-
i/e regjistruar
Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Françesku: feja nuk blihet, është dhuratë, që e shndërron jetën
"Si është feja ime në Jezu Krishtin?”. Kjo, pyetja që u drejtoi besimtarëve Papa gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku e mori shtytjen nga Ungjilli, për të pohuar se kush dëshiron ta kuptojë vërtet Jezusin, nuk duhet ta mbajë zemrën të mbyllur, por ta ndjekë Zotin në udhën e faljes e të përvujtërisë. Fenë, kujtoi, askush nuk mund ta blejë, është dhuratë, që e shndërron jetën.
Njerëzit bëjnë çmos t’i afrohen Jezusit, pa menduar se mund të rrezikohen vetëm duke e dëgjuar, ose duke e cikur në kalim. Këtë nënvizoi Papa, duke marrë shtytje nga Ungjilli i Markut, që flet për shërimin e ulokut të Kafarnaos. Të shumtë, njerëzit përballë shtëpisë, ku ndodhej Jezusi. Aq, sa u desh të zbulohej çatia e të hidhej brenda shtroja me gjithë të sëmurin. Kishin fe, komentoi Papa, fenë e asaj zonjës që, edhe në mes të turmës vigane, kur Jezusi po shkonte në Shtëpinë e Jairit, bëri si bëri e iu afrua aq, sa të mund t’ia prekte kindin e petkut, me bindjen se kjo cikje do ta shëronte. Dhe e shëroi. Fenë e centurionit, që pa t’i shërohej në çast shërbëtori i tij, në grahma të vdekjes. Kjo është fe e fortë, tha Françesku, fe guximtare, që shkon përpara, me zemër të hapur.
Po ta kemi zemrën të mbyllur, nuk mund ta kuptojmë Jezusin
Gjatë ngjarjes së paralitikut, vërejti Ati i Shenjtë, Jezusi bën një hap para. Në Nazaret, në fillim të misionit të Tij, kishte shkuar në Sinangogë e u kishte thënë të gjithëve se qe dërguar për të çliruar të shtypurit, të burgosurit, për t’u kthyer dritën e syve të verbërve, për të shpallur vitin e hirit, domethënë, vitin e faljes, të afrimit tek Zoti. Për të përuruar udhën drejt Zotit. E këtu bën një hap më shumë: jo vetëm i shëron të sëmurët, por edhe ua fal mëkatet:
“Ishin aty ata, që e kishin zemrën të mbyllur, por që e pranonin, deri në një farë pike, se Jezusi kishte aftësi shëruese. Shëron, mendonin, po, por për t’i falur mëkatet, kjo është e tepërt. Ky njeri shkon tepër larg. Nuk ka të drejtë ta thotë këtë, sepse vetëm Zoti mund t’i falë mëkatet. E Jezusi e dinte çka mendonin ata e u tha: ‘Pse i mendoni këto gjëra? I mendoni ngaqë e dini se Biri i Njeriut ka pushtetin – e ky është hapi para – edhe t’i falë mëkatet’. Çoju, merre e shëroju! Nis të flasë me këtë gjuhë, që në një farë mënyre fillon t’i çkurajojë njerëzit, madje edhe disa nga dishepujt, që e ndiqnin. E fortë, kjo gjuhë, veçanërisht kur fton për ta ngrënë Korpin e Tij, si rrugë për shëlbim”.
Të kërkojmë që feja në Jezusin ta shndërrojë jetën tonë
Duhet kuptuar, pohoi Papa Françesku, se Zoti vjen të na shpëtojë nga sëmundjet, por, mbi të gjitha, të na shpëtojë nga mëkatet tona, për të na shëlbuar e për të na çuar tek Ati. Për këtë u dërgua: të japë jetën për shëlbimin tonë. E pikërisht kjo është pika më e vështirë për t’u kuptuar, e jo vetëm nga skribët. Kur Jezusi tregon se ka një pushtet shumë më të madh se ai i njeriut, pushtet për të dhënë ndjesë, për të dhënë jetë, për të rikrijuar njerëzimin, edhe dishepujt e tij lëkunden, dyshojnë. E disa edhe nisen e shkojnë në punë të vet. E Jezusi, duke parë grupin e vogël, që vijon ta ndjekë, i thotë, jo pa qortim: “Edhe ju doni të shkoni?”:
“Feja në Jezu Krishtin! Si është feja ime në Jezu Krishtin? Besoj se Jezusi është Zoti, është Biri i Zotit? E kjo fe, a ma shndërron jetën? A bën që në zemrën time të shpallet ky vit hiri, ky vit faljeje, ky vit afrimi tek Zoti? Feja është dhuratë. Askush ‘nuk e meriton fenë’. ‘Askush nuk mund ta blejë’. Është dhuratë. Feja ime në Jezu Krishtin a më çon në nënshtrim? Nuk them në përvujtëri, në nënshtrim, në pendim, në lutjen, që kërkon: ‘Më fal, o Zot. Ti je Hyj. Ti mund t’m’i falësh mëkatet!’”.
Prova e fesë sonë është aftësia për ta lavdëruar Zotin
Zoti, u lut Papa, na bëftë të rritemi në fe! Njerëzit, vijoi, e kërkonin Jezusin për ta dëgjuar, sepse fliste me autoritet, jo si flasin skribët. Edhe, shtoi, e ndiqte, sepse shëronte, bënte mrekulli. Por, në fund të fundit, po këto njerëz, pasi e panë gjithë këtë, shkuan e të gjithë mrekulloheshin e lavdëronin Zotin:
“Lavdërimi. Provë që tregon se unë besoj se Jezu Krishti është Zot në jetën time, se u dërgua për mua, që të më falte. Ky është lavdërimi, nëse kam aftësi ta lavdëroj Zotin. Lavdi është falas, pa asnjë shpërblim. Është ndjesi, e cila ushqehet nga Shpirti Shenjt e të shtyn të thuash: ‘Ti je i vetmi Zot, që fal. Ti na jep vitin e hirit e fenë, që na çon tek lavdërimi”
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Jubileu: Viti Shenjt i Mëshirës: Sakramenti i Rrëfimit
Mëshira e Zotit -
Kisha nuk është shoqatë njerëzish të përkryer, por bashkësi mëkatarësh të falur, domethënë, njerëzish, që e kanë njohur joshjen gënjeshtare të mëkatit, por edhe përvojën gazmore e çliruese të faljes.
Kisha është e thirrur të mishërojë përdëllimin e Zotit, duke u bërë vend i mëshirës pa shpërblim; cak, ku të gjithë mund ta ndjejnë veten të pranuar, të dashur, të falur e të inkurajuar të jetojnë jetën e mirë të Ungjillit (Papa Françesku).
E kjo, duke nisur nga kremtimi i pendesës, nga rrëfyestorja, ku rrëfyesi, është i thirrur të jetë më shumë atë, sesa gjykatës. Falja e mëkatarëve është misioni, që Krishti i Ngjallur ua besoi dishepujve të Tij Natën e Pashkëve (Gjn 21,23).
Misioni mëshirues i Kishës e gjen shprehjen e vet sakramentore në ritin e Pajtimit me Zotin e me vëllezërit. Pendimi i sinqertë dhe angazhimi i ri për të jetuar sipas mësimeve të Ungjillit, janë themelore për vërtetësinë dhe për frytin e plotë të Sakramentit.
Prania e mëkatit në jetën tonë, bën pjesë në planin e pashqyrtueshëm të Provanisë hyjnore. Në të vërtetë, vetëm kush e ka provuar mjerimin e vet e, megjithatë, e ka ndjerë se Dikush e do, e fal, është i aftë për të ndjerë mëshirë të vërtetë ndaj vëllezërve.
Prej këndej, mund të themi se zemra e Jubileut është Sakramenti i Pendesës, i Pajtimit, nga i cili, si nga një Pagëzim i ri, rilind në zemra dashuria njerëzore, që të nxit për mëshirë, për angazhim serioz, për të qenë në botë dëshmitar konkret i mëshirës së Zotit.
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Të tregosh mëshirën e Zotit
Mëshira e Zotit -
Papa Françesku ka këtë vizion për Zotin: e shikon si vendin e mëshirës. Mëshira është epiqendër e botës, prej nga Zoti shikon e vepron: “Nuk ka kurrfarë kufiri për mëshirën”, pati thënë Papa më 6 prill 2014. E akoma: “Zoti ka shumë mëshirë ndaj nesh. Të mësohemi edhe ne të kemi mëshirë ndaj të tjerëve, posaçërisht ndaj atyre, që vuajnë”.
Si Papa Françesku, edhe Papa Gjon Pali II e nënvizonte fort temën e mëshirës: “Për njerëzit, që rrinë larg mëshirës së Zotit, nuk ka kurrfarë shprese” shkruan, duke shtuar: “Në Krishtin Jezus, Zoti mori vërtet një zemër hyjnore, të pasur me mëshirë e falje, por edhe një zemër njerëzore, të aftë për të gjitha drithmat e dashurisë”. Prej këndej mund të shpjegohet pse Gjon Pali II themeloi një ditë të veçantë, kushtuar pikërisht Mëshirës Hyjnore: të dielën pas Pashkëve, ndonëse e tërë liturgjia është, në vetvete, plot me terma, që ta kujtojnë.
Çka e karakterizon katekizmin e Papës Françesku, është epërsia e mëshirës në të gjithë veprimtarinë e tij baritore. Epërsia e mëshirës, që lidhet drejtpërdrejt me njërën nga Lumnitë (Lum të mëshirshimit, sepse do të mëshirohen! Mt 5,7) u caktua nga Papa edhe si temë e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në vitin 2016, në Krakov të Polonisë, qytet ku Gjon Pali II qe ipeshkëv në vitet 1964-1978.
Por tema e zgjedhur nga Papa Bergoglio na kujton se janë të mëshirshëm edhe njerëzit e aftë për t’i bërë të vetat mjerimet dhe vështirësitë e të tjerëve; njerëzit, që shqetësohen për të tjerët, si për vete, që vihen në lëvizje, për t’u bërë ballë vuajtjeve të tjetrit. E ky është hir, është dhuratë e pastërt e Zotit. Kush e merr, mbetet thellësisht i lidhur me mënyrën si sillet vetë Zoti me të gjithë, me burra e gra, të çdo moshe e shtrese shoqërore. Papa Françesku flet vazhdimisht për mëshirën. E njerëzit e kanë kuptuar menjëherë, e shumë mirë, mesazhin e tij. Një nga sendet, që blejnë më tepër për kujtim shtegtarët, kur vijnë në Romë, është “misericordina”, një kutizë e ngjashme me atë, në të cilën zakonisht mbahen ilaçet. Në kutizë gjejnë Rruzaren, ilaçin më të mirë për shëndetin e korpit e të shpirtit. Papa nuk flet kështu vetëm me shtegtarët, flet edhe me intelektualët agnostikë, gjë që e shikojmë në letrën drejtuar Eugenio Scalfarit, themelues i së përjavshmes italiane “La Repubblica”: “Mëshira e Zotit është e pafund, nuk ka kufi. E vërteta e Zotit është dashuria… !”- shkruan.
Për Papën Françesku, Zoti është mëshirë, ashtu si për Shën Gjonin Ungjilltar është dashuri: në fund të fundit, që të dy thonë të njëjtën gjë, sepse dashuria, për vetë natyrën e saj, është e mëshirshme. Duke shfletuar Librin e Ozesë Profet, mund të ndalemi e të lexojmë një tekst shumë të bukur: “Kur Izraeli ishte ende djalë, unë e doja, e prej Egjiptit e thirra birin tim. Por sa më shumë i thërrisja, aq më shumë largoheshin prej meje: u flijonin fli balëve, e idhujve u digjnin kem. E unë e mësoja Efraimin të ecte. I mbartja para duarsh, por ata nuk donin ta kuptonin se për ta kujdesohesha me gjithë shpirt. I tërhiqja me lidhëset e miqësisë, lidhëset e dashurisë. Isha për ta porsi ai, që fëmijën e ngre deri tek faqja e vet. Përkulesha mbi të, për t’ia mëkuar ushqimin. E si mund të heq dorë prej teje, Efraim… Zemra ime përmallohet, nga dhembshuria shpirti më dridhet shqimit, sepse jam Zot, nuk jam njeri; jam shenjti në mesin tënd, e nuk do të vij i ngarkuar me zemërimin tim”(Os 11,1-9).
Efraimi ishte djali i dytë i Jozefit, i lindur në Egjipt, vëllai i Manasses. Profetët e përdornin këtë emër për të kujtuar gjithë mbretërinë e Izraelit. Por ç’kuptim ka ky tekst? Ç’na thotë sot? Zoti kujdeset për ne e na mëson si të ecim, na prin si të ishte atë. Na mban në krahë aq, sa faqja jonë puqet me të Tijën. Përkulet mbi ne e nuk na lë kurrë vetëm, në mëshirën e fatit. Preket thellë e fërgëllon nga dhimbsuria. E e gjithë kjo tregon se është shenjt e nuk ngrihet kurrë kundër nesh. Jemi përballë paradoksit të pashqyrtueshëm të dashurisë së Zotit për ne. Zoti është shenjti. I mbinatyrshmi: shenjtëria e Tij, natyra e Tij misterioze, është themeli i mundshëm i mëshirës së Tij për atë, që i largohet dhe e braktis me mëkatin (Gr3,12-19;31,20).
Një tekst tjetër simbolik i Ozesë Profet vë mirë në pah mirësinë përdëllyese të Zotit: “Ajo do të vrapojë pas dashnorëve, po s’do t’i arrijë, do t’i kërkojë, por nuk do t’i gjejë. Atëherë do të thotë: ‘Do të rikthehem tek burri i parë, sepse isha shumë më e lumtur, sesa jam tani’… Prandaj, do ta josh, do ta çoj në shkretëtirë e do t’i flas zemrës së saj… Do të të bëj fatin tim të përhershëm, do të fejohem me ty me drejtësi, mirësi, dashuri, do të fejohesh me mua në besnikëri e ti do ta njohësh Zotin” (Os 2,8-9.16.21-22).
Osea provoi një dashuri, që e tradhtoi, njohu një grua, që e la. Njohu përvojën e mëkatit. E pikërisht përmes përvojës së mëkatit, Izraeli depërtoi pak nga pak në thellësitë e mirësisë e të mëshirës së Zotit. Provoi se Zoti është gjithnjë gati për ta dashur birin mosmirënjohës, djalin plangprishës; Zoti është dhëndrri përherë besnik, gati për t’ia hapur përsëri krahët vashës së pabesë. Zoti është solidar me popullin e vet, e bën ta pranojë mëkatin e ta ndjejë thellësisht pendimin.
Po deri ku mund të angazhohet Zoti me punët e njerëzve? Deri ku arrin falja e tij e mëshira e Tij? Vetëm Krishti mund t’u japë gjegje këtyre pyetjeve. Është Ai, që ka detyrën të na e zbulojë mëshirën e Atit: ajo shtrihet nga epoka në epokë, nga beznia në brezni e duket në lindjen e Gjon Pagëzuesit; Zakaria shpall se Zoti pati mëshirë për etërit e lashtë e se tani, lindja e Gjonit, përuron veprën e Tij të mëshirës. Të gjitha veprimet e Jezusit janë në këtë vijë: “Dua mëshirë, jo fli”. “Erdha për mëkatarët, jo për të drejtët”. E programi i Tij i jetës është program i kumtimit. Është mëshira e Zotit. Prandaj Jezusi i zgjedh të varfërit, është mik i publikanëve, ulet me ta në sofër, e lë një mëkatare të mirënjohur nga të gjithë, t’i afrohet e, me delikatesë të pashoqe, e fal. Jezusi erdhi të “kërkojë e të shpëtojë, atë që ishte e humbur”(Lk19,10;cfrLk 4,18;7,22.34.39;19.5).
Shpesh herë ungjilltarët përdorin një folje shumë domethënëse, për të treguar mëshirën e Zotit për ne: “Të prekesh deri në thellësi të përmbrendcave”, të ndjesh atë forcë tërheqëse, që ndjen nëna për foshnjën, të cilën e ka ende në mitër. Mëshira i përngjan dashurisë amtare. E këtë term përdorin edhe ungjilltarët për të përshkruar veprimtaritë e Jezusit, që vënë me forcë në dukje misionin e Tij.
Ja disa shembuj: “Kur Jezusi zbriti nga barka, pa një turmë të madhe populli, iu dhimbt, sepse ishin si dhentë pa bari e nisi t’u mësonte shumë gjëra” (Mk 6,34; cfr Mt 14,14). Mateu përdor një shprehje, që përmbledh gjithë misterin e Jezusit: “Duke i parë turmat, ndjeu dhimbje për ta, sepse ishin të lodhur e të këputur, si delet pa bari” (Mt 9,36). Jezusi sillet si Zoti i mëshirës, përshkruar në Besëlidhjen e Vjetër, “përmbrendcat e të cilit dridhen, kur shikon popullin e vet të thyer më dysh nën barrën e mëkateve e të skllavërisë së Egjiptit”.
Kështu Jezusi duket, pa asnjë mbrojtje, përballë mjerimit e vuajtjes së njerëzve e është mëshira e mishëruar e Zotit. Shëmbëlltyra e djalit plangprishës ose, më kuptueshëm, e Atit të mirë e të mëshirshëm, atit me përmbrendcat e nënës, e dëshmon qartë këtë. Përmes saj rikujtohet e gjithë historia e Besëlidhjes së Vjetër. Djali më i vogël (si Izraeli) largohet nga i ati (nga Zoti) e provon mëkatin, varfërinë, urinë. Kujton kohët e begatisë e, ashtu si vasha e pabesë e Ozesë, thotë.”Do të ngrihem e do të shkoj te im atë”. E ati është gjithnjë në pritje e, kur i biri është ende larg, ai e sheh, preket, vrapon t’i dalë para, e rrok e e puth. Përballë një sjelljeje të tillë, skribë e farizenj mbeten krejtësisht të hutuar. Hutohen, duke parë se mëshira e Zotit shtrihet mbi të gjithë njerëzit. Ashtu si e nënvizon në mënyrë të posaçme Pali: “Them se Krishti u shërbeu rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Zotit të vërtetë, për t’i përmbushur premtimet dhënë etërve e që paganët ta lumnojnë Zotin për mëshirën e Tij” (Rm 15,8-9).
Këtu përfundon pjesa e parë e këtij teksti prekës që, duke cituar Besëlidhjen e Vjetër e të Re, na hap para syve horizontet e pamasa të mëshirës së Zotit.
Në pjesën e dytë do të ndalemi tek teologjia e mëshirës së Atit, tek historia e shëlbimit, takimi i Zotit me njeriun, në këndvështrimin e përhershëm të faljes, paqes, pajtimit
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Papa në Sinagogë: dhuna është në kundërshtim me çdo besim fetar
Jam i lumtur, që ndodhem me ju këtu, në këtë Tempull të madh. Falënderoj Doktor Di Segni-n, Doktoreshën Dureghello e Doktor Gattegna-n për fjalët e mira, e edhe ju të gjithë, për pritjen e ngrohtë. Faleminderit! Todà rabbà!
Në vizitën time të parë në këtë Sinagogë si Ipeshkëv i Romës, dëshiroj t’ju shpreh ju, e përmes jush, mbarë bashkësisë hebraike, përshëndetjen vëllazërore të paqes të kësaj Kishe e të mbarë Kishës katolike.
Marrëdhëniet tona i kam shumë për zemër. Që në Buenos Ájres e kisha zakon të shkoja në sinagogat, t’i takoja bashkësitë e tubuara, të ndiqja nga afër festat e përkujtimet hebraike e të falënderoja Zotin, që na jep jetë e na shoqëron në udhën e historisë. Në rrjedhë kohe, u krijua një lidhje shpirtërore, që favorizoi lindjen e marrëdhënieve të miqësisë dhe frymëzoi edhe angazhimin e përbashkët. Në dialogun ndërfetar është themelore të takohemi si vëllezër e motra para Krijuesit tonë e t’i japim lavd, ta respektojmë e ta vlerësojmë njëri-tjetrin e të kërkojmë bashkëpunimin. Hebrenj e të krishterë i bashkon një lidhje unike, e veçantë, falë rrënjëve hebraike të krishterimit; prej këndej, hebrenj e të krishterë duhet ta ndjejnë veten vëllezër, të bashkur nga i njëjti Zot e nga një trashëgimi e pasur shpirtërore e përbashkët (cfr Dich. Nostra aetate, 4), mbi të cilën duhet të mbështetemi e të vijojmë të ndërtojmë ardhmërinë.
Me vizitën time ndjek gjurmët e paraardhësve. Papa Gjon Pali II erdhi këtu 30 vjet më parë, më 13 prill 1986: e Papa Benedikti ishte mes jush para 6 vjetësh. Gjon Pali II, në atë rast, përdori shprehjen e bukur “vëllezër të mëdhenj”, e në të vërtetë ju jeni motrat e vëllezërit tanë të mëdhenj në fe. Të gjithë mbarë i përkasim një familjeje të vetme, familjes së Hyjit, i cili na shoqëron e na mbron si popullin e vet. Së bashku, si hebrenj e si katolikë, jemi të thirrur të marrim mbi vete përgjegjësitë tona për këtë qytet, duke sjellë kontributin tonë kryesisht shpirtëror e duke favorizuar zgjidhjen e problemeve të ndryshme aktuale. Uroj të thellohet gjithnjë më shumë afërsia, njohja reciproke e nderimi ndërmjet dy bashkësive tona fetare. Prej këndej, është domethënëse që unë erdha mes jush, pikërisht sot, më 17 janar, kur Konferenca Ipeshkvnore Italiane kremton “Ditën e dialogut ndërmjet katolikëve e hebrenjve”.
Përkujtuam, pak kohë më parë, 50-vjetorin e Deklaratës Nostra aetate të Koncilit II të Vatikanit, që e bëri të mundur dialogun sistematik ndërmjet Kishës katolike dhe hebraizmit. Më 28 tetorin e kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit, munda të përshëndes edhe një numër të madh përfaqësuesish hebraikë. E u thashë: “I shprehim mirënjohjen tonë të thellë Zotit për shndërrimet, që patën në këto 50 vjet marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve. Indiferenca e kundërvëniet u shndërruan në bashkëpunim e dashamirësi. Nga armiq e të huaj, u bëmë miq e vëllezër. Koncili, me Deklaratën ‘Nostra aetate’, hapi udhën: "po" për rizbulimin e rrënjëve hebraike të krishterimit, "jo" për çdo formë të antisemitizmit e, si pasojë, duke dënuar edhe çdo padrejtësi, diskriminim e persekutim”. Nostra aetate përcaktoi teologjikisht për herë të parë, në mënyrë të qartë, marrëdhëniet e Kishës katolike me hebraizmin. Ajo natyrisht nuk i zgjidhi të gjitha çështjet teologjike, që na interesojnë, por i preku në mënyrë inkurajuese, duke u dhënë një nxitje të rëndësishme reflektimeve të nevojshme të mëtejshme. Lidhur me këtë, më 10 dhjetor 2015, Komisioni për marrëdhëniet fetare me hebraizmin botoi një dokument të ri, që rreh çështjet fetare teologjike të dala në dhjetëvjeçarët e kaluar që nga shpallja e Nostra aetate. Në të vërtetë përmasa teologjike e dialogut hebraiko-katolik meriton të thellohet akoma e dëshiroj t’i inkurajoj të gjithë ata, që angazhohen në këtë dialog, t’i vijojnë përpjekjet, me kriter e me ngulm. Pikërisht në këndvështrimin teologjik, duket krejt qartë lidhja e pazgjidhshme, që i bashkon të krishterë e hebrenj. Të krishterët, për ta kuptuar vetveten, nuk mund të mos i kujtojnë rrënjët hebraike, e Kisha, ndonëse shpall shëlbimin përmes fesë në Krishtin, e pranon në mënyrë të paprapsueshme Besëlidhjen e Vjetër dhe dashurinë e vazdueshme besnike të Zotit për Izraelin.
Njëherësh me çështjet teologjike, nuk duhet t’i humbasim nga sytë edhe sfidat që duhet të përballojë bota e sotme. Ajo e ekologjisë së gjithanshme është tashmë parësore, e, si të krishterë dhe hebrenj, mund dhe duhet t’i ofrojmë mbarë njerëzimit mesazhin e Biblës për kujdesin ndaj gjithësisë. Konfliktet, luftërat, dhuna, padrejtësitë i hapin plagë të thella njerëzimit e na bëjnë thirrje ta forcojmë angazhimin për paqen e drejtësinë. Dhuna e njeriut mbi njeriun është në kundërshtim me çdo fe të denjë për këtë emër, e në mënyrë të veçantë, me të tria fetë e mëdha monoteiste. Jeta është e shenjtë, si dhuratë e Zotit. Urdhërimi i pestë i Dekalogut thotë: “Mos vra!” (Dal 20,13). Zoti është Zot i jetës, e dëshiron gjithnjë ta mbështesë e ta mbrojë: e ne, të krijuar sipas përngjasimit e shëmbëlltyrës së Tij, duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Çdo qenie njerëzore, si krijesë e Zotit, është vëllau ynë, pavarësisht nga zanafilla e tij e nga përkatësia fetare. Çdo krijesë duhet parë me dashamirësi, ashtu si bën vetë Zoti, që ua jep dorën e mëshirshme të gjithëve, pavarësisht nga feja e nga prejardhja, e kujdeset për të gjithë ata, që kanë nevojë për Të: të varfër, të sëmurë, të përjashtuar, të pambrojtur. As dhuna, as vdekja nuk do ta kenë kurrë fjalën e fundit përpara Zotit, që është Zot i dashurisë dhe i jetës. Ne duhet t’i lutemi me ngulm që të na ndihmojë ta praktikojmë në Evropë, në Tokën Shenjte, në Lindjen e Mesme, në Afrikë e në të katër anët e botës, logjikën e paqes, të pajtimit, të faljes, të jetës.
Popullit hebraik, në historinë e vet, iu desh të provonte dhunën e persekutimin, deri në shfarosjen e hebrenjve evropianë gjatë Shoah. Gjashtë milionë njerëz; vetëm sepse i përkisnin popullit hebraik, qenë viktima të mizorive më çnjerëzore, që u bënë ndonjëherë në emër të një idelogjie, e cila donte ta zëvendësonte Zotin me njeriun. Më 16 tetor 1943, më se një mijë gra e burra të bashkësisë hebraike të Romës, u internuan në Auschwitz. Sot dëshiroj t’i kujtoj në mënyrë të veçantë: vuajtjet e tyre, ankthet e tyre, lotët e tyre nuk duhen harruar kurrë. E e kaluara duhet të shërbejë si mësim për të sotmen e të ardhmen. Shoah na mëson se duhet të jemi gjithnjë vigjilentë, për të ndërhyrë në kohën e duhur në mbrojtje të dinjitetit të njeriut e të paqes. Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time çdo dëshmitari të Shoah, që jeton akoma; e u drejtoj një përshëndetje të posaçme atyre, të cilë janë sot të pranishëm.
Të dashur vëllezër më të mëdhenj, duhet të jemi me të vërtetë mirënjohës për gjithçka u realizua në 50 vjetët e fundit, sepse ndërmjet nesh u rrit e thellua mirëkuptimi reciprok, besimi e miqësia. Ta lusim së bashku Zotin që të na çojë drejt një ardhmërie të mirë, më të mirë. Zoti ka për ne plane shëlbimi, siç thotë Jeremia Profet: “Unë e di mirë synimin që kam me ju - është Fjala e Zotit - synime paqeje e jo mjerimi. Për t’ju dhënë një ardhmëri plot me shpresë”(Jer 29,11). “Zoti na bekoftë e na ruajtë, na ndriçoftë me fytyrën e vet e na dhëntë hirin e Tij. E sjelltë fytyrën e Tij drejt nesh e na dhëntë paqen” (cfr Nm 6,24-26).
Shalom alechem!
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Mesazh i Papës adoleshentëve për Jubileun: synoni ideale të mëdha
Në pritje të Jubileut -
“Synoni ideale të mëdha, gjëra të mëdha”. Kështu shkruan Papa në Mesazhin për Jubileun e Mëshirës të të rinjve e të rejave, nga 13 deri në 16 vjeç, që do të kremtohet në Romë më 23 deri më 25 prill, përqendruar mbi temën: ”Të rriteni të mëshirshëm, si Ati”. “Të rritesh i mëshirshëm, shkruan Papa, do të thotë të mësohesh për të qenë guximtar në dashurinë konkrete, pa interes, do të thotë të bëhesh i madh me trup e shpirt. Prandaj, shton, po përgatiteni që të bëheni të krishterë të aftë për rrugë e gjeste të guximshme, të aftë për të ndërtuar ditë për ditë, edhe në gjërat e vogla, një botë me paqe”.
“E nëse mosha juaj, vëren në vijim Françesku në mesazhin drejtuar adoleshentëve, është moshë ndryshimesh të pabesueshme, në të cilën gjithçka të duket e mundshme dhe e pamundshme njëkohësisht, mbahuni fort në fe, me shpresë të patundur në Zotin. E pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i udhës. Sepse Zoti na jep guximin të shkojmë kundër rrymës. Me Të mund të bëjmë punë të mëdha, siguron Papa, duke i ftuar adoleshentët të synojnë ideale të mëdha, mbi gjëra të mëdha”.
Një mendim të posaçëm Papa ua kushton të rinjve, që jetojnë në kushte lufte, varfërie të madhe, lodhjeje të përditshme, braktisjeje: “Mos e humbni shpresën, i inkurajon, e mos u besoni fjalëve plot me urrejtje e terror, që përsëriten shpesh”, duke u kujtuar se Zoti ka një ëndërr të madhe për të realizuar së bashku me ta e se miqtë bashkëmoshatarë, që jetojnë në kushte më pak dramatike, nuk i harrojnë dhe impenjohen që paqja e drejtësia t’u përkasin të gjithëve.
Shpreh keqarhdhajnm,ë pas pap, që jo të gjithë të djemtë e vajzat mund të vijnë në Romë për jubuiluen, por pa hharause aede atm und ta kremtojnë në ishat vendase, “Mos përgatiisni vetëm òasnta e shpinës e parullat, i nxit Franòseku të rinjtë, përgatsini simdosos mendhet e zemrat tujaja”.
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Françesku: nuk ka shenjt pa të kaluar, as mëkatar pa të ardhme
Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës -
Zoti nuk ndalet në pamjen e jashtme, por shikon zemrën. Papa Françesku komentoi sot kryesisht Leximin e parë të meshës në Shtëpinë e Shën Martës, që tregon për zgjedhjen e të riut David si mbret i Izraelit. Ati i Shenjtë nënvizoi se edhe në jetën e shenjtorëve ka tundime e mëkate, siç dëshmon pikërisht jeta e Davidit, por kurrë nuk duhet përdorur Zoti për interesat vetjake.
0:00
Zoti sheh zemrën, jo pamjen e jashtme
Zoti e hedh poshtë Saulin, sepse e kishte zemrën të mbyllur, nuk i ishte bindur e kështu, mendon të caktojë një mbret tjetër. Por, Hyji, siç tregohet në Librin e parë të Samuelit, nuk zgjedh sipas kritereve njerëzore. Vërtet, Davidi ishte më i vogli ndër bijtë e Jeseut, krejt fëmijë. Por Zoti i bën të kuptojë profetit Samuel se për Të nuk ka rëndësi dukja, “Hyji sheh zemrën”:
“Ne jemi shpesh skllevër të dukjes, skllevër të gjërave që duken… e lemë veten në dorë të këtyre gjërave: ‘Po, kjo më duket…’. Ama Zoti e di të vërtetën. E kështu është kjo histori… Kalojnë të shtatë bijtë e Jeseut dhe Zoti nuk zgjedh asnjërin, i lë të ikin. Samueli zihet ngushtë e i thotë Atit Qiellor: ‘As këtë, o Zot, nuk e zgjodhe? Janë këtu gjithë të rinjtë, të shtatë… Po, ka edhe një tjetër, më i vogli, por nuk po e llogarisim, tani po kullot grigjën’. Për sytë e njerëzve, ky djalosh as që llogaritej”.
Davidi e pranon mëkatin e vet dhe kërkon falje
Vërtet nuk vlente për njerëzit, vazhdoi komentin Papa, por Zoti e zgjedh dhe e urdhëron Samuelin ta bekojë me vaj. Kështu, Shpirti i Hyjit vërshoi mbi Davidin e, nga ajo ditë, gjithë jeta e Davidit qe jeta e një njeriu të vajosur nga Zoti, të zgjedhur nga Hyji. A mos vallë, kjo do të thotë se Zoti e bëri shenjt, pyeti Papa. Jo, ai e shenjtëroi jetën pas shumë mëkatesh:
“Shenjt e mëkatar. Një njeri, që diti ta bashkojë mbretërinë, diti ta çojë përpara popullin e Izraelit. Por kishte tundimet e veta, kishte mëkatet e veta. U bë edhe vrasës, për të mbuluar epshet e veta, mëkatin e tradhtisë… dha urdhër të vritet. Ai! ‘Si kështu, Mbreti David, shenjti, paska vrarë?’ Po, por kur Zoti i dërgoi Natanin profet që t’ia hapte sytë për këtë realitet, sepse ai nuk i kishte parë barbaritë për të cilat kishte dhënë urdhër, pranoi se kishte mëkatuar dhe kërkoi falje”.
Nuk ka shenjtorë pa të kaluar e mëkatarë pa të ardhme
Më pas, vijoi Papa, në jetën e tij provoi gjithçka, edhe tradhtinë e të birit, por nuk e përdori kurrë Zotin për interesat e veta. Ati i Shenjtë kujtoi se kur Davidit iu desh të ikte nga Jeruzalemi, e ktheu mbrapsht Arkën e Hyjit dhe deklaroi se nuk do ta përdorë Zotin për t’u mbrojtur. E kur e shanin, Davidi në zemrën e vet mendonte: “E meritoj”. Pastaj, veproi me zemërgjerësi. Mund ta vriste Saulin, por nuk e bëri këtë. Ja pra, kush ishte shenjti David: mëkatar i madh, por i penduar. Mua më mallëngjen jeta e këtij njeriu, theksoi Papa, kaq e ngjashme me jetën e secilit prej nesh:
“Të gjithë ne jemi zgjedhur nga Zoti përmes Pagëzimit, për të bërë pjesë në Popullin e Tij, për të qenë shenjtorë; jemi shuguruar nga Zoti në këtë rrugë drejt shenjtërisë. E duke lexuar këtë jetë, jetën e Davidit, të një fëmije – jo të një fëmije, por të një djaloshi – nga rinia në pleqëri, jetë gjatë së cilës bëri gjëra të mira e të këqia, më vjen të mendoj se në udhën e krishterë, në udhën ku Zoti na fton të ecim, nuk ka asnjë shenjtor pa të kaluar e asnjë mëkatar pa të ardhme”.
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
Papa Françesku: përqafimi i dashurisë së Zotit, më i fortë se mëkati
Jo e tërë dashuria vjen nga Zoti, por Zoti është “dashuria e vërtetë”.
Ky është mendimi, frymëzuar nga liturgjia e ditës së sotme, mbi të cilin Papa Françesku e shtjelloi homelinë e Meshës, kremtuar sot në mëngjes.
Zoti, përsëriti Papa Bergoglio, do gjithmonë dhe do i pari, pa marrë parasysh
sa mëkatarë jemi.
Dashuria, dhembshuria. Këto dy vlera e elemente kuptohen ndryshe nga Hyji e ndryshe nga njeriu. Në Leximin e parë të Meshës së sotme, Gjoni Apostull – vëren Papa Françesku – bën një reflektim të gjatë mbi dy urdhërimet kryesore të jetës fetare: dashurinë ndaj Zotit e dashurinë ndaj të afërmit. Dashuria në vetvete “është e bukur”, të duash është gjë e bukur, siguron Papa, e megjithatë një dashuri e sinqertë “bëhet e fortë dhe rritet në dhurimin e jetës personale”:
“Fjala ‘dashuri’ është një fjalë që përdoret shpesh herë e kur përdoret, nuk dihet ç'do të thotë saktësisht. Çka është dashuria? Nganjëherë mendojmë për dashurinë e telenovelave, jo, ajo nuk duket dashuri. Apo ndoshta dashuria mund të duket si entuziazëm për një person e pastaj...shuhet. Nga vjen dashuria e vërtetë? Kushdo që do, ka lindur nga Zoti, sepse Zoti është dashuri. Gjoni ungjilltar nuk thotë: ‘Çdo dashuri është e Zotit, jo, por: Zoti është dashuri”.
Gjoni apostull nënvizon një tipar të dashurisë së Zotit: Ai do “i pari”. Këtë e provon skena e Ungjillit të shumëzimit të bukëve, propozuar nga liturgjia: Jezusi e shikon turmën e njerëzve dhe ka “dhembshuri”, çka – saktëson Papa Françesku – “nuk është e njëjta gjë me ‘pati mëshirë’”. Sepse dashuria që Jezusi ushqen për njerëzit që e rrethojnë “e bën të ‘vuajë me ta, të bashkëndajë – shpjegon Papa – jetën e njerëzve”. E kjo dashuri e Zotit, nuk paraprihet kurrë nga dashuria e njeriut, e Ati Shenjtë Françesku numëron këtu njëmijë shembuj e citon, nga rasti i Zakeut, te Natanaeli, te djali plëngprishës:
“Kur kemi një peng në zemër e duam t’i kërkojmë falje Zotit, është Ai që na pret për të na dhënë faljen. Ky Vit i Mëshirës Hyjnore, në një farë mënyre domethënë pikërisht këtë: ne e dimë se Zoti është duke na pritur, çdonjërin prej nesh. Pse? Për të na përqafuar. Asgjë më shumë. Për të na thënë: ‘Bir, bijë, të dua. Kam lënë që Biri im të kryqëzohet për ty; ky është çmimi i dashurisë ime’. Kjo është dhurata e dashurisë”.
“Zoti më pret, Zoti do që unë ta hap portën e zemrës sime”: këtë bindje, ngul këmbë Papa Françesku, duhet ta kemi “gjithmonë”. E nëse vërej se nuk ndjehem i denjë për dashurinë e Zotit, “është më mirë – tha Papa – sepse Ai të pret, ashtu siç je, jo siç të thonë se ‘duhet të bësh””:
“Të shkosh te Zoti e të thuash: ‘Po, ti e di, o Zot, se unë të dua’. E nëse nuk e ndjej vetë mund të them edhe kështu: ‘Ti e di, o Zot, se unë do të doja të të dua Ty, por jam mëkatar i madh, mëkatare e madhe’. E Ai bën të njëjtën gjë që pati bërë me djalin plangprishës, i cili pati shpenzuar e shkapërderdhur të gjitha pasuritë në vese: nuk do të lërë ta mbarosh fjalën, sepse me përqafim do të bëjë të heshtësh. Është përqafimi i dashurisë së Zotit”.
Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 20-01-2016 më 03:40
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
[SIZnjE=5]JUBILEU: kTHIMI NE RRUGEN E ZOTIT -[/SIZE]
Termi kthim në rrugën e Zotit, lidhet shpesh, në radhë të parë, me kalimin nga mëkati, në hir; nga mosbesimi, në besim; nga indiferenca, në praktikën fetare. Por ky përdorim është i ëanshëm e nuk përkon me zhvillimin e vërtetë të jetës shpirtërore. Në të vërtetë, kthimi në rrugën e Zotit bëhet gjithnjë më i ngutshëm, sa më shumë ecën përpara historia e njerëzimit e sa më shumë që njerëzit rriten në përmasën e tyre shpirtërore.
Edhe gjinia njerëzore bën pjesë në këtë proces prandaj, në çdo kthesë kulturore, rriten edhe kërkesat e jetës në bashkësi. Njohuritë grumbullohen e aftësitë vepruese rriten në mënyrë eksponenciale. Si pasojë, rritet edhe nevoja e bashkëpunimit, thellohet përkimi ndërmjet njerëzve, ndërmjet grupeve shoqërore, ndërmjet popujve. E rritet edhe kërkesa për ndryshime personale, në përkim me vetë kohën kur jetojmë. Në çdo hap që bëjmë, ndjehet nevoja për cilësi të reja shpirtërore, siç janë dëshira për të dëgjuar, mirëpritja e sinqertë, prirja për ndarjen e përbashkët të vlerave materiale e shpirtërore. Sa më shumë zhvillohet shoqëria, aq më i nevojshëm bëhet bashkëpunimi, përkimi i ndjeteve, lidhjet e thella. Njohuritë e grumbulluara nga një brezni, duhet t’u transmetohen breznive të reja, sepse jeta ecën përpara nga breznia në brezni. Prandaj sa më shumë kohë kalon, aq më të gjera e më urgjente bëhen edhe kthesat në rrugën e jetës.
Është, pastaj, edhe një aspekt i dytë i kthesës në rrugën e Zotit: shpërblimi, shlyerja e të keqes së bërë. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndjehen pasojat e gabimeve të kryera në rrjedhë vitesh; e edhe në shekujt e kaluar, gjë që kërkon ndryshimin e stilit të jetës dhe lindjen e një jete të re. Kërkon kthimin e njeriut të çdo epoke, edhe të vetë epokave, në rrugën e Zotit.
Por, a ka njerëz, që kanë vërtet aftësinë për ta ndryshuar botën? Botën e madhe, a botën e vogël, rreth vetes? Ne sot po kujtojmë vetëm një: Shën Gasprin e Bufalos. I lindur në Romë, më 1768 e i shuguruar meshtar më 1808, iu kushtua ungjillëzimit të karrocierëve dhe të fshatarëve të rrethinave romake. Themeloi, për ta, Kongregatën e Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, në të cilin mori pjesë edhe Papa Piu IX. Luftoi me të gjitha forcat shoqëritë e fshehta të masonerisë. I ngarkuar nga Leoni XII me misionin ndërmjet cubave, ia doli mbanë, vetëm me Kryq e me mëshirë, ta reduktojë fenomenin dhe t’u rikthejë paqen e sigurinë viseve të tronditura prej tij. Vdiq në Romë, më 1837. U shenjtërua nga Piu XII, në vitin 1954. Ndikimi i tij shndërrues vijon të ndjehet edhe në zhvillimet e kohëve moderne
Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 20-01-2016 më 16:19
-
-
i/e regjistruar
Për: Jubileu i mëshirës, rizhbulimi i besimit të vërtetë
sot është koha e mëshirës
Françesku kremtoi sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Meshën e mbylljes së Sinodit kushtuar familjes, duke i ftuar Etërit sinodalë të vijojnë rrugën që dëshrion Zoti, udhën e Mëshirës Hyjnore, pa iu errësuar kurrë sytë nga pesimizmi e nga mëkati.
Fjala “mëshirë” u përsërit disa herë në homelinë e Papës, duke kujtuar edhe Jubileun, që do të hapet më 8 dhjetorin e ardhshëm. E gjatë homelisë, Papa komentoi tre leximet liturgjike të kësaj së diele. Të tre kanë në qendër të vëmendjes mëshirën e Zotit, kanë atësinë e Tij, që zbulohet vazhdimisht në Jezusin, kujtoi, e në vijim theksoi se Ati kujdeset për bijtë e tij, i shoqëron në shtegtim, e mbështet të verbërin e të çalin, gruan shtatzënë e lehonën. Atësia e Tij, vijoi të kujtojë Françesku, hap udhën e ngushëllimit, pas lotëve e hidhërimeve, që e mundojnë aq shumë zemrën njerëzore.
U ndalua edhe te Psalmi, Ati i Shenjtë, posaçërisht tek thirrja e gëzimit, që populli i Zotit drejton kah qielli: “Në të shkuar ecnim e qanim, por në kthim do të vijmë plot me gëzim”(Ps. 125,6).
Duke u ndaluar posaçërisht tek Ungjilli i ditës, Françesku kujtoi se lidhej drejtpërdrejt me leximin e parë: ashtu si Populli i Izraelit u çlirua nga robëria falë atësisë së Hyjit, kështu edhe Bartimeu u lirua nga verbëria, falë mëshirës së Jezusit:
“Jezusi dëshiron të bisedojë me secilin prej nesh, të bisedojë për jetën, për ngjarjet reale. Prej këndej, pas shërimit, Zoti i thotë këtij njeriu: ‘Feja jote të shpëtoi!’. Gjë e bukur të vëresh sesi Krishti e admiron fenë e Bartimeut, duke i besuar. Sepse Jezusi beson në ne, shumë më tepër se besojmë ne vetë në vetvete”.
Por duhet vërejtur edhe një hollësi, shtoi Papa gjatë homelisë. Jezusi i drejtohet të verbërit, duke përdorur dy shprehje interesante: “Zemër! Ki besim” si dhe "Çohu!",“Ngreju!, ashtu si u kishte thënë shumë të sëmurëve të tjerë, të cilët i pati marrë për dore, duke i shëruar: “Vetëm Jezusi i jep njeriut forcën për t’i përballuar situatat më të rënda”.
Por nuk është e lehtë ta ndjekësh pas Jezusin. Nuk mungojnë edhe tundimet. Papa kujtoi, gjatë homelisë, vetëm dy. Asnjë nga dishepujt nuk u ndalua për ta dëgjuar nga afër britmën e njeriut të verbër. Vijuan udhën qetë-qetë, si të mos kishte ndodhur gjë. Nëse Bartimeu ishte i verbër, shpjegoi Papa, ata ishin të shurdhër, thjesht sepse verbëria e lypësit nuk ishte problemi i tyre. Mund të na ndodhë edhe ne – tërhoqi vëmendjen Françesku - ashtu si këtyre dishepujve. Jemi me Jezusin, por nuk mendojmë si Jezusi. Mund të flasim për Të e të punojmë për Të, por të jetojmë larg zemrës së Atij, që kujdeset gjithnjë për njeriun e plagosur: “Feja, që nuk di të rrënjoset në jetën e njerëzve, mbetet e thatë e, në vend që të krijojë oaza, krijon shkretëtira të tjera”.
Duke ndjekur historinë e Bartimeut të verbër, Papa kujtoi se ai u shërua dhe u bashkua me ata, që ecnin pas Jezusit. T’i kërkojmë Atij - përfundoi Françesku- sy të shëruar e të shpëtuar, që dinë të përhapin dritë, për të kujtuar Atë, që ua ktheu dritën. “Pa iu nënshtruar pesimizmit e mëkatit, ta kërkojmë e ta shikojmë lumninë e Zotit, që shkëlqen në njeriun e gjallë”.
Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 21-01-2016 më 10:01
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt