Dy policë të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës me avion!
Vec shefit të burimeve njerëzore në policinë e Vlorës edhe dy efektivë të tjerë të policisë dyshohet se janë përfshirë në trafikun e drogës me avion nga Shqipëria në Itali. Roli i tyre ishte ai i sigurimit të kushteve për kultivimin, vjeljen dhe transportimin e kanabisit nga plantaciontet në Lumin e Vlorës deri tek avioni që ndalej në një rrugë të fshatit Xhelilaj, në Sevaster.
Vladimir Zanaj, ose “Daja”, shefi i burimeve njerëzore, ishte drejtuesi i operacionit në anën shqiptare ku kultivohej kanabisi. Shërbimet bëheshin kundrejt pagesave të majme. Sipas hetuesve italianë, për çdo rrugë me avion, trafikantët përfitonin 200 mijë euro. 100 mijë prej tyre ishin paga për policët që garantonin trafikun në Shqipëri, paga për punëtorët që kultivonin kanabisin, apo shpenzime që nevojiteshin për të mos rënë në gjurmët e policisë, si ndërrimi i telefonave, karburant etj. Dyshohet se është paguar edhe për prishjen e radarit ditën e fluturimit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka identifikuar dy policët. Burime të rezervuara bëjnë me dije se ata kanë shitur edhe dy makina kohët e fundit, që të dyja të përdorura për transportimin e marijuanës; një BMË dhe një fuoristradë Jeep Cheroke. Me këtë të fundit trafiku do të kryhej përmes portit të Vlorës. Kjo ishte rruga që banda bënte përpara se të blinte avionin.
Kur kërkesat në treg u rritën ata blenë edhe avionin për 50 mijë euro.
Vilson Lamaj, piloti i avionit që u kap sapo u ul në Brindizi merrej me të gjitha detajet e trafikut. Ngarkesën që mori më 24 gusht ai do ta dërgonte në Napoli. Një pjesë do t’ua dërgonte shpërndarësve të tij në Rimini.
Hetuesit italianë kanë zbuluar se avioni mbahej i çmontuar në disa garazhe. Pjesët e tij lëvizeshin me një kamion. Ai kishte bërë dy rrugë kohët e fundit për të transportuar krahët e avionit që montoheshin në një pistë të improvizuar në Brindizi.
Herën e fundit ai u nis nga Ostuni (Pulja) në orën 5:40 dhe u ul në Xhelilaj në orën 7:02. Piloti, Vilson Lamaj e njihte fare mirë zonën në Lumin e Vlorës. Hetuesit dyshojnë se ai i 24 gushtit nuk ka qenë udhëtimi i tij i parë për të transportuar drogë me avion.
Sipas të dhënave të sistemit TIMS ai rezulton të ketë qenë në Shqipëri gjatë muajit korrik dhe ka qëndruar në zonën e Lumit të Vlorës. Ishte kthyer në Itali dy ditë para se të nisej për të marrë marijuanën në Xhelilaj. Lapsi.al
Krijoni Kontakt