Një helikopter që transportonte drogë është rrëzuar në Spanjë. Mësohet se helikopteri drejtohej nga një major i forcave ushtarake shqiptare, Sokol Feka, dhe transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës.
Lajmi është konfirmuar nga Kryeministri Edi Rama, gjatë seancës së sotme në Kuvendit. Ai tha se njoftimi i palës shqiptare është bërë nga Ministria e Jashtme Spanjolle, e cila ka njoftuar Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Kryeministri tha se Majori, punonte prej 18 vjetësh në Forcat e Armatosura Shqiptare. Ai është graduar Major në vitin 2009.
"Majori që drejtonte helikopterin e nisur nga Maroku, ishte pjesëtar i Forcave të Armatosuradhe ishte graduar në vitin 2009", u shpreh Rama.
Ndërkohë mediat spanjolle e kanë raportuar së fundmi këtë ngjarje, duke saktësuar se në bordin e helikopterit ndodheshin dy persona, të cilët transportonin rreth 1 tonë hashash. Po sipas mediave spanjolle të dy personat në bord kanë vdekur. Majori Feka mësohet se ka qenë në Spanjë për arsye personale dhe jo me shërbim.
Helikopteri i ngarkuar me drogë është përplasur me një shtyllë tensioni në Cortes de la Frontera të Malagës. Ngjarja ka ndodhur në të gdhirë të ditës së martë, sipas gazetave ‘Diario Sur’ dhe ‘Malaga Hoy’.
Helikopteri ishte lyer me të zezë, gjë që bëhet për të mos u pikasur gjatë fluturimit natën.
Koha Jone
Krijoni Kontakt