TIRANË-Kanë mjaftuar 2 breshëri automatiku dhe krimi t’i marrë jetën një tjetër drejtuesi policie. Ish-shefi i komisariatit numër 6 në kryeqytet, Dritan Lamaj humbi jetën pasi është qëlluar sot rreth orës 18:45 minuta me armë në zonën e njohur me emrin “Vasil Shanto” në Tiranë.
Efektivët bëjnë të ditur se Lamaj, 41 vjec, babai i 2 fëmijeve ishte duke udhëtuar i vetëm në kryqëzimin e rrugës ‘Ibrahim Dervishi’ e ‘Petro Korçari’, me automjetin e tij tip Lancia me targë TR25 64, në momentin që është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Lamaj u dërgua me gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak ku informacionet e fundit bëjnë me dije se ish-shefi ra fillimisht në vdekje klinike dhe pak minuta me pas humbi jeten.
Nga të dhënat e para te policise mësohet se vrasja është një atentat i mirëfilltë mafioz. Sipas burimeve nga policia, autori apo autorët kanë studiuar cdo lëvizje të Lamaj dhe kanë gjetur momentin kur ai ndodhej i vetëm duke lëvizur me automjetin në errësirë në një zonë të pandriçuar, por shumë të populluar në këtë orë të mbrëmjes, tek “Vasil Shanto”. News24 meson se autorët kane qene me motorr dhe se i kane prere rrugen Lamajt. Ata kanë zbrazur 2 breshëri me automatik kallashnikov në drejtim të xhamave të zinj të automjetit me të cilin udhëtonte Lamaj. Plumbat e njëpasnjëshëm nuk i kanë dhënë asnjë mundësi ish-shefit të komisariatit të largohet. Dëshmitarët pohojnë se autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Nderkohe, struktura te shumta te Policise se Shtetit u angazhuan maksimalisht per zbulimin dhe kapjen e autorit.
Dyshimet më të fundit të policisë janë se autorët mund të jenë larguar në drejtim të qytetit të Durrësit me një automjet tip BMW.
Mësohet se vrasja e Lamaj ka ngritur në këmbë krerët e strukturave të policisë së Tiranës. Prokurorët Eugen Beçi dhe Besnik Muçi ndodhen në vendngjarje.
Policia po shoqëron disa persona me të cilët z Lamaj ka pasur konflikte të mëparshme.Policia vendos shpërblimin prej 100 mijë dollarë për çdo informacion mbi vrasjen e ish-shefit të policisë së komisariatit nr 6 në kryeqytet.
Ish-shefi i Komisariatit nr 6 në Tiranë, Dritan Lamaj njihet si një person që në kohën që ka qenë në detyrë ka pasur përplasje me disa biznese në zonën e Kombinatit. Në këtë periudhë atij i janë bërë akuza publike për mënyrën sesi është sjellë kundrejt këtyre bizneseve.
Po kështu në muajin shtator të vitit 2012 nje biznesmeni akuzoi publikisht Lamaj se kishte përdorur dhunë ndaj personit të tij.
Dritan Lamaj, pas detyrës në krye të Komisariatit numër 6, aktualisht punonte në një prej sektorëve të drejtorisë së Policisë së Përgjithshme të Shtetit. News24 mëson se Lamaj kishte bërë disa ankesa në prokurori për shkak të kërcënimeve që kishte marrë së fundmi.
Me vrasjen e sotme, krimi godet dhe njëherë tjetër në radhët e policisë. Pas vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj në Shijak dhe shefit të krimeve të Burrelit, Musa Skura, dora e krimit ekzekutoi sot ish-shefin e Komisariatit numër 6 në Tiranë, z. Dritan Lamaj(d.b/BalkanWeb).
Krijoni Kontakt