Shqipëria përmbytet, tregtarët e
energjisë pasurohen
Nga Besar Likmeta, BIRN
Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë
dramatike në zonat jugore të Shqipërisë, pasi
vërshimi i ujërave të lumenjve ka detyruar
qindra familje të braktisin shtëpitë e tyre të
përmbytura.
Dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet
janë të konsiderueshme, me fshatra të tërë nën
ujë, qindra krerë bagëti të mbytura dhe fusha
me të mbjella të shkatërruara.
Megjithatë, shirat e dendur kanë dhe një aspekt
pozitiv. Reshjet kanë përmirësuar situatën
hidrike në digat e hidrocentraleve të Korporatës
Elektroenergjitke Shqiptare, KESH, duke rritur
mundësinë e saj për gjenerimin e energjisë
elektrike.
Por duket se taksapaguesi shqiptar, përfshirë
edhe familjet e përmbytura, nuk do të
përfitojnë të shumë nga rritja e prodhimit në
hidrocentrale.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH, e
cila menaxhon prodhimin e hidrocentraleve nën
pronësi publike, ka vendosur që energjinë e
tepërt ta shesë me tender.
Ndërkohë, kompania OSHEE, e cila gjithashtu
është nën pronësi publike, ndryshe nga KESH,
nuk ka tepricë energjie por deficit. Asaj i duhet
të blejë energji, gjithashtu me tender.
Problemi është se në tenderat e fundit të
zhvilluara nga dy kompanitë publike, kanë marrë
pjesë të njëjtat kompani private, të cilat, nga
njëra anë kanë blerë energjinë e prodhuar
shtesë nga KESH dhe nga ana tjetër i kanë
shitur energjinë e munguar OSHEE-së. Vetëm se
mes dy tenderëve ka një diferencë jo të vogël
në çmim.
Në tenderin e mbajtur të hënën me 2 shkurt,
KESH sh.a ka nxjerrë në shitje 127,620 MWh
elektricitet, për periudhën 4-28 shkurt 2015, i
cili i është shitur në dy lote gjashtë kompanive,
kur përfshihen GEN-I Beograd dhe GEN-I
Athens, GSA Sh.p.k, Axpo d.o.o Beograd, EFT
A.G dhe Danske Commodities Albania sh.p.k.
Çmimi i shitjes së energjisë për MWh ka variuar
nga 36.93 euro në 43. 39 euro, për një vlerë
totale prej 4,88 milionë euro. Çmimi mesatar
për MWh i shitjes ka qenë 38.47 euro.
Pak ditë para se KESH të shitste, për të njëjtën
periudhë kohore, OSHEE ka blerë 188,160 MWh ,
nga kompanitë AXPO d.o.o Beograd, ANTIX
sh.p.k, GEN-I Tirana sh.p.k; GSA shpk dhe EFT
AG, për një vlerë totale prej 10,75 milionë euro.
Çmimi mesatar i importit të OSHEE ka qenë
57.12 euro, ose 18.65 euro më i shtrenjte se
çmimi i eksportit të KESH sh.a.
Pyetja që shtrojnë shumë ekspertë në këtë
situatë është se pse KESH, nën pronësi publike,
nuk ia ka shitur energjinë e prodhuar tepër
drejtpërsëdrejti OSHEE-së, e cila është gjithashtu
nën pronësi publike, duke i kursyer
konsumatorëve miliona euro.
Nëqoftëse KESH sh.a do ja kishte shitur
energjinë direkt OSHEE-së me çmimin e
eksportit prej 38.47 euro, për sasinë 127,620
MWh kjo e fundit do kishte kursyer 2.3 milionë
euro, të cilat me një të rënë lapsi kanë shkuar
në xhepat e tregtarëve të energjisë.
Sipas kuadrit rregullator të tregut të energjisë
OSHEE-ja është përgjegjëse për blerjen e
energjisë elektrike për të mbuluar të gjitha
humbjet në sistemin e shpërndarjes.
Në mungesë të energjisë së mjaftueshme në
vend, zakonisht OSHEE e siguron këtë energji
duke importuar 10 deri në 15 milionë euro nga
tregu i importit.
Por megjithatë OSHEE ka mundësinë që të
importojë një sasi më të vogël se humbjet dhe
ta sigurojë këtë energji nga KESH sh.a, duke e
blerë me çmim tregu.
Sipas ekspertëve të konsultuar nga BIRN, në
bazë te kontratës OSHEE – KESH, dhe vendimi
40, datë 16.04.2013 të ERE, në rastin kur OSHEE
nuk mbulon dot humbjet nga importi sasia e
energjisë që merret nga KESH për mbulimin e
këtyre humbjeve paguhet nga ana e OSHEE me
vlerën monetare që i përket atij muaji kur kjo
energji është lëvruar.
Për muajt prill, maj, qershor 2013, OSHEE mori
te gjithë sasinë për mbulimin e humbjeve nga
KESH, pasi në atë kohë KESH, kishte prurje te
mëdha dhe mund te furnizonte OSHEE për
klientët tariforë dhe mbulimin e humbjeve me
çmime shumë të favorshme eksporti.
Mbetet e paqartë pse qeveria, e cila ka nën
pronësi të dyja kompanitë, nuk e ka shfrytëzuar
këtë opsion edhe tani.
http://www.gazetatema.net/web/2015/0...ise-pasurohen/
Krijoni Kontakt