Vendimi , Qeveria ngre një tjetër qendër statistikash, përveç INSTAT
Shumë shpejt do të ketë edhe një qëndër tjetër statistikash përveç INSTAT, e cila do ta ketë qendrën në Kryeministri dhe njësitë e saj në disa ministri.
Këshilli i Ministrave ka vendosur ngritjen dhe funksionimin e sistemit të integruar të informacionit dhe statistikës të Këshillit të Ministrave.
Sipas argumentimit që i bëhet vendimit theksohet se ngritja e kësaj strukture bëhet për të menaxhuar fluksin e informacionit.
Detyrat kryesore të këtij organizmi do të jenë
a) Mbledhja, përpunimi dhe analiza e informacionit në interes të planifikimit, të komunikimit publik, të statistikës dhe të vendimmarrjes së rëndësishme, në nivel të ministrit, Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave;
b) Hartimi i raporteve periodike ditore, javore, mujore dhe vjetore për ministrat, Kryeministrin dhe instanca të tjera të përcaktuara me urdhër të tyre, në të cilat pasyrohen gjendja e përgjithshme sipas fushave të përgjegjësisë së ministrive, si dhe gjendja e përgjithshme e vendit në rastin e raporteve që përgatiten për Kryeministrin.
Vendimi thekson gjithashtu faktin se për çështje specifike mund të kërkohet ekspertë nga administrata apo nga jashtë saj. Pjesë e kësaj strukture janë – Kryeanalisti; – Analistit të lartë; – Koordinatorit; – Editorit; – Përpunuesit të të dhënave; – Ndihmësit., por nuk ka një numër specifik.
V E N D I M
PËR NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMIT TË INTEGRUAR TË INFORMACIONIT DHE STATISTIKËS TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “a”, e 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Sistemit të Integruar të Informacionit dhe Statistikës të Këshillit të Ministrave, në vijim SIISKM, i cili organizohet dhe funksionon me qendër në Kryeministri dhe njësitë përbërëse në çdo ministri të linjës.
2. SIISKM-ja ka për qëllim administrimin dhe menaxhimin e fluksit të informacionit në funksion të vendimmarrjeve politike e strategjike të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit e të ministrave, si dhe në funksion të komunikimit e bashkëveprimit ndërinstitucional e të mirëmbajtjes të të dhënave thelbësore statistikore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. SIISKM-ja përbëhet nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, në vijim ZOS, dhe nga zyrat e informacionit dhe menaxhimit të emergjencave civile dhe krizave, pranë ministrive, në vijim ZIMEK. ZOS-i dhe ZIMEK-u kryejnë edhe funksionet e parashikuara në vendimin nr.965, datë 2.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për bashkërendimin ndërinstitucional të strukturave të drejtimit, në rastet e emergjencave civile dhe krizave”.
4. Detyrat kryesore të SIISKM-së janë, si më poshtë:
a) Mbledhja, përpunimi dhe analiza e informacionit në interes të planifikimit, të komunikimit publik, të statistikës dhe të vendimmarrjes së rëndësishme, në nivel të ministrit, Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave;
b) Hartimi i raporteve periodike ditore, javore, mujore dhe vjetore për ministrat, Kryeministrin dhe instanca të tjera të përcaktuara me urdhër të tyre, në të cilat pasyrohen gjendja e përgjithshme sipas fushave të përgjegjësisë së ministrive, si dhe gjendja e përgjithshme e vendit në rastin e raporteve që përgatiten për Kryeministrin. Përveç raporteve të përgjithshme, SIISKM-ja përgatit edhe raporte tematike për çështje të caktuara me rëndësi;
c) Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i informacionit statistikor në nivel ministrie dhe Kryeministrie.
5. Raportet e SIISKM-së janë dokumente përfundimtare dhe referencë e detyrueshme zyrtare si në komunikimin ndërinstitucional ashtu dhe në komunikimin publik. Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në pikën 4, të këtij vendimi, çdo komunikim ndërinstitucional, ndërmjet Kryeministrisë e ministrive e strukturave të tjera të varësisë dhe ndërmjet ministrive kryhet nëpërmjet strukturave të SIISKM-së.
6. Strukturat përbërëse të SIISKM-së janë përgjegjëse për sistemimin, administrimin dhe ruajtjen e informacionit që qarkullon përmes tyre në të gjitha trajtat teknike në përdorim, si letra, mbartësit analogë dhe digjitalë të shkrimit, zërit dhe figurës.
7. Zyra Operacionale e Situatës është qendra e koordinimit të SIISKM-së. Objekti i punës së ZOS-it është të bashkërendojë gjithë veprimtarinë e SIISKM-së dhe të përmbushë detyrat e përcaktuara në pikat 4, 5 dhe 6, të këtij vendimi, në funksion të Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave.
8. ZOS-i menaxhon dhe mban në funksion të përhershëm sallën qendrore të situatës në Kryeministri si dhe organizon prezantimet periodike për gjendjen e sektorëve të veçantë dhe gjendjen e përgjithshme të vendit për Kryeministrin dhe për Këshillin e Ministrave.
9. ZOS-i mbështetet nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) si dhe nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit përkatësisht (AKSHI) me informacion gjeohapësinor, informatik si dhe produkte të tjera të nevojshme për përgatitjen e raporteve e të prezantimeve për Kryeministrin dhe Këshillin e Ministrave.
10. Objekti i punës së ZIMEK-ut në çdo ministri është përmbushja e detyrave të përcaktuara në pikat 4, 5 dhe 6, të këtij vendimi, në funksion të ministrit, dhe nëpërmjet ZOS-it, në funksion të Kryeministrit.
11. ZOS-i ka në përbërje punonjës organikë të Kryeministrisë dhe përfaqësues, koordinatorë ndërlidhës të dërguar nga ministritë. Koordinatorët ndërlidhës të ministrive pranë ZOS-it janë pjesë e strukturave të ZIMEK-eve të ministrive përkatëse.
12. Për hartimin e raporteve tematike për çështje të caktuara, kur kërkohet ekspertizë e lartë e cila nuk disponohet në ZOS apo në ZIMEK, autorizohet angazhimi i ekspertëve nga brenda administratës shtetërore ose kontraktimi i tyre nga jashtë saj, në bazë të kontratave dypalëshe, të cilat nënshkruhen nga sekretarët e përgjithshëm të çdo institucioni dhe ekspertëve përkatës që nuk janë pjesë e administratës shtetërore.
13. Në strukturat e SIISKM-së angazhohen punonjës me kualifikim të përshtatshëm dhe të aftë për kryerjen e detyrave të mëposhtme:
– Kryeanalistit;
– Analistit të lartë;
– Koordinatorit;
– Editorit;
– Përpunuesit të të dhënave;
– Ndihmësit.
14. Protokollet e mbledhjes, përpunimit, analizës dhe publikimit të informacionit si dhe procedurat standarde të punës rregullohen me akte të veçanta, që miratohen nga Kryeministri për ZOS-in dhe nga ministrat përkatës për ZIMEK-un. Aktet që miratohen nga ministrat duhet të jenë të harmonizuara me parimet, standardet dhe kërkesat e parashikuara në aktet e miratuara nga Kryeministri për ZOS-in.
15. Ngarkohen Kryeministria dhe ministritë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
ORA NEWS
Krijoni Kontakt