Mallkimi i karroatrecit, si vuajnë shoferët që u merret makina

“Do bëjmë shtet!”. Kjo është fjalia qeveritare përkrahëse e çdo aksioni që po ndërmerret kohët e fundit. Por bërja e shtetit funksionon vetëm në rastet e pagesave nga qytetari. Ja si i përgjigjet shteti qytetarit në shërbimet e veta.

Emri:  karoatrec.jpg

Shikime: 303

Madhësia:  42.7 KB

Kush e ka provuar marrjen nga policia të makinës me karroatrec është i qartë. Mallkim më të madh nuk ka, jo më shumë nga kosto e pagesave të gjobave dhe shërbimeve, por nga koha dhe zvarritja tallëse që bën policia me të gjithë shoferët. Ja kalvari.

Kur të marrin makinën me karroatrec, frika e parë është se ta kanë vjedhur. Pas telefonatës me policinë, me zemër të ngrirë, qetësohesh. Makinën ta ka marrë policia dhe e ka dërguar në fshatin Arbanë të Tiranës, ku është pika private e grumbullimit. Po në fakt s’ka asgjë për t’u qetësuar. Pas telefonatës me policinë nga vendi ku të kanë marrë makinën p.sh.: në qendër të Tiranës, do të duhet të gjesh një mjet tjetër ose taksi, ose të marrësh autobusin dhe të shkosh në Arbanë.

Në pikën e grumbullimit të mjeteve duhet të identifikosh makinën tënde dhe të marrësh dokumentet. (Shumica dërrmuese e shoferëve i mbajnë në makinë, patentë, leje qarkullimi, siguracion dhe certifikatën e kontrollit teknik). Pika e grumbullimit është një ambient i rrethuar me tulla betoni, nga ato që u përdorën për të ngritur shtëpitë e legalizuara, me rrugë me çakëll, e amortizuar. Me dokumentet në duar drejtohesh për te zyrat e Policisë Rrugore. Në Kinostudio. Në cepin e kundërt të Tiranës.

Prapë, me taksi, një mik me makinë, ose autobus. Në Kinostudio, nis seriali i radhëve. Në derën e madhe prej hekuri të komisariatit, ku presin me dhjetëra të tjerë, interesohesh për procedurën. Polici të thotë se duhet të presësh në radhë për t’u futur brenda komisariatit, në zyrën e Kartotekës. Por…, para këtij hapi, duhet të bësh një fotokopje të të gjithë dokumenteve.

Shërbim që nuk ofrohet nga shteti, por nga privati. Me dokumentet e fotokopjuara dhe pas radhës arrin të futesh brenda oborrit të komisariatit, te një sportel ku punon vetëm një punonjës. Sërish në radhë me të tjetër që ka pasur fatin tënd atë ditë. Pasi të vjen radha, dorëzon dokumentet, dhe pret me shpresë se ky do të jetë fundi. Jo. Sportelistja e vetmuar e Kartotekës,shikon dokumentet, kontrollon targën për detyrime të tjera, apo gjoba të tjera të papaguara.

Në rast se ke të tilla detyrime, kalvari fillon nga fillimi. Në rast se s’ke, atëherë Kartoteka të kthen dokumentet bashkë me një letër shtesë dhe me fjalinë: Tani duhet të ngjitesh në kat të dytë te financa. Në katin e dytë, rifillon sërish radha, prapë me të gjithë bashkëvuajtësit e ditës pa fat. Arrin të futesh me shpresën se është zyra e fundit, por prapë je pa fat. Financierja, pasi shikon dokumentet, të jep dy fatura. Njëra është tarifa e karroatrecit, 4 mijë lekë dhe tjetra tarifa e parkimit për pikën e bllokimit, ajo e largëta në Arbanë, 500 lekë. Tarifa më e lartë në republikë.

Edhe në qendër të kryeqytetit, krahas Kryeministrisë dhe Kuvendit, nuk ka një tarifë të tillë parkimi. Ti fut dorën në xhep të bësh pagesën, por prapë s’ke fat. Financiarja të thotë se pagesat bëhen në bankë dhe bankë brenda në komisariatit nuk ka. Me faturat në duar del jashtë. Gjen një bankë dhe bën pagesën, por me komision. Se edhe banka do të fitojë. Me shumë mundësi, në sportelin e bankës je në radhë sërish me bashkëvuajtësit e derës së hekurit të komisariatit.

Pas radhës, merr mandatin e bankës dhe drejtohesh te dera e hekurit e komisariatit. Pret radhën, shkon në kat të dytë te zyra e financës. Pret prapë radhën dhe tregon dy mandatpagesat. Mendon, “dreqi ta hajë, kjo do të jetë ndalesa e fundit!”. Por jo. Dreqi s’ka të ngopur. Nga zyra e financës të japin një copë tjetër letre, të cilën duhet ta dorëzosh te Kartoteka. Është ajo zyra e parë e fillimit të kalvarit të radhëve. Zbret sërish, mban radhë me fatzinjtë e tjerë, me shumë mundësi i ke bërë edhe shokë, se nga momenti i radhës së parë kanë kaluar pa frikë rreth 4 ose 5 orë.

Dorëzon letrën e financës te Kartoteka. Nga sporteli i vetëm del sërish një tjetër dokument. Ky është i fundit i dokumenteve, por… duhet sërish të presësh. Të thonë që duhet të dalësh te porta e madhe, ajo prej hekuri. Aty, në diell, ftohtë, shi, dëborë. Do presësh që dokumentet të firmosen nga shefi i komisariatit. Dhe kur ke fat, që shefi të jetë në zyrë e të firmosë dokumentet, i merr ato dhe nisesh. Prapë, me taksi, një mik durimmadh që të shoqëron me makinë, apo autobus.

Në Arbanë, te pika e bllokimit, dorëzon letrën me firmën e shefit dhe merr makinën. Në fund, bën llogaritë. Ke paguar 4 mijë lekë shërbimin privat të karroatrecit. 500 lekë parkimin privat te pika e bllokimit. 200-300 lekë komision për bankën. Dhe 2 mijë lekë gjobën për parkimin e gabuar. Ke humbur ditën e punës, apo të gjitha aktivitetet e tjera. “Po bëjmë shtet!”, duhet të jesh krenar.

ETAPAT E BLLOKIMIT TË MJETIT
– Pasi nuk gjen makinën në vendin ku ke parkuar kontakton me policinë rrugore;
– Me të marrë konfirmimin për bllokimin e mjetit nisesh për në Arbanë për të marrë dokumentet; Pasi merr dokumentet nga makina, rikthehesh në Tiranë dhe paraqitesh te Policia Rrugore në Kinostudio, ku duhet të presësh në radhë për të hyrë brenda oborrit;
– Fotokopjon dokumentet, patentë, leje qarkullimi, siguracion dhe certifikatën e kontrollit teknik; Paraqitesh në zyrën e Kartotekës, ku bëhet kontrolli i targës së mjetit për gjoba. Aty pret derisa të vijë radha; (Në rast se ke gjoba, duhet të dalësh jashtë komisariatit për t’i paguar në postë ose bankë)
– Më pas, ngjitesh në katin e dytë të komisariatit dhe pasi pret në radhë edhe aty, të japin dy letra, me të cilat duhet të shkosh në bankë të paguash 4 mijë lekë të rinj shërbimin e karroatrecit dhe 500 lekë të rinj për çdo ditë qëndrimi të mjetit në pikën e bllokimit;
– Me dy faturat e bankës rikthehesh edhe njëherë në Policinë Rrugore dhe shkon në zyrën e financës në katin e dytë ku pret derisa të vijë prapë radha;
– Aty dorëzon dy faturat nga banka dhe merr një copë letër, me të cilën zbret në katin e parë; Pasi pret edhe njëherë në radhë në sportelin e Kartotekës, dorëzon letrën e dhënë nga zyra e financës dhe del jashtë portës së oborrit të komisariatit;
– Aty pret që shefi i komisariatit të vulosë e firmosë dosjen e automjetit tënd;
– Pasi dosja të jetë firmosur, pret marrjen e dokumentit, me të cilin do të shkosh të tërheqësh makinën nga pika e bllokimit;
– Me të marrë këtë dokumentet, rikthehesh edhe njëherë në Arbanë dhe paraqitesh për tërheqjen e automjetit duke dorëzuar letrën e Policisë Rrugore.

Panorama