Doshi dëshmon nesër në Prokurori "Nesër jap dëshminë dhe provat!"
TIRANE - Tom Doshi do të paraqitet ditën e nesërme, të enjten e 5 marsit përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë e tij, në lidhje me akuzat e bëra publike nga vetë ai për një atentat të mundshëm ndaj tij dhe kolegut demokrat Mhill Fufi.
Është vetë Doshi që ka bërë të ditur këtë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke theksuar se do të paraqitet nesër në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij si dhe provat dhe videot që ai pretendon se ka për ngjarjen.
Fillimisht, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditura se ftesa për të marrë dëshminë e tij ishte për më datë 6 mars, por siç shprehet vetë deputeti me kërkesë të tij ajo është vendosur për ditën e nesërme.
"Kam kontaktuar sot me Prokurorine e Krimeve te Renda per ti dhene deshmine time ne lidhje me hetimet e nisura per tentative vrasje ndaj meje dhe nje kolegu tjeter deputet. Me kane caktuar, pas kerkeses time, qe neser paradite te paraqitem per te dorezuar provat e mia." shkruan Doshi
Ora 13:27 Prokuroria ftesë Tom Doshit të dëshmojë më 6 mars për akuzat
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dërguar ftesë deputetit Tom Doshi që të paraqitet pranë organit të akuzës për të dhënë dëshminë e tij si dhe vendosjen në dispozicion të provave që pretendon se ka, në lidhje me atentatin ndaj tij.
Lajmi konfirmohet për A1 Report nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda sipas të cilave, ftesa bën fjalë për datën 6 mars në orën 10:00, ku deputeti Doshi mund të paraqitet për të dhënë dëshminë dhe provat e tij.
Sipas po të njëjtave burime, bëhet e ditur se ftesa e Prokurorisë nuk e detyron atë të paraqitet domosdoshmërisht në datën e caktuar, pasi nuk është fletë thirrje.
Deputeti Doshi deklaroi se ndaj tij, Ilir Meta kishte paguar të dyshuarin Durim Bani si personin për ta eleminuar dhe se për këtë kishte njoftuar se Ministrin e Brendshëm, Kryeministrin dhe Policinë e Shtetit. Doshi pretendon se për atentatin ndaj tij ka provë një video të gjatë 37 minuta.
Shqiptarja
Krijoni Kontakt