Une i shkruaj nje leter Presidentit te Republikes
Ktheni dekorimin e Martin Moir
I nderuar Shkelqesi,
Une jam Bledi, Bledi Mane, anetar i Forumit Rinor te Shoqates se Atlantikut, te cilen ju e keni drejtuar per vite me rradhe. Besoj se tani me mbani mend?
Ne rradhe te pare, ju uroj suksese ne detyren dhe misionin fisnik qe keni ndermarre. E te me falni zoti Moisiu per urimin e vonuar, sepse gjate zgjedhjes suaj vitin e kaluar une kam qene duke vuajtur "nje denim qesharak" ne burgun 313 ne Tirane. Megjithate, mos u deshperoni, sepse arsyeja e letres sime nuk eshte nje qarje halli personal per padrejtesite e sistemit te drejtesise ketu, por dicka me teper se kjo, dicka me racionale dhe kombetare. Dje, zoti President u habita vertet kur lexova ne faqen kulturore te se perditshmes "Korrieri", se ju me date 27 prill do t'i akordoni urdherin "Naim Frasheri i Arte" qytetarit anglez Martin Moir. Ky anglez na i paska falur ne vitin 1986 Arkivit Shqiptar rreth 20 mije disqe muzikore, ka organizuar te paren ekspozite te artit realist socialist shqiptar ne Londer dhe po ne kete qytet ka mbajtur te hapur dyqanin "Albanian Shop".
Une e di Shkelqesi, qe ju per gati 8 muajt e fundit keni bere kerdine ne dhenie titujsh e dekoratash. E di qe police, politikane, peshengrites, europarlamentare e artiste jane laureuar prej jush, i kam lexuar pak a shume motivet perse jane laureuar keta qytetare, por te arrini aty sa te vleresoni edhe Martin Moir, ketu s'ka sens.
E pse flet keshtu more djalosh?- do te pyesni ju dhe lexuesit.
Me degjo me kujdes President:
Qysh prej vitit 1994, une e ndaj jeten time mes Permetit (qytetit prej nga jam), Tiranes dhe Londres. Si nder te paret shqiptare qe emigrova ne Britani pas viteve '90 arrita te njoh nga afer, te studioj, te mesoj, te vleresoj dhe te edukohem prej anglo-saksonizmit. Kam prekur dhe njohur realitete krejt te ndryshme e befasuese. Vecanerisht me kane terhequr marredheniet e cuditshme anglo-shqiptare dhe njekohesisht kam patur fatin qe te lexoj shume te verteta edhe ne arkivat angleze. Britania ka me dhjetera personalitete interesante qe kane kontribuar dhe vazhdojne ende misionin e tyre te lidhjeve historike, nostalgjike, shpirterore, financiare apo te dyshimta me vendin e shqiponjave te Mesdheut. Ka shume nga ata qe meritojne vertet te vihen ne plejaden e duhur, por me besoni, Martin Moir eshte ...
Martin Moir ka qene nje nder fanatiket e regjimit komunist shqiptar. Nje nder ata te huaj qe u deshperuan dhe gati sa nuk vdiq kur muri i Berlinit u copetua dhe ne Tirane. Emri dhe dyqani i tij ishin nder primaret ne Top Listen e Komitetit Qendror te PPSH per financime dhe donacione te fondit rezerve te solidaritetit. Vajtje-ardhjet e tij Londer-Tirane paguheshin me parate e shqiptareve. Qendrimet ne hotele, guidat, udhetimet lokale ketu dhe te tjera suplemente kishin te njejtin burim financiar.
Me besoni Shkelqesi!
Dyqani "Albanian Shop" ndodhej ne zonen e pare te Londres, ne vendin e quajtur Victoria. Ishte 800 metra larg "Buckingham Palace", pallatit ku ju u pritet para pak javesh nga Mbreteresha Elisabeta II. Victoria eshte nje nga lagjet me te shtrenjta te jugut te Londres, ku nje meter katror jepet me qira kundrejt 300 pound, e barazvlefshme kjo me 620 mije leke te vjetra. (E perseris edhe nje here 1 m2= 300 pound). Sot pas mbylljes se "Albanian Shop", aty ndodhet Pub Oasis.
Martin Moir per gati 6 vjet mbajti ne kembe nje dyqan, ku pretendonte se shiste veprat e perkthyera te Enver Hoxhes ne anglisht, ornamente te artizanatit shqiptar, si dhe caj mali Zagorie.
Po per gati 6 vjet KQ i PPSH-se mbante me te ardhura te shumta financiare ne valute nje kopuk bolshevik, i cili pretendonte se do te bente per vete popullesine londineze me dogmat tona alla marksiste. Nje dyqan fantazme, i cili shiste cdo vit 10 kartolina, 2 sixhade, 6 bucela dhe 300 gram caj mali. Nje dyqan, i cili pasuronte ne menyre ilegale Martin Moir dhe rrethin e tij miqesor. Nje pertac anglez, i cili per te mbijetuar kishte gjetur nje nga format me origjinale te vjedhjes.
Zoti Moisiu,
Ju nuk e njihni dhe nuk e keni takuar kurre ate njeri. As fotografine besoj se nuk ua kane sjelle ne zyre akoma. Shqiperia, Republika qe ju drejtoni, vec humbjeve financiare nuk ka patur asnje perfitim dhe mirenjohje. Arkivi i Shtetit Shqiptar, me apo pa 20 mije disqe muzikore (nuk i ka degjuar ende asnje njeri) perseri do te ishte i njejti institucion. Piktura shqiptare e realizmit socialist nuk u njoh nderkombetarisht pas ekspozites se Londres dhe askush nuk i bleu punimet ne vaj te "Korrjes se grurit", "Zboristes se lumtur", apo "Metalurgut me 3 gishta te prere".
Dekorimin e Martin Moir nuk e tentoi dhe nuk e beri as Enver Hoxha, as Ramiz Alia dhe as Rexhep Meidani.
Zoti Moir pretendonte se i ndihmonte dhe kontribonte per regjimet e tyre, por ata kurre nuk i varen ne qafe ndonje medalje apo t'i ngulnin ne gjoks ndonje dekorate ketij hajduti me cizme.
Mos besoni dhe degjoni, as Shaban Sinanin dhe as Xhevat Lloshin. Ktheheni mbrapsht kete iniciative dhe me mire dekoroni dike tjeter pertej ishullit britanik, si Lord Rothchild, historianen Miranda Vicker apo gazetaret James Petipher dhe Tim Cook.
Me besoni President!
Do te jem i pari shqipar qe do te gjej vendin dhe oren e dekorimit te Martin Moir me 27 prill e do te protestoj edhe une, si ai polici lacian ne sheshin "Skenderbej" te heres qe shkoi. Kete leter po ia dergoj per botim edhe gazetes se Londres "Daily Telegraph".
Edhe nje here ju lutem te refuzoni dekorimin e tij. Ju njoh nga afer si nje burre babaxhan dhe me kurajo, ndaj besoj tek ju.
Edhe nje here pershendetje Shkelqesi dhe besoj te shihemi se shpejti.
Sinqerisht juaji,
Bledi Mane
(marre nga Korrieri)
Krijoni Kontakt