Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009

    Bomba tjetër e Blushit: Rilindja po hasanizon Shqipërinë

    Bomba tjetër e Blushit: Rilindja po hasanizon Shqipërinë, të mos jesh Hasan je ****


    Deputeti i PS­së, Ben Blushi, ekskluzivisht për “Panorama” analizon zgjedhjen e kandidatit të shumicës për Kukësin, Hasan Halilajt.
    Deputeti Ben Blushi “Të votosh PD merr Hasanin. Të votosh Rilindjen merr Hasanin. Prapë. Rilindja i ka humbur rrugës virtytet”­ shkruan Blushi në analizën e tij. Me nota tejet kritike, Blushi shkruan se “edhe nëse Hasani ishte një kryetar i shkëlqyer, ai ishte një demokrat”. Sipas deputetit, Hasani eshte ai, partia e të cilit u
    ndëshkua me votë dy vjet më parë.
    ***
    Ben Blushi

    Ka një pyetje që nuk mund ta shmangim më. Kush e dëmton më shumë Shqipërinë? Shqiptarët apo partitë? Kush është përgjegjës për varfërinë, për skamjen dhe rrënimin? Votuesit apo qeveritë? Kush e ka ndëshkuar më shumë vendin? Ata që marrin vendime pasi votohen, apo ata që nuk marrin asnjë vendim pasi votojnë? Kush, pra, na ka ndëshkuar më shumë me papërgjegjshmëri, me deformim, me mjerim, me harrim dhe poshtërim? Shqiptarët thonë qeveritë. Dhe partitë. Çështja është se për shkak të izolimit, mjerimit, varfërimit të gjatë, qeveritë dhe partitë janë shfajësuar se nuk kanë pasur buxhet, nuk ka pasur kohë, nuk kanë pasur mundësitë, aftësitë dhe njerëzit e duhur për të marrë vendimet më të mira, që shtojnë mirëqenien dhe e bëjnë Shqipërinë më të jetueshme.

    Shumë njerëz më thonë se unë vetë jam pjesë e kësaj klase që nuk ka marrë vendimet e duhura, nuk ka bërë reformat e pritshme dhe prandaj nuk duhet të
    flas. I mirëkuptoj të gjithë dhe habitem se si kanë kaq pak paragjykime për mua dhe gjithë shokët e klasës sime politike. Nëse do e kishin në dorë, jam i
    bindur që do na kishin hedhur të gjithëve në det. Me sa duket, këtë mundësi nuk e kanë dhe prandaj i janë drejtuar vetë detit. Dhe kurbetit. Po ikin. Duke
    na lënë vetëm. Ata po refuzojnë të merren me ne dhe prandaj ne kemi filluar të merremi me veten.

    Ndoshta edhe unë nuk bëj përjashtim. Megjithatë, nuk është kjo çështja. Të paktën sot. Çështja është se çfarë vendimesh marrin qeveritë. Kur ato janë të
    dëmshme dhe kur janë të pamundura? Ka shumë vendime që janë të pamundura. Pa dyshim. Edhe për qeverinë gjermane ka vendime të pamundura. Pyetja është a duhet të jenë gjithmonë të moralshme vendimet e qeverive? Unë them se po. Në çdo rast. Vendimet e partive dhe të qeverive mund të jenë gjithmonë të moralshme, sepse morali është gratis. Pagat kërkojnë buxhet. Morali jo. Pensionet e larta kërkojnë para. Morali nuk do. Investimet duan financim.
    Morali nuk ka nevojë të financohet. Fushatat duan sponsorizim. Morali nuk sponsorizohet. Morali i shoqërive edukohet. Jo vetëm nga qeveritë, por kryesisht nga ato. Qeveritë kanë në dorë të japin shembuj qe i shkojnë për shtat moralit dhe e kthejnë atë në normë që nuk negociohet. Dhe nuk ndryshohet me ardhjen e partive në pushtet. Qeveritë ikin, morali mbetet. Moralin mund ta kesh edhe kur je i varfër, edhe kur s’ke lekë, edhe kur je hollë, edhe kur s’ke shkollë, edhe kur s’ke punë, edhe kur s’ke shtëpi, edhe kur s’ke pjatë,edhe kur s’ke gotë, edhe kur s’ke votë. Morali është i shtrenjtë dhe kur është i lirë.
    Vendimet e moralshme i bëjnë qeveritë e varfra të duken të pranueshme. Dhe shpresa lind nga morali më shumë se nga pasuria.

    Pa u zgjatur, dua të ndaj një rast, i cili e vë në dyshim standardin e Rilindjes, për të cilin ka kohë që shkruaj dhe flas. Bëhet fjalë për zgjedhjen e kandidatit të Rilindjes në Kukës.
    Për të gjithë ata që nuk e dinë, kandidati i Rilindjes atje është kryetari aktual i Bashkisë, i zgjedhur dy herë si përfaqësues i PD së qytetit. Quhet Hasan
    Halilaj. Që Hasani kërkon të bëhet për herë të tretë kandidat dhe kryetar i Bashkisë së Kukësit, kjo për mua s’përbën asnjë problem.
    Duke mos qenë banor i Kukësit, nuk e njoh bilancin e punës së tij dhe nuk dua ta paragjykoj. Për çka do them më poshtë, bilanci nuk ka asnjë rëndësi,
    megjithëse mendoj se nëse puna e tij do kishte qenë e suksesshme, ai nuk do kishte arsye të ndërronte parti. Nuk do kishte, pra, nevojë të kalonte nga
    PD te Rilindja. Duke thënë se nuk dua të gjykoj Hasan Halilajn si person, megjithëse kurrë nuk do të bëja atë që po bën ai, pikëpyetja ime nuk është për Hasanin, por për ata që e zgjodhën.
    Pse e zgjodhi Rilindja Hasanin? Se ishte i zoti? Se ishte demokrat? Se ishte kryetar bashkie? Se kishte vota? Se kishte miq? Se kishte para? Se kishte punuar shumë mirë? Se ishte i pavarur? Se ishte përpjekur gjithë këto vite për të ndryshuar qeverinë e Partisë Demokratike me kontributin e tij si kryetar i Bashkisë së Partisë Demokratike? Pse e zgjodhën Hasanin, pra? A nuk kishte socialistë në Kukës? A nuk kishte progresistë? A nuk kishte opozitarë në Kukës? A nuk kishte vajza dhe djem të tjerë që besojnë se ka mundësi të ndershme të bësh karrierë? A nuk kishte aty shumë veta që me meritë duhet të vijnë një ditë në pushtet? A nuk kishte burra dhe gra që besojnë se Kukësi mund dhe duhet të ndryshojë duke u qeverisur ndryshe? A ishte një model qeverisja e Hasanit? Nuk besoj.
    Edhe nëse Hasani ishte një kryetar i shkëlqyer, ai ishte një demokrat. Një njeri, partia e të cilit u ndëshkua me votë dy vjet më parë. Pse u zgjodh Hasani nga Rilindja, pra? Kush më bind se Rilindja nuk kishte zgjedhje tjetër, përveç Hasanit? Për çfarë arsye Hasani ishte the only only? I vetmi dhe vetëm i vetmi Hasan? Ja pse. Sepse Rilindja ka humbur gjatë rrugës të gjitha virtytet, që e sollën në pushtet.
    Për të qenë pjesë e Rilindjes nuk është e domosdoshme të kesh besuar te zgjedhjet, nuk është e udhës të kesh votuar për ndryshimin e qeverisë, nuk është e thënë të jesh socialist, nuk është kusht të jesh i majtë, nuk është e nevojshme të kesh besuar te ndryshimi i vendit, mjafton të jesh Hasan. Të jesh pa din dhe pa imam. Pa sedër dhe pa nam. Pa kusur dhe pa plan. Pa kurajë, pa guxim dhe pa nishan. Por zgjidhja e Hasanit në Kukës nuk është vetëm kaq. Ajo është sa keq dhe sakaq. Ajo është hasanizimi i politikës. Është hasanizimi i Rilindjes. Është hasanizimi i Shqipërisë. Hasanizim do të thotë të kalosh nga një parti në
    tjetrën pa pasur asnjë besim as te partia e vjetër dhe as te partia e re. Hasanizim do të thotë të jesh gjithnjë në pushtet. Hasanizim do të thotë të
    mos besosh në asgjë. Në asnjë vend dhe asnjë qytet. Hasanizim do të thotë që gjithçka mundet dhe gjithçka duhet, pavarësisht se a mundet. Hasanizim
    do të thotë të mos kesh as dje, as sot dhe as nesër. Hasanizim do të thotë që kurrë të mos vish, por të presësh dhe të rrish.
    Hasanizim do të thotë që partitë nuk kanë asnjë dallim dhe qeveritë, kur ndërrohen, nuk sjellin asnjë ndryshim. Hasanizim do të thotë harrim. Amnezi dhe vazhdim. Dhe Shqipërinë nuk po e hasanizon Hasani, por fatkeqësisht po e hasanizon Rilindja. Forca që erdhi në pushtet për të ndryshuar Shqipërinë.
    Padurimin për mirëqenie, skamjen dhe urinë. Ky, pra, është fundi i shpresave për çdo njeri në Kukës. Të votosh PD merr Hasanin. Të votosh Rilindjen merr Hasanin. Prapë. Ta mbyllësh në kutinë e votimit e hap. Të ikësh nga qyteti të kap. Të ikësh nga Shqipëria me vrap. Të votosh hasanizohesh një herë.

    Të mos votosh hasanizohesh dy herë. Rrugë tjetër nuk ke. Dhe nuk duhet të kesh. Hasan të mos jesh, askush s’të desh. Je i mbetur dhe i tretur përdhe. Je jetim, je fatkeq, je dreq. Je i mjerë, je i vrarë, je i tallur, i kallur dhe i dhjere. Të mos jesh Hasan nuk është nder. Të mos jesh Hasan je guhak, je spurdhjak, je kot, je lot, s’je as nesër as sot, s’je dot. Të mos jesh Hasan je tr.ap, sepse Rilindja me Hasanin e mbyll dhe me Hasanin e hap. Ky është standardi i Rilinjdes. Kjo është forca e saj. Ky është kuti, kutia, arma, fisheku dhe baruti. Kjo është furia, fuqia, uria, oreksi dhe vuxhuti.
    Unë i kuptoj si ndihen sot të gjithë në Kukës. Ka me siguri aty shumë burra dhe gra, të rinj dhe pleq, të cilët kanë bërë tetë vjet rresht fushatë kundër Hasanit. Ata kanë besuar se do vinte një ditë kur qyteti i tyre do shhasanizohej. Të varfër, të pashpresë, pa ndihmë dhe pa pushtet prisnin Rilindjen t’ua bënte ndryshimin me të lehtë. Dhe kjo ditë erdhi. Por Rilindja u dha prapë Hasanin.
    Rilindja e hasanizoi Kukësin dhe ky virus, me sa duket, po përhapet. Po zbret nga Kukësi dhe po çapet. Po vërtitet, po na ndjek, na përndjek dhe po avitet.
    Të jesh me Rilindjen do të thotë të jesh Hasan. Të mos kesh as besim, as parti, as qytet, por vetëm han. Të gjesh Rilindjen si han politik ku fut kokën sa herë bie shi, sa herë fryn, sa herë shfryn, sa herë ka nevojë për reagim, sa herë s’ka dyshim, sa herë ka vrull dhe nevojë për ndryshim. Për çdo njeri që kërkon një arsye pse ikin shqiptarët nga Kukësi, Hasani është pyetja dhe përgjigjja.
    Shqiptarët nuk duan të hasanizohen. Dhe për këtë nuk kane pse fajësohen.
    Ikin nga poshtërimi, nga skamja, mjerimi, vazhdimi dhe mashtrimi. Ikin dhe do ikin nga hasanizimi.

    Panorama

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e martini1984
    Anëtarësuar
    02-04-2009
    Postime
    5,594

    Për: Bomba tjetër e Blushit: Rilindja po hasanizon Shqipërinë

    Ky blend blushi do jete me prejardhje nga Bushi!
    Jepi pushtet apo fute ne qeveri dhe ja kqyr fytyren!
    aty DALLOHEN....pa i hyre ne hak!
    Kush nuk mendon sipas menyres se tij,nuk ka llogjike!

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-12-2014
    Vendndodhja
    Elbasan
    Postime
    1

    5-maji i blushit në elbasan

    5-MAJI I BLUSHIT NË ELBASAN
    FRAGMENTE DITARI
    NGA HEKTOR ÇIFTJA,
    HCIFTJA@YAHOO.CO.UK
    ELBASAN 5 MAJ 2015

    Nga bëmat e fundit të koltukofagut Blushi ishte shpikja e termit “hasanizim”. Duke e thënë shpesh këtë emër, duke detyruar titujt e gazetave ta venë në pah, ajo që u mur vesh, nuk ishte kalimi nëpërmjet LSI-së në krahun e majtë i një kryebashkiaku periferik lokal: përkundrazi, u muar vesh neveria e thelle për njerëzit, vetëm pse ato e kanë emrin “hasan”
    kur në Ballkan filluan konfliktet etnike, fenomeni nuk mori emrin as milosheviçizimi i Ballkanit, dhe te asnjë lideri tjetër te shteteve tanë fqinj. Fenomeni mori emrin ballkanizmi. Me këtë logjikë, më e shumta që do të ndodhte në publicistikë do të kishim një Kukës-zim të procesit, por jo një hasanizim. Të flasësh për një hasanëzim të PS-së do të thotë ta përdorësh këtë emër të përveçëm njeriu të thjeshtë me logjikën sipas së cilës meqë ti përçmon emrin, ky emër mund të vlejë për të sharë Partinë. Ligësia jote lidhet sidomos me emrat në vetvete sesa me njerëzit që i mbartin ato.
    Blushi nuk e bën një gjë të tillë rastësisht; Blushi e ka këtë kulturë, sepse e di mirë që mësuesi i tij i keq, Fatos Nano, një lider me moral të shthurur, por jo me një nivel kaq të rëndomtë ligësie, ai pra u mësoi shqiptarëve emrin e “Dushkut” apo “dushkezimit” për të emërtuar nëpërmjet një toponimi gjeografik një sistem elektoral i cili qoftë edhe aksidentalisht, prodhonte deputete të pamerituar. Fatos Nano pra, nuk përdori emrat e deputetëve që prodhoi fenomeni për të emërtuar fenomenin: ai pati aq nivel sa ta shmangte këtë mungesë etike dhe të përdorte një emër gjeografik, i cili nuk i bënte dëm dhe nuk fyente askënd. Është rasti kur kopja, jo vetëm që nuk është si origjinali, por është karikatura e tij më e keqe.
    Dhe tani le të prezantohemi si autori me lexuesin në një shkrim në të cilin do të paraqesim një perspektivë të re, por reale mbi karakterin e fare të rëndomtë të deputetit të përhershëm B.B. (nuk është larg fenomenit Big Brother, por këtë çështje do ta cekim në një artikull tjetër)
    Jam pedagog i një universiteti te njohur dhe te vjetër, por jo në Tiranë.
    Pedagog i letërsisë si edhe i medies e komunikimit.
    Dy vjet më parë, Rama cakton Ben Blushin në Elbasan, qytetin tim të lindjes, qytetin në të cilin një stërgjysh i imi ka firmosur aktin e pavarësisë si patriot dhe intelektual në të njëjtën lëvizje me Lef Nosin i cili, urrejtjen patologjike të Blushit, sipas fjalëve të këtij të fundit.
    Që në ditët e para, qytetit i neveritet politikani nga Tirana; ai luan tenis në kryeqytet kur fushata është duke arritur kulmin e saj dhe njerëzit duhen takuar. Mjeshtërisht mungon në të gjitha takimet me rëndësi dhe shfaqet dyqaneve duke takuar shitëse minorene, kinse po kërkonte vota.
    Qyteti nuk e kuptoi kurrë se përse Partia Socialiste e një arsimdashësi si Edi Rama i caktoi për komisar, më falni, të deleguar politik fushate nipin e Dhimitër Shuteriqi. Kujtesa gojore, e transmetuar brezpasbrezi, risillte episode sesi Dhimiter Shuteriqi kish kërkuar ta ndërronte mbiemrin, duke e bërë “Shute” duke i mëshuar idesë se as nuk ishte dhe as nuk donte të ishte shqiptar, por një degëzim i një race sllave. Kur ishte profesor ne Normalen historike ishte bërë i famshëm për mllefin që transmetonte hapur tek normalistët patriote për figura të mëdha si Naim Frashëri. “Shutja” ishte famëkeq edhe për plagjiaturën ndaj arkivës historike të Lef Nosit, të cilën e përvetësoi dhe e keqpërdori në librat e vet, pa referencë, dhe i përvetësuar, vjedhur është fjala e duhur, L. Nosit gjithçka, meritën, famën e për ç’ja mveshur këto cilësi vetes së tij. Ai ngordhi duke pretenduar se ishte studiues.
    Stërnipi i tij, njeriu me emrin njërrokësh te soc-realizmit, pra stërnipi Ben, nuk ja fali kurrë qytetit që pikërisht në periudhën kur ai ishte i deleguar në motelet e Elbasanit, qyteti, dhe vetë socialistët vendosin të nderojnë intelektualin e tyre Lef Nosi (edhe kjo e provuar nga dëshmitarë okularë)
    Ai ishte i vetmi qytet që nuk kishte pasur kurrë një monument të Enver Hoxhës, vetë partiakët e kohës e kishin degdisur monumentin e Diktatorit në fshatin e largët Labinot dhe në vend të tij, pikërisht në qendër të qytetit të lashtë, pranë kalasë 1000 vjeçare, Muntaz Dhrami apo Kristaq Rama ngritën monumentin e Kostandin Kristoforidhit, një vepër e vërtetë monumentale, e punuar ndoshta me më shumë madhështi dhe pasion sesa do të punohej vetë monumenti i Diktatorit bukurosh-gjakatar të Blendi Fevziut.
    Në këtë qytet pra, i cili me heshtje, mirësjellje, kulturë dhe edukatë urbane e çoi monumentin e Enver Hoxhës në fshatin më të largët, Partia Socialiste vendosi të dërgojë të deleguar Ben Blushin, pionierin e kthyer në një mostër monetarismi: Ndonjë pakt i heshtur Rama- Blushi? Shumë menduan që Rama duhet ta urrente aq shumë qytetin sa vendosi t' ja vrasë shpirtin politik me një delegat surrogat nga fisi i “shutres” (mbiemri që gjyshi i BB kërkoi të adoptojë)
    Koha po provon të kundërtën, fatmirësisht

    SI E KAM NJOHUR,
    Nuk e kam fjalën sesi e kam njohur unë Ben Blushin.
    Në Elbasan, përpara disa vitesh ka ekzistuar një gazetë, e vetmja gazetë lokale me ndikim real në komunitet. Gazeta ishte e njohur për qasjen e saj pragmatiste, madje ekstremisht materialiste ndaj gjërave. I kërkuam bashkëpunim, kundrejt pagesës, për të pasqyruar veprimtaritë e partisë socialiste në zonat elektorale. Pronari i saj, i ndjeri dhe i nderuari Tomorr Jolladshi nuk pranoi. Për Partinë Socialiste të Elbasanit ai kish venë në dispozicion një faqe të tërë, por në këtë faqe, çdo javë, për tre muaj me radhë, në tërë faqen, duhet të shkruhej për Blushin dhe vetëm për atë.
    Kjo ishte pjese e marrëveshjes sesi duhej të shfaqej programi i partisë Socialiste në qytet.
    E pyetën të ndjerin, gazetarin e respektuar dhe të njohur se nga i merrte paratë për këtë faqe. U verifikua, se paratë jepeshin “cash” nga një pronar universiteti privat i cili gjatë tërë fushatës mbështeti me të gjitha burimet financiare dhe njerëzore Partine Demokratike, Lulëzim Bashën dhe Berishën
    Shkrimet e kësaj faqeje të sponsorizuar lokale ishin nën titullin “si e kam njohur unë Ben Blushin.
    I shkruante sekretari i tij.
    LETËRSIA

    Një politikan që shkruan letërsi....gjëra të tilla ndodhin vetëm në Shqipëri. Edhe Sokol Balla mund ta kishte quajtur vepër arti, instalacion, rebelizëm ndaj moralit atë pornografinë e vet dhe të kishte marrë edhe lëvdata.
    Puna e Blushit me letërsinë ka një problem shumë më të madh sesa “një dembelizëm i paguar nga taksapaguesit”
    Letërsia e tij është e dobët, mediokre: stili është akoma ai i viteve ’80-të. Lidhja e shkrimtarëve atëherë lejonte të shkruaje pa përmendur partinë, kështu që shkrimet dilnin më interesante. Duke qenë së shkrimtarët e viteve ‘80-të e kishin mësuar letërsinë nga profesorët e tyre, autorë të viteve 60-të, letërsia e brezit të ‘80-tës ishte një letërsi autodidakte dhe metafora ishte naive. Deri këtu nuk ka asgjë që nuk shkon.
    Por, kur një produkt i denjë për vitet 80-të të Shqipërisë komuniste i shitet publikut si markë e njohur e shekullit të 21, këtu kemi një shëmtirë të vërtetë, më të pështirë sesa skrapi i metalurgjikut. Të tilla janë veprat e B. B-së. Ato ndoshta blihen, ato ndoshta shiten. Por një gjë është e sigurt: ato është e pamundur ti lexosh deri në fund.
    Lëre pastaj përmbajtja. Sado të quhet fiksion, trillim, letërsi, prodhimi letrar shqiptar nuk njeh vepër të mbushur me më shumë urrejtje sa ajo e B. B.-së. Është i aftë B.B.-ja: jashtëqitjen dhe të pëgërat e veta shpirtërorë, çfarë përmban zorra e trashë e një shpirti të zi, e paketon bukur në formatet e Universitetit Europian dhe e shet për art.
    Por urrejtja nuk mund të jetë kurrë letërsi.
    E ka provuar nja dy herë i madhi Kadare, dhe pikërisht në ato vepra a dështuar.
    Në shkrimin e parafundit, tek artikulli ku i përgjigjej socialistit imagjinar që bënte pyetjet që ai priste t’ia bënin (askush nuk qe marrë seriozisht me të ndonjëherë), Blushi flet shumë për pasqyrën si metaforë. Gjuha, thotë Frojdi, dhe jo vetëm Frojdi shkon aty ku dhemb dhëmbi. B. B.-ja mund te jetë figura publike me narcistike që ka njohur bota mediatike shqiptare. As modelet meshkuj, të cilët e kanë për profesion, nuk e kane kaq të theksuar një tipar të rrezikshëm psikologjik siç është narcizmi. Narcizmi prodhon shpesh kriminele dhe vrasës, vetëm e vetëm sepse viktima i prish imazhin qe ky do te ketë në pasqyrë.
    A nuk ishte kulmi i narcizmit botimi i një libri me shkrime të të tjerëve për Blushin, një goxha vëllim i rëndë plot jargavitje e qurra kalemxhinjsh sharlatanë? Një autori serioz, edhe pa qenë politikan, duhet ti vinte turp nga një paçavure e tillë.

    PO LE TË DALIM TEK ELBASANI

    Fillimisht Blushi mendoi të shkojë nja dy herë nëpër fshatra. E atje në fshatra, i kujtuan kohën kur ishte ministër dhe gafat me ose pa qëllim me makineritë bujqësore dhe me kreditë e kohës së tij. Të mrekullueshëm banorët e fshatrave të mi. Kanë një kujtesë të shkëlqyer historike dhe një aftësi analize për tu marrë shembull. Po nejse, le të kthehemi tek Blushi
    Ja kujtuan pra ish-ministrit bëmat e kredive dhe makinerive bujqësore:
    E mori bishtin në shalë dhelpra e Benit që ecën vetë, por ecën veçse për punë të këqija, dhe u kthye në qytetin 2 mijë vjeçar, tek kalaja e lashtë, të cilës i drejtohej sa herë me lëvdata Fatos Nano, dhe që u dënua me dalje nga skena e politikës edhe sepse prodhoi mostra si Blushi.
    Kur themi që Blushi u kthye tek Kalaja, të mos keqkuptohemi: aty ndodhen zyrat e degës së Partisë Socialiste, dhe ai ku ndjehej gjeneral.
    Ndërkohë që paradite dilte rrugëve dhe pretendonte se lodhej për të kërkuar vota, natën e gdhinte duke shkruar zi e më zi për njerëzit e qytetin; zinte pastaj shtratin e hotelit luksoz që ishte motel, dhe në mëngjes buzëqeshte dhe bënte filozofi në kafene me gazetarë.
    Mbas fushatës, ishte deputeti që në zonën ku ishte delegat, nuk pa, nuk gjeti asnjë vlerë, por gjithmonë i dukej si Kandahar.
    Kjo ishte vula e me të cilën ai ndau marrëdhënien e tij me qytetin e Lef Nosit
    Por këtij qyteti ja pëlqeu sidomos qershijat, qershijat që i hante me shumicë, si dhe cigaret që kish zakon t’ia vidhte të tjerëve
    SI BËNTE FUSHATË B. B. -JA
    Rregullat qe nuk u shkelen asnjëherë:
    Lideri i fushatës në tërë Shqipërinë nuk është Edi Rama, por ishte ai vetë.
    Tre muaj fushatë në Elbasan dhe emri i Edi Ramës nuk u përmend asnjëherë nga goja e tij, emri Rilindje ishte fjalë e huaj dhe premtimet që kishte programi i Rilindjes as nuk lexoheshin e as nuk përmendeshin. Ku në një nga shkrimet e tij ai i drejtohet një socialisti të thjeshtë me “ne” duke nënkuptuar ekipin drejtues të PS ai gënjen. Fushata e tij e modeluar në motele Elbasani (edhe konferencat e shtypit jepeshin në motele, që të mos lodhej kur të zbriste nga dhoma dhe të mos ta kishte të vështirë të vendoste parfum.) kjo fushatë pra ishte sikur bëje “selfie” përpara kamerave dhe monologë të gjatë qëllimisht të palidhur me realitetin.
    Kështu që Ben Blushi gënjen kur thotë se ka premtuar vende pune:, jo ai nuk premtoi asgjë, përkundrazi foli vetëm për lavdinë e librave dhe te ideve te tij filozofike, edhe pse ato ishin thjesht ne nivelin e Big Brother
    Rregulli 2:
    Divida ed Impera: përça e sundo: Nuk ka parë ndonjëherë Partia Socialiste e Elbasanit një ndasi dhe një sherr kaq ordiner midis socialisteve të thjeshte, dhe me pozitë. Qe të gjithë pa asnjë më të voglin dyshim kanë qenë kontribuues dhe qëndrestarë në këto 20 vjet. Blushi ishte helmi, Kasandra, që mbolli urrejtje. U deshën 2-3 takime ne grup e ca koke-më—kokë dhe ajo Parti socialiste që kish qenë solide dhe merrte frymë si një e tërë, filloi të ngjante dhe te kthehej si në situatat në Kandahar, vendin me të cilin ai e krahasonte Elbasanin natën, kur nuk ishte moteleve, dhe kur shkruante: sepse të nesërmen do të fillonte dita me buzëqeshje, tenis, dhe vizitë në Elbasan.
    Shprehja “koha do ta tregoje” nuk besoj se vlen ndonjëherë me shume sesa për të shpjeguar rastin fatkeq Blushi në Elbasan. Në çdo takim do të përfundonte midis tij dhe deputetëve, ai që herët mendonte batutat me të cilat do të ç’orientonte fushatën. Dhe jo rrallë ja doli te krijojë konflikte dhe përplasje fizike me grushte me deputetë socialistë dhe militantë, fenomene këto aq regresive në beteja elektorale.
    Fushatat elektorale te suksesshme i çon përpara fryma e solidaritetit dhe fitores brenda kampit. Grindjet dhe përçarjet e panevojshme brenda të njëjtës forcë kanë tashmë emrin e vjetër të “Kalit të Trojës”.
    Një gjë nuk pat llogaritur Blushi në Elbasan: makina elektorale socialiste është e tillë që funksionon për bukuri pavarësisht se kush është lider. Me tu dhënë sinjali i fushatës elektorale, socialistët progresistet dhe simpatizantët pozicionohen menjëherë në rolet e tyre, dhe Blushit nuk i ngelet veç të shkruajë romane.
    Menjëherë pas fushate, pa e marrë qeveria akoma mandatin zyrtarisht, Blushi e kish botuar romanin mbi Kandaharin. Ai do të mbahet mend si njeriu që paradite zgjidhte ndonjë batutë të bukur, dhe në darkë shkruante romanin e zi.

    Ai ishte një “kalë i drunjtë Troje” që i mungon tani Troja, Odiseun s’e ka pasur brenda se ai ka qene vetëm kali të cilit ndoshta dhe i ka mbetur ndonjë pjesë e drunjtë (këmbën e theu duke luajtur tenis gjatë fushatës në Elbasan)


    KONCEPTI PER CELEBRITETET

    Fjala “celebritet” nuk përkthehet në gjuhën shqipe, por shumica e të arsimuarve e dinë se çfarë është: me fjalën “celebritet” anglishtfolësit i referohen njerëzve që janë të famshëm jo sepse kanë bërë ndonjë akt heroik në shërbim të interesit publik, jo sepse kanë bërë ndonjë vepër me vlerë shkencore apo qoftë edhe ndonjë vepër që kërkon mundim. Me “celebritete” anglisht-folësit i referohen njerëzve që janë të famshëm për shkak të spektakleve si Big Brother, për shkak se kanë bërë ndonjë vrasje dhe në përgjithësi atyre njerëzve të cilët, për shkak të vëmendjes mediatike të blerë, apo të rastit, por kurrë sepse e kërkon publiku, janë “të famshëm për hir të të qenit të famshëm”. Në këtë kategori historia njeh edhe kafshët, qen, mace, delfinë apo papagaj të cilët kanë fituar statusin e një celebrity.
    Nuk kuptohet asnjëherë vëmendja që media shqiptare i jep Ben Blushit, koha televizive dhe hapësira e shtypit të shkruar janë krejtësisht në disproporcion me konceptin “vlerë lajmi” apo me konceptin “vendosje agjende” e aq me tepër interes publik, (përpara fotografisë prej soc-realisti te Blushit medies jone sipërfaqësore i duket punë “logje kavaje” interesi publik.
    Narcisti Ben Blushi, kur shihet në pasqyrën e tij, e ndjen se duhet të mbajë gjallë një mekanizëm të tërë për të ruajtur statusin e një celebriteti. Vetëm për hir të kësaj, një botues qyqar në Elbasan rrezikoi disa vite burg sepse kish falsifikuar librat e Ben Blushit te cilat kërkoheshin kaq shumë nga publiku, sa nëse falsifikoje ato, fitimi do të ishte marramendës. Për të ushqyer pra, narcismin e tij, Blushi toleron dhe nxit edhe burgosje njerëzish.
    E ç’pret nga njerëz që në shekullin e 21 deklarojnë se janë ateistë, apo që në shkrimet e veta i gëzohen kultit të Voskopojë apo të Grabovës. Dhe edhe këtu kemi një problem me B. B.-në: nuk ka dhënë asnjëherë një provë që shkrimet i ka të tijat: gjyshi i tij, Dh. S. Shuteriqi ishte një shkrimtar dinjitoz, por shkrimet e dobëta me siguri që nuk i ka botuar. Dhe kur gjyshi nuk na len trashëgimi ndonjë pare, hajde ti vjedhim shkrimet...

    LEGJENDA URBANE E “RRUGES SE ELBASANIT”
    E frikshme, por e vërtetë: rrethet e arsimuara të Shqipërisë akoma jetojnë dhe qarkullojnë legjenda urbane: Legjenda urbane, apo mitet urbane, apo përrallat bashkëkohore janë një formë folklori ne të cilën ai që e tregon një histori, e thekson që nuk e ka pare vetë, por njeh një shokun e tij qe edhe njeh një tjetër që e ka parë.
    Legjenda urbane e ditës: Ben Blushi mbështetet nga “Rruga e Elbasanit” (ky është emri në legjendat urbane për të thënë ambasada amerikane). Janë ato që sponsorizojnë vëmendjen e madhe mediatike ndaj tij dhe pikërisht pse i frikësohet amerikanëve, Rama nuk merr do asnjë masë ndaj Ben Blushit sepse atë e mbështet ambasada amerikane. (pfffff). Tel “Opinion i Fevziut ai tha se për mua interesohet ambasada amerikane, ata që ka quajtur “Burrë shteti” Berishën dhe i kanë “puthur duart” Lulëzim Bashës në Ministri. E për ti vënën kapakun këtyre, BB-ja shfaqet në Elbasan ditën e dëshmorëve. Një habi e madhe në qytet, qyteti e di se atij nuk i dhimbset familja, e jo me martiret. Por jo, Ai u shfaq si macja e zeze e supersticioneve në tërë botën: Ditën që ai shfaqet në Elbasan, nga ambasada amerikane u lakua një thashethem sipas të cilit ekselenca e tij, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara anulonte dy vizita të planifikuara dhe të radhës në Elbasan. Asgjë nga këto nuk ka për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, por vlejnë për tu kuptuar se njeriu i “rrugës së Elbasanit”, emri i të cilit doli në “wikileaks” ishte një spiun dhe shpifesh ordiner ambasadash dhe aspak një dinjitar për tu marrë në konsideratë. Të gjithë kanë kërkuar falje, në tërë botën e qytetëruar vetëm sepse ju përmend emri në “wikileaks”: BB-ja mburret pikërisht për faktin që nuk i vjen turp

    Rama mund të ketë shumë arsye për qëndrimin ndaj Blushit. Unë besoj tek kulti i “çunave të Tiranës” ashtu siç i shpjegon Lubonja kur flet për Santon, apo kulti i çunave të bllokut, të cilat kanë më shumë përvoja që i përbashkojnë sesa filozofi politike që i ndajnë.
    Por përpara sesa ta mbyll me bindjen time se përjashtimi i Blushit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, mos përfshirja e tij ne asnjë liste si edhe kthimi i vëmendjes mediatike ndaj eventeve që vërtetë përbejnë lajme dhe interes publik, këto gjëra do të sillnin vërtet një përmirësim të cilësisë së diskursit politik, le të kujtojmë një fakt: në çdo prag fushate zgjedhore, nga Austria, ne emisionin “Opinion” të Fevziut do të sillej Fatos Nano-ja, i cili do të shante mbarë e prapë partinë e vet dhe do të bënte thirrje për të votuar armikun e tij historik, Berishën.
    Në atë kohë u tha se motivi i fortë i vetëm i Nanos për ato deklarata ishte shpërblimi i menjëhershëm cash. BB-ja do të na krijonte një farë respekti nëse do të mësonim se edhe për këto punët e tij ai e merr një pagesë. Nëse as këtë se bë, atëherë s’na mbetet gjë tjetër veçse ti themi “paske roitur o i shkretë”

    FUND

  4. #4
    Moderator Maska e benseven11
    Anëtarësuar
    10-09-2002
    Vendndodhja
    new jersey-usa
    Postime
    13,821

    Për: 5-maji i blushit në elbasan

    Termi Hasanizim qe permend Blushi ka lidhje me
    1.Mentalitetin e vjeteruar te pjesetareve te kesaj partise socialiste.
    2.Mediokritetin e nje pjese te anetareve te partise socialiste.
    3.Nje pjese anetaresh jane provinciale te prapambetur dhe e reflektojne kete,
    Jane te pa emancipuar intelektualisht dhe kulturalisht.
    Dhimiter Xhuvani nuk ka qene asnjehere nje shkrimtar i kalibrit te larte si Kadareja,por nje
    shkrimtar medioker,por nuk eshte e drejte qe autori i artikullit tenton te veje shenjen e barazimit
    mes Xhuvanit dhe Blushit si karakter pasi ato nuk kane te njejtin karakter.Askush nuk eshte perfekt.
    Autori i artikullit harron qe Ben Blushi realisht nuk ka asnje sentiment per Elbasanin,pasi ai as ka lindur,as eshte
    rritur ne Elbasan.Elbasani nuk eshte qyteti i tij.Komplet akti i tij ne Elbasan eshte nje loje politike per te fituar
    votat.Ben Blushi eshte politikan dhe politikani do sillet dhe flase si politikan,kjo nuk do te thote qe ai eshte
    i sinqerte,kjo nuk do te thote qe ai e do popullin,kjo nuk do te thote qe ai eshte i ndershem si karakter.
    Kjo do te thote qe ai eshte politikan asgje me shume.Me fjale te tjera 50% diplomat 50% player(hipokrit).
    Pamvarsisht se ai buzeqesh sillet i dashur,i drejte ne popull,ekzigjent ndaj padrejtesive,flet ekzakt ato cfare populli pelqen te degjoje,
    kjo eshte thjesht nje loje politike qe ai te fitoje perkrahje simpati
    dhe vota nga populli pa dallim moshe,bindje politike,feje,seksi,krahine,ideje,etj.
    -----
    Le te mos harrojme qe Rama ne fushaten e zgjedhjeve tha perpara popullit qe Une(Rama)
    jam sherbetori i popullit,sherbetori i demokracise lol.
    Kjo shkaktoi nje emocion shume te forte pozitiv ne popull,i dha vlera popullit,ishte nje deklarate shume e forte
    qe i dha Rames votat qe i duheshin,sepse populli budalla e besoi qe Rama kishte ardhur qe te behej sherbetori i popullit.
    Ndryshuar për herë të fundit nga benseven11 : 05-05-2015 më 20:21
    ≈♥♠♣♦≈ovguide.com/movies

  5. #5
    Moderator Maska e benseven11
    Anëtarësuar
    10-09-2002
    Vendndodhja
    new jersey-usa
    Postime
    13,821

    Për: Bomba tjetër e Blushit: Rilindja po hasanizon Shqipërinë

    Hasani ne nje krah
    Hasani ne krahun tjeter
    Popullit i ka ngec ne dore
    Derri mac te letrat lol.
    ≈♥♠♣♦≈ovguide.com/movies

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Bomba tjetër e Blushit: Rilindja po hasanizon Shqipërinë

    E bukura me te birin e Kicos eshte se kujton se eshte "me i ditur" se i biri i Kristaqit qe e kemi bere kryeminister. Nuk e di i shkreti qe jane prere nga nje brume, jane ushqyer nga bylmeti i te njejtit stan, dhe jane te dy parazite si njerez. Njerez qe nuk kane punuar nje dite te vetme te jetes se tyre. Njerez pa profesion. Njerez qe profesion kane "politiken". I biri i Kicos mbahet edhe si "shkrimtar" e "publicist" i madh aqsa i kane rene mbi supe barra e halleve te popullit. Njerez qe nuk kane qeverisur dot familjen e tyre, dalin tani e duan te qeverisin familjen disa miliona banoresh te shqiptareve. E rezultati eshte ky qe shohim sot: shqiptaret e braktisin ate vend ne mase, pasi u eshte vrare shpresa. Dhe i biri i Kicos i drejton gishtin te birit te Kristaqit e i thote: "Une jam me i mire se ty si kryeminister!"

    Por ajo qe me dhuroi nje buzqeshje ishte "hasanizimi" i te birit te Kicos. Me kete do te thote qe Rama po ben si Berisha para tij, duke bere pazare politike dhe ujdi me njerez qe i nderrojne partite sa here qe ndryshon pushteti. Njerez pa ideale. Njerez pa elektorat. Njerez pa integritet. Ky eshte Hasani i politikes shqiptare. Dhe i biri i Kicos na thote se i biri i Kristaqit eshte Hasani i Madh i Politikes!

    Ajo qe te gjithe "Hasanet" e politikes shqiptare kane te perbashket, perfshi edhe te birin e Kicos qe i tregon me gisht, eshte se keta te gjithe jane njerez zorraxhinj. Ky eshte termi qe une u kam vene ketyre njerezve. Njeriu zorraxhi nuk ka ideale, nuk ka parti, nuk ka ide, nuk ka vizione, nuk ka mendime, nuk ka ndjenja, nuk ka dhembshuri, nuk ka asgje. Njeriu zorraxhi ka vetem nje mision ne jete: te mbushi zorren e tij me buke! Dhe po i duhet te behet rilindas sot e demokrat neser, e ben pa problem. Edhe po i duhet te tregoje me gisht rilindjen sot per te mbushur zorren neser, e ben prape kete gje. Dhe fenomeni i zorraxhizmit nuk ka pushtuar vetem politiken shqiptare, por ka pushtuar gjithe shoqerine shqiptare. Shikoni anetaret e forumit shqiptar per shembull se si i ndryshojne bindjet e tyre politike ne forum cdo muaj e cdo vit. Mjafton nje pune per mamin, babin ne administrate dhe fap u beme nga demokrate ne socialiste. Mjafton nje biznes me fondet publike qe na e jep pushtetari Sali, Edvin apo Ilir, dhe ne betohemi per koken e tij!

    Lart e me lart Republika e Rilindur e Zorraxhinjve!

    Albo

    P.S. Cfare pune do te bente i biri i Kicos apo i biri i Kristaqit po te jetonin jashte Shqiperise?!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 07-05-2015 më 13:47

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Bomba tjetër e Blushit: Rilindja po hasanizon Shqipërinë

    Hapi i Rilindjes

    Emri:  Hapi-i-Rilindjes-e1430994522722.jpg

Shikime: 828

Madhësia:  55.6 KB

    Bujar Kapexhiu

    MAPO

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •