Racizëm ndaj veriorëve? Baze mbron Ramën, rrjeti shpërthen
Deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga Saranda kanë shkaktuar shumë debat në rrjet.
“Se çdonjëri nga këta ndërtuesit pa leje, jo nga ata që i importoi Saliu nga Alpet, e që i nxorri pronarë në Jon, s’flas për ata. Flas për ata që kanë qenë këtu, për stërnipërit e atyre që ndërtuan Dhërmiun, Vunoin, Himarën, Qeparoin e Vjetër dhe Sarandën. Stërgjyshërit bënë fshatra estetikisht të shkëlqyer. Stërnipërit shkatërruan syrin përveç natyrës”, deklaroi Rama.
Pas tij u përgjigj kreu i opozitës, Lulzim Basha, që i cilësoi si komente raciste këto deklarata.
Analisti Mero Baze shkruan se nuk mund të mbrosh hajdutët sikur janë veriorë.
“Tani që e shikon se Edi Rama po u afrohet me emra dhe harta konkrete pronave të tyre, lëshon kushtrimin e shëmtuar për ndarje jug- veri, duke e quajtur si luftë ndaj disa hajdutëve veriorë që kanë zaptuar bregdetin e jugut. Padiskutim që është luftë, po jo si veriorë, por si hajdutë. Si veriorë thjesht mbeten të zbuluar në lidhjen e tyre me atë që Basha ende ka frikë të shkëputet dhe që është aq krahinor, sa dhe pazaret i bën me “njerëz nga veriu”. Njësoj do të ishte, sikur unë të dilja pronar i një parku në Valbonë, për shkak të lidhjeve me pushtetin, dhe nëse do më turreshin banorët e zonës si hajdut, të mbrohesha duke u thënë “më keni inat se jam nga jugu”.
Jugu dhe bregdeti shqiptar është pasuri e gjithë shqiptarëve dhe aty mund të zhvillojë biznes e turizëm kushdo. Por të përdorsh pushtetin për të zaptuar prona dhe pasuri publike, natyrisht që është një krim që i duhet shkuar deri në fund,” shkruan Baze.
Por në Facebook, disa nga portalet më të njohura si Jeta Osh Qef apo Troll në Shqip ndjehen të prekur nga kjo deklaratë.
Kurse gazetari Patrik Sadikaj shkruan: “Ndjehem kaq shume malesor sa nuk e kisha menduar ndonjehere se isha i tille. Jo se sme ka pelqyer, por sme eshte dashur. Jam ndjere rehat prej 20 vitesh ne Tirane ku nuk kam zaptuar asgje, por jam djersitur qe te punoj e te meritoj te blej nje cope shtepi. Nuk me eshte dashur te mendoj se jam apo jo malok kur kam shkuar gjithe qejf me pushime ne jug. Nuk ka as tani ç’me duhet kjo gje se ne fund te fundit askush nuk ma ka vene re per keq. As ne pune, as ne rruge dhe as ne lagje nuk me idnetifikon askush si i zbritur nga Alpet. Dhe me thene te drejten as une nuk e vras mendjen se nga cili mal i jugut ka zbritur komshiu apo kolegu im. Keshtu qe as sot nuk kam ndermend te shoh gjakun blu te asnjerit qe mendon se duhemi ndare ne mbreterore dhe oborrtare. Jemi shume pak per tu shtresezuar ne topinime. Le te rrime keshtu sic jemi. Bashke. Shqipetare”
MAPO
Krijoni Kontakt