Close
Faqja 4 prej 7 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 65
  1. #31
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Papa Françesku: mëshira mund ta ndryshojë botën



    I përqendruar plotësisht mbi temën e mëshirës së Zotit, katekizmi i audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur nga Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa foli për kuptimin e këtij Viti Shenjt, duke pohuar se të besosh në mëshirën e edhe ta jetosh së bashku me vëllezërit, do të thotë të hysh në zemër të fesë së krishterë, sepse është pikërisht kjo, që i pëlqen më shumë Zotit.
    Kisha ka nevojë për Jubileun e mëshirës
    Sot dëshiroj të reflektoj, së bashku me ju, mbi kuptimin e këtij Viti Shenjt, duke iu përgjigjur pyetjes: “Po pse ky Jubile i mëshirës?". Kështu e nisi Papa reflektimin e sotëm:
    “Kisha ka nevojë për këtë çast të jashtëzakonshëm. Nuk po them se është i mirë për Kishën ky çast i jashtëzakonshëm…Jo, jo! Po them: Kisha ka nevojë për këtë çast të jashtëzakonshëm”.
    Çka i pëlqen më shumë Zotit, është të falë
    Ka nevojë Kisha. Sepse duhet t’i bëjë të dukshme shenjat e pranisë e të afërsisë së Zotit, nënvizoi Françesku. Ky është kontributi i veçantë, që duhet të japë sot Kisha. E Jubileu është kohë e favorshme për të gjithë ne, që të bëhemi dëshmitarë më të bindur e më të zellshëm.
    Ta shikosh mëshirën e Zotit, pohoi Papa, e t’i shikosh edhe vëllezërit që kanë vërtet nevojë për këtë mëshirë, do të thotë ta përqendrosh vëmendjen mbi përmbajtjen themelore të Ungjillit, gjë që është veçanti e fesë së krishterë.
    Ky Jubile është çast i posaçëm, që i krijon Kishës mundësinë të mësohet për të zgjedhur vetëm “atë, që i pëlqen më shumë Zotit”. E kjo do të thotë “t’i falë bijtë e vet, të ketë mëshirë për ta, që pastaj edhe ata të mund t’i falin vëllezërit e tyre”:
    “Pse Zoti ishte aq i kënaqur pas krijimit të burrit e të gruas? Sepse në fund të fundit, tani kishte kë të falte. E bukur, kjo, eh? Zoti gëzohet kur fal, Zoti është mëshirë. Prandaj në këtë vit duhet t’i hapim zemrat, që kjo dashuri, ky gëzim i Zotit të na mbushë të gjithë me mëshirë”.
    Mëshira e bën botën më njerëzore
    Edhe përtëritja e institucioneve dhe e strukturave të Kishës, nënvizoi Françesku, është mjet, që duhet të na ndihmojë për të fituar përvojën e gjallë e gjallëruese të mëshirës së Zotit. E vetëm kjo mund t’i krijojë Kishës mundësinë të jetë “qytet i vendosur mbi mal, që nuk mund të rrijë i fshehur”.
    Ta ndjejmë fort në shpirtin tonë gëzimin që provohet kur Jezusi na gjen rishtas. E ky është edhe synimi i Kishës në këtë Vit Shenjt:
    “Kështu do të forcojmë në shpirtin tonë sigurinë se mëshira mund të kontribuojë realisht në ndërtimin e një bote më njerëzore. Posaçërisht në kohët tona, kur falja është mysafir i rrallë në mjediset e jetës, kujtimi i mëshirës bëhet edhe më i ngushtëm, e kjo duhet të ndjehet fort në çdo vend: në shoqëri, në institucione, në punë e edhe në familje”.
    Të pranojmë se jemi mëkatarë
    Përballë ndokujt që, duke pasur parasysh nevojat urgjente të njerëzimit, i duket tepër pak për Kishën kundrimi i mëshirës gjatë këtij viti, Papa pranon se duhet bërë vërtet shumë. Por, çfarë i mbetet njeriut, pa mëshirën? I mbetet gjithnjë vetëm dashuria për vetveten. E kjo lloj dashurie s’është tjetër, veçse përpjekje për të mbrojtur interesat vetjake, për të shijuar kënaqësi, për të pasur nderime, për të përvetësuar pasuri, ku të gjejë e ku të mundet. Ndërsa në jetën e të krishterëve, mëshira përdoret shpesh si maskë, për të fshehur pas saj hipokrizinë dhe mendësinë e botës. Ja pse, përfundoi Ati i Shenjtë, është e nevojshme ta pranojmë se jemi mëkatarë:
    “O Zot, jam mëkatar; Zot, jam mëkatare: eja tek unë me mëshirën tënde! Kjo është lutje shumë e bukur. Edhe e lehtë, eh? Lutje e lehtë për t’u thënë ditë për ditë: ‘Zot, jam mëkatar: Zot, jam mëkatare: eja tek unë me mëshirën tënde!”.
    Të besojmë se mëshira mund ta ndryshojë botën
    Thua është foshnjarake të besosh se lutja mund t’ia ndryshojë faqen botës? Po, sipas mendimit njerëzor, kjo është me të vërtetë marrëzi e madhe, por të mos harrojmë se “çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit, e çka në Hyjin duket ligështi, është më e fuqishme se njerëzit”.
    Në Sheshin e Shën Pjetrit, sot larë me rreze dielli, ndërmjet besimtarëve ishte edhe një grup gajdexhinjsh, që krijuan atmosferë festive me tingujt e instrumenteve të tyre. Luajtën gjatë, të ndjekur me entuziazëm nga besimtarët e pranishëm, këngë tipike popullore Krishtlindjeje, duke u kujtuar të gjthëve se Festa tashmë është fare pranë

  2. #32
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Papa: feja është trashëgimi më i madh, që mund të lëmë


    04/02/2016.

    Trashëgimi më i bukur, që mund t’u lëmë të tjerëve, është feja: këtë kujtoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Në homeli, ftesa për të mos pasur frikë nga vdekja, sepse udha e jetës vazhdon.

    Mendimi i vdekjes e ndriçon jetën
    Leximi i parë i ditës flet për vdekjen e Mbretit David. Çdo jetë e ka një fund, nënvizoi Papa, e ky është një mendim që nuk na pëlqen gjithaq. Përpiqemi ta mbulojmë me heshtje, por është realitet i përditshëm. Të mendosh për hapin e mbramë, është dritë që ndriçon jetën tonë, realitet, që duhet ta kemi gjithnjë parasysh:
    “Në një nga audiencat e së mërkurës, ndërmjet të sëmurëve ishte edhe një murgeshë imcake, e motuar, por me një fytyrë plot paqe e me sy plot me dritë. ‘Po sa vjeç jeni, motër?’. E ajo, me një buzagaz, që ia ndriste fytyrën: ‘83, por jam dyke e kryer shtegtimin tim mbi këtë tokë, për të filluar shtegtimin tjetër me Zotin, sepse vuaj nga kanceri i pankreasit’. E kështu, në paqe, kjo grua e kishte jetuar thellësisht jetën e saj të kushtuar. E po arrinte, pa pikë frike, në cakun e mbramë. ‘Po përfundoj udhën time të jetës, për të nisur një tjetër’. Vdekja është kalim. Ky mendim na bën mirë”.

    Feja është trashëgimi më i bukur
    Davidi mbretëroi mbi Izraelin 40 vjet: por edhe 40 vjetët kalojnë, vërejti Papa Françesku. Para se të vdiste, Davidi e porositi të birin, Salomonin, t’i bindej Ligjit të Zotit. Ai kishte mëkatuar shumë në jetën e tij, por kishte mësuar edhe të lypë përvujtërisht ndjesë, të kërkojë falje e Kisha e quan “Shenjti Mbret David”. Mëkatar, e megjithatë edhe Shenjt! Njeri, që në grahmat e vdekjes, i lë të birit trashëgimin më të bukur e më të madh, që një burrë a një grua mund t’u lërë bijve: i lë fenë”.
    Kur bëjnë testamentin, njerëzit thonë: “Këtij i lë këtë, atij atë e atë…”. Po, nuk është keq, por trashëgimi më i madh, që mund të lërë një burrë, një grua, është feja. E Davidi në jerm kujton pikërisht premtimet e Zotit, kujton besimin e tij të patundur në këto premtime e ia kujton të gjitha këto të birit, që feja të vijojë. I lë trashëgim fenë. Kur, në kremtimin e Pagëzimit u japim prindërve qiriun e ndezur, dritën e fesë, e shoqërojmë me fjalët: “Ruaje, bëje të rritet në zemrën e birit tënd, bijës sate e lëre trashëgim”. Ta lësh trashëgim fenë: këtë na mëson Mbreti David e shuhet, kështu, si shuhet çdo njeri. Por para frymës së fundit di si ta këshillojë të birin e di edhe cili është trashëgimi më i mirë, që mund t’i lërë: nuk i lë mbretërinë, por fenë!

    Zoti është besnik, është Atë e nuk të zhgënjen kurrë
    Na bën mirë ta pyesim veten, përfundoi Papa: “Cili është trashëgimi, që lë me jetën time?”:
    “Lë trashëgimin e një burri, të një gruaje të fesë? A ua lë të mive këtë trashëgim? T’i lypim Zotit dy gjëra: e para, të mos kemi frikë nga hapi i fundit, ashtu si murgesha imcake e së mërkurës, e bindur se po përfundonte një udhë, për të nisur një tjetër, më të mirë e krejt pa frikë; e dyta, të mund ta lëmë, me jetën tonë, trashëgimin më të mirë, fenë, fenë në Zotin besnik, Zotin që e kemi gjithnjë pranë, Hyjin, që është Atë e nuk të zhgënjen kurrë”.

  3. #33
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Jubileu. Viti Shenjt i Mëshirës: Në kërkim të veprave të mëshirës


    05/02/2016

    “Është dëshira ime më e madhe që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut për veprat e mëshirës trupore e shpirtërore. Do të jetë një mënyrë për të zgjuar ndërgjegjen tonë, shpesh të topitur përballë dramës së varfërisë, e për të hyrë gjithnjë më thellë në zemër të Ungjillit, në të cilin të varfërit janë njerëzit më të zgjedhur nga mëshira hyjnore” (n.15).
    Me këto fjalë, që i lexojmë në Bulën e shpalljes së Vitit Jubilar Misericordiae Vultus, Papa Françesku i jep një drejtim të qartë mbarë Kishës, që reflektimi mbi mëshirën të mos mbetet vetëm shprehje konceptesh, por të kuptohet e të jetohet pikërisht në atë mënyrë që e zgjodhi vetë Zoti, kur foli për mëshirën: “Zoti e bëri vepruese në marrëdhëniet me njerëzit, duke treguar se interesohet fuqimisht për nevojat e skamnorëve dhe të të gjithë njerëzve, që vuajnë në shpirt e në korp.
    Kështu Jezu Krishti, më shumë se katekizmin e fjalëve e të figurave, zgjodhi afërsinë ndaj të sëmurëve, nevojtarëve, mëkatarëve, për t’i rikthyer në rrugën e drejtësisë e të së vërtetës. Të rizbulosh “veprat e mëshirës” në këtë vit jubilar, do të thotë të kuptosh se mëshira është vepër, është diçka që bëhet. E edukon si atë që jep, ashtu edhe atë që merr. Ngadalë-ngadalë do të propozojmë edhe disa reflektime mbi këto aspekte, duke kujtuar veprat e ndryshme të mëshirës.
    Kolana zyrtare e Mëshirës
    E, për t’u njohur më hollësisht me këtë Mëshirë, në qendër të vëmendjes së Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm, Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, ka botuar tashmë një kolanë zyrtare, që titullohet pikërisht “Kolana e Mëshirës”. Përfshin veprat: “Kremtojeni Mëshirën”; “Rrëfimi, Sakrament i Mëshirës”; “Psalmet e Mëshirës”; “Shëmbëlltyrat e Mëshirës”; “Mëshira e Etërve”; “Shenjtorët e Mëshirës”; “Papët e Mëshirës”; “Mëshira shpirtërore e trupore”.
    Një Jubile vërtet për të gjithë
    Jubileu i Mëshirës është festë e jashtëzakonshme e faljes, në të cilën Papa Françesku, në emër të Zotit, i fton të gjithë “të verbër, të shurdhër e të çalë”, nga të gjitha periferitë ekzistenciale(cfr Lk 14,21). Nuk përjashtohen as gratë, që kanë provuar dramën e abortit, as të burgosurit, që janë njollosur me krime të llahtarshme e që vijojnë të vuajnë dënimin. Kushti është një i vetëm. E prej tij nuk mund të hiqet dorë: të pendohesh sinqerisht e të ndryshosh jetë. Vetëm një është mëkati i pafalshëm, i cili ia mbyll portën atij, që troket: mëkati kundër Shpirtit Shenjt, mëkati i mosbesimit në Mëshirën e Zotit, që na dëftohet në Jezu Krishtin (cfr Mk 3,29).

  4. #34
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Jubileu: Viti Shenjt i Mëshirës: Ndjesa



    14/01/2016


    Ndjesa është në qendër të vëmendjes së Jubileut, e edhe të emisionit të 22-të të rubrikës sonë radiofonike, që i kushtohet Vitit të Shenjtë të Mëshirës Hyjnore.
    Ç’kuptim ka fjala “ndjesë”
    Ndjesa është shprehje e veçantë e mëshirës së Zotit, të cilën Kisha ia lyp Atit të gjithëpushtetshëm e ua jep besimtarëve në rrethana të ndryshme e në kushte të caktuara. Megjithatë praktika e ndjesës nuk i ka shpëtuar keqkuptimeve në rrjedhë shekujsh. Pse?
    Keqkuptime e interpretime të ndryshme
    Në vitet e para jubilare dëgjohej shpesh shprehja “fiton ndjesën”, që Papa Françesku nuk e përdor më. Pikërisht një shprehje e tillë rrezikon të krijojë bindjen e gabuar se ndjesa mund të fitohet me rrugë të ndryshme, ndoshta jo edhe aq shpirtërore. Me pak fjalë, falja e Zotit mund edhe “të blihet”. E me që ndjesa nuk shitet, nuk blihet e as nuk merret, shprehja më e përshtatshme për këtë rast do të ishte “ta nxjerrësh” nga Zoti këtë hir, me fe e me vepra dashurie të krishterë.
    Zakoni i lashtë e ai i ri
    Pali VI ishte Papa i parë që e shmangu zakonin për ta llogaritur ndjesën me ditë, muaj e vite, lidhur me zgjatjen në kohë të pendesave publike. Ishte fjala për faljen në qiell të pendesës për mëkatet e kryera, në përkim me pendesën e bërë gjatë një numri të caktuar ditësh, muajsh ose vitesh mbi këtë tokë; periudhë pendese, kjo, që në mesjetë u imponohej kryesisht fajtorëve për mëkate të rënda.
    Ndjesa mund të jetë e plotë ose e pjesshme
    Duke pasur parasysh vërtetësinë dhe sinqeritetin e pendimit, Papa Françesku shkruan se ndjesa plenare është mëshirë e plotë hyjnore. Përmes Kishës, arrin në shpirtin e mëkatarit të falur dhe e pastron nga çdo gjurmë, pasojë e mëkatit. E bën, kështu, të aftë të veprojë me frymën e bamirësisë, të rritet në dashuri e të ruhet nga rreziku i rënies përsëri në mëkat.
    Gjurma e mëkatit
    Mëkati nuk shlyhet pa lënë asnjë shenjë: një gjurmë, sado të zbehtë, negative e lë në shpirtin tonë, në jetën tonë, në sjelljen tonë. E kjo gjurmë na pengon të ecim me besnikëri të plotë në rrugën e Ungjillit.
    Kisha
    Tani Kisha, si familje e vërtetë, vë në dispozicion të bijve të vet të gjitha pasuritë e mundshme, domethënë, meritat e të drejtëve, për t’i përballuar papërsosuritë e kthesës sonë. Pjesëmarrja në këtë begati shenjtërie, shprehet me gjeste të cilat, duke shtuar Sakramentin e Rrëfimit e të Kungimit, tregojnë lidhjen tonë të ngushtë me Kishën. Kujtojmë këtu shtegtimet, bamirësinë e uratën në bashkim me ndjetet e Papës.
    Pasuri shenjtërie, që ndihmon të gjallë e të vdekur
    Në këtë pasuri shenjtërie, përmes bashkimit me Krishtin, që vijon edhe pas vdekjes, mund të marrin pjesë edhe të shuarit tanë të dashur, që paraqiten para Zotit të papastruar plotësisht nga gjurmët e mëkatit. Prej këndej, vlera e lutjes sonë për të nxjerrë hirin e Mëshirës hyjnore për ata që, duke e lënë trupin e vdekshëm mbi tokë, vijojnë të jetojnë në një përmasë krejt tjetër.
    Kjo është ndjesa e Jubileut, për të cilën folëm sot, ndërsa në emisionin e ardhshëm do të flasim për vlerën e Sakramentit të Rrëfimit.

  5. #35
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Kthimi i djalit plangprishës, zemra e medaljes së Jubileut



    Duke nisur nga 4 janari 2016 do të jetë gati medalja zyrtare e Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, pranë Admnistratës së Pasurisë të Selisë Apostolike të Qytet-Shtetit të Vatikanit si dhe selive të ndryshme të Librarive të Vatikanit.
    Është mëshira e pafundme e Atit, që i fal bijtë e tij, e shtypur mbi medaljen zyrtare të Jubileut të Mëshirës. Medalje që, në 50 milimetra diametër, përfshin simbole e fjalë themelore për jetën e çdo të krishteri e të kujton menjëherë domethënien e thellë, që Papa deshi t’i japë Vitit Shenjt. Në njërën anë, medalja, vepër e artistes 33 vjeçare Mariangela Crisciotti, paraqet stemën e Papës Françesku, rrethuar me shkrimin në gjuhën latine Iubilaeum Extraordinarium Misericordiae - Jubileu i Jashtëzakonshëm i Mëshirës, poshtë emrit të artistes. Anës, shkrimi E Civitate Vaticana, “Nga Qyteti i Vatikanit”, me numrin e medaljes.
    Në qendër të medaljes, “Kthimi i djalit plangprishës” i Rembrandit
    Në anën tjetër, spikat një hollësi e pikturës së famshme të Rembrandit, “Kthimi i djalit plangprishës”, frymëzuar nga shëmbëlltyra e Atit të Mëshirshëm, sipas përshkrimit të Ungjillit të Lukës. Posaçërisht domethënës, fakti që duart e atit mbi supet e të birit kanë formë të ndryshme: njëra është tipikisht mashkullore, tjera, femërore, si të donte të tregonte se për të falur fal Ati, por edhe se kjo falje kalon përmes shërbimit të Kishës. Përreth kësaj hollësie, shkrimi In Aeternum Misericordia Eius “E amshuar është Mëshira e Tij”. Refren, ky, që përsëritet pas çdo vargu të Psalmit 136 e që citohet nga Françesku tri herë në Misericordiae Vultus, Bula e shpalljes së Jubileut.
    Medalja ngërthehet një kornizë të pasur me simbole të krishtera
    Secila medalje shoqërohet me një çertifikatë garancie, me numër e me vulën e thatë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, të Institutit Poligrafik dhe të institucionit ku priten paratë e Shtetit Italian. Medalja ngërthehet në një skulpturë, derdhur në bronz, vepër e skulptores Daniela Fusco, stolisur në të dyja anët me vile rrushi, që simbolizojnë Eukaristinë dhe kujtojnë Popullin e Zotit, “Vreshtin e Hyjit”, e me një pallua, që në ikonografinë e të krishterëve të parë, simbolizonte ringjalljen dhe jetën e pasosur. Jetë e amshuar, ashtu si e amshuar është edhe mëshira e Atit.

  6. #36
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Atë Lombardi: nga Afrika, mësimi si duhet jetuar Jubileu



    Një vizitë e paharrueshme, që i dha guxim e shpresë kontinentit afrikan. Të nesërmen e udhëtimit të parë të Papës Françesku në Afrikë, pyetëm drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, për një bilanc të shtegtimit në Kenia, Ugandë dhe në Republikën e Afrikës Qendrore:
    Papa ndjehej krejtësisht si në shtëpi të vet e afrikanët e ndjenë të tyrin. Të dyja palët kishin shumë dëshirë të takoheshin. Papa flet gjithnjë për takim: ishte një takim i bukur ndërmjet Papës dhe Afrikës! Natyrisht, Afrika, për të gjithë ne dhe për pushtetet e botës së sotme, është periferi, prandaj Ati i Shenjtë deshi të shkonte pikërisht në Afrikë e në një vend si Afrika Qendrore, ndër më të shkatërruarit e kontinentit, për të treguar vëmendjen e tij ndaj vetë Afrikës në përgjithësi e sidomos ndaj vendeve, që vuajnë nga varfëria, sëmundja, mënjanimi, vështirësi të ndryshme për të gjetur rrugën e të ardhmes e për të respektuar plotësisht dinjitetin e njeriut.
    Në të tria vendet e vizituara, shpesh, Papa vuri mënjanë fjalimin e përgatitur e foli pa letër, hyri në dialog më të pranishmit, sidomos me të rinjtë. Përgjigjja e njerëzve qe e jashtëzakonshme…
    Po, e kemi kuptuar tashmë – që nga fillimi i papnisë – se kjo është mënyra e tij e komunikimit. Ai e do shumë këtë mënyrë spontane, dialogjike, këtë mënyrë të ndjerë, që të rrëmben. I lë edhe të përgjigjen e të flasin njerëzit e pranishëm, që të ndjehet e të shihet se janë pjesë aktive e një procesi dialogu. Kjo ndodhi edhe në Azi. Më pati bërë përshtypje fakti se Papa, që ka kulturë krejtësisht të ndryshme e vështirësi në përdorimin e gjuhës, pra, ka nevojë për përkthyes, komunikoi me ta përsosurisht. Karizma e komunikimit spontan, me gjeste e me shprehjen e plotë të vetvetes, karakteristikë e Papës, arrin të kapërcejë edhe vështirësitë gjuhësore. Kjo funksionoi në Azi e funksionoi edhe në Afrikë, ku shihej edhe gatishmëria e të rinjve dhe entuziazmi i tyre për t’u përfshirë në këtë dialog. Çastet klasike, në të cilat Papa preferon rrugën e dialogut të drejtpërdrejtë janë takimet me të rinjtë dhe takimet me klerin e rregulltarët, pra, kur ka përpara njerëz me të cilët e ndjen se mund të hyjë në dialog spontan.
    Pritej me padurim hapja e Portës Shenjte në katedralen e Banguit. Ky gjest do të mbetet vërtet gur kilometrik në papninë e Françeskut…
    Po, vërtet. Mendoj se të gjithë patëm menduar dhe e patëm pyetur veten nëse kishte kuptim të hapej kjo Portë para asaj të shpallur qëkur, më 8 dhjetor, hapja zyrtare e Vitit të Mëshirës për gjithë botën. Prandaj, patëm thënë: është përjashtim për njerëz në vështirësi, që nuk mund të lëvizin për të marrë pjesë në ngjarjet e mëdha botërore, pra, është akt kujdesi lokal. Por, pastaj, Papa vetë, para hapjes së Portës Shenjte, tha: ‘Ky është kryeqyteti shpirtëror i botës sonte’, pra, ai vetë i dha këtij gjesti një kuptim jo lokal, por vërtet universal. Njëfarësoj, duhet të themi: Viti i Mëshirës, për ne që ndoqëm udhëtimin, ishte fare e qartë se për Papën nisi aty. Papa i periferive deshi ta hapë Vitin e Mëshirës në ‘periferi’ për t’i dhënë vërtet kuptimin e dashurisë së Zotit, që shfaqet edhe me kujdesin e veçantë për të varfërit e për të vuajturit. Kjo nuk i heq asgjë rëndësisë së ceremonisë së 8 dhjetorit dhe hapjes së portave në anë të tjera të botës, sepse mëshira e Zotit është gjithkund. E dua të shtoj edhe diçka tjetër. Pas hapjes së Portës në Bangui dhe pasi filloi lutja, Papa rrëfeu pesë të rinj. Ishte mbrëmje e vështirë, sepse nuk ishte e lehtë për të rinjtë të vinin natën në Bangui. Prandaj, nga jashtë, pjesëmarrësit nuk dukeshin të shumtë. Por në mëngjes, fola me meshtarët dhe ipeshkvijtë, që ishin tepër të kënaqur, sepse gjatë natës ishin rrëfyer shumë të rinj e kjo do të thotë se e kishin kuptuar fare mirë domethënien e asaj lutjeje e të hapjes së Portës Shenjte. Pra, Viti i Mëshirës do të thotë të shkojmë për të takuar mëshirën e Zotit edhe përmes Sakramentit të Rrëfimit. Më duket se është mesazh, që duhet ta bëjmë tonin edhe ne. Papa nuk hapi simbolikisht vetëm një portë, por kremtoi edhe Sakramentin e Pajtimit e të gjithë e kapërcyen këtë portë shpirtërore, që është Sakramenti i Pajtimit. Duhet të mësojmë nga afrikanoqendrorët ç’është Jubileu e të mos mendojmë vetëm për logjistikën, ekonominë, sigurinë e diskutimet e tjera, që po bëjmë në Romë.
    Para nisjes për në udhëtim nuk munguan ata, që e këshilluan Papën të mos shkojë në Afrikën Qendrore, për arsye sigurie. Me vizitën e tij, Ati i Shenjtë u tregua i guximshëm dhe i dha shpresë popullsisë afrikanoqëndrore…
    Është e vërtetë. Duke filluar nga presidentja e tranzicionit, të gjithë shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Papës, që shkoi duke e ditur se kishte shumë përpjekje, edhe të fuqishme, që e këshillonin të mos shkonte. Papa shkoi me vendosmëri, pa e vënë aspak në diskutim këtë e ky qëndrim u kthye në mesazh: “Unë vij e dua të vij tek ju pikërisht sepse jeni në vështirësi e jam këtu me ju për t’ju inkurajuar të gjeni rrugën e të ardhmes”. Me lejoni të theksoj se Papa Françesku vazhdon rrugën e paraardhësve… Papët shkojnë ku ka nevojë, ku i presin, ku ka edhe një farë rreziku, por mesazhi që mbartin presupozon nevojën e impenjimit, të guximit… me një fjalë, nuk shkojnë për turizëm: shkojnë, sepse është e nevojshme e kjo ka edhe një çmim për t’u paguar!
    Dua të shtoj këtu një episod, që më preku personalisht. Gjatë javëve para udhëtimit, pata pritur edhe unë një person, i cili kishte folur edhe me të tjerë, më me autoritet se unë, për vështirësitë dhe rreziqet sidomos gjatë vizitës në lagjen myslimane e në xhami. Ishte plot respekt, por edhe i bindur për atë që thoshte. Këtë njeri e takova në xhami, së bashku me të tjerët, pasi është autoritet, e kaq gëzohej e kaq ishte entuziast sa e kishte harruar shqetësimin. “Jeni të mrekullueshëm! Jeni shumë të mirë! Papa bëri pikërisht ç’duhej të bënte…!”. Këto ishin fjalët e tij, që tani, e shihte se vendosmëria e Papës për të shkuar në atë xhami pati domethënie të madhe dhe u bë veçanërisht e çmuar për të gjithë, sidomos për bashkësinë myslimane të Banguit e të Afrikës Qendrore.
    Tema e Sidës ishte veçanërisht e ndjerë në Ugandë…
    Po. Uganda është vendi, që ka të bëjë më shumë se të tjerët me Sidën. Rasti i parë i dokumentuar i kësaj sëmundjeje ka qenë në Ugandë në vitin 1982. Pastaj epidemia u përhap dhe autoritetet shtetërore e Kisha bënë ç’është e mundur për ta parandaluar, fatmirësisht, me rezultate të mira. Dëgjuam dëshminë e një vajze, Papa u takua me përgjegjësit e projektit “Dream” (Ëndërra), foli për Sidën në Shtëpinë e Bamirësisë në Nalukolongo. Gjatë konferencës së shtypit, në kthim, patëm një pyetje për këtë e ndokush komentoi se Papa nuk deshi të përgjigjej. Në të vërtetë, e konsideroi pyetjen, që kishte të bënte thjesht me përdorimin e kondomit, tepër të ngushtë e deshi ta shohë në një kuadër më të gjerë të përgjegjësisë së njerëzimit për drejtësinë e zhvillimin, bazë për luftën kundër varfërisë e Sidës. Të gjithë ekspertët e dinë se për të parandaluar Sidën fjalët e para janë “abstinence” dhe “be faithfull”, që kanë të bëjnë me uljen e numrit të marrëdhënieve seksuale në përgjithësi e ato jashtëmartesore në veçanti. Pastaj vjen aspekti i kujdesit e i mjekimit e këtu Kisha është në vijën e parë të frontit.
    Pasi vizitoi Kenian, Ugandën e Republikën e Afrikës Qendrore, cili është mesazhi më i fuqishëm që Papa Françesku i la Kishës dhe kontinentit afrikan?
    Do të jem sintetik në përgjigje. Të gjithëve u bëri përshtypje rinia afrikane. Shumica e turmës, që ndiqte Papën, ishte e përbërë nga fëmijë ose të rinj. Shumica e popullsisë afrikane është e re e brenda pak vitesh popullsia e kontinentit do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme për botën. Papa është aty, Kisha është aty; është e pranishme për këta fëmijë, për këta të rinj, për të ardhmen e këtyre popujve. Kisha i shoqëron e bëhet për ta pikë referimi, shprese e besimi në një të ardhme më të mirë në një kontinent, që ka një zhvillim të pabesueshëm. Ipeshkvijtë më të vjetër, që takoheshin me Papën, janë misionarë evropianë, të tjerët, më të rinjtë, janë të gjithë afrikanë. Pra, Kisha është rritur, ka hedhur rrënjë, është bashkëpërgjegjëse në zhvillimin e këtyre popujve. Kisha është afrikane me afrikanët dhe e shoqëron kontinentin në probleme e shpresa. Gjendja më dramatike ishte në Afrikën Qendrore, për të cilën Papa u impenjua, por të tjerët, si Kenia e Uganda, janë më të sistemuar. Për ta mbyllur me një imazh, që më bëri përshtypje: Papa, në shesh, bashkë me hoxhën në papamobil. Mesazh i fuqishëm! Papa, që u takua me pjesëmarrësit në Platformën e dialogut ndërfetar, hartuar nga kryeipeshkvi, nga kreu i ungjillorëve dhe nga hoxha… edhe ky qe mesazh i fuqishëm! Ja, e ardhmja e Afrikës! Kisha jep kontributine saj, natyrisht, nuk mendon se mund t’ia dalë e vetme. E bën bashkë me të tjerët, për dialogun, për paqen, me ndihmën e njerëzve vullnetmirë e në veçanti, të besimtarëve.

  7. #37
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Fundjava në Vatikan e në Kishën universale


    05/02/2016

    Vatikan: Sot besimtarët e shumtë u mblodhën përsëri rreth Papës për lutjen e Engjëllit të Tënzot, në një Shesh të zhveshur nga stolitë e Festave të Mëdha të dimrit. Së pari u zhvendos Bredhi i Krishtlindjes. Pastaj ishte radha e Shpellës, ardhur nga Trento e tashmë për udhë drejt Betlehemit. Të duket se vetë Krishti shtegton drejt Lindjes së Mesme, për t’u rikthyer nga Roma, në shtëpinë e vet.
    Po kjo nuk e pakëson entuziazmin festiv të takimit. Besimtarët ndoqën komentet e Françeskut për leximet e së dielës, duke nisur nga leximi i parë, shkëputur nga Libri i Izaisë (Is 6,1-2,3-8), profetit, që vijon të na kujtojë, nga thellësia e shekujve: “Për ta kumtuar Zotin, duhet ta njohësh. E për ta njohur, duhet që Ai të dëftohet”.
    Të tre leximet përqendrohen pikërisht tek zbulesa e tek thirrja për mision. Përballë Zotit njeriu e ndjen veten mëkatar, por njëkohësisht ndjen edhe thirrjen t’ua kumtojë të gjithë njerëzve shenjtërinë e Zotit.
    Jemi në Vitin Shenjt të Mëshirës prej këndej, zëri i Jezusit jehon fuqimisht e na fton të marrim mbi shpinë kryqin tonë e ta ndjekim.
    Papa kujtoi, ndërmjet tjerash, edhe Ditën e 38-të italiane për jetën. Për këtë rast, Konferenca ipeshkvnore italiane ka shpërndarë një mesazh që më 2 tetor 2015, ndërsa sot, në Kishën e Shën Marisë në Traspontinë, u kremtua një Meshë shenjte, në përfundim të së cilës besimtarët u nisën drejt Sheshit të Shën Pjetrit për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot.
    Kubë, Takim historik: Papa Françesku e Patriku Kirill do të takohen më 12 shkurt, në Kubë
    Papa Françesku dhe Patriku Kirill i Moskës dhe i gjithë Rusisë do të takohen, më 12 shkurtin e ardhshëm, në Kubë, ku Papa do të ndalet para se të vijojë shtegtimin drejt Meksikës e ku Patriku do të jetë për vizitë zyrtare. Njoftimin e dhanë, me gëzim, përmes një komunikate të përbashkët, Selia e Shenjtë dhe Patriarkana e Moskës të premten e kaluar.
    Në një takim, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, lexoi pjesën qëndrore të Komunikatës:
    “Ky takim i Primatëve të Kishës katolike e të Kishës ortodokse ruse, i përgatitur prej një kohe të gjatë, do të jetë i pari në histori e do shënojë një etapë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave. Selia e Shenjtë dhe Patriarkana e Moskës, urojnë që të jetë edhe shenjë shprese për mbarë njerëzit vullnetmirë. I ftojnë të krishterët t’i luten me gjithë shpirt Zotit, që ta bekojë këtë takim e që të ketë fryte të mira”.
    SHBA: duke nisur që sot e deri më 14 shkurt, në SHBA do të kremtohet Java kombëtare për martesën, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore vendase. Me këtë rast është vënë në rrjet një material ndihmës me të dhëna statistikore të përditësuara, që vënë në pah pazëvendsueshmërinë e martesës tradicionale për çiftin, fëmijët e shoqërinë, marrë së bashku. “For jour Mariage” – “Për martesën tënde”, titullohet materiali, pasuruar edhe me një video, që pasqyron karakterin e pashoq të martesës. Së fundi, më 12 shkurt, do të kremtohet një ditë lutjeje pikërisht për mbrojtjen e martesës.
    Romë: Dje, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u kremtua Jubileu i Grupeve të lutjes së Atë Piut, i punonjësve të Shtëpisë së Lehtësimit të Vuajtjes dhe besimtarëve të kryedioqezës Manfredonia-Vieste-San Giovanni Rotondo, kryesuar nga Papa. Kremtimi nisi në orën 9.00, ndërsa Françesku arriti në orën 10.30.
    E po dje, nisën në Romë dhe kremtimet e Jubileut të Mëshirës për çlirimin e skllevërve të sotëm, që bie më 8 shkurt. Është dita kur Kisha kujton skllaven zezake, Jozefina Bakhita, lartuar në nderimet e elterit, duke u bërë pajtore qiellore e njerëzve, që vijojnë të shiten e të blihen tregjeve të turpit nëpër vende, që e konsiderojnë veten të zhvilluara, kështjella të përparimit njerëzor. Me këtë rast në bazilikën romake të Zemrës së Krishtit u kremtua një Meshë shenjte, shoqëruar me këngë, reflektime e dëshmi, me qëllim që bota të bëhet më e vetëdijshme për fenomenin e tregtisë së njerëzve, skllevër të munduar të kohëve moderne, që flasin aq shumë për lirinë, ndërsa e mbrojnë aq pak.
    Veprimtaria përfundoi me një shetgtim të shkurtër drej Portës Shenjte të Shtëpisë së dashurisë së krishterë, në rrugën romake Marsala, për të shprehur nevojën për pastrim, mëshirë e angazhim konkret, në përpjekjen për çlirimin e skllevërve të sotëm.
    E sot, kremtimi eukaristik në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore dhe procesioni drejt Sheshit të Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot.
    Sllovaki: nesër, në Sllovaki, nis kremtimi i Javës kombëtare për martesën, me temë “Receta për një martesë të mirë”. Kjo javë u krijon të gjithëve një hapësirë për të reflektuar mbi arsyet, që e shtyjnë njeriun të krijojë këtë lidhje të shenjtë e të pazgjidhshme

  8. #38
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Trupi i atë Piut dhe i shën Mandiçit në Romë


    29/01/2016


    Dërgimi i Misionarëve të Mëshirës dhe ardhja e trupit të atë Piut nga Pietrelçina e të shën Leopold Mandiçit në Romë, ishin sot në qendër të konferencës në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Për dy ngjarjet e rëndësishme, në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, foli kreu i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella. Prelati njoftoi edhe se, deri tani, në veprimtaritë jubilare kanë marrë pjesë rreth 1,4 milion njerëz, 40% e të cilëve kanë ardhur nga jashtë Italisë. Nesër, Papa Françesku do të mbajë audiencën e parë të përgjithshme jubilare, e cila, një të shtunë në muaj, u shtohet atyre të zakonshmeve të së mërkurës.


    Atë Piu e Leopold Mandiç, shenjtorë të faljes e të mëshirës
    Imzot Fisichella kujtoi veçanërisht devocionin e Atit të Shenjtë për kapuçinin me origjinë kroate, i cili, njëlloj si atë Piu nga Pietrelçina, e kalonte pjesën më të madhe të ditës në rrëfyestore, ku mijëra njerëz shihnin në të, dëshminë e privilegjuar të faljes e të mëshirës së Zotit. Ja fjalët e imzot Fisichella-s:
    “Disa nga sivëllezërit e tij thoshin se ishte injorant e dorëlëshuar, se ua zgjidhte të gjithëve mëkatet, pa i shoshitur mirë punët. Por përgjigjja e tij e thjeshtë dhe e përvuajtur i linte pa fjalë: ‘Nëse Hyji i Kryqëzuar do të më qortonte se jam dorëlëshuar, do t’i përgjigjesha: këtë shembull të keq, o Zot, ma keni dhënë ju vetë. Unë akoma s’kam mbërritur në atë gradë marrëzie, sa të vdes për shpirtrat’”.
    Nga 5 deri më 11 shkurt, reliket e shenjtorëve në Bazilikën e Shën Pjetrit
    Më pas, imzot Fisichella bëri të ditur programin e zhvendosjes së relikeve të dy shenjtorëve - në dy urna të tejdukshme – që do të mbërrijnë në Romë më 3 shkurt e do të vendosen në kishën e Shën Lorencit jashtë Mureve. Më 5 shkurt, pas një procesioni në udhën e Pajtimit (via della Conciliazione), ku priten mijëra besimtarë, do të vendosen në navatën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku do të mund të nderohen deri më 11 shkurt paradite:
    “Është herë e parë domethënëse fakti, që dy fretër të shkretë, të cilët nuk lëvizën kurrë nga vendet e tyre gjatë jetës, vijnë tani në Romë, në mënyrë kaq solemne. Mendoj se është vërtet ngjarje e jashtëzakonshme”.
    Grupet e lutjes së atë Piut nga Pietrelçina do të priten në audiencë nga Papa më 6 shkurt.


    Françesku do të nisë 1071 Misionarë të Mëshirës
    Kreu i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri u ndal më pas në mandatin e Misionarëve të Mëshirës, të cilët Papa Françesku do t’i nisë nëpër botë për të falur mëkatet e rënda, gjatë kremtimit të së Mërkurës së Përhime, më 10 shkurt. Është fjala për 1071 misionarë nga vende të ndryshme të botës, të cilëve Ati i Shenjtë do t’u japë autoritetin për të falur mëkatet, që zakonisht i rezervohen Selisë Apostolike. Në Romë, do të jenë të pranishëm 700 prej tyre. Papa do t’i takojë më 7 shkurt për t’u thënë sa shumë e ka për zemër këtë nismë, e cila është një nga çastet më kuptimplote të Jubileut të Mëshirës:
    “Misionarët e Mëshirës, pra, janë vetëm disa meshtarë, që marrin nga Papa detyrën për të qenë dëshmitarë të privilegjuar të Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës në Kishat e tyre të veçanta. Është vetëm Papa, që i emëron këta misionarë, jo ipeshkvijtë, e atyre u beson mandatin e kumtimit të bukurisë së mëshirës së Zotit, u kërkon të jenë rrëfyestarë të përvuajtur e të urtë, të aftë për t’i falur me zemërgjerësi ata, që i afrohen Sakramentit të Rrëfimit”.


    Më 22 shkurt, Jubileu i Kuries, në meshë me Papën
    Imzot Fisichella njoftoi edhe se më 22 shkurt do të kremtohet Jubileu i Kuries Romake. Parashikohet që jezuiti artist, atë Marko Ivan Rupnik, të mbajë një reflektim në Sallën Pali VI. Më pas, anëtarët e Kuries do të vihen në procesion për në sheshin e Shën Pjetrit e do të kalojnë Portën Shenjte të Bazilikës, ku do të marrin pjesë në meshën e kryesuar nga Papa Françesku. Prelati kujtoi edhe dy gjestet e Atit të Shenjtë, që ai i deshi si dëshmi konkrete mëshire: hapjen e Portës Shenjte të bamirësisë në Strehën për të varfërit “Don Luigi Di Liegro” dhe vizitën tek të moshuarit e të sëmurët në gjendje vegjetative, të premten e kaluar, në Torre Spaccata, në periferi të Romës:
    “Këto shenja kanë vlerë simbolike para nevojave të shumta të shoqërisë së sotme; megjithatë, synojnë t’i provokojnë të gjithë për të verifikuar gjendjet e shumta me probleme, të pranishme në qytetet tona, për t’u dhënë një përgjigje kujdesi e ndihme, sado të vogël”.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 07-02-2016 më 15:49

  9. #39
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    Papa: Atë Piu, “përkëdhelje”


    e mëshirës së Zotit për të gjithë




    06/02/2016

    Bota ka nevojë si për bukën, për mëshirën e Zotit, atë mëshirë, së cilës Atë Piu nga Pietrelçina i shërbeu aq, sa të bëhej për miliona njerëz, përkëdhelje e gjallë e Atit. E pohoi Papa, në prani të dhjetra mijëra njerëzve, pjesëtarë të grupeve të lutjes së Atë Piut, ardhur nga të katër anët e botës në audiencën, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ju jeni, u tha Papa, centrale të mëshirës, që furnizojnë Kishën e botën me energjinë e dashurisë.
    Atë Piu nuk u soll nëpër botë, sepse për të bota kishte përmasat e një rrëfyetoreje e sepse ishte bota ajo, që sillej e vijon të sillet rreth tij, 50 vjet pasi mbylli sytë, për të shijuar gëzimin, që ndjen njeriu, kur vihet në paqe me Zotin. Sepse ai ishte “ledhatim” i Zotit!

    Parfumi i faljes
    Papa gjeti një shprehje delikate, tejet të ëmbël e në përkim të plotë me Jubileun, për të rikujtuar se Shën Piu nga Pietrelçina njihet edhe atje, ku shpesh nuk dihet gjë prej gjëje për Kishën. Papa fliste para një Sheshi të mbushur sa më s’zinte. Fliste para më se 80 mijë të devoçëmve të atit kapuçin, ardhur prej mijëra viseve. Papamobili i Françeskut u soll ndërmjet tyre, duke përshkuar gjërë e gjatë Sheshin vigan, para të ngjitej në treme e të vinte në dukje pse Atë Piu rrethohet me gjithë këtë dashuri. Ju ndihmoi, pohoi Françesku, ta zbuloni e ta provoni bukurinë e faljes, një shkencë, nënvizoi, që duhet ta mësojmë ditë për ditë:
    “Mund të themi se Atë Piu ishte shërbëtor i mëshirës. Ishte ditë-natë, nganjëherë deri në rraskapitje, në shërbim të apostullimit të dëgjimit. U bë përmes shërbesës së Rrëfimit, ledhatim i gjallë i Atit, që shëron plagët e mëkatit e freskon zemrën me paqen e tij. Shën Piu nuk u lodh kurrë duke i pritur njerëzit, duke i dëgjuar e duke shkrirë kohë e forca për të përhapur parfumin e faljes së Zotit.


    Kush lutet, nuk bën tregti
    Forcën për ta jetuar këtë shërbesë të posaçme, kujtoi Papa, Atë Piu e merrte nga jeta e thellë shpirtërore. E kjo forcë ‘u ngjitej’ edhe të tjerëve aq, sa të ndikonte fuqimisht në krijimin e këtyre grupeve të lutjes, që frati i përvuajtur deshi t’i quante “fidanishte feje” e “vatra dashurie”. E kjo, sepse lutja, pohoi Papa, duke cituar atë Piun, është forcë që vë në lëvizje botën:
    “Lutja, atëherë, nuk është praktikë e mirë për të vënë sadopak në paqe zemrën. E as mjet devocioni, për të nxjerrë nga Zoti hiret e dëshiruara. Po të qe kështu, do të ishte thjesht pasojë e egoizmit. ‘Epo unë lutem për të qenë mirë, si të merrja një aspirinë: jo, nuk është kështu. Lutja është tjetër gjë! Është vepër mëshire shpirtërore, që dëshiron ta çojë gjithçka në zemrën e Zotit”.
    Lutja bën mrekulli
    Françesku gjeti edhe shprehje të tjera, për të hyrë sa më thellë në shpirtin e atyre, që e ndjejnë pushtetin e lutjes. Është kyç, që hap zemrën e Zotit, kyç i kollajshëm, i zakonshëm mbasi, shpjegoi, zemra e Zotit nuk është e blinduar me mjete të panumërta sigurie, sepse është thjesht zemër ati. E prej këndej:
    “… grupet e lutjes janë centrale mëshire, centrale përherë të hapura, që përmes pushtetit të përvuajtur të lutjes, furnizojnë botën me dritën e Zotit e Kishën, me energjinë e dashurisë. Të jeni gjithnjë apostuj gazmorë të lutjes, i ftoi të pranishmit Papa. Lutja bën mrekulli. Apostullimi i uratës bën mrekulli!”.


    Pranë e pranë të sëmurëve
    Nëse grupet e lutjes së Atë Piut janë mëshirë shpirtërore e mishëruar, “Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes” është pol i shkëlqyer shëndetësor, jo vetëm puliez, që prej 60 vjetësh mishëron veprën e mëshirës trupore, të cilën Françesku e quajti ‘të jashtëzakonshme’, për efektin e afrimit pranë të sëmurëve, që e nxiti atë Piun të mendonte për ngritjen e një spitali:
    “Të mjekosh sëmundjen, por sidomos të kujdesesh për të sëmurin. Mund të ndodhë që, ndërsa mjekojmë plagët e korpit, rëndohen plagët e shpirtit, që mjekohen shumë më ngadalë e më me vështirësi. Edhe njerëzit në grahma të vdekjes, nganjëherë në dukje të pavetëdijshëm, marrin pjesë në lutjen e bërë me fe pranë tyre e ia besojnë vetveten Zotit”.


    Dëshiroj të vij tek Atë Piu
    E ky mendim i solli në mendje Papës kujtimin e një miku të tij, prift, për një kohë të gjatë në gjendje kome. Gjendje e dhimbshme pavetëdijeje e nyje e vështirë për t’u zgjidhur në këndvështrimin mjekësor, i cili një ditë erdhi në vete falë ndërhyrjes së një prifti tjetër, që ia doli mbanë të komunikojë me të sëmurin, duke e ftuar t’ia besonte qetësisht vetveten Zotit:
    “Shumë njerëz kanë nevojë, shumë të sëmurë kanë nevojë për një fjalë, për një ledhatim, për forcë, që të mund ta përballojnë sëmundjen ose të nisen për takimin me Zotin; kanë nevojë të ndihmohen për t’ia besuar krejt vetveten Zoti., Ju jam shumë, shumë mirënjohës ju e të gjithë atyre, që u shërbejnë të sëmurëve me kompetencë, dashuri e fe të gjallë”.
    Fjalët e fundit të Françeskut ishin një përshëndetje, që u shndërrua në ftesë:
    “Kushdo që vjen në tokën tuaj të bukur - e unë kam shumë dëshirë të vij – mund të gjejë edhe në ju, pasqyrimin e dritës së Qiellit”.[/SIZE][/B]

  10. #40
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë

    MESAZHI I ATIT TË SHENJTË, FRANÇESKUT,

    ME RASTIN E DITËS XXXI BOTËRORE TË RINISË

    2016



    «Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë.» (Mt 5,7)



    Të dashur të rinj e të reja,

    kemi mbërritur në fazën e fundit të shtegtimit tonë drejt Krakovit, ku vitin e ardhshëm, në muajin korrik, do të festojmë së bashku Ditën XXXI Botërore të Rinisë. Në ecjen tonë të gjatë dhe angazhuese jemi udhëhequr nga fjalët e Jezusit të marra nga “predikimi në mal”. E kemi nisur këtë rrugëtim në vitin 2014, duke medituar së bashku mbi Lumturinë e parë: «Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve» (Mt5,3). Tema e vitit 2015 ishte: «Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin» (Mt 5,8). Në vitin që po na pret duam të lejojmë të frymëzohemi nga fjalët: «Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë» (Mt 5,7).

    1. Jubileu i Mëshirës

    Me këtë temë të DBR-së së Krakovit 2016, futemi në Vitin e Shenjtë të Mëshirës, duke u bërë një Jubile i mirëfilltë Rinor në nivel botëror. Nuk është hera e parë që një bashkim ndërkombëtar i të rinjve përkon me një Vit jubilar. Në fakt, ishte Viti i Shenjtë i Shëlbimit (1983-1984) kur Shën Gjon Pali II thirri për herë të parë të rinjtë nga e gjithë bota për të Dielën e Larit. Pastaj, ndodhi që, në Jubileun e Madh të vitit 2000, më shumë se dy milionë të rinj nga rreth 165 vende u mblodhën në Romë për Ditën XV Botërore të Rinisë. Siç ndodhi në këto dy raste të mëparshme, jam i sigurt se Jubileu i Rinisë në Krakov do të jetë një prej momenteve të forta të këtij Viti të Shenjtë!

    Ndoshta disa prej jush do të pyesin: çfarë është ky Vit jubilar që po kremtohet në Kishë? Teksti biblik i Librit të Levitikut 25 na ndihmon të kuptojmë se çfarë nënkupton një “jubile” për popullin e Izraelit: çdo pesëdhjetë vjet, hebrenjtë dëgjonin zërin e trombës (jobel) që i thërriste (jobil) për kremtimin e një viti të shenjtë, si një kohë pajtimi (jobal) për të gjithë. Në këtë periudhë, duhej rivendosur një marrëdhënie e mirë me Hyjin, me të afërmin dhe me krijimin, bazuar në dhurimin falas. Prandaj, ndër të tjera, përnxitej falja e borxheve, një ndihmë e veçantë për këdo që kishte rënë në mjerim, përmirësimi i marrëdhënieve mes njerëzve dhe lirimi i skllevërve.

    Jezu Krishti erdhi që ta shpallte dhe ta kryente kohën e vazhdueshme të hirit të Zotit, duke u sjellë të varfërve lajmin e gëzuar, lirinë të burgosurve, shikimin të verbërve dhe çlirimin të shtypurve (Krh. Lk 4,18-19). Në Të, sidomos në Misterin e tij Pashkvor, kuptimi më i thellë i jubileut gjente përmbushje të plotë. Kur Kisha bën thirrje për një jubile në emër të Krishtit, të gjithë jemi të ftuar që të jetojmë një kohë të jashtëzakonshme hiri. Vetë Kisha është e thirrur që t’i ofrojë me bollëk shenjat e pranisë dhe afërsisë së Hyjit, që të zgjojë në zemrat e njerëzve aftësinë për të parë atë çfarë është thelbësore. Në mënyrë të veçantë, ky Vit i Shenjtë i Mëshirës «është koha që Kisha ta gjejë kuptimin e misionit që ia ka besuar Zotëria në ditën e Pashkës: të jetë vegël e mëshirës së Atit» (Homelia në Mbrëmësoren e parë të së Dielës së Mëshirës Hyjnore, 11 prill 2015).

    2. Të mëshirshëm si Ati

    Motoja e këtij Jubileu të jashtëzakonshëm është: «Të mëshirshëm si Ati» (Krh. Misericordiae Vultus, 13), dhe me këtë intonohet dhe tema e DBR-së së ardhshme. Prandaj, të përpiqemi ta kuptojmë më mirë se çfarë nënkupton mëshira hyjnore.

    Besëlidhja e Vjetër kur flet për mëshirën përdor terma të ndryshëm, ku ndër më domethënësit janë hesed dhe rahamim. I pari, që i vishet Hyjit, shpreh besnikërinë e tij të palodhshme ndaj Besëlidhjes me popullin e vet, që Ai e do dhe e fal në përjetësi. I dyti, rahamim, mund të përkthehet si “të brendshme”, duke iu referuar në veçanti barkut amnor dhe duke na bërë ta kuptojmë dashurinë e Hyjit për popullin e vet si atë të një nëne për fëmijën e saj. Kështu na e paraqet Isaia profet: «E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj!» (Is49,15). Një dashuri e këtij lloji nënkupton që t’i bësh vend tjetrit brenda vetes, të ndjesh, të vuash e të gëzosh me tjetrin.

    Në konceptin biblik të mëshirës përfshihet edhe konkretësia e një dashurie që është besnike, falas dhe që di të falë. Në këtë pjesë të Ozeas profet kemi një shembull të bukur të dashurisë së Hyjit, që krahasohet me atë të një ati përballë birit të vet: «Kur Izraeli ende ishte djalëunë e dojae prej Egjiptit e thirra birin tim.Por, sa më shumë i thirrja,aq më tepër largoheshin prej meje; [...] E unë e mësoja Efraimin të ectevetë i mbartja para duarsh,s’e kuptonin se për ta kujdesesha.I tërhiqja me litarë për njerëz,me zinxhirë të dashurisë;isha për ta,porsi ai që fëmijën e ngrederi në mollëzat e veta,përkulesha mbi të t’i jap të hajë» (Os11,1-4). Pavarësisht sjelljes së gabuar të birit, që e meritonte ndëshkimin, dashuria e atit është besnike dhe e fal gjithmonë birin e penduar. Siç e shohim, në mëshirë përfshihet gjithmonë falja; ajo «nuk është një ide abstrakte, por një realitet konkret me të cilin Ai e zbulon dashurinë e vet si atë të një ati dhe të një nëne që preken deri në thellësinë e kraharorit për birin e vet. [...] Del nga thellësia si një ndjenjë e thellë, e natyrshme, plot butësi dhe dhembshuri, ndjesë dhe falje» (Misericordiae Vultus, 6).

    Besëlidhja e Re na flet për mëshirën hyjnore (eleos) si përmbledhja e veprës që Jezusi erdhi ta kryente në botë në emrin e Atit (Krh. Mt 9,13). Mëshira e Zotërisë sonë dëftohet sidomos kur Ai përkulet mbi mjerimin njerëzor dhe e tregon dhembshurinë e tij ndaj atyre që kanë nevojë për kuptim, shërim dhe falje. Gjithçka në Jezusin flet për mëshirë. Madje, Ai vetë është mëshira.

    Në kapitullin 15 të Ungjillit sipas Lukës, mund të gjejmë tre shëmbëlltyrat e mëshirës: atë të deles së humbur, atë të monedhës së humbur dhe atë që njihet si shëmbëlltyra e “djalit të humbur”. Në këto tre shëmbëlltyra na godet gëzimi i Hyjit, gëzimi që Ai e ndjen kur e gjen një mëkatar dhe e fal. Po, gëzimi i Hyjit është falja! Këtu përmblidhet i gjithë Ungjilli. «Secili prej nesh është delja e humbur, ajo monedha e humbur; secili prej nesh është ai biri që e ka shkapërderdhur lirinë e vet duke ndjekur idhujt e rrejshëm, mirazhet e lumturisë, dhe humbi gjithçka. Por Hyji nuk na harron, Ati nuk na braktis kurrë. Është një atë i durueshëm, na pret gjithmonë! E respekton lirinë tonë, por mbetet gjithmonë besnik. Dhe kur kthehemi tek Ai, na pret si bij, në shtëpinë e tij, sepse nuk pushon kurrë, as edhe për një çast, duke na pritur me dashuri. Dhe zemra e tij feston për çdo bir që kthehet. Feston sepse është gëzim. Hyji e ka këtë gëzim kur një mëkatar prej nesh shkon tek Ai dhe e kërkon faljen e tij» (Lutja e Engjëllit, 15 shtator 2013).

    Mëshira e Hyjit është shumë konkrete dhe të gjithë jemi të thirrur që ta përjetojmë vetë atë. Kur isha 17 vjeç, një ditë kur duhet të dilja me miqtë e mi, vendosa të kaloja më parë nga kisha. Aty gjeta një meshtar që më frymëzoi një besim të veçantë dhe ndjeva dëshirën që ta hapja zemrën time në Rrëfim. Ai takim ma ndryshoi jetën! Zbulova se kur e hapim zemrën me përvujtëri dhe transparencë, mund ta kundrojmë në mënyrë shumë konkrete mëshirën e Hyjit. Pata sigurinë se, në personin e atij meshtari, ishte Hyji që po më priste tashmë, përpara se unë ta bëja hapin e parë për të shkuar në kishë. Ne e kërkojmë, por Ai na paraprin gjithmonë, na kërkon që gjithmonë, dhe na gjen i pari. Ndoshta dikush prej jush e mban një peshë në zemrën e vet dhe mendon: kam bërë këtë e kam bërë atë... Mos kini frikë! Ai ju pret! Ai është atë: na pret gjithmonë! Sa bukur është të takojmë në Sakramentin e Pajtimit përqafimin e Atit, ta zbulojmë rrëfyestoren si vendin e Mëshirës, të lejojmë të prekemi nga kjo dashuri e mëshirshme e Zotit që na fal gjithmonë. Dhe ti, i dashur i ri, e dashur e re, a ke ndjerë të shtrihet mbi ty ky shikim dashurie të pafund, që përtej krejt mëkateve, kufizimeve, dështimeve të tua vazhdon të ketë besim te ti dhe ta shohë me shpresë ekzistencën tënde? A je i vetëdijshëm për vlerën që e ke para Hyjit, i cili për dashuri të ka dhënë gjithçka? Siç na mëson Shën Pali, «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne» (Rom 5,8). Por, a e kuptojmë vërtet fuqinë e këtyre fjalëve?

    E di se sa i dashur është për ju kryqi i DBR-së – dhuratë e Shën Gjon Palit II – që i shoqëron të gjitha takimet tuaja botërore që nga viti 1984. Sa ndryshime, sa kthime të mirëfillta kanë buruar në jetën e shumë të rinjve që nga takimi me këtë kryq të zhveshur! Ndoshta ia keni bërë vetes pyetjen: nga vjen kjo fuqi e jashtëzakonshme e kryqit? Ja, pra, përgjigjja: kryqi është shenja më elokuente e mëshirës së Hyjit! Ajo na vërteton se masa e dashurisë së Hyjit përballë njerëzimit është të duash pa masë! Në kryq mund ta prekim mëshirën e Hyjit dhe të lejojmë të prekemi nga vetë mëshira e tij! Këtu do të dëshiroja të kujtoja episodin e dy cubave të kryqëzuar përkrah Jezusit: njëri prej tyre është mendjemadh, nuk e njeh veten mëkatar, e tall Zotërinë. Tjetri, përkundrazi, e pranon se ka gabuar, i drejtohet Zotërisë dhe i thotë: «Jezus, kujtohu për mua kur të hysh në mbretërinë tënde». Jezusi e shikon me mëshirë të pafundme dhe i përgjigjet: «Sot do të jesh me mua në Parajsë» (Krh. Lk 23,32.39-43). Me cilin prej të dyve identifikohemi? Me atë që është mendjemadh dhe nuk i pranon gabimet e veta? Apo me tjetrin, që e pranon veten si nevojtar për mëshirën hyjnore dhe e kërkon me gjithë zemër? Në Zotërinë, që e ka dhënë jetën e tij për ne në kryq, do ta gjejmë gjithmonë dashurinë e pakushtëzuar që e njeh jetën tonë si një të mirë dhe na e jep gjithmonë mundësinë për të rifilluar.

    3.Gëzimi i jashtëzakonshëm i të qenurit mjete të mëshirës së Hyjit

    Fjala e Hyjit na mëson se «është më i lumtur ai që jep se ai që merr» (Vap 20,35). Pikërisht për këtë arsye, Lumturia e pestë i shpall të lumtur të mëshirshmit. E dimë se Zoti na ka dashur i pari. Por, do të jemi vërtet të lumë, të lumtur, vetëm nëse do të hyjmë në logjikën hyjnore të dhurimit, të dashurisë falas, nëse do ta zbulojmë se Hyji na ka dashur pafundësisht për të na bërë të aftë të duam si Ai, pa masë. Siç thotë Shën Gjoni: «

    Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. [...] Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin» (1 Gjn 4,7-11). Pasi jua kam shpjeguar në mënyrë shumë përmbledhëse se si e ushtron Zoti mëshirën e tij me ne, do të dëshiroja t’ju sugjeroj se si mund të jemi konkretisht mjete të kësaj mëshirë ndaj të afërmit tonë.

    Më vjen në mend shembulli i të Lumit Pierxhorxho Frasati. Ai thoshte: «Jezusi më viziton çdo mëngjes në Kungim, kurse unë ia kthej në mënyrën më të mjerë që mundem, duke i vizituar të varfrit». Pierxhorxho ishte një i ri që e kishte kuptuar se çfarë do të thotë të kesh një zemër të mëshirshme, të ndjeshme ndaj më nevojtarëve. Atyre u jepte më shumë se vetëm gjëra materiale; u jepte vetveten, harxhonte kohë, fjalë, aftësi dëgjimi. U shërbente të varfërve me fshehtësi të madhe, duke mos e treguar asnjëherë veten. E jetonte me të vërtetë Ungjillin që thotë: «Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë» (Mt6,3-4). Mendoni se një ditë para vdekjes së tij, për së tepërmi i sëmurë, jepte urdhra se si t’i ndihmonte miqtë e tij në vështirësi. Në funeralin e tij, familjarët dhe miqtë mbetën të shtangur nga prania e shumë të varfërve që ata nuk i njihnin, të cilit i riu Pierxhorxho i kishte ndjekur dhe ndihmuar.

    Më pëlqen gjithmonë që t’i bëj bashkë Lumturitë ungjillore me kapitullin 25 të Mateut, kur Jezusi na i paraqet veprat e mëshirës dhe thotë se ne do të gjykohemi në bazë të tyre. Prandaj, ju ftoj që t’i zbuloni veprat e mëshirës trupore: t’u jepni të hanë të uriturve, të pinë të eturit, t’i vishni të zhveshurit, t’i pranoni të huajt, t’i ndihmoni të sëmurët, t’i vizitoni të burgosurit, t’i varrosni të vdekurit. Dhe të mos harrojmë edhe veprat e mëshirës shpirtërore: t’i këshillojmë ata që dyshojnë, t’i mësojmë të paditurit, t’i qortojmë mëkatarët, t’i ngushëllojmë të lënduarit, t’i falim fyerjet, t’i durojmë me durim personat bezdisës, ta lusim Hyjin për të gjallët e për të vdekurit. Siç e shihni mëshira nuk është “të jesh i mirë”, as thjesht sentimentalizëm. Këtu vërtetohet vërtetësia e të qenurit tonë nxënës të Jezusit, të besueshmërisë tonë si të krishterë në botën e sotme.

    Ju të rinjve, që jeni shumë konkret, do të dëshiroja t’ju propozoja, për shtatë muajt e parë të vitit 2016, që në secilin muaj të zgjidhni e të zbatoni një vepër të mëshirës trupore dhe një të mëshirës shpirtërore. Frymëzohuni nga lutja e Shën Faustinës, apostulle e përvuajtur e Mëshirës Hyjnore në kohët tona:

    «Më ndihmo, o Zot, që të bëj që [...]
    sytë e mi të jenë të mëshirshëm, në mënyrë që unë të mos ushqej kurrë dyshime dhe të mos gjykoj bazuar në dukjet e jashtme, por që të di ta dalloj atë çka është e bukur në shpirtin e të afërmit tim dhe t’i bëhem ndihmë [...]
    dëgjimi im të jetë i mëshirshëm, që të përkulem para nevojave të të afërmit tim, që veshët e mi të mos jenë shpërfillës ndaj dhimbjeve dhe ofshamave të të afërmit tim [...]
    gjuha ime të jetë e mëshirshme dhe të mos flas kurrë keq për të afërmin, por ta kem për secilin një fjalë ngushëllimi dhe faljeje […]
    duart e mia të jenë të mëshirshme dhe plot me vepra të mira […]
    këmbët e mia të jenë të mëshirshme, në mënyrë që unë t’i shkoj gjithmonë në ndihmë të afërmit, duke fituar mbi plogështinë dhe lodhjen time […]
    zemra ime të jetë e mëshirshme, në mënyrë që të marr pjesë në të gjitha vuajtjet e të afërmit»(Ditari, 163).

    Mesazhi i Mëshirës Hyjnore përbën kështu një program jete shumë konkret dhe kërkues që kërkon vepra. Dhe një prej veprave të mëshirës më të dukshme, por ndoshta ndër më të vështirat për t’u zbatuar, është ajo e faljes së atyre që na kanë fyer, që na kanë bërë keq, që ne i konsiderojmë si armiq. «Sa e vështirë duket shumë herë të falësh! E megjithatë, falja është mjeti i vendosur në duart tona të brishta për ta arritur qetësinë e zemrës. Të lejojmë të bjerë mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja, është kusht i domosdoshëm për të jetuar të lumtur» (Misericordiae Vultus, 9).

    Takoj shumë të rinj që thonë se janë të lodhur nga kjo botë kaq e ndarë, në të cilën hasen me mbështetës të fraksioneve të ndryshme, ku ka shumë luftëra dhe madje ka njerëz që e përdorin edhe fenë e vet si arsyetim për dhunën e tyre. Duhet t’i përgjërohemi Zotit që të na e dhurojë hirin të jemi të mëshirshëm me ata që na bëjnë keq. Si Jezusi që mbi kryq lutej për ata që e kishin kryqëzuar: «Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë» (Lk 23,34). Rruga e vetme për të fituar mbi të keqen është mëshira. Drejtësia është e nevojshme, patjetër, por e vetme nuk mjafton. Drejtësia dhe mëshira duhet të ecin së bashku. Sa do të doja që të bashkoheshim të gjithë në një lutje të zëshme, nga thellësia e zemrave tona, duke u lutur që Zoti të ketë mëshirë për ne dhe për botën mbarë!

    4. Krakovi na pret!

    Ngelin edhe pak muaj deri në takimin tonë në Poloni. Krakovi, qyteti i Shën Gjon Palit II dhe Shën Faustina Kovalskës, na pret me krahët dhe zemrën hapur. Besoj se Provania Hyjnore na ka udhëhequr që ta kremtojmë Jubileun e të Rinjve pikërisht atje, ku kanë jetuar këto dy apostuj të mëdhenj të mëshirës së kohëve tona. Gjon Pali II e ka perceptuar se kjo ishte koha e mëshirës. Në fillimin e papnisë së tij, ai shkroi Enciklikën Dives in misericordia. Në Vitin e Shenjtë 2000, ai kanonizoi Motër Faustinën, duke themeluar edhe Festën e Mëshirës Hyjnore, në të dielën e dytë të Pashkës. Dhe në vitin 2002, e përuroi vetë personalisht, në Krakov, Shenjtëroren e Jezusit të Mëshirshëm, duke ia besuar botën Mëshirës Hyjnore dhe duke shpresuar që ky mesazh t’iu mbërrijë të gjithë banorëve të tokës dhe t’i mbushë zemrat me shpresë: «Duhet ta ndezim këtë shkëndijë të hirit të Hyjit. Duhet t’ia transmetojmë botës këtë zjarr mëshire. Në mëshirën e Hyjit, bota do ta gjejë paqen, dhe njeriu lumturinë!» (Homelia për Kushtimin e Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore në Krakov, 17 gusht 2002).

    Fort të dashur të rinj e të reja, Jezusi i mëshirshëm, piktura që nderohet nga populli i Hyjit në Shenjtëroren e Krakovit kushtuar Atij, ju pret. Ai ka besim te ju dhe llogarit në ju! Ka shumë gjëra të rëndësishme për t’ia thënë secilit dhe secilës prej jush... Mos kini frikë t’i ngulitni sytë e tij të mbushur me dashuri të pafundme përballë jush dhe lejoni që t’ju mbërrijë shikimi i tij i mëshirshëm, i gatshëm që ta falë çdo mëkat tuajin, një shikim që është në gjendje ta ndryshojë jetën tuaj dhe t’i shërojë plagët e shpirtrave tuaj, një shikim që e shuan etjen e thellë që banon në zemrat tuaja të reja: etje për dashuri, paqe, gëzim, dhe lumturi të vërtetë. Ejani tek Ai dhe mos kini frikë! Ejani që t’i thoni nga thellësia e zemrave tuaja: “Jezus, unë besoj në Ty!” Lejoni që të prekeni nga mëshira e tij pa kufij për t’u bërë edhe ju apostuj të mëshirës përmes veprave, fjalëve dhe lutjeve, në botën tonë të plagosur nga egoizmi, urrejtja dhe dëshpërimi i madh.

    Çojeni flakën e dashurisë së mëshirshme të Krishtit – për të cilën ju ka folur Shën Gjon Pali II – në mjediset e jetës sonë të përditshme e deri në skajet e botës. Në këtë mision, unë ju shoqëroj me urimet dhe lutjet e mia, ju besoj të gjithëve në duart e Marisë Virgjër, Nënës së Mëshirës, në këtë pikë të fundit të ecjes së përgatitjes shpirtërore në DBR-në e ardhshme të Krakovit, dhe ju bekoj të gjithëve nga zemra.

    Nga Vatikani, 15 gusht 2015
    Solemniteti i të Ngriturit të së Lumes Mari Virgjër

    FRANÇESKU
    Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 08-02-2016 më 05:15

Faqja 4 prej 7 FillimFillim ... 23456 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •