Si të kalosh makinën në kolaudim duke lënë 4 mijë lekë në kroskot (foto)
Katër mijë lekë në taketuken e makinës dhe e kalon kontrollin teknik, edhe po ke defekte. Kjo është mënyra sesi e kalojnë automjetet kontrollin teknik në qendrën e kontrollit teknik të automjeteve në Laç. Radhët e gjata të automjeteve për kolaudim, por edhe korrupsioni i punonjësve kanë detyruar një grup shoferësh të Laçit që t’i drejtohen emisionit Fiks Fare.
Sipas denoncimit të qytetarëve nga Kurbini, në pikën e kontrollit të automjeteve në këtë rreth, nuk kalon asnjë automjet pa paguar lekë nën dorë punonjësve të kësaj pike, “ Fiks Fare” nisi edhe investigimin.
Fillimisht gazetarët e këtij emisioni biseduan me drejtues të automjeteve të cilët ishin në radhë për të kryer edhe kolaudimin e mjeteve të tyre, ku mësuan sasinë e lekëve që duhej të paguanin për punonjësit e kontrollit të automjeteve dhe vendin se ku duhej të linin lekët.
Sipas drejtuesve të mjeteve që ishin në radhë për t’u kolauduar, për kalimin e një autoveture duhej të linin në taketuken e duhanit ose në afërsi të levës së marshit të makinës, nga 3000 – 5000 lekë, kjo në vartësi të mjeteve që kishim për kolaudim.
Nëse nuk paguhej kjo shumë mjeti nuk kalonte në kolaudim. Sipas drejtuesve të automjeteve kjo pagesë është e pashmangshme. Për të vërtetuar një gjë të tillë gazetarët siguruan një autoveturë, e cila edhe pse nuk ishte në kushte teknike për të lëvizur gazetarët e dërguan automjetin në pikën e kontrollit të mjeteve në Kurbin.
Fillimisht bashkëpuntorët e “Fiks Fare” futen 4000 lekë në taketuken e cigareve në makinë dhe më pas e mbyllën atë, për të mos provokuar punonjësit e pikës së kontrollit.
Më të afruar mjetin pranë pikës së kontrollit, është përgjegjësi i pikës i cili merr mjetin. Me të hyrë brenda në autoveturë, të parën punë që bën kryekontrollori i Qendres Kontrollit te mjeteve Laç, hap kapakun e taketukes së cigareve dhe pasi sigurohet që lekët ishte brenda, tregon edhe kontrollorit të pikës, duke i pohuar se gjithçka ishte në rregull.
Krijoni Kontakt