Vrasja e Dritan Lamajt , Apeli vendos burg për jetë për Arben Frrokun. Ja 5 provat që e bindën
Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda vendos të pranojë kërkesën e prokurorisë për ta dënuar me “burg për jetë” Arben Frrokun të akuzuar si autor të vrasjes së komisar Dritan Lamajt.
Vetë Frroku nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore, ndërsa avokati Genc Gjokutaj e quajti vendimin e Apelit “si të marrë nën presion politik” dhe shtoi se do të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Kjo gjykatë pranoi kërkesën e prokurorisë ndërsa rrëzoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila më 3 prill e shpalli të pafajshëm Frrokun për vrasjen e komisar Dritan Lamajt
Ndërkohë që në Apel vendimi bëhet i ekzekutueshëm, prej dy javesh Arben Frroku nuk ndodhet në Shqipëri.
Genc Gjokutaj: “Është një vendim nën presion, megjithatë ne do të ndjekim rrugën ligjore pasi nuk kemi rrugë tjetër. Ky është një vendim në kundërshtim me të gjitha aktet që janë në dosje. Nuk flitet më për gjykata të varura apo të pavarura, por për gjykata nën presion. Do bëjmë rekurs”
5 provat që bindën Apelin të kryqëzonin Arben Frrokun
Në konkluzionet përfundimtare të datës 18 mars 2015 Prokuroria renditi provat të cilat në harmoni me njëra-tjetrën, provonin më së miri tej çdo dyshimi kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohej i pandehuri Arben Frroku.
Së pari, identifikuam motivin i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjes me armë të viktimës.
Së dyti, provuam mekanizimin e kryerjes së kësaj vrasje, si numrin e personave, mjetet e përdorura, intinerarin e ndjekur prej tyre, etj.
Së treti, provuam praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes, e konkretisht në rolin e ekzekutorit.
Së katërti, rrëzuam alibinë e tij lidhur me qëllimin e vajtjes së tij të menjëhershme në Greqi natën e ngjarjes.
Së pesti, provuam mundësinë e largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit deri në momentin e kalimit të tij në pikën e kalimit kufitarë Kapshticë-Korçë.
ORA NEWS
Krijoni Kontakt