-
Nëna e tre fëmijëve ngjitet në shtyllën e tensionit te larte,tenton vetevrasje.
Tirane
E heqin nga puna.Nëna e tre fëmijëve ngjitet në shtyllën e tensionit dhe tenton vetëvrasjen. Çuan letër se jam me PD-në
12 Gusht, 2015

Nexhmie Bushi e ka nisur punën 17
vjet më parë si operatore në nënstacionin e Suçit, ndërkohë në fillim të muajit maj të këtij viti është njoftuar nga Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, pranë OSHEE-së, se i ndërpriten marrëdhëniet financiare më 7 gusht 2015.
Pasditen e së hënës, 41-vjeçarja Bushi është zëvendësuar në punë nga një djalë i ri, ndaj, në kushtet e një tronditjeje të fortë psikologjike, ajo është ngjitur në një shtyllë, pikërisht aty ku punonte prej vitesh dhe ka tentuar të vetëvritet.
“Vetëm të qarat dhe lutja e djalit më kanë bindur të zbres nga shtylla. Por nëse nuk më rikthejnë në punë, unë do të vetëdigjem publikisht para Parlamentit në Tiranë”, shprehet Nexhmie Bushi. Sipas saj, largimi nga puna është bërë për motive politike dhe se përpjekjet për t’u kthyer në vendin e punës do të vazhdojnë. Sipas saj, ajo ka takuar edhe Kryeministrin pasi kishte marrë shkresën për largimin nga puna, por ai i kishte thënë ta shkruante problematikën e saj në portalin e Kryeministrisë.
Nexhmie, kur e ke nisur punën në nënstacionin e Suçit? Çfarë pozicioni kishit aty konkretisht, dhe si kanë qenë marrëdhëniet tuaja në këtë ndërmarrje?
Në vitin 1995 kam nisur punën si operatore në Nënstacionin e Suçit. Kam mbaruar shkollën e mesme elektrike pranë Politeknikumit “7 nëntori” në Tiranë dhe nga drejtuesit e asaj kohe m’u besua kjo punë. Kam punuar me ndershmëri dhe përkushtim me fidrat, çelësat, dhe pajisjet e nënstacionit. Punoja me tri turne, ashtu si burrat. Kam sakrifikuar shumë për të rritur tre fëmijët, për të mbajtur prindërit dhe një motër që e kam të sëmurë. Nuk kam marrë qoftë edhe një qortim në punë.
Kur u njoftuat për largim nga puna dhe përse ndodhi kështu?
Më 7 maj të këtij viti, më erdhi një letër nga drejtoria ku ne varemi si nënstacion. Aty thuhej se pas tre muajsh kontrata ime me OSHEE-në merrte fund. Nuk kishte asnjë argument se cili ishte motivi i largimit tim në këtë mënyrë nga puna. U mërzita jashtë mase. Kërkoja sqarime dhe askush nuk më përgjigjej.
Ku jeni ankuar për këtë?
Kur Kryeministri Rama erdhi për fushatën e zgjedhjeve lokale në Klos e Burrel, arrita ta takoj dhe t’i tregoj hallin që kisha. Ai më tha që t’i shkruaja në portalin e Kryeministrisë. Largimi im nga puna nuk bëhet se unë jam e paaftë apo se kam shkelur rregullat në punë. Dikush ka shkruar letra dhe është ankuar se burri im është përfshirë në fushatën e PDsë. Në fakt, unë rrjedh nga një familje e majtë. Ata që kanë shkruar letra me siguri donin të më zinin vendin e punës. Unë asnjëherë nuk jam marrë me fushatë. Kam parë hallet e familjes sime.
A mund t’i kujtoni momentet kur u ngjitët në shtyllën e tensionit të lartë dhe kush ju bindi të zbrisnit?
E hëna ishte dita e fundit e punës. Isha e ngarkuar shumë. Pak para mbarimit të turnit më vjen një djalë i ri aty dhe më thotë se ishte emëruar në vendin tim. Nuk mund ta besoja një gjë të tillë. Dy persona kishin ardhur si dublantë të nënstacionit, por nuk e merrja me mend se do të ishin ata që do të vinin në vendin tim. Kundërshtova dhe telefonova përgjegjësit e mi. Ata më thanë se isha e larguar nga puna. M’u errën sytë. Në gjykimin tim vdekja dhe puna janë afër njëra-tjetrës. U ngjita në shtyllën e tensionit të lartë dhe doja t’u afrohesha përcjellësve. Fuqitë më lanë shpejt. Poshtë meje kishin ardhur dhjetëra njerëz, banorë të Suçit, policia lokale dhe fëmijët. Djali më lutej duke qarë: Zbrit mami, zbrit mami! Më vonë erdhi edhe bashkëshorti. Pas disa minutash zbrita dhe iu drejtova organeve të drejtësisë për të hetuar largimin tim nga puna. Jemi tetë frymë që mbahemi me rrogën time 40-mijë lekëshe, tre fëmijët, burri, dy prindërit dhe motra ime e sëmurë.
Si do të veproni për t’u kthyer në vendin e punës?
Megjithëse u jam drejtuar me letra të gjitha strukturave shtetërore, mendoj se duhet të kërkoj ndihmën e Avokatit të Popullit, Ambasadës Amerikane, Ministrisë së Energjetikës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Nëse nuk kthehem në vendin tim të punës, do të tentoj vetëdjegien para Parlamentit/ Panorama
-
-
Për: Nëna e tre fëmijëve ngjitet në shtyllën e tensionit te larte,tenton vetevrasje.
Ne Shqiperi ka mar fund pergjithmone. Mjer ate qe e genjen mendja e rron me shpresa se do behet me mire nese pas 4 vjetesh do te votoje perdhunuesin e radhes e jo kete qe votoj kesaj radhe. Do ta ngulin te gjithe o popull po degjo mua, nga syt kembet nje ore e me pare
-
-
Për: Nëna e tre fëmijëve ngjitet në shtyllën e tensionit te larte,tenton vetevrasje.
Perderisa shteti vazhdon te jete punedhenesi kryesor do vazhdojne keto probleme. Vjen nje qeveri heq njerez nga puna e vjen tjetra heq njerez nga puna. Kur jep rrogat se can shum koken se heq te mirin e merr ne pune te keqin, se fundja s'po i nxjerr leket nga xhepi. Ke hall vetem kujt ti besh nder.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt