Bie niveli i ujit, “Mbyllet” Fierza, KESH ndërpret prodhimin, fillon importin



Korporata elektroenergjetike shqiptare ka ndrëprerë prodhimin e energjisë nga hidrocentrali i Fierzës, pasi niveli i ujit në këtë liqen ka rënë ndjeshëm në 276.2 metër, teksa prurjet janë 130- metër kub në sekondë, kuota më e ulët e 10 viteve të fundit.
KESH synon ruajtjen e rezervës energjetike për të mos cënuar sigurinë e furnizimit të vendit me energji. Në këto kushte, kërkesat e vendit me energji po plotësohen me import dhe me prodhimin nga Komani dhe Vau i Dejës
Tirane- Thatësira e muajve të fundit ka zbritur në nivele minimale prurjet dhe nivelin e ujit në Fierzë, duke detyruar Koorporatën Elektroenergjetike shqiptare që të ndërpresë prodhimin nga hidrocentrali më i madh i kaskadës së Drinit.
Sipas të dhënave nga KESH , niveli i Fierzës ka arritur aktualisht në 276.2 metër, ndërsa kuota maksimale vlerësohet në 296 metër, ndërsa prurjet janë 130 metër kub në sekondë, niveli më i ulët i 10 viteve të fundit.
KESH ka mbyllur prodhimin nga fierza për të ruajtur rezervën në basen, teksa prodhon nga dy hidrocentralet e tjerë, Komani dhe Vau i Dejës dhe importon për të përballuar kërkesën për energji.
Në Koman niveli i ujit është 171 metër dhe prurjet 68 metër kub në sekond, ndërsa në Vaun e Dejës niveli i ujit vlerësohet në 73.99 metër dhe prurjet 15 metër kub në sekondë.
KESH konsideron prioritare në këtë moment ruajtjen e rezervës energjetike për të mos cënuar sigurinë e furnizimit të vendit me energji.
Në këto kushte, kërkesat e vendit me energji do të plotësohen me import. OSHEE do të importojë rreth 880 Gigavat orë energji në këto dy muaj, duke reduktuar prodhimin e KESH.
Burime zyrtare nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare bëjnë të ditur se gjatë muajve janar dhe shkurt parashikohet qe te importohet rreth 50 % e sasisë së energjisë së kërkuar nga OSHEE për furnizimin me energji të konsumatorëve.
Në fund të dhjetorit qeveria rishikoi për herë të tretë buxhetin, duke i akorduar KESH-it një fond prej 1,3 miliardë lekësh për importin e energjisë

ORA NEWS