Përçarja e maxhorancës, Idrizi flet për zgjedhje të reja
Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, aleati më i ri i maxhorancës së majtë, në një intervistë për “Panorama” i bën thirrje Kryeministrit Rama që të ndërmarrë ndryshime rrënjësore në kabinetin qeveritar.
Idrizi thekson se kabineti Rama ka nevojë për emra, stil dhe përmbajtje të re. Sipas kreut të PDIU-së, kompozimi aktual i qeverisë e ka dhënë mesazhin e tij këto dy vite qeverisje, ku shqiptarët po largohen nga vendi.
“Ky kompozim qeveritar me emrat, fytyrat, stilin, përmbajtjen dhe frymën e tij e ka kumtuar mesazhin që ka në këto 2 vite. Nuk po gjykoj as pozitivisht e as negativisht këtë kumt e mesazh, por po them se ka diçka që nuk po u flet shqiptarëve si duhet. Dhe shqiptaret po ikin. Kjo duhet të ndryshojë. E nëse ky ndryshim kërkon edhe ndryshime të dhimbshme emrash, fytyrash, stilesh, përmbajtjeje dhe frymë ministrash, nuk ka pse jo. Karriera e asnjë ministri, e asnjë ekuilibër politik, nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptareve që rendin ta braktisin Shqipërinë”, thekson ai.
Idrizi bën presion ndaj kreut të qeverisë që t’i japë PDIU-së përfaqësim në të gjitha nivelet e qeverisjes, edhe në post ministri.
Shpëtim Idrizi ka komentuar dhe çarjen e përfolur mes së majtës, duke thënë se në rast se dy forcat kryesore të maxhorancës nuk do të arrijnë të bashkëqeverisin, atëherë ato duhet t’u drejtohen zgjedhjeve të parakohshme.
Zoti Idrizi, PDIU-ja në zgjedhjet e fundit vendore i shtoi votat e saj në të gjithë vendin, duke qenë pjesë e koalicionit të maxhorancës “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Pas këtij rezultati, pozicionimi juaj parlamentar do të vijojë me maxhorancën?
Jo, PDIU-ja nuk shtoi votat. PDIU-ja u rrit. PDIU-ja dëshmoi se është parti tërësisht me qëndrueshmërinë dhe rritjen e saj sipas meritës. Vendimet e forta politike mirëpriten dhe arsyetohen si vendime politike në favor të kauzave dhe interesave tona politike si parti. Ne nuk lexohemi e as interpretohemi e as votohemi me, si parti që pret e zbaton vendimet e partive të mëdha. Ne lexohemi, interpretohemi dhe votohemi si parti që merr vendimet e saj të mëdha a të vogla… Ndaj edhe ne jemi ende në diskutime për implementimin e marrëveshjes për pushtetin vendor që kemi bërë me koalicionin tonë ASHE, në bazë të peshës konkrete politike dhe elektorale të PDIU-së në bashkitë e fituara nga ASHE. Roli dhe pozicioni ynë parlamentar është çështje e vendimeve të vogla apo të mëdha që ne do të marrim si parti sovrane. Sikurse e kemi deklaruar edhe më parë, konfirmoj vullnetin tonë pozitiv për një bashkëpunim të gjerë edhe në qeverisjen qendrore. Gjithçka mbetet për t’u parë dhe verifikuar hap pas hapi. Gjithçka varet nga vijueshmëria dhe cilësia e negociatave që ne po zhvillojmë me drejtuesit e shumicës qeverisëse. E theksoj, nuk ka negociata për porcione pushteti, por për mundësi kontributi e shërbese, që t’i ofrojmë qeverisjes qendrore dhe lokale kapacitetet tona njerëzore me idealizmin dhe vlerat e tyre profesionale e morale. Ne si parti, ndihemi parti e nxitjes së shpresës. Kontributi ynë dhe shërbesa jonë, në qeverisjen qendrore dhe lokale, ka pikërisht këtë qëllim: Të rilindim e nxisim shpresën. Mjaft më me një Shqipëri ku shqiptarët më parë zgjedhin të ikin, sesa të na besojnë ne politikanëve dhe institucioneve të shtetit tonë. Na takon të bëhemi politikanë më të përgjegjshëm. Duhet t’u kërkojmë të falur ndershmërisht dhe thellësisht qytetareve tanë për keqbërjet dhe dështimet tona si politikanë. Unë marr përsipër të kërkoj të falur për përgjegjësinë, keqbërjet dhe dështimet e politikës shqiptare në këto 25 vite. Ju kemi zhgënjyer, të dashur qytetarë shqiptarë. Ju kemi zhgënjyer thellë dhe ju kemi vrarë ëndrrat, shpresat dhe besimin. Por mos u largoni nga Shqipëria. Ka ende shpresë në Shqipëri. Shqipërinë mund e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Shqipërinë mund e do ta bëjmë duke e parë në sy njëri-tjetrin, duke pranuar gjithçka kemi bërë e ka shkuar keq, duke kërkuar të falur për përgjegjësitë tona e duke i dhënë njëritjetrit mundësinë për një rinisje, ringritje, ripërtëritje apo edhe Rilindje, nëse doni ta quajmë kështu. Shqipëria mund e duhet të bëhet. Sa më të përgjegjshëm të bëhemi, aq më shumë mundësi do t’i japim një marrëveshjeje të re mes njëritjetrit të gjithë ne shqiptarët. Na duhet marrëveshje e re e bërjes së Shqipërisë Europë. Ja këtë nivel e frekuencë idealesh, kauzash, besimi e vlerash mbart PDIU-ja në negociatat e saj për përfshirjen në qeverisjen qendrore dhe lokale. Duam të jemi zëri dhe thirrësit brenda politikës dhe institucioneve shtetërore, për një marrëveshje të re mes shqiptarëve. Na duhet kjo marrëveshje e re, për një besim e shpresë të re që Shqipëria bëhet. Ne po ndjekim, presim e zhvillojmë negociata me drejtuesit e shumicës qeverisëse, e gjithçka varet nga cilësia dhe ecuria e zbatimit të marrëveshjes sonë për bashkëqeverisje në nivel qendror dhe lokal. Qëndrimi ynë në Kuvend do të jetë me siguri i ndërvarur nga ky proces negociatash. Ne jemi kërkues dhe mirëbesues në këto negociata për trajtimin e pikëtakimeve programore midis PDIU-së dhe shumicës qeverisëse, duke përfshirë këtu ide dhe risi për mbështetjen e reformave ekonomike e institucionale, e për plotësimin e 5 kritereve dhe përmbushjen e detyrimeve tona institucionale, ekonomike dhe shoqërore për plotësimin e standardeve, që jo vetëm na përafrojnë me BE-në, por që na bëjnë vend të merituar për në BE.
Do të kërkoni mbi këtë bazë të keni një përfaqësim në qeveri me post ministri apo zëvendësministri, apo do të keni përfaqësime vetëm në rang drejtorësh? Fryma jonë si PDIU ka qenë gjithmonë e çiltër. Ndonëse parti e rëndësishme politikisht dhe elektoralisht, ne kahera e kemi parë kontributin dhe shërbesën tonë në qeverisje jo si çështje ofiqesh, por si çështje mundësie për të përfaqësuar vlerat dhe zërin e qytetarëve që kërkojnë idealizmin, profesionalizmin, meritokracinë dhe vlerat morale. Ndonëse qartësisht të konfirmuar edhe në këto zgjedhje të 21 qershorit si forca e katërt politike në vend, ne kemi kontribuar dhe shërbyer me dinjitet e pasion institucional dhe kombëtarist për të sjellë risi, vlera e shpresë. Pra, nuk është çështje ofiqesh, është çështje parimesh dhe mundësish për të kontribuar e shërbyer. E duke qenë se po flasim edhe për politikë konkrete dhe peshë konkrete politike dhe elektorale, ne besojmë se jo thjesht për shkak të numrave, por për shkak të cilësisë e vlerës që përfaqëson politikisht dhe elektoralisht PDIU-ja, ne e meritojmë që të kontribuojmë dhe shërbejmë në të gjitha nivelet e qeverisjes, nga ato parësore deri tek ato dytësore e më poshtë. Kemi kapacitete të shkëlqyera që mund ta bëjnë ministrin dhe çfarëdo roli tjetër ku kërkohet kontribut dhe shërbesë e dëlirë, profesionale dhe vlerore. Ne gjithnjë thithim burime të reja njerëzore, kuadro të rinj, si e treguam me ekipet tona që punuan për programin qeverisës të pushtetit vendor, e vetmja parti me program në këto zgjedhje. Vota për PDIU-në është votë kryesisht e re, dhe ne jemi parti e së resë.
Ditët e fundit ka shumë komente për mundësinë e një “çarjeje” ose ndryshimesh raportesh në koalicion, ju si PDIU, ku e gjeni veten në këto zhvillime?
Ne si PDIU nuk jemi në politikë për t’u bërë sehir ndarjeve e as bashkimeve të partive apo liderëve politikë, por për të inkurajuar frymën e bashkëpunimit parimor mes të gjithëve. Shqipëria ka nevojë për parti dhe liderë që ndahen apo bashkohen vetëm në parime, për parime, me parime, e me arsye kryesore Shqipërinë dhe qytetarin shqiptar. Çdo detaj tjetër është pjesë e pasojave dhe shkaqeve për të cilat ne politikanët shqiptarë duhet të ndihemi të turpëruar e të kërkojmë ndjesë. E jo më të vazhdojmë sërish, me dashuri – intrigat tona personale, private a partiake. Nuk më intereson fare asnjë lloj detaji që flet, kërkon, paralajmëron apo shkakton çarje a bashkime të natyrës personale, private apo partiake. Shoh e ftoj çdo qytetar shqiptar e çdo udhëheqës a përfaqësues politik që të shohim të gjithë së bashku thellë në nevojat që ka shpresa, e sotmja dhe e nesërmja jonë e përbashkët. Çarjet dhe bashkimet mund të sjellin lajme të bujshme dhe ndoshta edhe tërmete politike, por nuk sjellin as shpresë, as të sotme e as të nesërme. Çarjet dhe bashkimet e kësollojshme janë thjesht e djeshme e trishtë dhe e pashijshme. PDIU-ja qëndron larg kësaj mendësie. Nëse ka ndarje parimore dhe të dinjitetshme, le të ndodhin. Nuk ka pse të kemi frikë nga ndarje të tilla. Sikurse nuk ka pse të kemi frikë edhe nga ballafaqimi me qytetarët tanë, sa herë ne nuk bashkëqeverisim dot për të mirën e qytetarëve tanë. Kur ka ndarje parimore, edhe ballafaqimi me popullin është procesi më i natyrshëm. Ne politikanët nuk duhet t’u trembemi e as t’u shmangemi ballafaqimeve me popullin tonë. Tek e fundit votohemi që të jemi të përgjegjshëm dhe që t’u shërbejmë e t’u japim llogari qytetarëve tanë…
Mendoni se pas dy vitesh qeverisje, ka nevojë për ndryshime në kabinetin qeverisës?
Po jetojmë ditë të trishta. Me dhjetëra-mijëra qytetarë shqiptarë po braktisin vendin. Nëse ne këtë moment e kalojmë me propaganda antiazilante dhe me përforcime policore, do të thotë se nuk kemi kuptuar asgjë. E kam ndjekur me vë- mendje intervistën e fundit të ambasadorit gjerman, ku ai kritikonte mungesën e reagimit tonë politik për të frenuar ikjet, për të krijuar shpresën. Unë nuk dua e as do të përpiqem fare të hyj në kompetencat e Kryeministrit, por shoqëria shqiptare po piskan, është e depresuar e pa shpresë dhe po ikën. Nuk po them se fajin e ka qeveria dhe ata që janë ministra, por po them se detyra parësore e çdo qeverisësi në ditë të tilla është ta nisë korrektimin nga vetja. Jo vetëm me emra por edhe me fytyra, stil, përmbajtje e frymë, ka nevojë t’u flasim shqiptarëve me një gjuhë që u dëshmon se po i dëgjojmë. Ky kompozim qeveritar me emrat, fytyrat, stilin, përmbajtjen dhe frymën e tij e ka kumtuar mesazhin që ka në këto 2 vite. Nuk po gjykoj as pozitivisht e as negativisht këtë kumt e mesazh, por po them se ka diçka që nuk po u flet shqiptarëve si duhet. Dhe shqiptarët po ikin. Kjo duhet të ndryshojë. E nëse ky ndryshim kërkon edhe ndryshime të dhimbshme emrash, fytyrash, stilesh, përmbajtjeje dhe frymë ministrash, nuk ka pse jo. Karriera e asnjë ministri, e asnjë ekuilibër politik, nuk e vlen këtë dëshpërim të madh të shqiptarëve që rendin ta braktisin Shqipërinë. Prandaj unë besoj e theksoj se duhet një marrëveshje e re mes të gjithëve ne shqiptarëve, qofshim qytetarë dhe politikanë. Nëse kjo marrëveshje e re kërkon emra, fytyra, stil, përmbajtje dhe frymë të re në qeverisje, atëherë pse jo? Unë jam mirëbesues se Kryeministri Edi Rama e ka të gjithë brendinë e tij politike, intelektuale, shtetërore dhe njerëzore në mbrojtje të këtij parimi madhor, pra, në dëgjimin e zërit të qytetarëve.
Vizita e fundit e ministrit të Jashtëm grek krijoi interes të madh për tematikat e trajtuara. Si i gjykoni ju rezultatet e saj, duke pasur parasysh se u fol për çështje që kanë ndikim të madh dhe afatgjatë në marrëdhëniet dypalëshe, përfshi dhe çështjen e pronave të shqiptarëve, ligjin e luftës, traktatin e miqësisë etj.?
Po, keni të drejtë, se kjo vizitë e meriton të trajtohet edhe tani, për shkak të efekteve të pritshme të saj. Më vjen keq se prapa retorikës së butë të ministrit Kotzias nuk pati reflektime të thella, rishikime të politikës diskriminuese greke ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe komunitetit çam në veçanti. Po e filloj me gjykimin e qëndrimeve të tij, megjithëse në diplomaci unë i përmbahem pikëpamjes se ne duhet të përpiqemi të përmirësojmë qëndrimet tona, të diplomacisë sonë, sa kohë që nuk ndryshojmë dot ato të palës tjetër. Po e nis me qëndrimet e Kotziasit. Ai përfaqëson deri diku të majtën historike greke, e cila i ka themelet te lufta partizane greke kundër pushtuesit të përbashkët. Shqiptarët, komuniteti çam masivisht u përfshi në këtë luftë dhe ka dëshmi të pakundërshtueshme dhe të udhëheqësve ushtarakë të kësaj lëvizjeje. Me cilën logjikë, Kotziasi, megjithëse pa përmendur shprehimisht komunitetin tonë, flet për të dënuar për bashkëpunëtorë të fashizmit, duke aluduar për çamët? Gjyqi i Janinës për të cilin fliste Kotziasi në një intervistë në një televizion shqiptar është gjyq i pavlefshëm edhe sipas ligjeve greke, sepse ishte një ligj në mungesë, i zhvilluar dhe ndaj foshnjave, siç ishte babai im për shembull. Kotziasi duhet ta kuptojë se Greqia nuk mund t’i shmanget veprimit të konventave europiane te ligjet që ka miratuar vetë, në vitet ‘70 dhe ‘80 për rikthimin e refugjatëve të luftës, të majtë apo të djathtë, me përjashtim të atyre që nuk kishin kombësi greke. Këto ligje janë ligje diskriminues dhe ndërgjegjja e dikujt që quhet humanist europian, siç vetëkonsiderohet Kotziasi, nuk duhet t’i pranojë. Por le të merremi me sjelljen e diplomacisë sonë. Nuk di se pse ministri ynë i Jashtëm nuk e përmendi çështjen çame në konferencën e shtypit dhe besoj se as në takimin me dyer të mbyllura nuk e ka përmendur. Dua të vlerësoj këtu Presidentin Nishani që e bëri publik qëndrimin e tij brenda takimit në lidhje me çështjen çame. Por shqetësimi im nuk është vetëm i lidhur me takimet e Kotziasit gjatë kësaj vizite, por me pasojat e saj. U tha se do të abrogohej ligji i luftës. A e ka të qartë dikush në Ministrinë e Jashtme se cilat janë implikimet e këtij abrogimi, shprehimisht apo jo drejtpërdrejt? Unë kam një dyshim të madh se në diplomacinë tonë mungon mendimi i thelluar profesional për çështje të tilla. Ky shqetësim më është forcuar pas miratimit të marrëveshjes për toponimet, e cila nuk reflektoi standardet ndërkombëtare për këtë çështje. Ne si PDIU kemi ekipe profesionale konsulentësh edhe ndërkombëtarë për secilën çështje që lidhet me marrëdhëniet shqiptaro-greke, apo dhe të tjera. Ligji i luftës mund të abrogohet, por duhet patjetër të parashikohen pasojat që lidhen me pronat e shqiptarëve në Greqi, ku sigurisht përfshihen pronat e komunitetit çam. Abrogimi pa e zgjidhur këtë problem, do të thoshte mbylljen e këtij kapitulli për legjislacionin grek, ndërsa ne ngulmojmë ta mbajmë të hapur deri në zgjidhjen përfundimtare. Ne e dimë se nuk jemi në gjendje lufte me Greqinë, megjithëse vendosja e ushtrisë në kufi me ne, apo njëlloj gjendje e jashtëzakonshme në prefekturën e Thesprotisë e tregon të kundërtën. Por ne duam të sqarohet statusi i pasurive shqiptare, para çdo hapi tjetër. U përmend dhe Traktati i Miqësisë midis dy vendeve. Ne besojmë se nëse ai traktat do të zbatohej, atëherë do zgjidheshin shumë probleme mes nesh. Por në rastin e një traktati të ri, ne duam negocim profesional dhe jo pranim pa kushte të një teksti të imponuar nga pala tjetër, siç ndodhi në 1996-n, diçka që ma ka pohuar një ekspert i yni në grupin negociator të kohës.
Berisha tha në Parlament se kjo vizitë, presioni i Kotziasit në takim me Ramën, shënoi një zvogëlim të profilit tuaj publik si nënkryetar i Parlamentit… Sa e vërtetë është kjo?
Zoti Berisha është një mjeshtër i bashkimit të fakteve të dukshme politike me ato të padukshme, duke krijuar fabula të besueshme për publikun. Por faktet e padukshme s’janë gjithnjë të vërteta. Ka një të vërtetë se unë s’jam investuar tërësisht në krijimin e një imazhi publik të rolit të nënkryetarit të Kuvendit. Trysnia për protagonizëm politik edhe brenda shumicës është e fortë, por me kohë do të kemi zhvillime të reja.
Raportimet zyrtare të fundit flasin për një deficit në realizimin e të ardhurave që arrijnë shumën e 150 milionë dollarëve nga Tatimet dhe Doganat. Si ish-drejtues i lartë i këtij sektori, mendoni se kemi të bëjmë me politikë të dështuar fiskale apo administrim të dobët? Si ndryshohet situata?
Në një përgjigje të thjeshtë, mendoj se janë të dyja. Por kam mendimin se premisa bazë është mentaliteti i gabuar që kemi për vetë sistemin fiskal. Ndoshta dhe si reminishencë e sistemit të kaluar, që taksat e tatimet ishin të “ndaluara” e të këqija dhe Partia na siguronte gjithçka. Fatkeqësisht, te ne administrata fiskale është e konceptuar si xhelati që rri te dera për të të marrë detyrimin, jo aq sa ti duhet të paguash, por aq sa i duhet arkës së shtetit. Kjo ka sjellë deformim të madh të funksionit të administratës fiskale. Ne jemi i vetmi vend që në fakultetet tona ekonomike nuk kemi degë për fiskalistë, gjë që e vuan dhe administrata, por edhe biznesi. Ndryshimet e shpeshta në administratë, heqja me rotacion edhe të atyre pak specialistëve të mirëfilltë që kanë dizenjuar sistemim fiskal, ligjin e TVSH-së etj., zëvendësimi i tyre me militantë partiakë që i shohin Tatimet e Doganat si vendin ku ti ke në dorë biznesin, e ku përfitimet janë të mëdha e të lehta, bëjnë gangrenën e sistemit. Por dhe administratat doganore dhe tatimore janë dizenjuar keq. Sistemi ynë i taksave është unitar, por taksat e njëjta mblidhen me dy administrata të ndryshme, që të dyja, nën trysninë e planit, tentojnë të mbledhin kush më shumë për vete. Kjo ka deformuar sistemin doganor dhe tatimor. Roli primar i Doganave është “protection” për rregullat e origjinës dhe akcizat, kurse të ardhurat mblidhen kryesisht në sistemin tatimor, kur biznesi e kryen ciklin e vet dhe në fund paguan taksat. Ky deformim duket më së miri në raportin e mbledhjes së të ardhurave nga Doganat e Tatimet, ku sot e kësaj dite Doganat mbledhin rreth 55 % të të ardhurave dhe Tatimet vetëm 45 %. Pra, pa filluar transaksioni ekonomik i biznesit kemi një kosto shtesë për të. E ky sistem duhet të marrë fund sa më shpejt. Për të shmangur këtë deformim, duhet të unifikohen në një administratë të vetme Tatimet e Doganat, pra të krijohet Agjencia e të Ardhurave pa ndryshuar funksionet e administratave. Kjo është një praktikë e përdorur në vendet me popullsi të vogël nën 5 milionë banorë, p.sh., nga Danimarka, Estonia, Lituania etj. Kjo do të ulte kostot e administrimit, por do të vendoste një sistem të drejtë dhe efikas. Sot na thuhet që janë ulur zhdoganimet e naftës apo është ulur çmimi i naftës, por njëkohësisht është rritur prodhimi vendës dhe çmimi në treg është prapë i lartë. Kjo do të thotë që duhet të kishim ulje nga të ardhurat doganore, por s’duhet të ishim të shqetësuar sepse duhet të ishin rritur me dyfish të ardhurat nga nafta në Tatime, sepse do të reflektohej atje dhe rritja e prodhim vendës dhe çmimi i lartë i shitjes në treg për të cilin do paguhej më shumë TVSH dhe tatimfitim. Mora vetëm një shembull për të treguar sa shumë mbetet për t’u bërë në përmirësimin e administrimit fiskal. Përsa i përket sistemit të taksimit, mbetem me bindje se taksat e ulëta, një sistem i thjeshtë i taksimit janë ato që i duhen një ekonomie në zhvillim si Shqipëria. Përsa i përket uljes së nivelit të zhdoganimit të cigareve, ne si PDIU, me kontributin e departamentit tonë të çështjeve fiskale dhe ekonomike, do t’i propozojmë qeverisë dhe Parlamentit një ndryshim në ligjin për duhanin dhe ligjin për akcizat bazuar dhe në përvojat ndërkombëtare, që do të bënte të mundur uljen e kontrabandës dhe monitorimin më të mirë të këtij malli me akcizë të lartë e me premisë për evazion fiskal.
Aristir Lumezi
Panorama
Krijoni Kontakt