Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka kërkuar njohjen e Pavarësisë së Kosovës shtetit të Greqisë. Ai këtë e ka bërë gjatë një takimi që ka pasur me Ambasadoren e Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou.

Në një komunikatë për media të kësaj ministrie thuhet se ministri Kuçi ka vlerësuar lartë thellimin e pandërprerë të bashkëpunimit mes dy shteteve. Ministri Kuçi gjithashtu ka vlerësuar rolin e Greqisë që haptazi po përkrahë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit është diskutuar edhe mbështetja e Greqisë për sistemin e drejtësisë të Kosovës përmes EULEX-it. Ministri Kuçi ka theksuar që bashkëpunimi bilateral në fushën e drejtësisë duhet të forcohet edhe më shumë, sepse bashkëpunimi ndërkufitar lehtëson dukshëm luftimin e krimit të organizuar që nuk njeh kufij.

Ambasadorja Greke në anën tjetër, ka theksuar se Greqia do vazhdojë të ketë qasje konstruktive ndaj Republikës së Kosovës.

Edhe pse ende nuk e ka njohur Kosovën, Greqia është kontribuuese e rregullt në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe EULEX-in dhe KFOR-in.

Greqia ka njohur pasaportat e Republikës së Kosovës, duke përfshire edhe pasaportat diplomatike, si dhe vazhdon të jetë një shtet mik në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian./KosovaPress/http://almakos.com/thumbnail.php?fil...article_medium