Minatorët e Trepçës në grevë: Cdo bëhet me kompaninë! Drejtori ‘përplaset’ me deputetët e AAK
PRISHTINE-Minatorët e kombinatit “Trepça” kanë hyrë në grevë që nga mëngjesi i sotëm, bëjnë të ditur zyrtarët e këtij kombinati.
Rreth 250 minatorë janë duke qëndruar në horizontin e 10-të në minierën e Stantërgut. Ata po kërkojnë nga Qeveria sqarim për projektligjin që është shtyrë dhe duan të dinë për fatin e ‘Trepçës’.
Sebahate Fetahu, asistente e drejtorit të “Trepçës”, Ahmet Tmava, i bëri te ditur Radios Evropa e Lirë se të gjithë punëtorët e këtij kombinati janë në grevë.
“Minatorët duan sqarim për projektligjin që është shtyrë dhe duan sqarim për fatin e ‘Trepçës’. Për momentin, deri më tani, askush nga qeveria nuk ka shkuar aty dhe as qe ka lajmëruar për një gjë të tillë”, ka theksuar Fetahu.
Ajo ka shtuar se minatorët u kanë thënë drejtuesve të “Trepçës” se “derisa të merret ndonjë vendim prej qeverisë, grevën nuk do ta ndalin”.
Tmava konfirmoi se punëtorët që ndodhen 650 metra nën tokë aktualisht nuk janë duke punuar.
“200 deri 250 punëtorë momentalisht nuk janë duke punuar dhe po kërkojnë garanci shtesë nga liderët institucionalë” tha Tmava.
DREJTORI I TREPÇËS ‘PËRPLASET’ ME DEPUTETËT E AAK-SË
Ahmet Tmava, drejtor i kombinatit “Trepça” është përplasur me deputet të AAK-së, Donika Kada-Bujupi dhe Pal Lekaj, të cilët kishin shkuar për të vizituar minatorët grevistë.
Kjo ka ndodhur pasi Tmava iu ka kërkuar që të largohen nga greva me qëllim që të mos e politizojnë atë.
Por deputetët e AAK-së kanë refuzuar të largohen, duke thënë se ata janë të zgjedhurit e popullit dhe kanë të drejtë të qëndrojnë.
(d.b/ma.ar/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt