-
i/e regjistruar
Hirësi, pse nuk mbahet një meshë shqip në Athinë?
Hirësi, pse nuk mbahet një meshë shqip në Athinë?
Sotir Mano*
Thuhet për Hirësinë Tuaj që jeni një nga më të shquarit e ortodoksisë, nivel intelektuali fetar dhe njerëzor i klasit të parë. Nuk e dyshoja aspak këtë opinion. Këto kualitete, aq më tepër me ndjesira shpirtërore të holla prej bariu shpirtëror, më nxisin të mendoj se Hirësia Juaj duhet të jetë ndër të parët, në mos i pari që e ka ndjerë dhe e ka kuptuar se sa më shumë zgjatet qëndrimi Juaj aq më shumë zemërim akumulohet ndaj misionit që Ju i Përndrituri Hirësi keni.
Ka një det pakënaqësie mbi qëndrimin e Hirësisë Janullatos në krye të kishës shqiptare. Një udhëheqës shpirtëror, kur nuhat që, në ajrin përreth ku ai ungjillon ndjehet era e pakënaqësisë ndaj tij, atëherë ai zgjedh mënyrën më të urtë, më të butë për t’u larguar me nder e me faqe të bardhë. Në fillim ne besimtarëve ortodoksë na u tha se qëndrimi i Hirësisë Janullatos do të jetë i përkohshëm, për aq kohë sa të përgatitet si i tillë një shqiptar. Me besimin në dritën e Zotit ne e besuam, heshtëm, u gëlltitëm dhe ulëm kokat. Këtë e theksoj sepse pasja në krye të kishës autoqefale shqiptare të një prifti grek është një blasfemi ndaj Papa Kristo Negovanit, Fan Nolit, At Melanit, etj. Kështu na janë mësuar këto gjëra në historinë e Shqipërisë, në historinë e kishës me në krye Fan Nolin.
Do bëj shkurt një krahasim. Përgatitja e një mjeku të përgjithshëm kërkon 5-6 vjet, përgatitja e një neurokirurgu, një kardiokirurgu kërkon 9-10 vjet. Një arkitekti i duhen 5 -6 vjet përgatitje, një gjeofizikan nafte 6-7 vjet, një inxhinier nuklear 7-8 vjet, etj. Këto janë profesione me përgjegjësi shumë të madhe jetike për njeriun. Kemi 22 vjet që Hirësia Janullatos predikon dhe përgatit pasuesit e tij të cilët edhe mbas 22 vjetësh nuk qenkan të aftësuar për të marrë drejtimin e kishës! Kur dihet se përgatitja e një prifti nuk shkon më shumë se 5 vjet, plus edhe 5 vite të tjera studim në nivelet më të larta të teologjisë. Përgjigja rrjedh vetvetiu: Ose ne ortodoksët shqiptarë jemi shumë të pagdhendur për të mësuar teologjinë, punërat kishtare, gjë pak e pamundur, kur jemi shumë të aftë që të mësojmë profesionet e tjera me koeficient intelekti shumë më të lartë, ose e dyta: Qëndrimi Juaj i tejzgjatur, Hirësi Janullatos, ka shkak një prapamendim, një spekulim që padashur të bën që të shkojë mendja për të keq. Nën drejtimin Tuaj Hirësi, në Shqipëri janë ngritur disa kisha shumë të mëdha, gjë që e ndihmon rimëkëmbjen e kishës shqiptare. Disa besimtarë ortodoksë thonë shpesh se, sa është bërë për kishën në Shqipëri nën drejtimin e Hirësisë Suaj, nuk është bërë asnjëherë më parë. Si besimtarë na ka ardhur mirë. Por nuk mund të lemë pa përmendur që këto kisha janë ndërtuar si dhuratë nga shteti grek. Kështu na është thënë ne besimtarëve që në kushtet e varfërisë nuk mund të kontribuonim me fonde. Nga historia dimë se dhurata që një shtet i jep një tjetri, është në proporcion të drejtë me interesat që ka shteti dhuratë-falës. Kjo më kujton rastin e freskët të ndërtimeve arkitekturore madhështore që ndërtoi Italia fashiste në kohën e mbretit Zog të cilat, u kurorëzuan me pushtim të Shqipërisë mbas disa vitesh. Ky fakt historik ma mjegullon pak besimin në dhuratat fetare që shteti grek na ka bërë ne shqiptarëve ortodoksë. Edhe sepse për analogji të kundërt, të tilla dhurata madhështore nuk kanë ardhur nga shteti katolik italian, shumë më i fuqishëm financiarisht sesa shteti grek.
Besimtarët ortodoksë shqiptarë kanë nevojë për një kryeprift që të na ndiejë shpirtin dhe në rrugën e Zotit të na i zbusë ndjenjat e paqes në gjuhën e nënës sonë! Mjaft më ju lutem me gënjeshtra dhe hipokrizi politikanësh. Sa më shumë këmbëngulni, Hirësia Juaj Janullatos, për të qëndruar, aq më shumë reagim kundërshtues dhe fyes akumuloni te ata të cilëve ua keni thyer besimin dhe paqen shpirtërore. Prandaj me dashurinë dhe respektin e një besimtari, nuk hezitoj me urti kristiane të formuloj shprehjen e këshillës që, mjaft e keni zgjatur kohën e largimit. Do jeni shumë më i mirëkuptuar dhe i vlerësuar si kryebari shpirtëror e si njeri i Zotit, aq më i falur deri në përgjërim do të ndjeheni në shpirtërat e shqiptarëve. Ungjilli na mëson se edhe e mira, kur teprohet, mbart brenda farën e së keqes.
Kur Ju nuk e bëni këtë, atëherë më lind pyetja: çfarë ju detyron që të zgjatni e të zgjatni qëndrimin atje ku nuk ju adhurojnë më si ndërmjetës me Zotin, atje ku ju shprehin zemëratën në sy, në median e shkruar dhe atë vizive. Përgjigja është vetëm një: Detyra Juaj nuk është më shpirtërore, është një detyrë politike. Qartësisht vetëm një detyrë politike jua imponon qëndrimin sa më gjatë, ua rrëmih pak e nga pak, jua zhbën për fat të keq, edhe atë punë të sferës shpirtërore për të cilën keni punuar. Kam edhe një dëshirë si besimtar ortodoks që ushqehet në shpirt me dritën e Zotit:
Përpara sesa të zgjidhni momentin e largimit nga Shqipëria, do t’Ju propozoja Hirësi që të bënit një gjest simbolik në historinë e Kishës shqiptare dhe në shërbim të popullit shqiptar, por dhe atij grek të cilit i përkisni si kombësi. Si zëdhënës i Fjalës së Zotit, me urtësinë e misionit të shenjtë fetar të ngriheni mbi shpirtërat e intoksikuar të atyre që ua kanë me të keq grekëve dhe shqiptarëve.
Uroj që Hirësia Janullatos të kërkojë me durimin dhe largpamësinë e Atit të tij të shenjtë, që një nga ndihmësit e tij më të afërt shqiptarë të shkojë dhe të lejohet që të mbajë një meshë në gjuhën shqipe në kryekishën e Athinës. Le të jetë ky akt, shenjë e një mirëkuptimi shpirtëror midis dy popujve fqinjë, shkalla më e lartë e bashkëpunimit shpirtëror midis shqiptarëve e grekëve. Njëlloj si shkojnë politikanët më të lartë të një shteti dhe flasin përpara parlamentarëve miq në gjuhën e tyre, duke u mirëkuptuar dhe falënderuar për mesazhet paqësore që japin. Nga ky ritual mesazhi paqeje nuk bëjnë përjashtim as udhëheqësit shpirtërorë. Aq më tepër që ka shumë shembuj të tillë qoftë te të krishterët katolikë, edhe te ata ortodoksë apo edhe myslimanë të sekteve të ndryshme.
Hirësinë Janullatos që i shërben afrimit, mirëkuptimit, shkrirjes së ngricave dhe ngrohjes së raporteve të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit, ky akt do e ngrinte si gjigant të mendimit dhe kurajos shpirtërore në sytë e shqiptarëve. Do e bënte zëdhënës të ndjenjave popullore në shërbim të fqinjësisë së mirë, jo zëdhënës të interesave politike. Kjo do më bindte mua si delja Juaj shpirtërore ortodokse, që misioni Juaj në dobi të shqiptarëve është i papërlyer me politikë.
Në të kundërt, për fat të keq të besimtarëve dhe Tuajën te veprimtaria në vazhdimësi e Juaja Hirësi Janullatos, nuk ka më predikim shpirtëror, ka mision politik të fshehur mbrapa pëlhurës së misionit shpirtëror.
Në këto momente më vjen në mend thënia e Shën Françeskut: Filloni të bëni atë që është e nevojshme, më pas atë që është e mundshme dhe papritur, do çuditeni sesa afër qenka e pamundura. Akoma ka kohë për të pamundurën; kjo ju shenjtëron, jo gjetja e kleçkave justifikuese që nuk e nderojnë një njeri në shërbim të Zotit. Mjeti më i mirë për të arritur në zemrat e besimtarëve është dashuria, jo hileja. Këmbët e shpejta, faqja e bardhë e të zotë.
Kristianizmi është Feja e vetme që në historinë e saj me mundim të madh ka gjetur forcën e brendshme për të rishikuar gabimet dhe për t’i korrigjuar ato. Kjo është Drita e Zotit që na udhëheq.
Me besimin në Zot…
Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 08-03-2015 më 22:08
-
-
Për: Hirësi, pse nuk mbahet një meshë shqip në Athinë?
Si urdheron Sotir Mano komunisti, por kur je kaq "ortodoks" i flakte, perse nuk vete te dielen ne Kishe, e ta pyesesh Kryepeshkopin vete?
Apo ju ka mesuar Partia dhe shoku Enver ju komunistet qe ti sulmoni "Armiqte e Popullit" me fleterrufe neper gazeta?!
Falna urtesi o Zot te durojme injorantet qe nuk u mbyllet goja e nuk kane mesuar gje ne kete cerek shekulli!
Albo
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt