Humbja e bastioneve, Meta, PS-së: Bashkitë e mëdha u fituan falë votave të LSI-së

“Rezultati më i shkëlqyer pa dyshim që u arrit në qytetet më të mëdha, sidomos në Tiranë”

Emri:  Rama-Meta_1.jpg

Shikime: 543

Madhësia:  45.8 KB

Akuzave të socialistëve për humbjen e bastioneve të majta si në Pogradec dhe në Mallakastër për shkak të kandidatëve të LSI-së, Ilir Meta iu është kundërpërgjigjur nga Jala, duke i kujtuar aleatit të tij kryesor, Ramës, se fitorja bindëse në Tiranë ka ardhur pikërisht nga forca e tij politike. Nga kampingu i të rinjve të LRI-së, në plazhin e Jalës, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ia faturoi pikërisht atyre fitoret e mëdha të arritur në zgjedhjet e 21 qershorit, por duke veçuar këtu atë të Tiranës, ku kontributi i tyre ishte i madh në fitoren e bashkisë. Në fjalën e tij para të rinjve, por edhe disa ambasadorëve të ftuar për një darkë në kamping, kreu i LSI-së, është ndalur te arritja më e madhe e kësaj partie, pikërisht te përfaqësimi i të rinjve në pushtetin vendor në këshillat bashkiakë, fakt që për Metën nuk ndodh në asnjë parti tjetër. “Rezultati më i shkëlqyer pa dyshim që u arrit në qytetet më të mëdha të Shqipërisë falë punës së LRI-së dhe sidomos në Tiranë, ku pa dyshim LRI-ja ishte ajo që e drejtoi pothuajse të gjithë fushatën ashtu sikurse drejtoi edhe gjithë listën e kandidatëve tanë. Dhe besoj që është një fakt i jashtëzakonshëm që nuk ndodh askund tjetër, vetëm në Lëvizjen Socialiste për Integrim, që në 13 këshilltarët e zgjedhur në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, 9 të jenë të Lëvizjes Rinore për Integrim”, tha Meta, duke theksuar se ky ishte një rezultat i merituar falë kontributit të tyre. “Ky rezultat është tërësisht i merituar, sepse shumica e votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim i takojnë gjeneratës tuaj, gjeneratës më të re, por jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shkak sepse cilësitë dhe aftësitë tuaj dhe të përfaqësuesve tuaj kanën qenë dhe mbeten shumë të spikatura ashtu sikurse e tregoni vazhdimisht kudo në të gjitha debatet, në të gjitha eventet publike ku të rinjtë dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Rinore për Integrim dallojnë në mënyrë të veçantë për aftësitë e tyre, për argumentet e tyre, për bindjen e tyre, dhe natyrisht që në të gjithë këtë rrugëtim një ndikim të veçantë ka edhe Jala që zhvillohet për të shtatin vit radhazi”, deklaroi kreu i LSI-së. Duke u ndalur në vendimmarrjen e tyre në politikë, Meta u shpreh se sfidat që i presin ata janë më vështira. “Shqipëria është e të rinjve dhe kjo do të thotë një ndryshim i madh në politikë në vendimmarrje në favor të të rinjve, sepse sfidat që ka vendi do të vazhdojnë të jenë më të vështira. Dua t’ju falënderoj juve, por në mënyrë të veçantë dua të falënderoj prindërit tuaj, që kanë besim te ju, që kanë besim te LRI. Dua t’i falënderoj ata jo vetëm për këtë arsye, por edhe sepse ju mbështesin, mbështesin arsimimin tuaj, në gjithçka që ju përpiqeni për të ardhmen tuaj dhe absolutisht që jam i bindur se ky angazhim, ky investim që ju bëni në LRI është dhe do të jetë një mbështetje e fuqishme jo vetëm për të ardhmen tuaj, por për të ardhmen e të gjithë gjeneratës tuaj”, tha Meta.

Mungesa e socialistëve

Ajo që pritej me kureshtje në darkën e dy ditëve më parë në Jalë në kampingun e të rinjve të LRI-së, ishte prania apo jo e Kryeministrit Rama qoftë edhe me një përshëndetje nëpërmjet telefonit, ashtu siç tha deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e pyetur nëse i është bërë ftesë Kryeministrit. Vetë kreu i qeverisë njoftoi nëpërmjet profilit të tij në Facebook, kthimin në Tiranë dy ditë më parë, duke lënë kështu takimin e radhës me aleatin në qeveri, Metën në Tiranë dhe jo në një ambient plazhi. Por e njëjta gjë ndodhi edhe me të rinjtë e FRESSH, gjatë grumbullimit të tyre në fund për një javë në plazhin e Jalës. Ajo që u vu ishte pikërisht mungesa e deputetëve apo përfaqësuesve të partisë më të madhe aleate në pushtet, por vetë e kreut të PS, ajo e ministrave Saimir Tahiri e Damian Gjiknuri, si dhe e deputetëve Pandeli Majko dhe Blerina Gjylameti. Pas zgjedhjeve të 21 qershorit u përfol në media për një krisje të marrëdhënieve mes dy liderëve kryesorë të koalicionit të majtë, Edi Rama të PS-së dhe Ilir Meta të LSI-së. Pas disa ditë heshtjeje dy liderët si Rama, ashtu dhe Meta reaguan duke hedhur poshtë çdo mundësi ftohjeje të marrëdhënieve, duke i cilësuar si tepër konstruktive. “Nuk jam idhnuar me Ramën, mund ta takoj kur të shkoj në Jalë”, deklaronte katër ditë më parë Meta, por se një takim i tillë nuk ka ndodhur, pasi Kryeministri i dha fund pushimeve në Dhërmi. Ndërsa kanë hedhur poshtë çdo mundësi për ndryshimet në qeveri, duke kërkuar që të realizohen përmirësime të punës së disa prej dikastereve.

Shqip