Nga: ERJON SKENDAJ*
TIRANE - Prej tre muajsh lufton me kancerin, betejë që kërkon ta fitojë me çdo mjet dhe mënyrë, pasi në shtëpi e pret një fëmijë i vogël që kërkon pranë nenën e tij. Hallit të madh që i ka rënë mbi kokë, Eleonora Gjonit i shtohet edhe mungesa e ilaçit kryesor, që i duhet për kimioterapinë. Me lot në sy, 36-vjeçarja i është drejtuar me një letër kryeministrit, që t’i gjendet ilaçi jetik doxorubicina, pasi sipas saj, medikamenti mungon prej të paktën dy muajsh në shërbimin onkologjik, ku po trajtohet.
“Në spital nuk gjendet ilaçi, kurse në farmaci unë e gjej këtë ilaç pa firmë, pa vulë, pa asgjë. Kam bërë katër kimio deri tani, si kjo vetëm njëherë kam gjetur në spital, herë të tjera i kam blerë vetë. Dy të tilla më bëjnë 80 mijë lekë.”- shprehet Eleonora.
Gruaja thotë se shumicën e ilaçeve, e po kështu edhe analizat që duhej t’i përballonte spitali, i ka kryer me para në dorë neper klinika private. Kjo nuk mund të vazhdojë më tutje, pasi nuk i ka mbetur më asnjë lek, si e papunë që është.
“Plus ilaçet e tjera që blej, më shkojnë tek 90-100 mijë lekëshi. Plus analizat që i kam bërë të gjitha me lekë. Eshtë e papërballueshme për mua. Spitali nuk ka ilaçe. doktorësh më është përgjigjur thjesht thotë s’ka spitali. Si unë ka shumë. jam pa punë, kam për të bërë 3 kura të tjera bëjnë 600 euro një kurë, i bie të vdes. Nuk kam. Kam një fëmijë 7 vjeç për të rritur. I lutem kryeministrit të verë dorën në zemër, nuk kemi, mirë që na ra sëmundja por nuk kemi lekë. Nuk e di si do shkojë puna jonë.”- shprehet gruaja.
Në mbështetje të Eleonorës kanë dalë edhe aktivistë të Shoqërisë Civile, që bëjnë apel për ndihmë ndaj nënës së re.
Ndërkohë “News24” i është drejtuar spitalit “Nënë Tereza”, për të marrë prej andej një informacion zyrtar për mungesën e medikamentit doxorubicina, si dhe për pretendimet që ngre pacientja, por nga ky institucion nuk ka ende asnjë përgjigje.
(er.nu/news24/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt