Raporti i BB, Të bërit biznes, Shqipëria pëson ulje, humbet 35 vende nga viti i kaluar
Klima e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2016 ka humbur 35 vende.
Raporti i fundit i Bankës Botërore thekson se negativisht në klimën e të bërit biznes ka ndikuar sidomos mungesa e furnizimit me energji elektrike dhe vështirësitë në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe pagesa e më shumë taksave për kompanitë si pasojë e rritjes së nivelit të taksës mbi të ardhurat për kompanitë.
Kjo bëri që Shqipëria të renditet në vendin e 97 nga vendi i 62 që ishte një vit më parë.
Furnizimi me energji dhe transparenca me tarifat e energjisë shkaktoi humbjen e 7 vendeve për Shqipërinë.
Ndërsa përsa i përket lejeve të ndërtimit sipas raportit të Bankës Botërorre Shqipëria e bëri më të vështirë marrjen e lejes së ndërtimit duke pezulluar lëshimin e lejeve të ndërtimit.
Renditja e Shqipërisë gjithashtu është e lidhur edhe me një ritëm më të shpejtë reformash në vende të tjera.
Pavarësisht përkeqësimit të klimës së biznesit vendi ynë ka bërë edhe disa përmirësime në forcimin e mbrojtjes së investimeve të pakicave, duke paraqitur kërkesa ligjore për publikimin e menjëhershëm të transaksioneve.
Po ashtu raporti vlerëson se Shqipëria ka lehtësuar eksportin ndërkufitar duke zbatuar një sistem elektronik inspektimi që ka shkrtuar kohën e procedurave që kryhen në kufi.
Kosova ka shënuar rritje në klasifikimin e Bankës Botërore duke u radhitur e 66 duke e kaluar Shqipërinë përsa i përket klimës së biznesit.
Sipas vlerësimit të BB-së Kosova është vlerësuar për përparimin që ka arritur me lehtësimin e pagimit të taksave për kompanitë duke eliminuar tarifën vjetore për liçensën e biznesit.
Nga vendet e rajonit më mirë pozicionohet Maqedonia, për të cilën BB vlerëson reformat e ndërmarra për lehtësimin e të bërit biznes.
ORA NEWS
Krijoni Kontakt