Kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet asnjë milimetër nga reformat, pavarësisht kritikave dhe kostos elektorale, pasi janë reforma jetike për vendin dhe duhet të ishin bërë shumë vite më parë.
Aleanca me LSI u konsiderua e rëndësishme për shumicën qeverisëse, përndryshe përfiton Berisha u shpreh i deleguari i PS në jug Kokëdhima.
Edi Rama: Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është një parti ideologjike që i ndan shqiptarët në tanët dhe të atyre. Eshtë një parti e majtë e shekullit të ri, e cila ka fuqinë e një vizioni reformues dhe transformues për vendin, e cila e konsideron çdo shqiptar një aleat të mundshëm të saj, nga veriu në jug, nga më i varfëri tek më i pasuri, nga të papunët e deri tek punëdhënësi.
Shefi i qeverisë shqiptare, ka forcuar bindjen e tij, se koalicioni me LSI-në, ishte aleanca e duhur për të zbatuar një program që do të shërbejë, jo vetëm në një mandat, për shqiptarët
Edi Rama: Kemi pasur mundësi që në aleancë me LSI dhe parti të tjera ti japim vendit një qeverisje që ka ndërmarrë programin më ambicioz të reformave në 20 e kusur vendi.
Nuk ka tërheqje nga reformat pavarësisht kritikeve dhe kostos së mundshme në vota për PS.
Edi Rama: Kush nuk ka asgjë në dorë, e ka gjithmonë më të lehtë të thotë se ku po gabojnë ata që kanë marrë në dorë fatet e vendit. Ndërkohë, ne që kemi marrë në dorë fatet e vendit nuk e kemi aspak të lehtë, por jemi të vendosur që të mos tërhiqemi asnjë milimetër nga kjo rrugë reformash, që po t’i kishte bërë Shqipëria në këto 20 vjet, sot do të kishim një tjetër vend, sot do të ishim në të tjera kushte.
Rama foli dhe për reformim të thellë të PS.
Edi Rama: Nuk ka se si Partia Socialiste, ndërkohë që po reformon tërësisht Shqipërinë, të mos reformojë thellësisht edhe veten.
Arsyen e marrëdhënies solide me LSI e artikuloi deputeti Koço Kokëdhima
Koço Kokëdhima: Duhet të punojmë së bashku për të rritur besimin e ndërsjelltë e të mos lejojmë askënd të cënojë marrëveshjen tonë. As Saliun dhe as salistët dhe as interesat e tjera qofshin të brendshme, qofshin të huaja. Pa LSI-në ne nuk e bëjmë dot shumicën e qëndrueshme qeverisëse. Nga çarja me LSI-në fiton vetëm Saliu. Përballë së majtës së bashkuar Saliu është i vdekur
Pas këtyre akuzave ka reaguar kreu i PBDNJ, Vangjel Dule që e ka cilësuar Kokëdhimën si keqbërësin e vendit
“Të dialogoj me krimin, nuk e kam bërë kurrë, as në jetën time private dhe as në atë publike. Aq më tepër, nuk pranoj të bej një gjë të tillë me kryekeqbërësin e Jugut dhe mbare vendit Kokedhima.
Fakti se sulmi nosetindjelles ndaj meje u artikulua në prani të Kryeministrit, më detyron që ti shpjegoj zotit Rama se nuk është faji im që prania dhe fjala ime politike i kujton atij vizionin që bashkërisht u prezantuam dhe premtuam për vite më radhë qytetarëve dhe shoqërisë. Vizionin për shtetin e së drejtës, demokracinë funksionale, mirëqenien dhe barazinë. Por që për fat të keq, më përgjegjësinë e plote të tij, pasi e përshtati me kutin e Koços së tij, po ua kthen atyre që na besuan me autokraci, klientelizem, hajdutëri dhe mjerim.”
/Oranews.tv/
Krijoni Kontakt