Ministria e Arsimit kthen racizmin në shkolla, veçon fëmijët romë nga të tjerët

Emri:  femije-rome1-1.jpg

Shikime: 301

Madhësia:  35.2 KB

Një skandal ka shpërthyer në shkollat fillore dhe 9-vjeçare të qytetit të Korçës, në të cilin protagonistë janë Ministria e Arsimit dhe fëmijët romë të qytetit, që janë veçuar qëllimisht nga DAR dhe bashkia në 1 apo 2 shkolla, për të mos i integruar me fëmijët e tjerë.

Skandali është bërë publik pas mbështetjes që fëmijët romë të shkollës “Naim Frashëri” kanë marrë sot nga Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili ka vërejtur se një situatë e tillë është edhe në shkollën “Avdyl Avdia”.

Totozani është shprehur se “zona ku është shkolla ka popullsi diverse dhe ankesa ka jo vetëm nga prindërit e shoqata, por edhe nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve. Kolektivizimi është bërë nga DAR dhe nga Bashkia.

Por, është i papranueshëm veçimi fizik i fëmijëve romë, grupimi sëbashku me fëmijët egjiptianë sepse shkolla nuk është segreguese, por gjithpërfshirëse. Në të dyja shkollat në fjalë, politikat arsimore nuk monitorohen nga Ministria e Arsimit dhe për të gjithë këtë problematikë, u janë dhënë rekomandime, institucioneve përkatëse.”

Familjet rome të Korçës, që kanë regjistruar fëmijët në shkollat shtetërore, janë ngritur në këmbë ndaj diskriminimit që po u bëhet fëmijëve dhe nëpërmjet shoqatës së tyre kanë kërkuar zgjidhjen e problemit. Ata thanë se ‘fëmijët tanë duhet të integrohen me gjithë shoqërinë. Nuk duhet ndarje, se ky veprim menjanon fëmijët dhe tregon racizëm ndaj komunitetit tone.”

Më shqetësuese është situata kur vetë fëmijët e shkollës “Naim Frashëri” shprehen se “nuk na pranojnë në shkollat e tjera. Shokët tanë janë vetëm romë dhe egjiptianë.”

Artur Lamolli nga shoqata për të drejtat e romëve ka thënë se ky veçim është “një veprim diskrimninues për romët, racizëm i theksuar, shkelje e të drejtave të fëmijëve dhe përgjegjëse për situatën është vetëm Drejtoria Rajonale Arsimore e Korçës.”


Syri