Dekriminalizimi, 19 kriminelët në Parlament, Rama: Nëse nuk i kap ligji, kush mban përgjegjësi?



Në konferencën e fundvitit me gazetarët, shefi i qeverisë Edi Rama është ndaluar gjatë tek ligji për dekriminalizimin.
Duke e cilësuar si më të ashprin në Europë, Rama duket se është çliruar nga akuzat e opozitës për 19 kriminelë deputetë në grupin e mazhorancës.
“Ka një të dhënë që është përdorur kudo, 19 kriminelë në parlament. Kemi ligjin. Në rregull, nëse edhe ky ligj që është më i ashpri në Europë nuk i kap, atëherë kush e mban përgjegjësinë për këtë kriminalizim? Ligji mund të bëhej dhe pa këto lloj shpifjesh. Nëse nuk është shpifje, unë do të duartrokas i pari”.
Por nëse akuzat e opozitës qëndrojnë, përveç duartrokitjes, Rama nuk foli për marrje përgjegjësie.
Lidhur me median, Kryeministri nuk ka ndryshuar qëndrim: “Në botën mediatike shqiptare ka plot këneta”.
“Dhe po më thatë që nuk ka këneta atëherë duhet të shpjegoni që si shpjegohet sasia kaq e madhe e llumit të shpifjeve, të akuzave, të fyerjeve, insinuatave, etj që burojnë nga këto këneta. Gjithsekush është i lirë në këtë vend dhe në një vend të lirë që të bëjë dhe një kënetë, të zhytet dhe vetë në kënetë, të bëjë dhe bretkosën, kjo është liri. Por mos më thoni që bretkosa është soprano se nuk e pranoj dot dhe që këneta është skena e La Skalës” vijoi më tej Rama.

Rama në bashkëbisedim me gazetaren e Ora News

Ora News: Lidhur me dekriminalizimin, ju keni deklaruar se nga muaji janar do të shohim se nga do të anojë peshorja e personave të inkriminuar, në anën e të cilës do të jetë mazhoranca dhe opozita, duke lënë të kuptohet se do të anojë nga e djathta.

Rama: Jo jo nuk kam lënë unë të nënkuptohet asgjë. Unë kam thënë vetëm kaq, është rrokanisur koka e këtij mileti dhe çdo kokë anglishtfolëse, gjermanfolëse, frengjishtfolëse që ka kthyer sytë nga Shqipëria me teorinë që janë 19 kriminelë në parlament. Dakord. Në radhët e shumicës. Këta 19 kriminelët janë një nga arsyet e mëdha pse ne duhet të bëjmë këtë ligj. Shumë mirë. U bë ligji, tani të shohim sepse ka përgjegjësira për këto. Nuk mund të kriminalizosh ti një parlament të tërë, një shoqëri të tërë, vendin tënd, duke bredhur kancelari më kancelari dhe duke thënë janë 19 kriminelë në parlament dhe kjo shifër të jetë gënjeshtër. Nëse kjo del gënjeshtër atëherë ka një përgjegjësi të madhe, nëse kjo del e vërtetë patjetër ka dhe një duartrokitje të fuqishme që edhe unë do ti bashkohem. Ju siguroj. Këtë kam thënë unë. U bë ligji dhe sa për dijeni ne po bëjmë zgjedhje në PS dhe kemi vendosur që parimet dhe normat e këtij ligji të respektohen në përcaktimin e kandidaturave që do të zgjidhen kryetarë të PS, delegatë të Kongresit sepse ne jemi dakord që kjo është një çështje me të cilën partitë dhe shteti duhet të kenë këtë qëndrim. Por kriminalizimi i parlamentit deri në pikën që u kthye Shqipëria në një histori të habitshme sikur në parlament të gjithë ishin të armatosur, të gjithë ishin të pa shkollë, me preçent penal është përgjegjësi shumë e madhe. Dhe ka një të dhënë që është përdorur kudo, 19 kriminelë në parlament. Kemi ligjin. Në rregull, nëse edhe ky ligj që është më i ashpri në Europë nuk i kap, atëherë kush e mban përgjegjësinë për këtë kriminalizim? Ligji mund të bëhej dhe pa këto lloj shpifjesh. Nëse nuk është shpifje, unë do të duartrokas i pari.

Ora News: Po nëse është zoti. Rama, përveç se do të duartrokisni do të merrni mbi supe përgjegjësitë. Ata njerëz aty janë zgjedhur sipas një liste.

Rama:Zonjushë, nëse ka aty apo nuk ka aty le t’ia lëmë janarit, ne këtu prapë jemi mos u mërzisni, nuk ka zgjedhje të parakohshme në janar.

Ora News: Derisa do duartrokisni besoj e keni të lehtë dhe të shpreheni se do mbani përgjegjësi apo jo.

Rama: Për çfarë?

Ora News: Jeni ju në dijeni të një numri lidhur me personat e inkriminuar nga opozita?

Rama: Përgjigjen time e dhashë, pyetjeve me nëse unë i përgjigjem pa i dhënë përgjigje dhe duke ju lënë të kujtoni se çfarë thotë populli për nëse-n.

Ora News: Zoti. Rama dhe një pyetje të fundit, na u drejtuat pak më herët si miq, pak kohë më parë medias i jeni drejtuar si kënetë. Si ka qenë në 2015 media për ju?

Rama: Unë ju drejtova si miq juve dhe ju drejtohem si miq të gjithëve, por kam thënë një të vërtetë të madhe që nëse ju fikni kamerat, fikni mikrofonat dhe flisni me njëri-tjetrin e thoni njësoj si unë ose më keq se unë. Në botën mediatike shqiptare ka plot këneta, nuk kam thënë se është e gjitha kënetë. Kam thënë kënetat mediatike. Dhe po më thatë që nuk ka këneta atëherë duhet të shpjegoni që si shpjegohet sasia kaq e madhe e llumit të shpifjeve, të akuzave, të fyerjeve, insinuatave, etj që burojnë nga këto këneta. Gjithsekush është i lirë në këtë vend dhe në një vend të lirë që të bëjë dhe një kënetë, të zhytet dhe vetë në kënetë, të bëjë dhe bretkosën, kjo është liri. Por mos më thoni që bretkosa është soprano se nuk e pranoj dot dhe që këneta është skena e La Skalës.

ORA NEWS