Rrëfimi i vrasësit të paguar, Tom Doshi publikon videon: Tregon kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën
TIRANË- Tom Doshi publikon videon e regjistruar me personin e porositur sipas tij për të kryer vrasjen e tij dhe të deputetit Mhill Fufi. Videoja e publikuar në faqen zyrtare të tij në Facebook, është vetëm një pjesë prej 8 minutash e videos totale për të cilën është folur më parë nga vetë Doshi. Në video shfaqet Durim Bami duke folur dhe përmendur emra të shumtë si dhe shumëjn e parave për të cilën është folur edhe më parë, pra 500 mijë euro për vrasjen e Tom Doshit dhe 100 mijë për vrasjen e deputetit Mhill Fufit. Doshi shkruan se videoja tregon se kush na udhëheq dhe akuzon për manipulim të dëshmitarit.
“Po ju paraqes një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar. Një video që do tregojë kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën. Një video qe do nxjerr lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit. Prita deri sot reagimin e të gjithë institucioneve. I lejuam porositësit të vrasjes të tregonin edhe njëherë sa frikë kanë nga e vërteta. Manipuluan dëshmitarin, fshehën të vërtetën, akuzuan njerëz pa asnjë lidhje me vrasjen. Nxirreni vetë përfundimin se kush thotë të vërtetën”, shkruan Tom Doshi në Facebook.
Tom Doshi ka publikuar pas videos edhe 3 foto të prokurorit të Krimeve të Rënda Eugen Beci, i cili ndodhet në një restorant së bashku me dy persona të tjerë. “Ky është organi i akuzës” shkruan Doshi pranë fotove të publikuara.
Dy ditë më parë Doshi deklaroi se ishte i gatshëm të vinte në dospozicion një video prej 37 minutash, ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes sime prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. “Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty”, deklaroi Doshi.
(m.k/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt