Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22

    Analistët: Kriminalizimi i politikës shqiptare, vepër e Rilindasit Edi Rama

    Haraçet e Ramës

    Emri:  39bd527a7ddfb4314c7a3d167a19294a_M.jpg

Shikime: 620

Madhësia:  13.8 KB

    Nga Ilva Tare.

    Sikur të mos mjaftonte kapja e trafikantëve që transportonin drogë në Itali me avionë dhe lidhjet e dyshimta me policinë e shtetit, si dhe disa efektivëve të saj të akuzuar si pjesë e rrjetit, përfshirja e deputetit të Partisë Socialiste në një ngjarje me armë dhe thika, ja rëndon edhe më shumë pozitën maxhorancës së sotme. Përplasja e ndodhur pranë ambjenteve të komisiariatit të policisë, pavarësisht reagimit të policisë së shtetit, që mori lëvdatat e Kryeministrit, është një tjetër element që tregon se ata që flasin me gjuhën e armëve nuk kanë frikë ta përdorin atë edhë në dyert e institucioneve të shtetit. Armando Prenga u paralajmërua në një deklaratë shtypi të partisë që e ka zgjedhur deputet, se nuk ka moral të jetë më pjesë e saj, me gjasë duke i hapur rrugë një përjashtimi të afërt. Reagimi mund të kishte qenë edhe më i ashpër, ndoshta edhe me thirrjen e një mbledhjeje urgjente të grupit parlamentar, për të dhënë mesazhin se maxhoranca e ka seriozisht shkëputjen nga krimi në cdo rrethanë dhe me cdo kosto. Do kishte qenë e udhës që kreu i socialistëve Rama, të mos e kishte përshirë fare në listë deputetin në fjalë, nëse do t’i kishte qëndruar besnik variantit të morali të pastër për tu bërë pjesë e familjes së majtë. Zërat apo informacionet që kanë qarkulluar edhe më parë për të kaluarën e Prengës duhet ta kishin vetëdijësuar Kryeministrin e sotëm se ai me zgjedhjet apo heshtjet e tij, po blinte një biletë për të marrë votat e duhura për të ardhur në pushtet, por ndërkohë ishte bërë bashkaksioner i një bote të errët, së cilës i duhet imuniteti për të mbyllur hesapet e tyre. Zgjedhjet e gabuara të Ramës në vitin e afërt 2013, kanë filluar t’ja ulin perden e suksesit që kjo maxhorancë numëron me mburrje. Fakti që një person, madje deputet qëllon me armë ndaj dikujt tjetër dhe ndalohet nga policia nuk është as sukses dhe as arritje e madhe. Është praktikë rutinë e një shteti ligjor, që kur funksionon më së miri arrin edhe t’i parandalojë ngjarje të tilla. Por edhe të thuash që unë jam më i mirë se paraardhësi që nuk i arrestonte nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Në fund të fundit, autori i dyshuar i krimit është një deputet dhe deputeti është i këtij pushteti. Në vend të një reagimi në rrjete sociale ku përmendet sërish Saliu, kryeministri sotëm duhet jo vetëm të veprojë por edhe të sillet ndryshe nga ai i djeshmi. Krahasimi me më të keqin, nuk të nxjerr gjithmonë mirë. Më së paku të barazon me të, në rrafshin politik dhe moral. Pasi lëvdatat për funksionimin e shtetit ligjor janë jashtë logjike, madje edhe jashtë logjikës së të djeshmes së larguar nga pushteti me votën e shqiptarëve. Edi Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve përse të zgjedhurit në llogoren e tij, nuk janë ndryshe nga ajo përballë tij, për të cilën ai u votëbesua. Kryeministri duhet të japë sqarime përpara qytetarëve edhe sa borxh ka hyrë tek elementë me të shkuar të errët që po ja nxijnë edhe të tashmen. Ai duhet ta kishte bërë me kohë llogarinë me veten për haracet që do të paguante kur të vinte në pushtet, për shkak të cilësive dhe aftësive për të cilat kishte miratuar listat e deputetëve. Sot, duhet t’i kujtohen edhe fjalët dhe dëshpërimi i pjesëtarëve të tjerë të listës së deputetëve të të njëjtit qark dhe fushata “alla film western” që u zhvillua për zgjedhjet e 2013-­tës në zonën e Prengës. Episodet e ndodhura deri më tani me protagonistë individë që kanë hyrë në Parlament me bekimin e Ramës dhe Berishës janë vetëm maja e ajsbergut të një liste të gjatë problemesh me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare. Marrja dhe heqja e licensave në varësi të pushtetit të radhës dhe njerëzve të tij, kur nuk është ligjore ka gjasa të shndërrohet në konflikt të gjakshëm nga njerëz që në mos kanë imunitetin poshtë kostumit të deputetit, janë të lidhur me njerëz të fuqishëm pranë tij. Kur kjo maxhorancë po konsumon vitin e tretë në pushtet, opozita po tund flamurin e dekriminalizimit duke shenjestruar të majtët dhe zgjedhjet e tyre të gabuara të rastin më të mirë dhe kriminale në rastin më të keq. Pavarësisht faktit se edhe opozita nuk është imune ndaj fenomenit, i takon Edi Ramës të reflektojë dhe të pranojë publikisht se haraci që po paguan për uljen në karrigen e Kryeministrit është më i lartë nga c’kishte menduar. Tanimë, duhet të përballet me të, cilidoqoftë cmimi dhe sakrifica dhe të mos e mbyllë më një sy kur një grua do tërhiqet nga mandati i deputetes për t’u futur një burrë i fortë, nga ata me pistoleta dhe thika. Për të treguar që është ndryshe nga kundërshtarët, të cilëve u ka dhënë shumë karta në dorë për ta sulmuar, përvec distancimit Edi Rama duhet ta mendoje edhe ndjesën publike përpara shqiptarëve, me premtimin se Parlamenti i ri nuk do t’i hapë dyert për individë dhe lista me emra të inkriminuarish.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Analistet: Kriminalizimi i politikës shqiptare, vepër e Rilindasit Edi Rama

    Rama peng apo pjesë e krimit?

    Emri:  529b0a775bd7d2bc84e7da8acc3e8a9b_XL.jpg

Shikime: 173

Madhësia:  12.4 KB

    Nga Fatos Lubonja.

    Në kontekstin e fushatës për pastrimin e Parlamentit nga figura të krimit, mediat shqiptare, por edhe ato të huaja, kur analizojnë raportet e shtetit tonë me krimin, më specifikisht të qeverisë dhe Kryeministrit Rama, i referohen një opinioni të përhapur që përdor shpesh fjalën “peng”.
    Thuhet, p.sh., se Ramës i janë dashur të fortët e krimit për të mbrojtur apo blerë votën kundër Berishës me justifikimin e bashkimit të të gjithë qelbësirave për ta mundur atë, se kjo nevojë e shtyu të bashkëpunojë me njeriun që e kishte akuzuar për korrupsion, kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, e se tani nuk çlirohet dot prej tyre, pra është peng i tyre.
    Disa e thonë me të keq, por kuptohet se përdorimi i këtij termi shpreh edhe një lloj empatie ndaj Kryeministrit, pasi përmban brenda edhe kuptimin e një viktime, të një individi (apo grupi njerëzish apo institucioni, partie, qeverie deri shteti) që nuk është në gjendje të marrë vendime të lira me vullnetin e vet sepse ka mbi kokë kërcënimin e krimit.
    E kësisoj ai sikur justifikohet, bëhet si të gjithë qytetarët: bashkëvuajtës. Duke u nisur edhe nga ky këndvështrim psikologjik, termi “peng” më duket një fjalë kyç në analizimin e raportit të shtetit tonë me krimin.

    * * *
    A është gjendja e pengut e vërteta e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës dhe më në përgjithësi e klasë sonë politike që ka ndërtuar institucionet tona shtetërore? Nëse është kështu: a mund të shpresojmë se Edi Rama mund të çlirohet nga gjendja e pengut dhe të kthehet në gjendje që, me vullnetin e tij të lirë, të punojë për të mirën e vendit? Dhe çfarë duhet bërë që ai të çlirohet? Apo përdorimi i kësaj fjale është shprehje e gjendjes së një shoqërie të marrë peng nga një politikë kriminale dhe që, duke qenë e pafuqishme për t’u çliruar vetë prej saj, shpreson të çlirohet duke i projektuar shpresat te një udhëheqës i mirë brenda saj?
    Sipas meje ka një problem themelor moral kur flasim për ata individë që vendoskan me vullnetin e tyre të hyjnë në politikë që të “kapen peng” nga krimi, deri duke ndarë pushtetin me kriminelë. Situata postkomuniste e politikanëve shqiptarë nuk mund të krahasohet me situatën e komunizmit kur dikush mund të justifikohej duke thënë se i hyri politikës në emër të disa idealeve të luftës dhe pastaj mbeti brenda sepse e kishte të pamundur të dilte, ngase i ikte koka.
    Periudha pas komuniste, qoftë për shkak të hapjes së kufijve të Shqipërisë ndaj botës, qoftë për shkak të hapësirave relative të lirisë që krijoi pluralizmi, liria e shprehjes, biznesi privat, ka krijuar shumë herë më tepër mundësi për t’u larguar nga politika, pa u rrezikuar, për ata politikanët që e shohin veten të detyruar të punojnë kundër idealeve të tyre apo të detyruar të ulen në bango me kriminelë dhe vrasës. Fakti që nuk e kanë bërë këtë flet për diçka tjetër nga situata e një pengu.
    Po ashtu,edhe argumenti se këtyre u është dashur të bashkëpunojnë me krimin për të fituar pushtetin që pastaj të bëjnë mirë nuk qëndron. Le t’u kthehemi dy momenteve historike, atij të vitit ‘91 dhe atij të vitit ‘97, kur kanë ardhur në pushtet dy forcat politike që kanë qeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin vendin gjatë këtij afro çerekshekulli. E vërteta është se Sali Berishën nuk e sollën në pushtet të fortët, kriminelët, por pati një mbështetje të madhe popullore, si dhe ndërkombëtare që ishte lëvizja kundër komunizmit.
    Nuk kishte asnjë arsye pra, që, për të marrë e mbajtur pushtetin, të bashkëpunonte me kriminelë – siç ishin p.sh. ata që ndërtuan piramidat financiare. Edhe socialistët si Nano, Meta, Rama kur erdhën në pushtet në vitin 1997 nuk i solli krimi, por një lëvizje e madhe popullore, e mbështetur edhe ndërkombëtarisht, që shpërtheu pikërisht kundër një shteti që nuk i kishte mbrojtur qytetarët e vet, por ishte bërë palë me krimin.
    Në fakt, e vërteta është e kundërta. Ata kanë përdorur shumicën e për të ardhur në pushtet dhe më pas kanë tradhtuar idealet dhe shpresat e saj duke bashkëpunuar me një pakicë kriminale brenda kësaj shumice, duke e kapur peng këtë shumicë.
    Dhe pyetja thjesht retorike është: çfarë i shtyn këta të bashkëpunojnë me vjedhësit, mashtruesit, kriminelët nëse nuk janë edhe vetë mendje kriminale, të korruptuara shpirtërisht e moralisht? Prandaj mendoj se përdorimi i fjalës “peng” për politikanët tanë duhet refuzuar nëse duhet të çlirohemi nga gjendja e pengut ku ata na kanë futur.

    * * *
    Në fakt, në gjuhën e analizës politike ekziston një term shumë më i saktë sesa “peng” për të përshkruar gjendjen e politikanëve dhe institucioneve të drejtuar prej tyre që punojnë për krimin. Është fjala “i kapur” (në anglisht i thonë “state captured”).
    Termi “shtet i kapur” nuk përmban asnjë lloj empatie për individin politikan që bashkëpunon me krimin, pasi ai nuk shpreh raportin midis një politikani dhe krimit që e ka kapur atë. Termi “kapje e shtetit” nënkupton më një anë shtetin si institucion, në kuptimin abstrakt, që presupozohet se duhet të punojnë në emër të së mirës publike dhe, më anë tjetër, individë politikanë konkretë me prirje kriminale që e tjetërsojnë rolin e shtetit.
    Pra, ka një dallim thelbësor midis politikanëve peng dhe politikanëve të shtetit të kapur. Kur përdorim termin “peng” nënkuptojmë një shtet që ka në strukturat e tij njerëz të ndershëm, por të cilët nuk arrijnë të bëjnë mirë, pasi pengohen apo shtrëngohen nga krimi, por që gjithsesi janë edhe të mbrojtur nga struktura të tjera shtetërore. Nëse do t’u referohemi përvojave, do të përmendja p.sh. shtetin italian të pas Luftës II dhe raportin e tij me mafien.
    Në rastin e tij është folur shpesh për bashkëpunim të segmenteve të shteti italian me mafien nën shtrëngimin e saj, apo edhe për interesa korruptive apo edhe të votës. Megjithatë, për atë shtet, nuk është përdorur termi “i kapur” sepse ka pasur struktura të tjera të shtetit që kanë funksionuar drejt, si Gjyqësori p.sh. Le të kujtojmë Falconen dhe Borselinon.
    Kurse kur flasim për shtetin e kapur kemi parasysh një shtet të ndërtuar nga një parti kriminale, ku nuk ka kuptim të bësh ndarjen midis shtetit dhe krimit se janë dy anë të së njëjtës medalje dhe kundër tij nuk të mbron asnjë institucion, sepse në krye të shtetit janë vetë drejtuesit e krimit gjithashtu. Si kulminacion ekstrem të tij do të sillja shtetin komunist prej nga vijmë.
    Mendoj se realiteti i sotëm shqiptar, me gjithë diferencat në shkallën e lirive të fituara, është më afër modelit të trashëguar nga komunizmi sesa modelit italian që përmenda. Te ne nuk mund të flitet për segmente të devijuara, por për një shtet të devijuar tërësisht nga objektivat e një shteti që punon për të mirën publike. Provat për këtë janë të dukshme.
    Një prej tyre është edhe vazhdimësia e funksionimit të praktikave të partisë- shtet që kontrollon edhe Gjyqësorin, edhe Policinë, edhe mediat, edhe ekonominë në favor të pjesës më kriminale të shoqërisë. Vërtet sot ka më shumë se një parti dhe një tjetër kontekst gjeopolitik e ligjor, çka e bën të ndryshme gjendjen nga ajo shtetit komunist për sa u përket mundësive të shtypjes, por mentaliteti është po ai. Fakti është se pasi merr pushtetin partia fituese sillet si një parti- shtet e vetme, që merr nën kontroll edhe ato institucione që, në një shtet demokratik, duhet ta kontrollojnë atë nëse ajo kryen aktivitet kriminal. E provojnë këtë edhe zhvillimet e fundit.
    Në një kohë kur partia-shtet po akuzohet për lidhje me krimin, për lidhje me trafikantë droge e prostitucioni që i ka futur deri në Parlament dhe kur ministri i Brendshëm kapet me gënjeshtra flagrante në tentativat për t’i përgënjeshtruar këto, nuk shohim asnjë organ të pavarur prej tyre të vihet në veprim për të hetuar këto akuza. (E njëjta gjë ndodhi edhe kur shpërtheu skandali Doshi – Meta që tregoi se kufijtë që duhet të ndajnë politikën me krimit janë shuar në këtë vend.)
    E ndërkohë, nga ana tjetër, Kryeministri terrorizon vendin duke kërcënuar me burg e me gjoba marramendëse qytetarët, vetëm për një faturë, shëmbëllyeshëm me një kryemafioz që përdor bandën e tij të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve të kapur për të ushtruar raketing mbi qytetarët e vet.

    * * *

    Si përfundim, për t’u kthyer te fushata e pastrimit të politikës nga njerëzit e krimit që është sot në rend të ditës, sipas meje, ajo po bazohet gabueshëm mbi konceptin e politikanit peng që funksionon njëherësh si alibi e politikanëve mafiozë, dhe nevojë psikologjike e njerëzve për të shpresuar tek e mira. Ai të kujton një parullë që përhapej në popull gjatë kohës së diktaturës, sipas së cilës “Uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë”.
    Sipas meje, të heqësh nga Parlamenti disa deputetë me “rekorde kriminale” (siç thuhet), në kushtet e një shteti të kapur nga një politikë që e ka futur atë të tërin në një drejtim kriminal, është si të hedhësh në det disa ngarkesa të tepërta për të lehtësuar anijen që po mbytet.
    Ajo për çka kemi nevojë nuk është ky lloj lehtësimi, por ndryshimi i drejtimit kriminal që ka anija dhe për këtë duhen larguar e ndëshkuar kapitenët që e kanë drejtuar për andej, jo ushtarët e tyre. Përndryshe, ajo është e destinuar të vazhdojë të lundrojë në ujërat e krimit që do t’ia çajnë fundin gjithnjë e më shumë duke e bërë mbytjen gjithnjë e më të shpejtë e më katastrofike.

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Analistet: Kriminalizimi i politikës shqiptare, vepër e Rilindasit Edi Rama

    “Kaubojsi i Lezhës”, një vepër e Edi Ramës

    Nga Armand Shkullaku

    Një fotografi e publikuar së fundi, ku Edi Rama shfaqet në tribunë gjatë një mitingu politik në Lezhë, në krah të një personazhi me kapele kaubojsi, përbën instalacionin e vërtetë të “artit” politik me të cilin kryeministri komunikon me publikun e tij. Ai është subjekt dhe objekt i këtij instalacioni. Në krah të tij, përveç “kaubojsit” Eduard Ndocaj (aktualisht kandidat për të hyrë në Kuvend) janë edhe Armando Prenga (deputet i arrestuar) dhe Arben Ndoka (ish-deputet i dorëhequr). Këta të tre nuk janë më pjesë e instalacionit socialist. Nga “Triumfi Socialist Verior” i 23 qershorit kanë ikur edhe Tom Doshi e Mark Frroku. Edhe ata nuk janë më pjesë e Partisë Socialiste të Edi Ramës.

    Këtë vepër të ngjizur prej tij, që po i shpërbëhet në një reaksion zinxhir e që nuk dihet se kur do të ndalet, Edi Rama po tenton ta lërë pa autor apo më mirë ta kalojë në harresë autorësinë e tij. Në të gjitha daljet publike, madje edhe në një intervistë të gjatë të martën mbrëma për kolegun Babaramo, kryeministri nuk mori asnjë fije përgjegjësi mbi vete për raportin e tij politik dhe personal me të zgjedhurit e mësipërm. Të krijohet përshtypja se nuk ka qenë ai njeriu që i ka bërë këto zgjedhje, por dikush tjetër që ia ka imponuar ato. Kryeministri po e përdor diferencimin si justifikim për të larë duart nga një histori, e cila nuk fillon e mbaron te fati i dy apo më shumë deputetëve, por te filozofia e një lideri që përdor këdo për interesa të çastit dhe që standardet e larta etike (për të cilat flet edhe raporti i Departamentit të Shtetit) i ka zëvendësuar me kompromiset e ulëta bazike.

    Për qytetarët shqiptarë problemi nuk është se si reagon kryeministri kur një deputet i tij vihet nën akuzë, por tek angazhimi i tij moral dhe politik për të ndryshuar filozofinë e deritanishme të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Dhe ky angazhim nis në radhë të parë te pranimi i përgjegjësisë, ndjesa publike dhe aktet politike në vijimësi. Edi Rama nuk po e bën këtë. Përkundrazi, po përpiqet që fajin t’ua faturojë të tjerëve, të merret me opozitën, të përhapë fjalë se të këqijat i vijnë nga Meta, apo t’i trajtojë rastet në fjalë si aksidente dhe jo si pasoja të mendësisë së tij politike. Mirëpo do të mjaftonte sfida që kryeministri i bëri BE-së dhe SHBA, duke kandiduar në zgjedhjet lokale persona me rekorde kriminale, për të kuptuar që këtu nuk bëhet fjalë as për aksidente dhe as për zgjedhje të imponuara nga aleati kryesor në qeveri. Bëhet fjalë për një rrugë që Edi Rama e ka zgjedhur me vullnet dhe ndërgjegje për të mbajtur pushtetin e tij.

    Qëndrimi i tij i fundit për t’u distancuar nga deputeti Prenga apo dorëheqja e Ndokës janë më shumë një “kurban” për të qetësuar Perëndimin e zemëruar sesa një reflektim mbi rrugën që duhet ndryshuar. Në funksion të kësaj loje, Edi Rama po ndërton një mekanizëm që synon ta shkarkojë tjetërkund përgjegjësinë e tij. Njerëzit pranë tij i kanë shpeshtuar rrëfimet për ndërhyrjet e Ilir Metës dhe vështirësitë e Ramës përballë tij. Ata tregojnë se si kryeministri u çudit kur mori vesh se laguna e Patokut i paskësh shkuar vëllait të deputetit të tij. Se këto gjëra u bëkan me bekimin e Metës dhe lideri i madh i së majtës nuk di asgjë. Se Meta ndërhyn edhe në gjykata për deputetët e tij dhe ai përsëri nuk di gjë. Madje ai, edhe për ministrat e tij e ka mësuar nga ndërkombëtarët që qenkan bërë arrogantë dhe për këtë, pikërisht në këtë kohë kur i takon të marrë përgjegjësi, lan duart duke nxjerrë nga arkivat një letër qesharake. Dhe për t’i vënë kapak gjithë mekanizmit të shpëlarjes propagandistike, një editorial te “Shekulli” i së mërkurës, ku kryeministri “kritikohet rëndë” se nuk po arreston Sali Berishën. Koordinimi i këtyre lëvizjeve brenda një kohe të caktuar dëshmon se shqetësimi i Ramës është kapërcimi i situatës dhe jo zgjidhja e saj. Pse email-i i gjashtë muajve më parë doli tani, pse Ndoka nuk e dha dorëheqjen kur u akuzua por tani, pse po fryhet krisja me Metën këto kohë? Sepse kryeministri, mesa duket, di vetëm të reagojë dhe jo të reflektojë.

    E gjithë kjo energji e shpenzuar në një betejë për të bindur shqiptarët dhe ndërkombëtarët se nuk është Rama përgjegjësi për kriminalizimin e politikës dhe për të justifikuar pamundësinë e tij për të bërë dekriminalizimin. Mirëpo, në vend të thashethemeve dhe lojërave të vogla, Ramës shumë shpejt do t’i duhet të flasë me akte dhe fakte. Ndërkombëtarët nuk mund të hutohen nga instalacioni modernist i kërpudhës dhe strehëzës në godinën e Kryeministrisë. Ata e kanë parë edhe instalacionin e kaubojsit që ka për autor të njëjtin kryeministër. Edi Rama duhet të vendosë se me cilin prej tyre do të konkurrojë, me të dyja nuk ecën dot më përpara.

    Mapo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 16-09-2015 më 17:14

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Analistët: Kriminalizimi i politikës shqiptare, vepër e Rilindasit Edi Rama

    Ngjela: Krimi shtetëror, gjendja e sotme e Shqipërisë si në kohën e Enverit

    Skedarët e Bashkëngjitur 168639

    Nga Spartak Ngjela

    Gjendja jonë është e njëllojtë si në epokën antistaliniane, kur politika sovjetike i kërkonte Enver Hoxhës që të godiste stalinizmin në Shqipëri, si një fenomen kriminal. Por ky fenomen kriminal godiste atëherë drejtpërsëdrejti Enver Hoxhën, sepse ai kishte qenë drejtuesi direkt i krimit stalinian në Shqipërinë komuniste, dhe gjithmonë për interesin e tij personal të pushtetit patologjik që e donte me çdo kusht.

    Enver Hoxha nuk e pranoi këtë rrugë, pra nuk pranoi të përgjigjej qoftë dhe politikisht për krimet që kishte kryer; dhe e izoloi gjithë popullin shqiptar nga bota e zhvilluar. Pastaj të gjithë e dinë se çfarë ndodhi këtu.

    Gjendja është e njëllojtë edhe sot: politika amerikane dhe politika gjermane, në ndihmë të Shqipërisë, i kërkojnë kryeministrit shqiptar që të luftojë korrupsionin dhe krimin shtetëror në Shqipëri. Çfarë do të bëjë ky kryeministër, a do ta luftojë fenomenin kriminal në Shqipëri, ashtu siç ia kërkojnë partnerët e fuqishëm, apo do të izolojë Shqipërinë si Enver Hoxha? Historia e Shqipërisë ka afër 100 vjet që në funksion të zhvillimit të saj shoqëror dhe ekonomik, në funksion të mirëqenies dhe perspektivës perëndimore, është përplasur me sëmundjen e krimit që ka drejtuar vetë shtetin dhe ka bllokuar atë perspektivë. Kjo është edhe pikëpyetja e sotme – nga do të anojë kjo maxhorancë dhe ky kryeministër: nga krimi që do sjellë sigurisht izolimin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve, apo do të veprojë në mënyrë drastikë kundër krimit shtetëror?

    Shenjat janë që asgjë nuk do të bëjnë dot. Por Shqipërinë nuk ka zot ta izolojë më, dhe shqiptarët po humbasin kohë historike në zhvillimin e tyre perëndimor, se kryeministri që zgjodhën në qershor të vitit 2013, nuk dëshiron të bëjë reformën antikriminale në Shqipëri. Dhe vjen vërdallë me nonsense që të fitojë kohë. E çfarë kohe do të fitojë ky? Pyetja që ngrihet sot është kjo: do të luftohet fenomeni kriminal shtetëror sot në Shqipëri nga lart, apo kjo do të bëhet nga vetë populli nga poshtë? Kjo është pyetja që ngrihet sot para maxhorancës aktuale. A do t’i drejtohet popullit për ndihmë nëse korrupsioni është më i fortë në këtë pushtet, apo do të mbetet inerte për të fituar kohë në një vegjetim pa sens? Enver Hoxha u zvarrit katër vjet me pantallona nëpër këmbë, iki sot e iki nesër, gjersa gjeti më në fund Mao Ce Dunin që e mbajti për dymbëdhjetë vjet. Po ky kryeministër, dhe kjo maxhorancë, çfarë presin, mos ndoshta presin edhe këta një Mao modern që t’i mbajë në mbijetesën e krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri, ashtu si edhe mbijetesa e krimit stalinian në vitet 1956-1960? Enver Hoxha ishte atëherë figura kryesore e krimit Stalinian në Shqipëri; por, mos ndoshta jemi sërish përpara një kërkese si ajo e vitit 1956, që iu drejtua Enver Hoxhës?

    Dy ambasadorë të angazhuar fort në vendosjen e moralitetit dhe demokracisë moderne në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann, janë sot në ballë të kësaj luftë morale për shqiptarët. Është gjë e madhe. Nuk më mbetet vecse t’i falënderoj për këtë ndihmë të madhe që po i japin zhvillimit shqiptar perëndimor dhe demokratik. Te dy ambasadorët dhe bashkë me ta, edhe politika amerikanë, edhe politika gjermane, janë sot me popullin shqiptar. Me kë është sot kryeministri shqiptar dhe kjo maxhorancë? Kjo është pyetja që ngre sot çdo shqiptar i ndershëm që e do vendin e tij.

    Syri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Analistët: Kriminalizimi i politikës shqiptare, vepër e Rilindasit Edi Rama

    Ujku nuk do hajë më mëlci?!

    Nga Ilva Tare.

    Ajo çfarë ka ndodhur muajt e fundit me procesin e pagëzuar me emrin “dekriminalizim” i ngjan një farse pa kripë ndaj një populli të duruar dhe të keqpërdorur. Këmbëngulja më shumë në retorikë se praktikë nga partitë politike të mbështetura edhe nga ndërkombëtarët për të dekriminalizuar politikën me komisione parlamentare dhe ndryshime ligjore është tregues për mënyrën sesi politika përpiqet t’i hedhë hi syve mbështetësve të saj. Mjafton të themi se për të inkriminuarit e sotëm në politikë nuk ka qenë pengesë mungesa e infrastrukturës ligjore, por morali me të cilët palët kundërshtarë kanë vendosur të luftojnë kundër njëra tjetrës. Propozimet dhe draftet që sot i trumbetojnë si katarsis i domosdoshëm për jetën politike dhe publike në vend janë gjithashtu një provë e dështimit të modelit që partitë kanë pranuar, sponsorizuar dhe garuar në betejat elektorale. Edhe logjika e kundërvënies së listës rivale me cilësi individësh që vijnë nga bota e errët e krimit dhe e dënimeve të ciladofarë shkalle në gjykatat shqiptare dhe të huaja, është e papranueshme dhe së fundmi edhe e dalë boje. Asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk duhet të ankohet për të ashtëquajtura sulme të diplomatëve të huaja, pasi në realitet nuk ka një të mirë dhe një të keqe, përsa i takon të zgjedhurve të tyre në listat e kryetarëve, por ka një të keqe dhe një shumë të keqe. Nuk është e qartë se si do të funksionojë me miratimin e ligjeve pro dekriminalizim, dhe mënyra se si do të përzgjidhen të zgjedhurit në strukturat politike, por është e kuptueshme se udhëheqësit tanë politikë e paskan pasur të vështirë t’u rezistojnë “kriminelëve”. Ngritja e një muri ligjor për t’i mbajtur ata larg gardhit të parlamentit dhe administratës publike është një mjet i nevojshëm, por nuk garanton spastrimin e politikës dhe as largimin e personave me të shkuar dhe të tashme problemtike në raport me ligjin. Miratimi i ligjit të ri, me shpresë me votat e maxhorancës dhe opozitës duhet t’i hapë rrugë një morali të ri në politikë për të cilin liderët aktualë duhet të tregojnë më shumë kurajo dhe më pak kapje nga të fortët dhe interesat e tyre, pavarësisht shifave të zerove që ata përdorin për joshje personale dhe elektorale. Më mirë një zonë e humbur politikisht, se sa një kriminel më shumë në politikë. Më mirë një socialist dhe demokrat i ndershëm sesa një shkelës ligji që ka abuzuar me dobësinë e udhëheqësit të partisë duke e joshur në forma të pamoralshme, të paligjshme. Klasa politike tanimë ka një shans të provojë dhe të provohet se nuk do të jetë më ujku që i varin në qafë mëlcitë dhe se do të heqë dorë nga praktikat e korruptimit në kurriz të interesave të qytetarëve dhe shtetformimit. Sfida do të jetë për të parë nëse ky gjoja vullnet kundër dekriminalizimit do të jetë i sinqertë, nëse të inkriminuarit jo vetëm do të qëndrojnë vetë larg jetës publike, por nuk do të lejohen të sponsorizojnë njerëz në shërbim të interesave të tyre me hyrje në Parlament apo administratë. Vetëm nëse ndodh kjo mund të fillojmë të besojmë se politikanët dhe të inkriminuarit përfaqësojnë dy kategori të ndara qartazi. Megjithëse që të ndodh kjo duhen shumë vendime gjyqesh, arrestime dhe largime të një pjese të mirë të klasës aktuale politike.

    Koha Jone

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2014
    Postime
    992

    Për: Analistët: Kriminalizimi i politikës shqiptare, vepër e Rilindasit Edi Rama

    Iku koha e politikes per mbijetese apo politikes komuniste qe te siguronte jeten, tani politika eshte loje serioze dhe nuk pyet me per shendetliget demokrate, qente e gazetave dhe as talentet e tyre Silvia Kontet dhe Tano Karidet e redaksive.

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •