Tani mbetet vetem te propozohet "shkrirja" e postit te presidentit, keshtu kryeministri mund te quhet mbret dhe nga republike kalohet ne nje mbreteri sic ka qene...tani qe pritet dhe pasardhes ...
Projektligji i ri: Ushtria, Qeveria i heq kompetencat Nishanit
Zbardhet projektligji i ri i hartuar nga Qeveria. Presidentit i hiqen 11 kompetenca për emërimin e gjeneralëve, i jepen Kryeministrit.
Ministria e Mbrojtjes bën gati projektligjin e ri për drejtimin e Forcave të Armatosura, të cilin pritet ta paraqesë së shpejti në qeveri.
Gazeta 'panorama" ka siguruar një kopje të këtij projektligji me 27 nene, së bashku me relacionin që i bashkëngjitet dhe boton sot ndryshimet në dy nenet kryesore të tij, që kanë të bëjnë me kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit.
Drafti
Sipas këtij projektligji, kreut të shtetit, i cili është njëkohësisht edhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, i hiqen 11 kompetenca, tri prej të cilave i jepen Kryeministrit. Kështu, në nenin 12 të këtij drafti, renditen përgjegjësitë që ka Kryeministri. Në pikën ‘c’ të këtij neni thuhet “Kryeministri ka këto detyra dhe përgjegjësi: emëron dhe liron nga detyra, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, përveç atyre të përcaktuara në shkronjën ‘c’ të pikës 3 të nenit 9 të këtij ligji”. Në ligjin e vitit 2004, të drejtën për të emëruar dhe liruar nga detyra oficerët me grada madhore e ka Presidenti. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë do të ketë të drejtën të miratojë me propozim të ministrit të Mbrojtjes planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje, kompetencë që aktualisht e ka kreu i shtetit. Kompetenca e tretë që merr Kryeministri Rama dhe që deri në miratimin e ligjit e ka Presidenti Nishani, është e drejta për të nxjerrë në lirim ose në rezervë oficerët me grada madhore me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë nen, Ministria e Mbrojtjes i ka dhënë edhe një kompetencë tjetër kreut të qeverisë", publikon Panorama pjese nga drafti.
Propozimi
Dekretet e gjeneralëve, brenda 30 ditëve Projektligji i ri i qeverisë i vendos afate konkrete Presidentit për dekretimin e propozimeve që vijnë nga ministri i Mbrojtjes dhe Kryeministri për pozicionet e larta në Forcat e Armatosura. Kreu i shtetit, në cilësinë e komandantit të Përgjithshëm të këtyre Forcave, do të ketë 30 ditë kohë për të dekretuar ose rrëzuar propozimet për gjeneralët, shefin e Shtabit dhe komandantët e Forcave Tokësore, Detare e Ajrore. “Në rastet e përcaktuara në shkronjat “a” (Presidenti jep gradat madhore me propozim të ministrit të Mbrojtjes), “b” (Presidenti emëron, gradon, liron nga detyra dhe nxjerr në rezervë ose në lirim me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit) dhe “c” (Presidenti emëron dhe liron nga detyra me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore), të pikës 3 të këtij neni, Presidenti i Republikës shprehet brenda 30 ditëve kalendarike nga paraqitja e propozimeve, duke miratuar ose refuzuar propozimin. Refuzimi në çdo rast bëhet i motivuar”, thuhet në pikën 5 të nenit të projektligjit të propozuar nga ministrja Kodheli.
“Kryeministri, përgjegjës para Presidentit”
Në relacionin e ministres së Mbrojtjes thuhet se kreu i qeverisë do të jetë përgjegjës para kreut të shtetit dhe Parlamentit për drejtimin e Ushtrisë në kohë paqeje. Kreu i qeverisë ka të drejtë gjithashtu t’i propozojë Presidentit emërimin dhe shkarkimin e shefit të Shtabit. “Kryeministri, sipas hierarkisë së dhënë në projektligj, është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje. Kompetencat kanë të bëjnë kryesisht me propozimin te Presidenti i Republikës të emërimit, gradimit, lirimit nga detyra, nxjerrjes në rezervë apo lirim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, thuhet në relacion.
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt