Qeveria zotohet para FMN-së për rritje të re taksash dhe të tarifave të energjisë
Letra e palës shqiptare për drejtoren Lagarde
Letra – Letra nënshkruhet nga ministri i Financave, Cani, ministri i Ekonomisë, Ahmetaj, dhe zëvendësguvernatorja e BSH-së, Gjoni
Borxhi – Pala shqiptare kërkon ndryshimin e tavanit të kreditimit të Bankës së Shqipërisë për qeverinë mbi bazën e performancës
Kalendari – Me misionin e FMN-së, është rënë dakord që datat e rishikimeve të jenë çdo katër muaj. Takimi i radhës është më 15 prill 2015
Zamir Alushi
Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka marrë një letër nga autoritetet shqiptare mbi rishikimin e dytë dhe të tretë të marrëveshjes me FMN-në. Letra publikohet bashkë me konkluzionet e FMN-së, ku nënvizohet se qeveria ka rënë dakord të kompensojë buxhetin me rritje taksash, nëse reforma në sektorin e energjisë elektrike nuk do të arrijë rezultatet e përcaktuara.
Kërkesat
Në letrën e datës 27 janar 2015, e nënshkruar nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe zëvendësguvernatorja e BSH-së, Elisabeta Gjoni, kërkohet ndryshimi i tavanit të kreditimit të Bankës së Shqipërisë për qeverinë. “Autoritetet kërkojnë që tavani mbi huan e Bankës së Shqipërisë për qeverinë të rregullohet sipas një kriteri sasior të performancës, duke filluar testimin nga fundi i prillit 2015”, propozohet nga pala shqiptare. Ndërsa lidhur me mosrealizimin në kohë të dy kritereve, pala shqiptare shprehet: “Ne kërkojmë që bordi ekzekutiv i FMN-së të kompletojë konkluzionet për fazën e dytë dhe të tretë sipas marrëveshjes. Kërkojmë nga FMN-ja: 1) një indeks tregues për plotësimin në vazhdimësi të kritereve të performancës në bazë të masave korrektuese të ndërmarra; 2) një indeks të zbatimit për të dyja kriteret e performancës të qeverisjes së përgjithshme, deficitin buxhetor dhe shpenzimet, duke pasur parasysh se në fund të dhjetorit nuk ishin të disponueshme të dhënat për vlerësimin sasior të objektivave; 3) kalimin e këstit prej 47 100 000 SDR, pas përfundimit të rishikimeve të fazës së dytë dhe të tretë nga bordi ekzekutiv i FMN-së; dhe 4) rishikimin e kalendarit të disbursimeve të ardhshme për të renditur më mirë misionet me ciklin tonë të brendshëm të punës”, theksohej në këtë letër. Me qëllim që me anë të dialogut të shmangen rreziqet e programit, FMN-ja dhe pala shqiptare në bisedimet e fundit, kanë rënë dakord të ndryshojnë fazat e rishikimit. Më 15 prill, pritet të vijë misioni i radhës dhe më pas të vazhdojnë misionet tri herë në vit, në vend të takimeve çdo gjashtë muaj, siç ishte parashikuar në marrëveshje.
Huaja – Shuma e huas është 295 420 000 SDR. Norma e interesit është 1.13 për qind
Komisioni – Komisioni i angazhimit, 0.15% aplikohet në çdo fillim periudhe 12-mujore
Maturimi – Komisioni i Shërbimit është 0.5%, ndërsa maturimi i huas është 13 vjet
Tarifat e energjisë
Reforma që qeveria ka ndërmarrë në energjetikë parashikon që sektori të dalë nga kriza dhe të financojë veten në vitin 2019. Deri atëherë ai do të financohet çdo vit nga buxheti sipas një plani të paracaktuar. Për këtë vit, qeveria ka parashikuar mbi 13 miliardë lekë ose 1.2 për qind të PBB-së për këtë qëllim, ndërsa në vitet që vijnë, shifra është parashikuar të ulet. Por nëse nevoja e tij për financime do të jetë më e madhe se shifrat e paracaktuara, qeveria do të jetë e detyruar të marrë masa shtesë, duke rritur taksat ose shkurtuar investimet, me qëllim për të mos cenuar deficitin e përgjithshëm të buxhetit të përcaktuar nga memorandumi me FMN-në. Rritja e tarifave të energjisë në fillim të këtij viti ishte vetëm hapi i parë për barazimin e kostove me çmimet finale që paguajnë konsumatorët. FMN-ja nënvizon se qeveria do të vazhdojë me rritjen e tarifave edhe gjatë viteve në vijim. Sipas FMN-së, barazimi i menjëhershëm i kostove do të kërkonte rritje të fortë të çmimit. Ndaj, autoritetet planifikojnë që ta bëjnë këtë në disa hapa, me rritjen e parë që hyri në fuqi në fillim të 2015-s, ku çmimi i energjisë për familjarët u njësua në 9.5 lekë, ndërsa tarifat e biznesit u rritën nga 10 deri në 39 për qind në varësi të kategorive të tyre. Sipas FMN-së, rritja e tarifave përtej 2015-s do të shoqërohet me rritjen e transfertave për të mbrojtur familjet e varfra, një skemë e cila u përdor edhe për këtë vit. “Ne gjithashtu do të ndërmarrim një rishikim të metodologjisë aktuale të vendosjes së tarifave, me synimin për të lëvizur në drejtim të rregullimeve më të shpeshta dhe automatike bazuar në çmimet e tregut”, shkruan pala shqiptare. Ndërkohë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kompania e shpërndarjes (OSHEE) do të ketë një kontratë të menaxhimit të performancës. “Ne jemi aktualisht në konsultim me një ekspert, që ka paraqitur një raport në mes të dhjetorit 2015 dhe presim që të nënshkruajmë kontratën në mes të 2015-s”, informon pala shqiptare.
Raporti
Plotësimi i kritereve, priten të dhënat e fundit të dhjetorit
Sipas letrës së palës shqiptare drejtuar drejtores së FMN-së, Lagarde, si dhe në bazë të konkluzioneve të përbashkëta, performanca e qeverisë në kuadrin e programit ka qenë e kënaqshme deri tani. Për periudhën nga fundi i qershorit deri në fund të shtatorit, u plotësuan të gjitha kriteret e performancës sasiore. Megjithatë, kriteri i performancës mbi akumulimin e borxheve nuk u arrit në kohë, për shkak të parregullsive në firmat e nënshkruesve. “Ne jemi aktualisht në pritje të të dhënave për të vlerësuar dy kriteret e performancës në fund të dhjetorit (një tregues të zbatueshmërisë së kritereve për tavanet e shpenzimeve të qeverisë dhe deficitit të përgjithshëm). Arritja e objektivit mbi akumulimin e borxheve të reja nuk u arrit për një diferencë të vogël, ndërsa inflacioni ishte pak më poshtë brezit të përcaktuar në bazë të klauzolës së konsultimit. Ne jemi duke përforcuar kontrollet e brendshme dhe zbatimin e reformave ambicioze për të siguruar që qeveria përmbush detyrimet e pagesave në kohën e duhur”, nënvizohet në këtë letër.
Shqip
Krijoni Kontakt