Përkeqësimi i klimës së biznesit. Shqipëria humbi 11 pozicione brenda vitit në listën e Forbes
Shqipëria është duke u degraduar me shpejtësi nga të gjitha institucionet më të njohura ndërkombëtare për klimën e biznesit dhe situatën ekonomike. Edhe pse qeveria pretendon se reformat e saj kanë qenë të suksesshme, renditja globale e vendit po përkeqësohet në të gjitha raportet ekonomike.
Pas përkeqësimit me 35 vende në klasifikimin e Doing Business të Bankës Botërore, Shqipëria ka pësuar të njëjtin fat edhe në listën e Forbes. Në vitin 2014, Shqipëria renditej si vendi i 58 më i mirë në botë për të investuar dhe bërë biznes. Por brenda një viti renditja është përkeqësuar me 11 vende dhe për këtë vit Shqipëria ka rrëshqitur në pozicionin e 69-të. (http://www.forbes.com/best-countries...t/#tab:overall)
Sipas Forbes shkaku kryesor në përkeqësimin e klimës së biznesit është rëndimi i burokracisë qeveritare nga vendi i 35-të në vitin e kaluar në vendin e 49 këtë vit, ndërkohë që treguesit e tjerë nuk kanë shënuar asnjë përmirësim.
Treguesit më problematik
Për Forbes, tre janë treguesit kryesor ku Shqipëria ka një renditje të fortë negative. I pari është inovacioni, për të cilin vendi renditet i 118-i në botë. Më pas është e drejta e pronës, ku Shqipëria renditet në vendin e 114 dhe treguesi i tretë më problematik është barra e rëndë e taksave.
Sipas Forbes 108 vende të tjera në botë i kanë taksat më të ulëta se Shqipëria. Këta janë tre treguesit më problematik të vendit, ndërkohë që edhe korrupsioni shfaqet si një nga pengesat më kryesore të biznesit për të cilin Shqipëria renditet e 99-a në botë.
Renditja
Çdo vit, në dhjetor Forbes publikon listën botërore të vendeve më të mira të për të bërë biznes. Renditja hartohet duke kombinuar disa nga raportet më të njohura ekonomike në botë, çka e bën atë një nga më gjithëpërfshirëset në matjen e klimës së biznesit dhe treguesve ekonomik.
Më konkretisht, për treguesin e barrës tatimore, asaj të mbrojtjes së investitorëve dhe burokracisë, renditja e Forbes bazohet në raportin Doing Business të Bankës Botërore. Për treguesit e lirisë monetare dhe asaj tregtare, klasifikimi merr parasysh Indeksin e Lirisë Ekonomike të Heritage Foundation. Ndërsa renditjen e teknologjisë dhe inovacionit bazohet në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale.
Syri
Krijoni Kontakt