Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ministerialin rajonal për ekstremizmin e dhunshëm, foli për çështjen e Kumanovës, duke e konsideruar si një çështje që nuk kishte lidhje me terrorizmin, por me mungesën e demokracisë. Duke u shprehur se në Kumanovë, fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë, kreu i qeverisë shqiptare lëshoi mesazhe të qarta për qeverinë e Maqedonisë dhe për rolin shtetformues të shqiptarëve në të.
Sipas tij Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare më të drejta të plota në NATO pa garantuar të drejta për të gjithë dhe pa garantuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. “Shqiptarët kanë qenë janë dhe mbeten një faktor shtet formues i patjetërsueshëm, i padiskutueshëm dhe i pazevëndësueshëm për integritetin e shetit maqedonas”. “Fatkeqësisht, në Kumanovë, fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë. Iu dha terrorizmit një prapashtesë etnike dhe kjo është e papranueshme, për ne dhe për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritetet maqedonase duhet ta kenë të qartë që shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në Maqedoni. Nuk duhet përzier termi terrorist në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin, por demokracinë”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se është “e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për terrorin që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”. Gjatë ditës së dytë të ministerialit rajonal për ekstremizmin e dhunshëm, kryeministri Edi Rama theksoi se “Ballkani është i kërcënuar nga terrorizmi” dhe për ta luftuar atë “duhet bashkëpunim rajonal”. “Asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm këtë sfidë. Kërcënimet që vijnë prej konflikteve pranë kufijve të Europës duhen marrë seriozisht. Terrorizmi është shqetësues për shoqërinë tonë”, theksoi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare shtoi: “Duhet të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal dhe të përforcojmë ndërveprimin në të gjitha fushat. Pakti i Stabilitetit nxiti promovimin e bashkëpunimit rajonal. Vitin e shkuar ndodhi një kthesë historike me procesin e Berlinit, ku u vendos një gur themeli për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit në BE. Në shtator të vitit 2014, Obama u bëri thirrje anëtarëve të OKB-së për të bërë përpjekje për të trajtuar ekstremizmin e dhunshëm. Nëse mund të flasim për rajone ku esktremizmi është kërcënim, një nga këto rajone është rajoni ynë”.
“Shpresoj që ky takim mos të konfirmojë vetëm gadishmërinë, por edhe vendosmërinë për të mposhtur terrorizmin dhe ideologjinë që e mbështet atë. Jemi të bindur se kjo nuk është një përpjekje thjesht e jona, por një përjekje e përbashkët”, shtoi Rama.
mapo/
Krijoni Kontakt