FIER- Dënohet nga gjykata e Fierit me 12 vjet burg një person i akuzuar për shfrytëzimin e gruas së tij. Gazmir Pelani u dënua dje nga një trup gjykues i i drejtuar nga Marsida Xhafellari. Sipas akuzës, Gazmir Pelani, banor i Patosit me bashkëshorten e tij F.P kishin marrë tek një i afërm i tyre një borxh prej 320 mijë lekë të reja dhe kishin vendosur që të shkonin në Itali me skaf nëpërmjet qytetit bregdetar të Vlorës, për një jetë më të mirë. Pasi kanë mbërritur në Itali ata janë stabilizuar në qytetin e Torinos, ku shtëpinë me qera e kishte marrë një kushëriri i tij, i cili sipas deponimeve të të akuzuarit, kishte një femër të cilën e shfrytëzonte si prostitutë. Pas tre ditësh Pelani vendosi që të shkonte në butik për të veshur bashkëshorten e tij sipas modës. Ai i kishte thënë gruas se me rrobat që kishte veshur nuk mund të punonte në një piceri ku ai kishte biseduar me pronarin. Më pas kushëriri i tij e ka çuar F.P me makinë tek vendi i "punës", semafori. E revoltuar ajo është kthyer në banesën ku jetonin dhe i ka thënë burrit se punën që i kishte gjetur nuk mund ta bënte. Gazmiri për rreth një javë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke e lënë dhe pa ngrënë. E detyruar nga presioni psikologjik dhe nga dhuna F.P është dorëzuar, duke ushtruar profesionin e prostitutës. Gjatë "punës" që kryente çdo natë F.P mbeti shtatzënë dhe "burri" i saj duke parë që tashmë nuk mund të kishte më fitime e detyron atë që të abortojë. Abortimi, sipas të dëmtuarës, ka ardhur si rezultat i dhunës që kishte ushtruar ai duke e qëlluar me bllokuesin e timonit të makinës në bark. Fitimet në ditë, sipas deponimeve të F.P, arrinin nga 800 mijë lireta deri në 1,5 milionë. Avokatja mbrojtëse e të pandehurit, Mimoza Tato, ka kërkuar pafajësinë por prokurori i çështjes, Sokol Malaj, në bazë të provave, kërkoi dënimin e tij me 12 vjet burg.
V.Muçaj
Marre nga Shekulli
Krijoni Kontakt