do të hapte gojën për të folur për ngjarjen.
Ministri Beqaj e kërcënoi live gazetarin duke i thënë se e paska trashur zërin, një frazë kërcënuese vlonjate. Meqënëse ministri Beqaj nga nëna është vlonjat, ai është i vetëdijshëm se në Vlorë kjo mënyrë të foluri është kërcënuese. Atë që nisi ministri e vazhdoi bodyguard i tij, duke e kërcënuar gazetarin se do të shkonte atje t’ ia mbyllte gojën. Pastaj ndërhynë policët që e larguan dhunshëm gazetarin e VOA, i vetmi që kishte guxuar të rrinte atje. Të tjerët kishin ikur me kohë nga frika.
E gjithë kjo skenë tregoi se Ministri Beqaj, i cili ka qenë deputet i Shkodrës në zgjedhjet e 2013 (e ka dorëzuar mandatin sipas rregullit të vendosur nga Rama), si dhe bodyguard i tij qenë çuditërisht shumë nervozë për shkak të rrëzimit të helikopterit, dhe kishin interes të posaçëm që të mos zbulohej e vërteta e ngjarjes. Ministri Beqaj, me origjinë familjare podgoriçan, është i ngarkuar nga Qeveria e “Rilindjes” për të administruar linjën e transportit offshoring për në Malin e Zi, kështu që kishte arsye të ishte i nervozuar pas rrëzimit të helikopterit. Sepse kur tw kthehej nw Tiranw e priste dajaku nga Edi Rama.
Ambasadori amerikan Lu, disa ditë para kësaj ngjarjeje na tha se Byroja Kombëtare e Hetimeve duhet të merret me “Al Kaponet” e Shqipërisë. Një “Al Kapone” të Shqipërisë dhe bandën e tij e pamë në personin e ministrit Beqaj, madje nëpërmjet videokamerës së VOA. Ashtu siç i foli bodyguardi i Ministrit Beqëaj gazetarit të VOA, ashtu iu flisnin bodyguardët e Al Kapones gazetarëve dikur në Chicago. E megjithatë ambasadori amerikan heshti.
Nëse ambasadori amerikan do të kishte folur, sot do të kishte dhënë dorëheqjen Ministri Beqaj, do të ishte arrestuar bodyguard i tij dhe policët që nxorrën jashtë dhunshëm gazetarin. Çfarë detyre po kryenin këta policë të cilët kërkonin të ndalonin gazetarët të rrinin në korridor para derës së dhomës reanimacionit, kur ministrat dhe bodyguardët e tyre po hynin lirisht në këtë dhomë. Kuptohet jo detyrën shtetërore, por atë politike.
Heshtja e ambasadorit amerikan, nuk ka shpjegim tjetër përveçse që ai i miraton veprimet e Ministrit Beqaj dhe të banditëve të tij. Heshtja e ambasadorit Lu e kompromenton gjithë angazhimin e tij për reformën në drejtësi dhe posaçërisht Byronë e Hetimeve. Heshtja e bën ambasadorin Lu një “Alu Kapone” në Shqipëri.
Winston Churchill dikur tha në një rast: “If these things are done in the green wood, what will be done in the dry?”(“Nëse këto gjëra bëhen në pyllin me gjethe, çfarë do të bëhet në pyllin e thatë?”
Kur gazetari i “Zërit të Amerikës” dhunohet kështu live para kamerave televizive nga njerëz të veshur me pushtet, çfarë bën kjo qeveri dhe Policia e saj me shqiptarët e thjeshtë larg videokamerave? Mund të merret me mend./Kastriot Myftaraj
Krijoni Kontakt