Me datën 15 janar të këtij viti, një ditë pas operacionit që çoi në zbulimin e laboratorit të drogës në Xibrakë të Elbasanit, një kolumbian kaloi pikën e kalimit kufitar të Kapshticës drejt Greqisë. Gilberto Sanabria Hernandez me pasaportë me numër AN 870127, ka kaluar në orën 18 e 26 minuta, siç rezulton në sistemin TIMS. Partia Demokratike thotë se ai është bosi i drogës dhe se është lënë i lirë, i ndihmuar nga drejtues të policisë dhe qeverisë. Sipas saj, ai është ndaluar pasi qeni anti-drogë ka konstatuar lëndën e dyshimtë në rrobat dhe në çantën e tij. "Por shumë shpejt, ka mbërritur urdhri nga lart, dhe ai është lënë i lirë. Eshtë lënë i lirë pikërisht ditën e aksionit në Xibrakë, ku u ndaluan një pjesë e trafikantëve, dhe kolumbiani po arratisej ndërkohë", thotë PD.
Kolumbiani, sipas opozitës, është ndihmuar që të arratisej. PD thotë se policia jo vetëm kishte dijeni për aktivitetin e grupimit kriminal, jo vetëm e dinte për instalimin e fabrikës së kokainës, por u kishte krijuar edhe lehtësi e mbrojtje personave të përfshirë.
"Kjo shpjegon edhe faktin se aksioni i ndalimit dhe i arrestimit, kurseu kapot e vërtetë."
Disa persona të tjerë të konsideruar si drejtuesit e rrjetit të kokainës janë ende në kërkim. Genci Xhixha, që dyshohet se kishte gjetur 2 kolumbianët e kapur në laborator, është ende i lirë. Po kështu edhe Pranvera Ebeling, që akuzohet si personi që trafikonte kokainën nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të nisë menjëherë hetimin, për lirimin e kolumbianit, pas ndalimit nga policia në kufi, për të zbarhdhur kështu kokat e vërteta të trafikut të kokainës.
Krijoni Kontakt