Nuk kanë ndërmend të kthehen në Shqipëri!
Para disa kohësh u përhap fjala se ishte Holanda që ofronte një mundësi për shqiptarët.
Spekulimi, por edhe vendimi i shqiptarëve për të mos u kthyer në Shqipëri kur refuzohen nga Gjermania, ka bërë që shqiptarët të vërshojnë drejt Holandës.
Këtë e bën të ditur Balkan Insight.
Qindra shqiptarë i janë drejtuar Holandës.
Agimi, 44 vjeç, nga Lezha, i tha BIRN se Holanda është vendi i dytë ku ka aplikuar për azil.
“Kam aplikuar më parë në Gjermani. Më refuzuan mua dhe familjen dhe na thanë të ktheheshim në Shqipëri. Por nuk kthehem kurrë në Shqipëri, prandaj kam vendosur të tentoj në Holandë”.
Arifi nga Elbasani thotë se po ashtu nuk do të kthehet në Shqipëri.
“Qeveria shqiptare na e ka bërë jetën të vështirë. A duhet të paguaj në fillim faturën e energjisë apo të ushqej fëmijët e mi? Nuk mundem, m’u desh të ikja”.
E gjithë kjo situatë ka bërë që Ministri i Drejtësisë i Holandës, Klaas Dijkhoff të bëjë thirrje për qytetarët e Ballkanit që të mos shkojnë në Holandë.
Ai tha se Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë shtuar në listën e vendeve të sigurta të Holandës.
Kjo do të thotë se askush nuk mund të përfitojë azil.
Dijkhoff tha se shpreson se kjo do i ndalojë ballkanasit që të vijnë në Holandë.
Javën e shkuar në Holandë mbërritën 1700 azilkërkues, ndërsa numri pritet të rritet nga java në javë.
MAPO
Krijoni Kontakt