RENEA arreston në gjumë Gentian Çakën, njihet si i “Hakmarrjes për Drejtësi”
Një nga anëtarët e bandës së njohur si “Hakmarrja për drejtësi” është arrestuar orët e para të së premtes, 24 prill në qytetin e Pogradecit.
43-vjecari Gentian Caka, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm në vitin 2008, u arrestua në një vilë dykatëshe të këtij qyteti, pas një aksioni të mirëorganizuar nga ana e forcave speciale “RENEA”, me asistimin e policisë së Pogradecit, duke patur parasysh edhe rrezikshëmërinë e lartë që paraqiste ky person.
Gjatë aksionit, të kryer ekzaktësisht në orën 1:00 të natës, mësohet se nuk ka patur rezistencë nga 43-vjecari, i cili është gjendur i papërgatitur në gjumë, pasi ndërhyrja është kryer e menjëhershme, duke mos i lënë mundësi reagimi Cakës.
Nuk bëhet me dije prej sa kohësh qëndronte i fshehur në vilën dykatëshe Caka, por mësohet se vila në të cilët jetonte përkohësisht ai, është në pronësi të një shtetasi, i cili është larguar për në SHBA.
Caka kishte celësin e shtëpisë, dhe e përdorte herë pas here për banim. Prej disa kohësh, policia ka rënë në gjurmët e tij, duke bërë të mundur dhe arrestimin.
Gentian Caka njihet si person me precedentë penal të hershëm, dhe si anëtar i bandës “Hakmarrja për drejtësi”. Në dosjen e tij regjistrohen krime të ndryshme.
Në foto: Personi i arrestuar dhe shtëpia ku u arrestua
Krimet ne dosjen e Gentian Cakes
1996, shpërthimi i një sasie tritoli në një mjet FIAT në Tiranë, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e rëndë të disa personave
1996, grabitje me armë në bashkëpunim e BKT Vlorë, duke marrë shumën e 2.170.000 lekëve
1994, grabitje me armë në bashkëpunim e një firme private në Tiranë, duke marrë shumën e 53.000 dollarëve.
1994, grabitje me armë në bashkëpunim, duke marrë 3.500 $, dhe tentativë vrasje e shtetasit Eduart Trimi, duke i shkaktuar dëmtime të rënda
1995, rrëmbim i fëmijës Erion Nushi, me qëllim marrjen e 200.000 $, e më pas lirimin e fëmijës pa ja arritur qëllimit.
2002, rrëmbim në bashkëpunim i biznesmenit të veshjeve Halit Nazifi, me shantazh për marrjen e 1.000.000 $.
“Kapja dhe ndalimi i tij u bë për arsye se: Ky ishte person i shpallur në kërkim, pasi: Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë me shkresën nr 934 datë16.09.2009, ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal nr 44 datë 01.07.2008, të Gjykatës së Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e cila e ka dënuar këtë shtetas me “Burgim të përjetshëm” për veprat penale “Rrëmbim personi kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109, 25 të KoditPenal. Kapja e këtij personi u bë në një vilë dykatëshe në Pogradec ku fshihej prej kohësh,” thuhet në njoftimin për shtyp.
Oranews
Krijoni Kontakt