Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Rama: Kam qenë prezent në meshën e parë në Shkodër. Besimtarët: Gënjen!

    "Demokracia lindi më 4 nëntor e pishtar i saj Dom Simon Jubani"

    Është përkujtuar këtë të mërkurë në Shkodër, në një ceremoni të veçantë në varrezat katolike të këtij qyteti, 25- vjetori i mbajtjes së meshës së parë pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e cila u kremtua nga Dom Simoni.

    I pranishëm në këtë përkujtimore Kryeministri Edi Rama është shprehur se këto varreza, të cilat i cilëson si stacione të kishës në historinë e kulturës, artit dhe aspektit shpirtëror janë një pjesë, pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbiste kuptimin.

    “Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shoqëruar fjalën e Dom Simonit, ka qenë momenti i parë për të gjithë ata që ishin këtu, i çlirimit nga ankthi dhe i përjetimit të së vërtetës se e shkuara ishte tretur në të shkuarën dhe se e ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave. Fjalët e para liturgjike të belbëzuara nga Dom Simoni teksa niste meshën e parë në Shqipërinë treguan se atë ditë këtu rilindi Zoti," tha Rama.

    Në fjalën e tij Rama tha se historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri, filloi pikërisht në ditën kur u mbajt mesha e parë nga Dom Simoni.

    "Në këto varreza dhe në këtë tempull kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë u bë tharmi i emancipimit të një kombi të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi kohët pas meshës së 4 nëntorit. Historia mund të shkruhet gjithsesi dhe sidoqoftë mbi historinë ata që e jetojnë kanë këndvështrime të ndryshme, por unë besoj se historia e madhe e ndryshimit në Shqipëri filloi atë ditë këtu dhe pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani. Cfarë ndodhi në fund të atij viti këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër përvecse këtu. Ky vend nuk është i paqtë se është një varrezë por shumë më tepër se kaq, një kopësht shpirtëror dhe një lëndinë për lutje për paqe dhe shpresë," u shpreh kreu i qeverisë.

    E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe personalitete të larta të politikës, komuniteteve fetare, artit e kulturës, si dhe drejtues të pushtetit lokal.

    Fjala e Kryeministrit Edi Rama

    Rasti e deshi që unë të vij këtu, sot, si Kryeministër. Por do të isha këtu, sot, edhe nëse nuk do të isha Kryeministër. Si njëri prej atyre 300 vetëve që në 4 nëntor të 25 viteve më parë kam qenë këtu. Kam qenë këtu, bashkë me disa miq. Jemi nisur shumë herët me tren nga Tirana, pasi na kishte mbërritur fjala që Dom Simoni i madh do të bënte një meshë. Dhe nëse nuk do të kisha qenë këtu, bashkë me 300 vetë të tjerë që janë dëshmitarë të asaj dite, nuk do të kisha pasur kurajën që të kujtoja një moment të asaj meshe, sepse me siguri do të më merrnin për të marrë.

    Kujtoj se atë ditë ka qenë një kohë shumë e vrenjtur, krejtësisht e mbuluar kjo varrezë nga retë, rrethuar matanë rrugës së hyrjes nga njerëz të sigurimit dhe policisë së asaj kohe dhe pikërisht gjatë fjalës së Dom Simonit është hapur qielli dhe një rreze drite ka rënë mbi këto varreza. Ka qenë një moment i paharrueshëm dhe rrezja e dritës që çau qiellin për të shoqëruar fjalën e Don Simonit ka qenë momenti i parë, besoj unë, për të gjithë ata që ishin këtu, i çlirimit nga ankthi dhe i një përjetimi të jashtëzakonshëm të së vërtetës se e shkuara ishte tretur në të shkuar dhe se e ardhmja sapo kishte filluar të merrte frymë, këtu, në këtë tokë të bekuar të këtyre varrezave.

    “Do të ngjitem drejt altarit të tënd Zot, të Zotit që lumnon rininë time.” Të dashur miq, këto janë fjalët që çelin në latinishten e katakombeve, Psalmin 42, mjeshtërisht të përkthyer nga hebraishtja prej Shën Jeronimit nga Iliria, në shekullin e 4-rt dhe janë fjalët e para liturgjike që belbëzoi i paharruari Dom Simon Jubani, tek nisi të belbëzonte në një altar të improvizuar, por me një solemnitet të pakrahasueshëm me asnjë nga meshat solemne, meshën e parë në Shqipërinë, ku atë ditë këtu, rilindi Zoti.
    25 vjet na ndajnë me atë ditë, pothuajse po aq sa ditë e ndanin nga viti i mbrapshtë 1967, gjatë të cilit, kujton At Zef Pllumi, meshtarët fshihnin nën altare, jo armët që trumbetonin nga propaganda e errësirës, por paramentet dhe enët e shenjta të kultit, për t'i ruajtur nga përdhosja e barbarisë.

    Me ato paramente të mrekullueshëm, që të kujtojnë portretet mbresëlënëse të Shën Injacit të Lojolës, apo të Shën Philip Nerit, të veshur me pavdekësinë e piktorëve më të mëdhenj të Rilindjes, u shfaq në 4 nëntor të vitit 1990, këtu, në këto varreza, figura e Dom Simon Jubanit.

    Me të dhe së bashku me një popull të dendur dhe të mbledhur grusht njeri pas tjetrit, si për të përballuar ankthin e momentit të parë, por të bashkuar në etjen për lirinë e ndërgjegjes u rishfaq dhe forca e shembullit si ngadhënjim mbi shembullin e forcës, e cila për 45 vjet iu imponua këtij populli si i vetmi besim për t'u adhuruar.
    Brenda këtyre mureve ndodhi një nga ato dukuri të rralla shpirtërore dhe morale, të cilat ne shqiptarët, për fatin tonë të mirë apo të keq, dukemi të destinuar t'i përjetojmë në forma jo të zakonshme dhe po ashtu, duke përjetuar në kohë në dukje të zakonshme, të përjetojmë ndjesira që i kanë përjetuar njerëzit shumë e shumë kohë më parë.
    Sikundër gjatë meshës së shenjtë ripërtërihet në altar sakrifica përtej kohe e Krishtit mbi Kryq, atë që vetë Niçja e cilësonte si imazhin më sublim të njerëzimit, po ashtu si jashtë çdo parametri kohor u ripërtërit duke filluar nga këtu, në të gjithë Shqipërinë, një histori martirizimi unike, jo vetëm e një kishe por e gjithë një besimi dhe jo e një besimi të vetëm, por një vetëdije bashkëjetese rreth misterit të jetës dhe intimitetit të ndërgjegjes.

    Sikundër krishtërimi në totalitarizmin perandorak, lindi në Europë, në katakombe, duke lëvruar farën e emancipimit dhe të lirisë së ndërgjegjes, po ashtu në këto varreza në këtë tempull, nën qiellin e hapur të Rrmajit, kisha nëpërmjet fjalës dhe liturgjisë, pedagoge të shpirtit u bë tharmi i emancipimit të një populli të tërë drejt lirisë dhe vetëvendosjes që pasoi në kohët pas meshës së 4 nëntorit.

    Historia mund të shkruhet gjithsesi dhe sidoqoftë mbi historinë ata, të cilët e jetojnë kanë këndvështrime të ndryshme. Por unë hyj tek ata, që besoj se historia e ndryshimit të madh në Shqipëri, filloi atë ditë, këtu, dhe se pararendësi i parë i saj ishte Dom Simon Jubani.

    Në imazhe dhe në simbole që janë ekonomia e fjalëve të pathëna dhe të pashqiptueshme , për nga forca që mbartin, çfarë ndodhi në fund të vitit ’90 në nëntor këtu, nuk mund të ndodhte askund tjetër përveçse këtu. Ky vend nuk është i paqtë dhe i amëshuar sepse është një varreze. Ky vend është shumë më tepër sesa një varrezë. Ky vend është një kopsht shpirtëror dhe një lëndinë jo për vaje, por për lutje në paqe dhe me shpresë.

    Kapela, më në fund lumturisht e restauruar, falë përkushtimit në radhë të parë të Dioqezës së Shkodrës, punës së admirueshme të famullitarit Dom Artur Jakut, besnikërisë së diasporës shqiptare ne Amerikë, ku edhe ne patëm nderim e madh t’i japim një dorë, mban në kornizën e arkitraut të saj, fillimin e lutjes së përbotshme të rekuiemit: “Jepjau Zot, pushimin e pasosun”.

    Me stilin e saj palladian e neoklasik, me kubenë diskrete dhe kolonat e hijshme toskane, kapela, e konceptuar nga një tjetër shkodran, Ludovik Zojzi, dishepull i At Gjergj Fishtës, përvizohet nga një harmoni dhe gjeometri estetike që i jep Rrmajit trajtat unike dhe për hir të vërtetës, në gjithë tërësinë e pasurisë së paluajtshme të kishës sonë nuk e ka një të dytë në Shqipëri, nuk ngjan me asgjë tjetër.

    Çdo monument këtu në fushën e varrezave është më shumë sesa varri i dikujt, është si një stacion në historinë e kishës, në historinë e kulturës, në historinë e arteve dhe në historinë shpirtërore të Shkodrës, që është padyshim jo pjesë, por një pjesë pa të cilën historia e Shqipërisë do të humbte kuptimin. Qoftë varri i njerëzve me famë si Kol Idromeni, Hil Mosi, si Pjetër Marubi e Preng Jakova, qoftë ai i familjeve të fisme shkodrane të Sumajve, Shirokajve, Jubanëve dhe deri tek varret e personave të panjohur kanë të gjitha sëbashku, një emërues, që është ai i kësaj lëndine shpirtërore, bëhen shoqi-shoq të barabartë në dinjitet me princër të kishës si ipeshkvi Karl Poten, Lazër Mjeda dhe Gaspër Thaçi.

    I ndjeri dhe i paharruari Kol Kasmi, pinjolli i një prej familjeve më të shquar patrice të Shkodrës, brez pas brezi djep pas djepi klerikësh, prelatësh, diplomatësh, me zgjuari të pashoqe e mblodhi në këtë gjeometri kulture, një justifikim që është historik, që ia vendosi në tavolinë Enver Hoxhës, duke arritur ta ruajë të paprekur arkitekturën mbresëlënëse dhe çdo cep të kësaj varreze. Duke e ruajtur gati si monument kulture varrezën e Rrmajit, ai bëri që diktatura, e verbuar në tërbimin e vet kundër fesë, kundër besimit e besimtarëve, të bëhej padashje dhe pa e kuptuar mbrojtësja e kësaj pasurie, duke lënë pas dëshminë më therëse të barbarisë së saj.
    Parafytyroni, nëse në atë orgji të pashembullt zjarri e hekuri, gjaku e flakësh, ku u hodhën në erë me dinamit 2000 e disa qindra kisha e kapela romane në Shqipëri, ku u dogjën rrugëve mbi 300 mijë libra fetarë dhevepra të artit fetar, të ishte fshirë edhe ky truall, të ishte bërë rrafsh. Një rrafsh mbi të cilin, ajo çka e bëri legjendare meshën e 4 nëntorit do të ishte e pamundur.

    Ne jemi shumë me fat që sot jemi këtu dhe në rrugëtimin për të hyrë në këtë shesh, janë aty të gjithë ata, të cilët janë në rrugën e lumturimit dhe të shenjtërimit dhe që për shkak të asaj barbarie e kanë vendosur Shqipërinë, këtë vend kaq të vogël, në krye të listës së të gjithë vendeve të botës së krishterë për numrin e martirëve. Dhe kur? Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar!

    Më lejoni që t’ju them se ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka kemi në dorë, me mundësitë modeste, për të ndihmuar komunitetet e besimeve, që t’i rifitojnë qoftë në hijeshi, siç ka rifituar ky komunitet këtë kapelë, qoftë edhe në fakt të gjitha pasuritë që kemi trashëguar. Ky nuk është një promovim për kultet, nuk është një financim publik i një kulti. Këtu bëhet fjalë për diçka që e thotë në mënyrën më të shkëlqyer, një tribunë e publikuar në gazetën londineze The Times, në 6 korrik 1971, katër vjet pas ndalimit të fesë në Shqipëri dhe që mban firmën e emrave më të shquar të artit e të letrave të asaj kohe, shumë pak nga të cilët ishin katolikë; Vladimir Ashkenazy, Agatha Christie, Yehudi Menuhin, Robert Graves, Jorge Luis Borges, Cristina Campos, Giorgio De Chirico, Carl Theodore Dreyer, Benjamin Britten, Kenneth Clark, Lord Acton. Dhe dua ta citoj se çfarë shkruajnë në reagim të saj që ndodhi edhe këtu dhe që vinte në mbrojtje të asaj meshe që celebroi në latinisht Dom Simon Jubani, në vijimësi të pandërprerë me meshën e celebruar shekuj më parë prej Pal Ëngjëllit dhe Ndre Mjedës më pas, Marin Barletit dhe Gjergj Fishtës në kohë të ndryshme, Shtjefën Gjeçovit dhe Vinçens Prenushit, Pjetër Bogdanit e Luigj Bumçit. Ja çfarë thotë:

    “Mesha katolike nuk ka frymëzuar vetëm mistikët, por edhe poetët, filozofët, muzikantët, arkitektët, piktorët dhe skulptorët në çdo vend e në çdo epokë. Prandaj ky rit i përket jo vetëm klerikëve katolikë dhe besimtarëve, por gjithë kulturës së përbotshme në civilizimin materialist dhe teknokratik në të cilin jetojmë, që i kanoset përditë e më shumë inteligjencës dhe jetës së shpirtit në shprehjen e saj krijuese më fillestare, fjala dhe veprat, do të ishte çnjerëzore të privohej njeriu nga kjo formë shprehjeje, pra, nga riti katolik që është një nga shfaqet më madhështorë të natyrës poetike të vetë njeriut.”

    Shqiptarja

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama: Kam qenë prezent në meshën e parë katolike në Shkodër. Besimtarët: Gënjen!


  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama: Kam qenë prezent në meshën e parë në Shkodër. Besimtarët: Gënjen!

    Dëshmitari i meshës së 4 nëntorit: Rama gënjeu, nuk ishte aty

    Zef Gjoni, një prej dëshmitarëve të meshës së 4 nëntorit 1990 në varrezat e Rrmajit në Shkodër, hedh poshtë deklarimet e Kryeministrit Edi Rama se ai ka qenë atë ditë i pranishëm.

    Emri:  ZEF-GJONI.jpg

Shikime: 275

Madhësia:  39.2 KB
    Zef Gjoni duke folur për “Panorama”

    Gjoni deklaron se nuk është e vërtetë se Rama ka qenë më 4 nëntor, ndërsa thotë se Kryeministri mund ta ngatërrojë me meshën e madhe të 11 nëntorit 1990. Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Zef Gjoni, sot trajneri i skuadrës së Vllaznisë në boks, tregon me detaje se si Dom Simoni mbajti meshën e fshehtë në varreza dhe si qëndroi i fshehur 1 javë deri në meshën e madhe, kur ishin të pranishëm 50 mijë veta.

    Zoti Gjoni, e kujtoni Kryeministrin më 4 nëntor të 25 viteve më parë në meshën e mbajtur në varreza?
    Jo, më 4 nëntor Edi Rama nuk ka qenë në varrezat e Rr’majit sepse për atë meshë nuk e ka ditur askush, pasi ka qenë pothuajse tërësisht rastësore. Unë nuk gënjej.

    Kryeministri tha një ditë më parë në fjalën e tij se ka qenë një ndër personat që morën pjesë në meshën e parë katolike. Pse ndodhi kjo sipas jush?
    Ndoshta e ka ngatërruar. Ai më ka thënë mua se ka qenë më 11 nëntor kur është bërë mesha e madhe, por me 4 jo. Unë doja t’i thosha se më 4 nuk ke qenë, por nuk munda të flas me të pas fjalës që mbajti. Më 4 nëntor ka qenë e improvizuar rastësisht, sepse ka qenë dita e purgatorit dhe ka ardhur Dom Simon Jubani i vetëm.

    Rama tha që ka qenë aty mes 300 personave?
    Jo, jo. Si fillim, njëherë nuk kanë qenë 300 persona, mund të kenë qenë atë ditë 50-60 veta dhe jo më shumë. Ka qenë një ditë e zakonshme ku pak persona kanë qenë në varreza. Nuk kanë qenë 300 veta dhe nuk ka qenë as Edi Rama, se nuk ka pasur nga ta dijë sepse nuk e kemi ditur as ne vetë se do të vijë Dom Simoni për t’u lutur e për të mbajtur meshë. Një ditë kur ta takoj do t’i them Ramës që më 4 nëntor nuk ke qenë aty.

    Ka ardhur herë të tjera Rama apo vetëm më 11 nëntor?
    Ka ardhur në varrimin e Dom Simon Jubanit kur ka qenë kryetar i PS për të respektuar Dom Simonin.

    Ju si e kujtoni atë ditë, 4 nëntorin 1990?

    Emri:  zef-gjoni-edi-rama.jpg

Shikime: 243

Madhësia:  34.2 KB

    Zef Gjoni duke u takuar me Kryeministrin Rama para fjalës në varrezat katolike
    Ka qenë diçka e papritur për të gjithë ne. Nuk kemi pasur dijeni. Unë kam qenë diku në qytet, duke ndenjur me Marin Shestanin dhe Tonin Marin. Kemi dëgjuar fjalë personash atë ditë se në varrezat e Rrmajit do të vinte një prift. Unë Dom Simon Jubanin e kam njohur përmes vëllait tim, Ndoc Gjonit, me të cilin ka bërë 10 vite në burgun e Burrelit dhe aty vëllai im ka mësuar italishten nga Dom Simoni. Kur dëgjuam se do të vijë një prift, kemi shkuar te varrezat. Kur ka ardhur Dom Simoni, e kemi njohur dhe i jemi afruar te kisha e varrezave. Aty ka kërkuar një tavolinë. Mark Marana, shoferi i ambulancës që kishte shtëpinë afër, ka shkuar dhe ka marrë tavolinën. Kur e kanë parë se ka ardhur u mblodhën njerëzit që ishin ndër varreza. Dom Simoni ndezi një qiri dhe ka mbajtur një meshë të improvizuar krejt rastësisht për shpirtrat e njerëzve.

    Si u lidhët ju me Dom Simon Jubanin?
    Dom Simoni mori të largohej bashkë me një burrë të vjetër pas meshës së 4 nëntorit. Unë e kam ndaluar dhe i kam thënë se jam vëllai i Ndoc Gjonit. Aty më njohu pastaj. Në ato momente më tha se pas një jave do kremtojmë meshën e madhe, ndaj merrni masat për t’u organizuar. Janë angazhuar familja Temali, Bardeli, Çekini, Sermi, Livadhi, Lekajve, Kaceri dhe disa të tjera, që u kërkoj falje se mund t’i kem harruar. Pasi jemi mbledhur, ka filluar puna. Kemi pasur një ndihmë shumë të madhe nga myslimanët, duke nisur që nga Murat Lekniqi, Ibrahim Bilali, Dush Lluja, Eljaz Guri e shumë të tjerë. Na kanë ndenjur gati me çdo gjë.

    Si ia dolët duke marrë parasysh që sistemi nuk kishte rënë ende?
    Ne organizatorëve, mua, Rrok Bardelin, Tonin Temalin, Kolë Çekinin, Kolë Begen, Kolec Sermin e ndonjë tjetër na kanë thirrur disa herë për të shkuar në hetuesi ato ditë dhe për t’u marrë në pyetje, por nuk kemi pranuar asnjëri prej nesh. Ishim të vendosur. Vinte policia shpesh në shtëpitë tona, por nuk na gjenin. Ne kemi lëvizur gjatë gjithë kohës dhe nuk kanë mundur që të na kapnin.

    Ku keni ndenjur nga data 4 deri më 11 nëntor 1990?
    Edhe në varreza. Pjesën më të madhe kemi fjetur në varreza. Kemi ndezur zjarre, sepse ka qenë ftohtë. Zona ku ishin vagonët e stacionit të trenit, ka qenë e rrethuar me gardh e tela me gjemba. Ne ishim përgatitur me të gjitha mundësitë tona për të rezistuar. Ne ishim të vendosur për të mos u ndalur. Si grup organizator kemi qenë rreth 10-15 veta dhe dëgjoheshin më të mëdhenjtë dhe kishte mirëkuptim dhe afrimitet mes nesh. Nuk kishim organizator ndonjë intelektual, por ishim ne të rinjtë, me vendosmërinë tonë që ia arritëm qëllimit.

    Ku është fshehur për 1 javë Dom Simon Jubani?
    Dom Simoni ka lëvizur në shumë shtëpi. Tri netët e fundit ka ndenjur në një shtëpi në lagjen “Kiras” (periferi e Shkodrës) te një familje katolike malësorësh. Djali i shtëpisë vinte dhe kontaktonte me ne. Na thoshte ky djali që Dom Simoni ka thënë që të mos vini te shtëpia ku jam se mos ju ndjekin Sigurimi dhe kishte frikë se zbulohej se ku qëndronte. Ditën e fundit, pra më 11 nëntor 1990, kam shkuar unë bashkë me atë djalin e shtëpisë dhe e kam marrë. Kam shkuar te taksitë e qytetit. I kam thënë Dolf Guraziut për të shkuar dhe për të marrë Dom Simonin. Më tha mos më vër në pozitë se më heqin nga puna. I thashë që ti do të vish. Më tha shko e merr një kupon gjoja për të shkuar te materniteti. Kam prerë kuponin dhe më pas ka ardhur me mua. Kemi marrë Dom Simonin atje ku qëndronte dhe kemi ardhur deri në lagjen “Rus”. Aty Dolfi tha se nuk mund të ecë më. Jemi ulur. Unë kam dërguar atë djalin e ri te varrezat për të marrë të tjerët, sepse vendi ishte i rrethuar dhe kishim frikën e ndonjë spiuni. Dom Simoni u shqetësua pak sepse e kisha marrë herët, rreth orës 10:00, ndërkohë që mesha ishte në 12:00. Kemi qenë më shumë se 1 kilometër larg nga varrezat. Pastaj kanë ardhur një grup prej afro 100 të rinjsh. Kemi futur Dom Simonin në mes dhe të gjithë bashkë kemi ecur.

    Po sikur t’i ndodhte diçka Dom Simonit, si do t’ia bënit?
    Kishim një prift, si të them rezervë, Robert Ashta. Nuk ishte i njohur, por për çdo rast e kishim të gatshëm atë. Kur kemi shkuar te varrezat e Rrmajit kanë qenë shumë pak veta dhe Dom Simoni nuk ishte shumë entuziast, sepse thoshte pse më keni thirrë kaq herët. Pastaj u mor me punët e veta. Thoshte ku i kam rrobat. I kishte sjellë Fred Baba sepse kishte pasur në shtëpi mantelin e At Zef Pllumit dhe atë ditë, më 11 nëntor, ka veshur atë mantel të At Zef Pllumit, sepse nuk kishte tjetër. Më pas filloi duke u mbushur vendi.

    Si ka mundësi që për dy orë, nga 10:00 deri në 12:00, janë mbledhur 50 mijë persona?
    Është ditur se në orën 12:00 do të kremtohej mesha e madhe dhe njerëzit e kanë ditur. Kanë qenë të bllokuar të gjitha rrugët, të gjithë autobusët që shkonin në fshatra. Njerëzit kanë ardhur në këmbë sepse nuk kanë pasur se me çfarë të vinin. Më pas ka kremtuar meshën e parë të madhe, e cila bëri historinë e Shqipërisë.

    SENAD NIKSHIQI

    Panorama

  4. #4
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: Rama: Kam qenë prezent në meshën e parë në Shkodër. Besimtarët: Gënjen!

    Mitomania na qenkerka semundje rilindaxhinjsh. Me kete rastin e fundit nuk po e kuptojme, a e ka infektuar Rama Vilajetin e bashkise apo eshte e kunderta?!
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Rama: Kam qenë prezent në meshën e parë në Shkodër. Besimtarët: Gënjen!

    Mos ia vini re shokut Rama keto qe thote se i ka hipur ne koke te shkretit, qe ti mbushi mendjen vetes e botes se ai eshte "katolik i vjeter". Dhe trillon historira si keto, apo historira si ato te "gjyshes katolike nga Himara qe i shkruante letra Papes se Romes".

    Lum komuniteti katolik i Shqiperise qe krenohet me nje kryeminister si Edi Rama qe i genjen ne mes te Kishes se tyre e ne mes te dites e sy per sy!

    Albo

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •