Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Vdes 32-vjeçarja, arrestohet biznesmeni që ishte në timon

    Mister pas vdekjes së 32-vjeçares Bujana Bushi në një aksident rrugor në Kavajë. Ngjarja ka ndodhur më 30 korrik dhe në aksident u përfshinë dy mjete dhe një motoçikletë.

    Emri:  aksidenti12345-473x315.jpg

Shikime: 693

Madhësia:  29.8 KB
    Pamje nga vendngjarja

    Vajza që humbi jetën prej 10 vjetësh banonte në Tiranë, ishte nënë e një fëmije 9 vjeç dhe e divorcuar.

    Aksidenti u raportua pa pasoja nga ana e policisë së Qarkullimit Rrugor të Kavajës, vetëm me një të plagosur lehtë dhe ky ishte drejtuesi i motoçikletës. Për vajzën e aksidentuar me vdekje, policia nuk tha asnjë fjalë. Madje as në komunikatën zyrtare, ngjarja nuk u pasqyrua.

    Pas aksidentit, familjarët e viktimës duke folur për “Gazeta Shqiptare” e konsiderojnë të qëllimshëm dhe krim fshehjen e ngjarjes. Ata ngrenë akuza ndaj rrugorëve të Kavajës për fshehje të rrethanave të aksidentit, vjedhje të parave si dhe të sendeve personale që vajza kishte me vete.

    Vëllai, xhaxhai dhe dajat e Bujana Bushit pohuan se “kemi tri ditë që po sorollatemi në Komisariatin e Policisë së Kavajës për të mësuar se çfarë ka ndodhur. Po kërkojmë sendet personale, që sipas traditës vajza do t’i merrte me vete në arkivol, por nuk po gjejmë asgjë”.

    Ata u shprehën se dyshojnë se vajza mund të jetë grabitur dhe vrarë. Ndërkohë, burime nga policia e Kavajës bënë me dije se vajza ka qenë pasagjere në automjetin e biznesmenit K.T. nga Vlora, i cili njihet si R.A.

    Po dje, blutë pohuan se biznesmeni ka qenë shoferi i mjetit dhe se ai ka mbetur i plagosur (pra rezulton se në aksident janë plagosur dy persona dhe jo një siç u deklarua në fillim). Ai është duke u kuruar në spitalin e Durrësit, ku u dërgua së bashku me 32­vjeçaren pas aksidentit të ndodhur.

    Gjithashtu, burimet policore pohuan se K.T. është arrestuar për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Për të njëjtën akuzë është arrestuar edhe drejtuesi i motoçikletës, i cili thuhet se i preu rrugën mjetit, me të cilin udhëtonte 32­-vjeçarja.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Vëllai i 32-vjeçares: U zhdukën 100 mijë eurot që do blinte shtëpi, pas ngjarjes na kërcënuan që të heshtnim

    Familjarët e një 32-­vjeçareje nga fshati Llakatund i Vlorës kanë denoncuar dje Policinë Rrugore për fshehjen e një aksidenti automobilistik të ndodhur katër ditë më parë në autostradën Kavajë­-Rrogozhinë, midis zonës së Gosës dhe të Lekajt.

    Emri:  bujana-473x340.jpg

Shikime: 592

Madhësia:  21.8 KB
    Vajza e aksidentuar


    Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, vëllai i viktimës, 27-­vjeçari Fisnik Bushi, akuzoi drejtpërdrejt për fshehje të krimit, segmente të caktuara të Policisë së Qarkullimit Rrugor.

    Fisnik, ju sot (dje) keni telefonuar te “News 24″ dhe “Gazeta Shqiptare” për një aksident automobilistik të ndodhur në Kavajë. Mund të na thoni se cili është problemi juaj?

    Tri ditë më parë humbi jetën në aksident motra ime, ndaj dua të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Kjo për faktin se asnjë televizion nuk e dha këtë lajm. Dua të di pse u fsheh ky aksident, mos e kanë vrarë time motër? Pse nuk na treguan ku ndodhi, pse ndodhi, aksidenti? Kush e shkaktoi? Mos ishte grabitje, apo dhunim? Pse nuk na i dhanë sendet e saj personale? Pse nuk na japin çantën ku kishte më shumë se 100 mijë euro? Për këtë jam drejtuar te “News 24″ dhe “Gazeta Shqiptare”.

    Si e mësuat lajmin për aksidentin?

    Unë isha në punë. Jetoj në Tiranë së bashku me motrën që varrosa. E kisha lënë motrën në gjumë, pasi dola herët. Nga ora 12:00 e së enjtes më mori nëna në telefon që më tha që Bujana ka pësuar një aksident. Më dha numrin e infermieres së spitalit të Durrësit. Infermierja më tha hajde se motra të ka vdekur. Kur shkova, e gjeta motrën jashtë morgut. Atë e kishin futur në arkivol, e kishin veshur, gati për ta çuar në shtëpi. Kishin bërë biznes edhe me vdekjen e saj. Më kërkuan 1.5 milionë lekë të vjetra për të çuar motrën në shtëpi. Ndërsa pagova 50 mijë lekë të vjetra për rrobat që i kishin veshur. Rrobat e saj i kishin flakur. E vetmja gjë që kemi gjetur deri tani është vetëm një shapkë të motrës. Ata të morgut më dhanë vetëm një dokument, ku thuhej se shkak i vdekjes ishte aksidenti. Po jo vendi ku ndodhi aksidenti dhe çfarë e si ndodhi.

    Çfarë ndodhi më pas?

    Sapo çova trupin e motrës në shtëpi për ta qarë, xhaxhai dhe daja im shkuan në policinë e Kavajës dhe të Durrësit për të marrë sendet e saj personale. Para se të varrosej, nëna kërkoi vathët, orën, celularin dhe çantën e saj për t’i futur në arkivol. E kemi traditë, por asgjë nuk gjendej dhe nuk është gjetur akoma.

    Dyshojmë se e gjithë kjo ka të bëjë me çantën me para që ka pasur motra. Bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë euro. Me këto para, ime motër do të blinte një shtëpi, për veten e saj. Ku janë paratë? Ne dyshojmë se për këtë shkak është mbajtur e fshehur ngjarja. Dyshojmë që këtë e kanë bërë policët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

    Çfarë mësuat nga policia?

    Policia e Kavajës ia hidhte fajin asaj të Durrësit. Dhe ne sorollateshim në komisariatin e Durrësit, ndërkohë që aksidenti kishte ndodhur në Kavajë. Mësuam se motra ka qenë në makinë me Kostandin T. ose Ramis A. (ai ka dy emra). Na thanë që është nga Vlora, por ne nuk e njohim. Gjithashtu, na thanë se do të na i jepnin sendet personale të Bujanës, sot (dje) në orën 16:00, por nuk na dhanë asgjë. Na thanë që sendet personale ia kishin dhënë vëllait të shoferit. Por, ç’punë kishte ai me sendet personale të motrës sime dhe pse nuk na i japin ne?

    Ku punonte motra juaj?

    Ka punuar në bankë dhe ishte ekonomiste e kontabiliste. Me bizneset merrej. Motra prej 10 vitesh punonte në Tiranë.

    Çfarë bëni para Komisariatit të Policisë së Kavajës?

    Ne duhet të ishim duke pritur ngushëllime në shtëpi, se e kemi derën të hapur e na vijnë shumë njerëz, por nuk mund ta lëmë këtë çështje. Erdhëm këtu, pasi këta menduan se do ta na përcillnin lehtë duke na çuar në Durrës. Ne kërkojmë që të na kthehen sendet dhe çanta me para e motrës. Mendoj që janë hedhur lekë për t’u mbuluar ngjarja. Ne jemi shumë të paqartë dhe të shokuar nga kjo ngjarje. Nuk e dimë nëse motra ka qenë pasagjere dhe si e në çfarë gjendjeje ka qenë shoferi; i alkoolizuar apo i droguar? Nuk dimë se çfarë ka ndodhur konkretisht. E kanë grabitur apo e kanë dhunuar motrën time.

    Keni pasur kërcënime?

    Po, më ka marrë një biznesmen nga Vlora e më ka thënë të hesht për këtë punë. Ai më ka thënë të mos bëj zhurmë, më ka kërcënuar. Siç duket është i lidhur me autorin e aksidentit dhe me policinë për të mbuluar faktet.

    Çfarë kërkoni ju?

    Kërkoj që ministri Saimir Tahiri të merret me këtë çështje dhe të hedhë dritë, pasi ne po sorollatemi në policinë e Kavajës, e cila nuk na jep asnjë sqarim. Motra ime mund të jetë grabitur dhe vrarë dhe ne familjarët e saj nuk mund të heshtim pa zbardhur të vërtetën. Kërkojmë që të na dorëzohen paratë dhe të gjitha sendet personale që motra kishte me vete.

    Marre nga Gazeta Shqiptare

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Policia: Çantën e mori vëllai i biznesmenit. Tani e ka Prokuroria

    Tri ditë pas aksidentit tragjik të shtetases Bujana Bushi, 33 vjeçe, e cila humbi jetën në Gosë të Kavajës në rrethana ende të paqarta, zbulohet edhe komunikata e policisë për aksidentin.

    Emri:  Aksidenti1234.jpg

Shikime: 626

Madhësia:  39.8 KB
    Foto nga vendi i ngjarjes

    Ditën e sotme, vëllai i viktimës akuzoi policinë dhe një biznesmen nga Vlora se kanë tentuar të mbulojnë aksidentin e të motrës, duke shtuar se në momentin kur ndodhi aksidenti, viktima kishte me vete 100 mijë euro, të cilat janë zhdukur, së bashku me sendet e saj personale.

    Vëllai viktimës thotë se Policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen pasi është e përfshirë në vjedhje.

    Mirëpo, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e ka dërguar komunikatën e aksidentit të ndodhur më datë 30 korrik, së bashku me dinamikën e saj.

    Në komunikatën zyrtare të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, shkruhet se çantën e viktimës e mori vëllai i biznesmenit dhe më pas me proces-verbal iu dorëzua Prokurorisë.

    “Në vendin e ngjarjes është paraqitur vëllai i shtetasit Kosta Taci, të cilit nga shërbimet policore iu kërkuar të vinte në dispozicion dokumentet e makinës, pasi drejtuesi i mjetit u shoqërua për ndihmë mjekësore.

    Gjithashtu atij iu dorëzuan edhe sendet personale që gjendeshin në makinë, nga shërbimi policor. Shtetasi A.A, vëllai i drejtuesit të mjetit mori me vete edhe çantën e viktimës.

    Më pas kjo çantë me proces-verbal iu dorëzua Prokurorit të çështjes. Gjatë këqyrjes së viktimës nga ekspertët kriminalistë, nuk janë gjetur dhe sekuestruar sende personale”, shkruhet në komunikatë.

    DINAMIKA E AKSIDENTIT DHE SQARIMI PER ÇANTEN

    Lidhur me një ankesë të bërë publike në media nga familjarë të shtetases Bujana Bushi, e cila humbi jetën në një aksident rrugor të ndodhur në datë 30.07.2015, në segmentin rrugor Kavajë – Rrogozhinë, pranë kryqëzimit të fshatit Lekaj, sqarojmë se:

    Në datë 30.07.2015, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Fatmir Bekshiu, 65 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, si edhe i shtetasit Kosta Taci, 51 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë.

    Arrestimi u krye pasi në këtë datë, shtetasi Kosta Taci duke qarkulluar me mjetin e tij tip Benz me targë AA 837 GH në aksin Kavajë – Rrogozhinë, pas ndërprerjes së rrugës nga motori me targë AF107, të drejtuar nga shtetasi Famir Bekshiu, u përplas me një mjet tjetër që po udhëtonte në sensin e kundërt të rrugës.

    Shkak paraprak dyshohet se u bë ndërprerja e rrugës nga dalja e gabuar e motorit në rrugën kryesore, çka solli devijimin e mjetit.

    Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasja Bujana Bushi, 33 vjeç, banuese në Vlorë, si dhe u dëmtuan lehtë shtetaset e mitura S. C, A. C dhe F. C, fëmijët e drejtuesit të mjetit tjetër që u përfshi në aksident.

    Në vendin e ngjarjes është paraqitur vëllai i shtetasit Kosta Taci, të cilit nga shërbimet policore iu kërkuar të vinte në dispozicion dokumentet e makinës, pasi drejtuesi i mjetit u shoqërua për ndihmë mjekësore.

    Gjithashtu atij iu dorëzuan edhe sendet personale që gjendeshin në makinë, nga shërbimi policor.

    Shtetasi A.A, vëllai i drejtuesit të mjetit mori me vete edhe çantën e viktimës. Më pas kjo çantë me proces-verbal iu dorëzua Prokurorit të çështjes. Gjatë këqyrjes së viktimës nga ekspertët kriminalistë, nuk janë gjetur dhe sekuestruar sende personale.

    Policia mori kontakt me të afërmit e viktimës dhe sqaroi gjithashtu rrethanat e ngjarjes. Për sa i përket çantës me sendet e tjera të viktimës, familjarët janë informuar se mund t’i marrin vetëm pas urdhrit të Rkthimit sendeve të sekuestruara të Prokurorisë.

    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Gjykata vendos vetëm detyrim paraqitje për biznesmenin Kosta Taçi

    Gjykata e Kavajës ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për biznesmenin Kosta Taçi, i cili dyshohet si shkaktar i aksidentit të ndodhur në Gosë të Kavajës më 30 korrik, ku humbi jetën 33-vjeçarja Bujana Bushi.

    Gjithashtu, Gjykata e Kavajës ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie për drejtuesin e motoçikletës, Fatmir Bekshiun.

    Aksidenti në fjalë ndodhi më 30 korrik rreth orës 12:10 në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë. Në të u përfshinë dy automjete dhe një motoçikletë.

    Në këtë aksident humbi jetën Bujana Bushi, e cila me vete, sipas familjarëve kishte edhe 100 mijë euro që do t’i përdorte për të blerë një apartament.

    Por këto para janë zhdukur, sipas vëllait të viktimës, së bashku me sendet personale të saj. Një gjë të tillë e hodhi poshtë Policia e Tiranës, e cila tha se çanta në fjalë ndodhet në Prokurori.

    Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Vdekja e 32-vjeçares Bujana Bushi Familjarët priten nga Presidenti

    Familjarët e Bujana Bushit kanë zhvilluar një takim me presidentin e Republikës, Bujar Nishani ku i kanë shprehur dyshimet lidhur me vdekjen e saj, nga i cili kanë marrë garancinë se do të punojë deri në zbardhje të ngjarjes.

    Familjarët ngrenë dyshime për vrasje me qëllim grabitjen nisur nga disa fakte të mbajtur të fshehta nga policia dhe të afërmit e biznesmenit të aksidentuar bashkë me Bujanën.Në prononcimin e dhënë për mediet pas takimit, babai i 32-vjeçares denoncoi sjelljen e policisë që sipas tij nuk është korrekte.

    “Kërkojnë nga oficeri i policisë Kastriot Yzeiri se më ka mashtruar më ka thënë nuk ka vrasje në Kavajë. Kur i kam shkuar i kam kërkuar ku janë plaçkat, ku është çanta ku është ora? Më ka thënë ia kam dhënë vëllait të biznesmenit. Orën ia ka blerë vëllai ka bërë 25 mijë euro ka bërë 20 mijë nuk e di”, u shpreh babai i vajzës së vdekur gjatë aksidentit.

    Babai tregon se fillimisht nga policia i është premtuar se do t’ia dorëzojnë çantën por deri tani familjarëve nuk u është dërguar asgjë. “Nuk më intereson dëmi fare. Më intereson kush e mori vajzën në shtëpi për çfarë e mori, ku e çoi...Pse nuk më lajmëruan si familjar. Kush e mori nga shtëpia në Tiranë Kush e çoi në spital? Kush e shoqëroi? Më lind të dyshoj që e kanë marrë për ta rrjepur përderisa nuk më treguan vendin ku është vrarë, as fletën e shoqërimit as letrën e spitalit”, shprehet babai i 32-vjeçares.

    Ndërsa djali i vogël 32-vjeçare u shpreh: “Dua nga shteti të zbardhë çështjen e mamasë time që të rritem pa hasmëri”, u shpreh djali i 32-vjeçares”.

    Bujana Bushi punonte si ekonomiste në biznesin e Kosta Taçit apo siç njihet ndryshe Ramiz Avizllari. Bushi ndodhej në makinën e biznesmenit në momenti ne aksidentit të ndodhur më 30 qershor në Kavajë. Sipas policisë shkak i aksidentit është bërë dalja e gabuar e një motori në rrugë kryesore gjë e cila solli devijimin e mjetit të drejtuar nga biznesmeni.

    Shqiptarja

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Biznesmeni: Nisja për në Vlorë ishte për deklarimin e bilancit, jo për blerjen e apartamentit

    Bashkëshortja e biznesmenit Kosta Taçi, i cili drejtonte makinën ku ndodhej 32-vjeçarja Bujana Bushi që humbi jetën në aksident, tregon se çfarë i ka thënë i shoqi në spital pasi doli nga reanimacioni.

    Emri:  gruaja1.jpg

Shikime: 506

Madhësia:  11.9 KB
    Andoni dhe Kosta Taci

    Duke qenë se Taçi ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë dhe gjendja shëndetësore nuk ia lejon komunikimin me shumë persona, e shoqja, Andonije Taçi, tregon se si i ka pritur ai akuzat e familjarëve të Bujanës.

    Gjithashtu habinë që ai ka shprehur për praninë e një shume prej 100 mijë eurosh në makinën e tij, pasi i duket e pamundur.

    A keni biseduar me bashkëshortin tuaj pasi doli nga reanimacioni? Çfarë thotë për aksidentin?
    Ai nuk mban mend shumë gjëra nga aksidenti. Edhe sot (dje) e kam pyetur. “Mbaj mend që më doli një motor para dhe mendova me vete se i shtypa këta njerëz. E kam kthyer timonin shumë fort sepse i kisha përballë dhe do t’i përplasja”, më ka thënë. Vetëm kaq pra, që ka parë dy veta me motor dhe nuk mban më mend asgjë. Kur i tregoja sot (dje) fotot nga telefoni, fotot që dalin në internet, u çudit kur ka parë taksinë. Pra ai është përplasur me makinën tjetër dhe nuk e kujtonte dot fare këtë moment. “Nuk ka mundësi…”, më thotë mua. Më thotë që nuk mban mend asgjë, as se si ka dalë nga makina. “Kur kam hapur sytë, e kam parë veten të shtrirë dhe dikush më hidhte ujë që jam përmendur”, më ka thënë. Madje i ka rrobat gjithë baltë që është shtrirë në tokë. Se me çfarë e kanë çuar te Spitali i Durrësit, ai nuk e mban mend. “Nuk e di se më çfarë më kanë sjellë në spital. Vetëm mbaj mend që kam qenë i shtrirë, dikush më hodhi ujë dhe unë i jam lutur që t’i bënte një telefonatë Astritit (vëllait) sepse vetëm ai numër m’u kujtua”, më ka treguar në spital Kosta.
    E dinte që Bujana kishte vdekur në aksident?

    Ai nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur me Bujanën. Ajo ka vdekur në spital. Deri në spital ka qenë gjallë dhe aty ka vdekur. A është në dijeni për akuzat që bëhen nga familjarët e Bujana Bushit, për zhdukjen e 100 mijë eurove? E kemi vënë në dijeni edhe për akuzat që kanë hedhur ndaj nesh familjarët e Bujanës. “Çfarë lekësh?” – më thotë. “Jam i çuditur se ku mund t’i ketë gjetur ajo ato lekë që thonë ata. Ajo punëtore ishte, aq lekë merrte, nuk paguhej aq shumë. Si ka mundësi që të kishte ajo 100 mijë euro?!”, – thotë. Kjo histori nuk besohet nga asnjë. Çfarë mund të thotë bashkëshorti im. Kur ajo ishte në punë, çfarë i donte ato 100 mijë euro? Ajo jetonte në Tiranë prej 10 vitesh, si do vinte të blinte shtëpi në Vlorë? Kur i shoqi deklaroi që para 3 ditësh kishin tërhequr 100 mijë euro nga banka, ndërsa sot tha që nuk i kishte tërhequr. Ai njeri duhet të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Ato para që janë tërhequr nga banka do dalin herët a vonë. Kush është ajo bankë që të jep 100 mijë euro brenda ditës? Ai nuk jetonte me Bujanën. Gjithë jetën e tij e ka kaluar në burg. Ajo edhe para tri vitesh kur ka punuar tek unë, më duket se në burg e ka pasur dhe nuk interesohej ndonjëherë për të. Por unë nuk e pyesja asnjëherë, sepse më vinte keq. Ajo është fatkeqësi dhe nuk më takonte mua të flisja për çështjet e saj familjare.

    Nuk kemi ndonjë mundësi që të bisedojmë vetë me bashkëshortin tuaj?

    Bashkëshorti im tani është duke pushuar dhe nuk dua ta shqetësoj. Gjithsesi, ai e ka dhënë dje deklaratën e tij për Policinë e Kavajës, kur ishte në spital. Tha ato që kishte për të thënë. Burri im e ka ushqyer Bujanën, sepse i ka dhënë lekë për atë punë që i ka bërë. Sa herë që ajo deklaronte dokumentet, im shoq e ka paguar. Unë këto që kisha për të thënë, t’i thashë.

    Edhe bashkëshorti im këto do të thoshte, se nuk di as ai se çfarë të thotë më shumë, përveç të vërtetës që të thashë edhe unë. Por jemi çuditur shumë nga kjo histori, sepse nuk e beson asnjë njeri. Doktoreshat te spitali janë çuditur nga këto deklarata, që ajo kishte orën 25 mijë euro, kur ajo një unazë hekuri kishte në gisht. Kush i ka ato lukse sa të mbajë një orë aq të shtrenjtë, kur ata janë vërtet fukarenj?! Ata bien shumë në kundërshtim me ato që thotë dhe nuk e di pse e sajuan të gjithë këtë histori. Atyre u ndodhi fatkeqësi. Viktimë mund të kishte mbetur edhe burri im dhe ajo mund të kishte jetuar. Po ishte fati i keq i Bujanës.

    Si i shpjegoni akuzat që kanë ngritur familjarët e Bujanës?

    Unë mund t’ju them vetëm kaq: Si mund të merrte një grua 100 mijë euro, kur ajo nuk ishte nisur për atë punë që pretendon familja e saj tani?! Nisja e saj drejt Vlorës ka qenë krejt e rastësishme. Burri im, 2-3 ditë para aksidentit, i kishte dhënë dokumentet për të deklaruar bilancin e vitit 2014, se ajo merrej me këtë punë.

    Ajo i kishte thënë që unë t’i kam deklaruar. E merr burri kontabilistin që kemi në Vlorë dhe vëllain e vet dhe i thotë që duhet të vish me patjetër këto dy ditë, sepse nesër është dita e fundit, pasi nuk të janë deklaruar dokumentet. Atëherë burri e merr në telefon Bujanën, se nuk e di se ku ishte, më duket se ka një zyrë te “21 Dhjetori”, dhe i thotë: “Të lutem më sill vulën dhe dokumentet se po të pres tek Unaza, se duhet të shkoj t’i deklaroj”. Ajo i thotë që i kishte deklaruar, ndërsa im shoq i thotë që nuk ishin deklaruar. Kur është bërë kjo bisedë, Bujana ka qenë në punë, në zyrë. Ku del kjo grua me 100 mijë euro në çantë nga puna? Kjo është e pabesueshme dhe e çuditshme për mua.

    Kur shkon tek Unaza dhe e takon burrin, vazhdon t’i thotë që i kishte deklaruar; “Megjithatë unë po vij në Vlorë, t’i shikoj ku kam gabuar që edhe unë t’i di ku i kam bërë gabim punët e mia”, i thotë ajo. Burri e merr me vete. Nuk kishte si ta mendonte dhe si ta parashikonte se çfarë do të ndodhte. Si mund t’i marrë një grua 100 mijë euro me vete, t’i mbajë në punë dhe t’i marrë prapë me vete në çantë?! Ku i gjeti këto para? Përveç 100 mijë eurove, tani thonë që Bujana kishte edhe ora e unaza nga 25 mijë euro, që ne nuk i kemi parë as në ëndërr. S’kemi blerë ndonjëherë ndonjë gjë 100 euro, jo 25 mijë euro. Unë nuk e marr vesh se çfarë po bëhet.

    Prej sa kohësh punonte Bujana me ju?

    Nuk e di sa kohë kishte ajo që punonte. Mund të kishte 2-3 muaj, mund të kishte edhe më shumë. Unë e njihja sepse ajo ka punuar te ne para tre vjetësh. I njihja, kisha pirë edhe kafe me të. Punoi ca kohë dhe iku. Kërkoi ngritje rroge, nuk ia rritëm dot sepse kaq mundësi kishim. Nuk i pëlqeu puna dhe iku. Megjithatë, muhabet kishim ende dhe takoheshim. Tani ajo kishte hapur punën e vet, ia kishte gjetur anën. Ka punuar edhe me biznesmenë të tjerë që u deklaronte dokumentet.


    Panorama

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Familja që u përplas nga biznesmeni: Përse policia nuk e raportoi plagosjen tonë?

    Në aksidentin rrugor të datës 30 korrik në aksin Kavajë­-Rrogo­zhinë, ku humbi jetën 32- ­vjeçarja Bujana Bushi, janë aksidentuar edhe anëtarët e një familjeje tjetër. Bëhet fjalë për çiftin Cenga nga Tirana dhe tri vajzat e tyre, të cilët, për shkak të plagëve që kanë marrë gjatë këtij aksidenti, janë detyruar që të qëndrojnë për afro një javë në Spitalin e Durrësit dhe tek ai i Traumës në Tiranë.

    Emri:  alma-cenga.jpg

Shikime: 623

Madhësia:  23.0 KB
    Alma Cenga e plagosur ne aksident


    Por, policia e kryeqytetit në njoftimin e saj zyrtar pas aksidentit ka cituar se nga ky aksident janë plagosur vetëm tri vajzat e mitura, S.C., A.C. dhe F.C., pa e dhënë ngjarjen të plotë, duke shtuar edhe më shumë misterin se përse shumë detaje nuk janë raportuar nga ky aksident.

    “Gazeta Shqiptare” ka arritur të kontaktojë me Alma Cengën, bashkëshorten e drejtuesit të mjetit tjetër me të cilin është përplasur edhe “Benz”­i ku udhëtonin viktima Bujana Bushi dhe biznesmeni Kosta Taçi.

    Në këtë rrëfim, nëna e tri vajzave tregon me detaje se si automjeti tjetër u preu rrugën duke dalë nga korsia tjetër.

    Çfarë ka ndodhur ditën që jeni aksidentuar?

    Më datë 30 po ktheheshim nga Ksamili, sepse ishim me pushime. Ne ishim me makinën tonë dhe po ecnim avash për shkak të fëmijëve që kishim me vete. Pikërisht në vendin ku ndodhi edhe aksidenti, na vjen një makinë nga korsia tjetër e rrugës, hyn në korsinë tonë dhe përplaset me ne. Më vonë morëm vesh se makina ishte ajo në të cilën kishte udhëtuar biznesmeni me vajzën që humbi jetën, të cilët fillimisht ishin përplasur me një motoçikletë. Po ne këtë pjesë nuk e kemi parë, pasi pamë vetëm makinën kur na erdhi aq afër sa ne nuk mundëm të bënim asgjë: makina u përplas me ne dhe pastaj devijoi. Unë nuk mbaj mend çfarë ndodhi më pas, sepse humba ndjenjat dhe jam zgjuar vetëm në spital. Aty kam kuptuar se ku isha dhe më thanë se çfarë kishte ndodhur.

    Ju, nuk arritët të shikonit se kush ishin personat që udhëtonin me makinën që u përplas me ju?

    Jo, nuk kam parë asgjë! Kam parë vetëm makinën që doli nga korsia e vet, çau trafikndarësen dhe doli përballë nesh. Unë humba ndjenjat dhe jam zgjuar në spital. Edhe për vajzat dhe bashkëshortin tim nuk e dija se çfarë kishte ndodhur; vetëm më pas kuptova se çfarë kishte ndodhur.

    Sa kohë keni qëndruar në spital?

    Pasi kemi bërë aksidentin, na kanë ndihmuar shumë njerëz aty rrotull. Fillimisht na kanë dërguar në Spitalin e Durrësit, ku na kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas na kanë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku na kanë mbajtur për afro një javë.

    Ku jeni dëmtuar nga aksidenti?

    Nga aksidenti kemi mbetur të gjithë të dëmtuar si familje. Unë kam qenë e ulur në vendin e parë të makinës, bashkëshorti im i jepte makinës dhe tri vajzat e mia kanë qenë të ulura në pjesën pas të makinës. Pas këtij aksidenti, vajza ime e vogël, që është vetëm 4 vjeçe, ka dalë pa ndjenja dhe ka qëndruar në reanimacion për disa ditë, ndërkohë që është akoma e tronditur dhe mjekët më thanë se ka dëmtime të trurit dhe të kockave të kraharorit; vajza tjetër e madhe është plagosur në këmbë dhe vajza e dytë ka dëmtime në gjithë trupin. Unë vetë kam plagë në trup, në fund të barkut, kam dëmtime në mushkëri, ndërsa bashkëshorti ka pasur dorën në allçi, ndërsa ka dëmtime në trup. Por, dëmi ynë më i madh është psikologjik, pasi ne kemi mbetur të gjithë të traumatizuar. Nuk jua shpjegoj dot tmerrin e këtij aksidenti! Kur pashë makinën që na erdhi përpara me atë shpejtësi, mendova se jeta jonë mori fund. Kemi parë vdekjen me sy!

    Çfarë kërkoni ju pas këtij aksidenti?

    Unë dua t’i shpreh ngushëllimet familjes së vajzës që humbi jetën në aksident dhe nuk dua të përzihem me çështjen e tyre, sepse e zgjidh vetë drejtësia. Unë dua të di se përse aksidentimi i familjes sime nuk është përmendur nga policia, është përmendur shumë tërthorazi, ndërkohë që ne kemi mbetur të gjithë të plagosur në këtë aksident. Policia thotë se në aksident kanë mbetur të plagosur vetëm tri vajza të mitura, ndërsa nuk përmend se kemi qenë të plagosur unë dhe bashkëshorti, pra të gjithë si familje. Ne duam që shteti të na trajtojë si të dëmtuar dhe jo si autorë. Ne jemi të pafajshëm në gjithë këtë histori, pasi ishim në punën tonë dhe makina na u përplas vetë. Por, pas këtij aksidenti na kanë bllokuar makinën, e cila është taksi dhe bashkëshorti im e përdor për të fituar bukën e gojës. Gjithë kohën në media flitet për aksidentin dhe jepet makina jonë, ndërsa ne nuk na pyet njeri, nuk na përmend njeri. Nuk e kuptojmë se përse është lënë në harresë, kur ne jemi dyfish të dëmtuar. Unë dua që të dalë se ne jemi të pafajshëm dhe të mos luhet me standarde të dyfishta.

    Balkanweb

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Aksidenti misterioz/ Gruaja e biznesmenit: Ku i gjeti Bujana 100 mijë euro?

    “Bujanën e njihja prej tre­-katër vjetësh. Të besosh se ditën që ajo u aksidentua me vdekje kishte me vete në çantë 100 mijë euro është tmerr. Kjo për faktin se ajo nuk kishte ku të gjente kaq shumë para”. Kështu ka thënë në një intervistë për “GSH”, Andoni Taçi, bashkëshortja e biznesmenit Kosta Taçi ose siç njihet ndryshe, Ramiz Avizllari, i cili mbeti i plagosur rëndë në aksidentin automobilistik që ndodhi mesditën e së enjtes që shkoi në Lekaj të Kavajës.

    Teksa ndodhej pranë të shoqit në spitalin rajonal të Durrësit, Andonia tha se nuk është aspak e vërtetë se viktima, e cila ishte e punësuar si ekonomiste në biznesin e familjes, të ketë pasur 100 mijë euro me vete.

    Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Andoni Taçi tregoi me detaje se si e mori lajmin për aksidentin, ndërsa sqaroi se ishte në dijeni të faktit se burri i saj po udhëtonte për në Vlorë bashkë me Bujana Bushin për të mbyllur bilancin e dyqanit të tyre, pasi atë ditë ishte afati i fundit. Gjithashtu, 48-­vjeçarja hodhi poshtë të gjitha akuzat e familjarëve të viktimës.

    Zonja Andoni, si e morët lajmin e aksidentit? Ku ishit në atë kohë?

    Unë isha në Tiranë, në shtëpi, aty ku banojmë. Më mori kunati (vëllai i burrit) në telefon dhe më tha që Kosta ka bërë aksident. Sapo më njoftoi Astriti, u nisa direkt për në spitalin e Durrësit. Kur mbërrita, pashë se në urgjencë kishte shumë njerëz. Pyeta ku ishin të aksidentuarit e Kavajës. Po kërkoja burrin tim, Ramizin. Isha shumë e traumatizuar. Në një moment pashë trupin e pajetë të Bujanës teksa po e çonin në urgjencë.

    A e njihnit Bujana Bushin?
    Po, e njoh prej tre a katër vjetësh. Ka qenë e punësuar tek ne. Në fillim ka punuar në dyqanin tonë, por ka ikur, se mesa duket kërkonte më shumë rrogë. Nuk kam pasur shumë lidhje me të. Aktualisht ka qenë e punësuar part­time te ne për bilancet.

    Ishit në dijeni që ditën e aksidentit, bashkëshorti juaj dhe Bujana po udhëtonin për në Vlorë?
    Më tha burri atë ditë që jam për në Vlorë dhe se do të shkonte me Bujanën. E dija që do të mbyllnin bilancet e dyqanit atë ditë, pasi ishte afati i fundit për vitin 2014. Nuk kishim mbyllur 2014-­ën dhe do shkonin në Vlorë. Në makinë e di që u janë gjetur dokumentet e dyqanit dhe të bilancit. Ishte dita e fundit e bilancit. Im shoq mori makinën time të vogël dhe jo foristradën. Kaq di unë.

    A jeni njohur me deklaratat e të afërmve të Bujanës, pasi ata pohojnë se në momentin kur ajo u aksidentua ka pasur 100 mijë euro, të cilat janë zhdukur?
    Po, kam lexuar gazetën dhe e kam parë në TV. Jam shqetësuar shumë dhe jo vetëm unë, por të gjithë të afërmit. Ku i gjeti ajo 100 mijë euro? Ato janë shumë para për t’u marrë me vete. Nuk kanë nga të dalin kaq shumë para.

    Të afërmit e viktimës kanë deklaruar se nuk kanë gjetur as çantën me sendet personale, asgjë prej saj. Çfarë dini ju për këtë?
    Unë e di që çanta i është dorëzuar policisë. Unë kam lexuar një procesverbal të policisë për të gjitha sendet që u gjetën atë ditë brenda në makinë. Unë nuk kam parë çantë me sy. Të besosh që ajo kishte 100 mijë euro me vete është tmerr. Të besosh që burri im e ka goditur apo dhunuar, apo i ka bërë diçka është po tmerr. Bashkëshorti im i ka shpëtuar vdekjes dhe nuk mban mend asnjë gjë.

    Vëllai i Bujanës ka deklaruar se motra kishte sasi të madhe parash me vete për të blerë shtëpi. Të njëjtën gjë ka thënë edhe bashkëshorti i saj. Çfarë mund të na thoni?
    E lexova në gazetë edhe këtë. Ai thoshte se lashë motrën në gjumë dhe ika për në punë. Si e paska lënë ai motrën me gjithë ato para vetëm të lëvizte? Ai nuk e dinte as ku do të shkonte motra e tij.

    A keni kontaktuar ju me familjen e Bujanës pas kësaj ngjarjeje?
    Jo, nuk kam kontaktuar dhe nuk besoj se do kontaktoj më me ta pas kësaj që kanë bërë. Ata nëse donin të flisnin me ne, duhet të flisnin me qetësi e jo me kërcënime.

    Jeni kërcënuar nga familja Bushi?
    Fakti që akuzohemi se u janë vjedhur 100 mijë euro. Akuzat se u është dhunuar apo vrarë vajza. Deklaratat e bëra se burri im mund të ishte i pirë apo i droguar, ç’janë këto?! Ne jemi familje e nderuar. Pyesni në Vlorë e në Kthesë të Kamzës se çfarë përshtypjesh kanë e do të të thonë për tim shoq.

    Çfarë aktiviteti keni dhe prej sa vjetësh?
    Kemi një dyqan te Kthesa e Kamzës me mallra ndërtimi që prej vitit 2009. Im shoq ka qenë edhe sipërmarrës, ka ndërtuar pallate.

    Pse njihet me dy emra burri juaj, Ramiz dhe Kosta?
    Sepse kemi qenë në Greqi dhe na u desh t’i ndërronim emrin dhe mbiemrin. Bëmë edhe fëmijët atje dhe u detyruam.

    Si e shikoni këtë histori?
    E gjitha më duket si një film, si një përrallë dhe asgjë e vërtetë. Nuk di si ta shpreh. Kjo, sepse Bujanën e njeh e gjithë familja. Edhe djalin e saj që është rritur me ne dhe sa herë ia kemi mbajtur e ia kemi përkëdhelur.

    E njihni bashkëshortin e saj?
    Jo, por e di që e ka nga Fieri dhe që kanë pasur kontradikta, madje deri në proces gjyqësor për ndarjeje. Ai e ka ardhur disa herë në dyqanin tonë kur punonte Bujana te ne, por unë nuk kisha folur ndonjëherë me të. Di që ka qenë në burg dhe ka pasur probleme në jetën bashkëshortore. Nuk e kisha pyetur Bujanën kohët e fundit.

    Panorama

  9. #9
    Moderator Maska e benseven11
    Anëtarësuar
    10-09-2002
    Vendndodhja
    new jersey-usa
    Postime
    13,821

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Policia ka detyrimin ti jape informacion te plote familjareve te Bujanes qe vdiq ne aksident.
    Nqs kjo ka pas sende personale dhe ka shume mundesi te kete pase sepse nuk ka femer ne bote
    qe te hyje dhe udhetoje ne makine dhe te mos kete me vete nje cante me sende personale.
    Canta me sendet personale duhet ti kthehet familjes.Fotografite per ate cante jane bere nga hetusia.
    Canta eshte kontrolluar nga hetusia.Perse mbahet canta dhe sendet personale?Per museum?
    Eshte qesharake dhe budallik.
    Nuk thuhet as nga policia as nga prokuroria nese Bujana ka pas te lidhur para trupit rrip sigurimi?
    Nqs ajo ka harruar te lidhe rrip sigurie atehere ajo eshte vete pergjegjese dhe e ka fajin vet sepse nga mungesa e rripit
    goditja e ka shkundur trupin e saj dhe perplasur me dashbordin e makines dhe ka te ngjare qe nga kjo kolpo e forte ajo te kete
    vdekur ne sekonde.Nuk thuhet as nga polici as nga prokurori se cfare shpejtesie ka pas makina ne levizje.
    Thuhet qe biznesmeni Taci qe ka qene ne timon na qenka fajtor sipas policies.Cfare e ben ate fajtor nuk thuhet.Cfare ka bere ai gabim
    ne qarkullim nuk thuhet.
    Policia nuk duhet te trajtoje familjaret e viktimes me ftohtesi dhe injoroje sepse eshte cnjerezore,eshte poshtersi dhe e papranushme
    qe ti thote familjes vetem dy fjale dhe injoroje komplet ne rruge sikur jane askushi,sikur jane nothing,
    sikur jane UFO.Eshte disrespect dhe mungese humanizmi.Policia ka detyrim te jape informacion te
    plote dhe ti trajtoje familjaret e viktimes me respekt qytetar dhe dinjitet.
    ≈♥♠♣♦≈ovguide.com/movies

  10. #10
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: Vdes 32-vjeçarja në aksident, policët i vjedhin paratë dhe bizhuteritë

    Ç'duhet te thote Saje Tahiri ne kete rast, bravo çunat apo harram çunat?
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •