Trafiku i heroinës me traget, përgjimi që “dekonspiroi” invalidin

Dy personat e arrestuar të enjten në Portin e Durrësit, pas gjetjes së një sasie prej 9 kg lëndë narkotike të dyshuar si heroinë në automjetin e tyre, janë “kryqëzuar” nga një përgjim ambiental.

Luan Veçani, 59 vjeç dhe Aleks Gjergji, 39 vjeç, u arrestuan në kushtet e flagrancës në momentin që do të imbarkonin automjetin në tragetin Durrës-Bari. Edhe pse e kanë mohuar të kenë lidhje me drogën, përgjimi i një bisede mes tyre në ambientet e Policisë së Durrësit, ka ngritur dyshime për të kundërtën.

Ky përgjim ka qenë prova kryesore e paraqitur nga Prokuroria gjatë seancave gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre, të zhvilluara dje te Krimet e Rënda. Burime brenda seancave të zhvilluara me dyer të mbyllura bënë me dije se përfaqësuesi i akuzës ka pretenduar se nga përgjimi janë përftuar të dhëna që krijojnë dyshime të arsyeshme se dy të arrestuarit kanë pasur dijeni për drogën.

Fakti është kundërshtuar me forcë nga i dyshuari Veçani, invalid, i cili ka deklaruar se nuk kishte dijeni dhe se po udhëtonte drejt Italisë për arsye shëndetësore. Përmes avokatit të tij, Arben Peci, i dyshuari ka kërkuar një masë sigurie më të butë se “arresti në burg”, duke e argumentuar me pamundësinë e tij fizike. Masë më të butë ka kërkuar edhe i dyshuari Gjergji, duke pohuar se nuk kishte lidhje me drogën.

Pretendimet e tyre nuk kanë bindur gjyqtarin e gatshëm, Luan Hasneziri, i cili vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre, si të dyshuar për akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë.

DESHMITE

Burime pranë Gjykatës bënë me dije se i dyshuari Veçani ka përjashtuar kategorikisht përfshirjen e tij, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me akuzat e Prokurorisë. “Nuk kam asnjë dijeni për atë që ka gjetur policia të fshehur në automjetin me të cilin po udhëtonim drejt Italisë. Makina është e dhëndrit tim, ndonëse në dokumentacione figuron si e imja”, mësohet të jetë shprehur 59-vjeçari.

Më tej ai ka sqaruar se ky veprim është bërë për të shmangur taksat, pasi ai përfitonte ulje nga statusi i invalidit, për shkak të prerjes së njërës këmbë. Para trupit gjykues, Veçani ka thënë se qëllimi i vajtjes së tij në Itali ishte për arsye shëndetësore, për një vizitë mjekë- sore që do të bënte në vendin fqinj. I pyetur për të arrestuarin tjetër, Aleks Gjergji, drejtuesin e automjetit, Veçani ka pohuar se nuk e njihte mirë.

Sipas tij, ai e kishte parë vetëm 2-3 herë me dhëndrin. Në seancën pasardhëse, thuajse në të njëjtën linjë ka qenë edhe i arrestuari Gjergji. Sipas burimeve, ai është përlotur në kafazin e sallës së gjyqit, duke deklaruar se nuk dinte asgjë për drogën. Mësohet se 39-vjeçari ka pretenduar se e ka marrë automjetin vetëm një orë para se të nisej për në Itali. Ai ka thënë se ishte nisur drejt shtetit fqinj për të bërë “taksistin” e të dyshuarit tjetër, për shkak të pamundësisë së tij si invalid.

NGA ARMAND BAJRAMI

Panorama