Bashkimi Europian është i ndërgjegjshëm që nëse nuk merr masa urgjente për mbrojtjen e kufinjve të jashtëm, kjo do të shënonte fundin e zonës Shengen dhe bashkë me të, do të rrezikohej vetë ekzistenca e Bashkimit Europian.
Shteti anëtarë, që po neglizhon seriozisht angazhimet për mbrojtjen e kufinjve të jashtëm, është aktualisht Greqia. Ky fakt është prezantuar në draft – raportin e Komisioni Europian, për analizën e zonës Shengen.
Për këtë arsye, ekzekutivi europian, i ka dhënë ultimatum të qartë Greqisë.
Vendi ka tre muaj për të përbushur angazhimet për mbrojtjen e kufinjve të jashtëm, përndryshe rrezikon pezullimin e përkohshëm nga zona Shengen.
Valdis Dombrovskis – Zëvendëspresident i KE -së: “Shengen është një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Europian dhe duhet të mbrohet. Disa shtete anëtare i kanë kërkuar Komisionit Europian që të krijojë kushtet për të lejuar shtetet anëtare të zhvillojnë kontroll në kufinjtë e tyre, për një periudhë maksimale dy vjeçare, në përputhje me rregulloren e Shengenit. Ne zhvilluam një diskutim të gjatë mbi këtë. Ne diskutuam veçanërisht draft – raportin për Shengenin, duke u përqendruar te vlerësimi gjatë vizitës në muajin Nëntor në Greqi. Draft – raporti nxjerr si konkluzion, se Greqia po neglizhon seriozisht angazhimet për mbrojtjen e kufinjve të jashtëm dhe se janë identifikuar defiçienca serioze në mbrojtjen e kufinjve, për të cilat autoritetet greke duhet të marrin masa”.
Komisioni Europian nuk konfirmon publikisht që, nëse Greqia nuk përmbush kushtet brenda tre muajsh, Bashkimi Europian do të detyrohet t’a nxjerrë përkohësisht Greqinë nga zona Shengen dhe të vendosë kontrolle në kufinjë e zonës Shengen për 2 vjet, por kjo është kërkesa që është bërë në letrën që i kanë dërguar shtetet anëtare Komisionit Europian.
Tv Klan
Krijoni Kontakt